Kryesore

Kim Mehmeti: E djeshmja që na mungon

               Publikuar në : 10:17 - 26/08/19 Alda Bardhyli

Dialog i pambaruar me Aldën

Do doja ta nisnim bisedën nga lumi Treska.. i cili duket se ka shoqëruar fëmijërinë tuaj…?

Treska për mua ka domethënien e përballjes me të kuptuarit e sekreteve të jetës. Ende si fëmijë e kamë parë si përfundonin ata që donin të zhyteshin në valët e lumit, por duke mos ditur të notojnë. Si dhe kam përjetuar trishtimet e para kur më të rriturit të zhytnin në thellësitë e tij duke të detyruar ta mësosh notin. Kështu që shumë herët e kuptova se me ‘lumenjtë’ – dhe me çdo gjë që rrjedh, siç është edhe jeta – mund të përballesh vetëm nëse dinë të notosh. Dhe se për t’u zhytur në thellit e tyre, duhet guxim dhe shkathtësi. Dhe shkallën e rritës dhe të guximit ton e përcaktonte lumi. Ne më të vegjëlit nuk mund të laheshim aty ku edhe të rriturit dhe, nuk mund të kërcenim nga lartësitë nga kërcenin ata. Dhe ashtu siç rriteshim e forcoheshim, i pushtonim dhe thellësitë e Treskës. Madje edhe shpëtonim ndonjërin  nga ata të qytetit që vinin të freskoheshin duke mos ditur të notonin dhe duke mos e njohur shtratin e lumit si ne vendasit, që ishim përballur me valëte tij ende duke mos ditur gjithaq mirë as të ecnim.

Gjatë rritës sime, posaçërisht gjatë viteve të para të tetëvjeçares, kur ndjeja një trishtim dhe urrejtje ndaj shkollës, brigjet e lumit ishin vendi ku e kaloja ditën duke u shtirë se shkoja në shkollë, deri sa im at nuk e morri vesh se lumin, e jo shkollën, i kisha prapavijë të vetmisë sime. Kështu që, shpeshherë, përderisa fëmijët tjerë shkonin në shkollë, unë shkoja “në lum”, dhe duke shikuar valët mendoja për atë që fshihet në thellësitë e tij.

Pastaj, asokohe të rrallë ishin shkupjanët që mund të shkonin në pushime në det apo në Ohër, kështu që ‘plazhet’ e Treskës ishin vendet ku ata vinin e rreziteshin, e ku ne ndjeheshim superior ndaj gjithë qytetarëve, të cilëve jo vetëm që u shitnim frytet që bëheshin nëpër arat dhe kopshtet tona, por edhe ua zbulonim rreziqet e lumit. Treska pra ishte begatia dhe përmbajtja me e rëndësishme e ditëve fëmijërore, duke filluar që nga orët e hershme të mëngjesit kur dilja të peshkoja, e deri në orët e mbrëmjes, kur hëna pasqyrohej mbi syprinën e saj.

Çfarë i jepte lumi fshatit Gërcec?

Thjeshtë, fshati ekzistonte shkaku i lumit dhe mos dhashtë Zoti, po të thahej lumi, vyshkej edhe jeta na fshat. Lumi ishte ai që fshatarët e Gërçecit të dikurshëm të vendosur lart në Malin e Ujnajeve (Vodnos-nga ana jugore e Shkupit), i ndjellte të zbritnin poshtë në fushë. Pastaj për fshatarët e mi që kryesisht merreshin me bujqësi, ara pranë lumit ishte si dyqan që kurrë nuk të lë pa bukë. Dhe ata ishin dhe mbetën punëtorë të pashoq, që nuk e punonin, por e ‘ladhatonin” dheun që i ushqente. Dhe tërë atë fushë buzë lumit Treska, ata e kanë blerë nga maqedonasit e fshatin fqinjë, të Shishovës, duke u marrë me bujqësi. Fshatarët e mi edhe sot blejnë, e kurrë nuk e shesin tokë. Madje arat e veta nuk i shesin as ata që tani nuk merren me bujqësi, që janë shkolluar e kanë  profesione të ndryshme, që janë bërë biznesmen të pasur.

Të shesësh tokën që ke trashëguar nga të parët, te ne konsiderohet një lloj tradhtie të djersës që të ka rritur e mirëmbajtur, e të blesh tokë do të thotë se je i përgjegjshëm ndaj së ardhmes së pasardhësve tu. Kështu që në fshatin tim gjithmonë ka pasur blerës të tokës, por jo edhe shitës të saj dhe më shpejt mund të gjesh blerës për arën që ke, se sa për çkadoqoftë tjetër. Edhe sot e kësaj dite, më të shtrenjta e më të çmueshme janë arat buzë lumit. Njësoj siç janë më të vlefshme edhe shtëpitë më afër lumit. Pra lumi është pjesë bosht i mbijetesës, dhe i mirëqenies tonë. Ai lumë e bëri fshatin tonë, si dhe disa fshatar tjerë buzë tij, që të jenë ‘hambar’ që  e ushqejnë Shkupin me shumë prodhime bujqësore. Më në fund, gjatë socializmit, bujqësia ishte profesioni i paracaktuar për ne, me çka lumi Treska kishte domethënien e fatmirësisë sonë.

“Fëmijëria është jeta jote”, shprehej dikur Stefan Cvajg. A mund t’ju përkufizonte kjo shprehje?

Fëmijëria është e djeshmja që na mungon e që gjatë tërë jetës vuajmë ta rijetojmë. Ajo është si një kopsht i bukur në rrëzë të një kodrine, e që na josh të shkojmë tutje e të fillojmë të ngjitemi lartësive të jetës. Dhe me pafajësinë e vet, me mosnjohjen e shijes së lëngjeve të shumtë që e përbëjnë jetën, fëmijëria është e vetmja ‘stinë’ jetësore kur njeriu me të gjitha që ka i takon vetvetes dhe gjitha më të bukurat që i posedon, ua jep të dashurve të vet, pa bërë kalkulime se çka do merr si kundërshpërblim.

Andaj ajo mbetet koha e vetme kur me të vërtet kemi jetuar, krahasuar me kohën e pastajme e cila përmban në vetvete shumëçka, duke filluar nga dëshira të bëhemi atë që duam dhe të jetojmë ashtu siç duam, e deri te orvatja të bëhemi të atillë siç do na pëlqenin të tjerët dhe të jetojmë siç do mund t’i lumturonim ata që i duam. Andaj edhe tërë koha pasfëmijërore, me shumëçka dhe, në njëfarë mënyre, është orvatje e pafundme që ta mbrojmë fëmijën në vetvete, por njëkohësish duke bërë çmos që të dukemi sa më pak fëmijëror. Dhe të lodhur nga orvatjet të jesh ai që ëndërron, por të dukesh siç të dëshirojnë ata që të duan, ne në të vërtet vetëm tregojmë sa vuajmë për fëmijërinë kur të gjithë na donin të atillë siç ishim dhe kur ne mund të ishin atë që donim. Pra vuajmë për vitet fëmijërore kur kemi jetuar lirshëm, kur frika, lumturia, hareja…, nuk kanë qenë të kushtëzuara nga aq shumë rrethana si në stinët e më vona të jetës kur shumëçka e jona është më shumë e kushtëzuar nga të tjerët që na rrethojnë se sa nga vet ne.

Dhe duke qenë e tillë, pra duke pasur mburojë shijimin e jetës pa shtirje, duke pasur lëndë të parë ‘djegëse’ sinqeritetin dhe mosnjohjen e përbërësve jetësor, fëmijëria mbetet njësoj e madhërishme si për princin, ashtu ehe për lypsarin. Dhe shpeshherë jam i prirë të besoj se vuajta në ne që ta rijetojmë edhe njëherë fëmijërinë, e mbanë gjallë edhe vazhdimësinë e gjinisë njerëzore: nëpërmjet fëmijëve tanë, ne duam të kthehemi atje ku kemi qenë si të vegjël dhe të bëhemi atë që nuk ia kemi dal gjatë rritës sonë. Pra duke qenë se të gjithë njësoj vuajmë për ditët fëmijërore, po aq e njëjtë është edhe dëshira të kemi pasardhës, nëpërmjet të cilëve do e rijetojmë atë moshë.

Duke e kuptuar fëmijërinë si shtyllë rreth së cilës pastaj janë rrotulluar të gjitha ‘stinët’ tjera të jetës sime, jam munduar që të mbetem sa më shumë ai fëmija që jeton për t’i takuar vetvetes e që harxhohet duke ua dhënë të dashurve të vet më të vlefshmet që ka, por pa kërkuar asgjë si kundërshpërblim. Kuptohet kjo është e pamundur të arrihet gjithmonë e kudo, por mjafton të orvatesh ta bësh sa herë që ke mundësi. Andaj përkufizimi se ç’është fëmijëria nuk mund të ndryshoj nga ajo që thotë Cvajgu, përpos që të shtohet: fëmijëria është fara nga e cila mbinë dhe rritet pema e jetës, nën hijen e së cilës prehemi edhe pasi që jemi rritur  e tjetërsuar aq sa kemi vrarë thuajse çdo gjë fëmijërore në ne. Unë shpresoj se nuk ia kam vrarë të gjitha fëmijës në mua, atij që qysh i vogël me shumë e donte vetmin dhe ëndërritjet se sa lojërat fëmijërore. Dhe andaj kur e rikujtoj vetveten fëmijë të moshës sa ka filluar të mbajë mend, ai më del përpara i shtrirë në mes të oborrit të kullës lart në kodër nga, o shikon lartësitë duke pyetur veten çka ka përtej kaltërsisë qiellore, o shikon fushën dhe lumin gjarpërues poshtë rrëzë kodrinës, duke pyetur vetveten se pse nuk harxhohet uji i tij.

Vitet 60-të kanë qenë vitet e shpërnguljeve masive të shqiptarëve drejt Turqisë. Ju keni qenë ende fëmijë por si do ti përkufizoje këto shpërngulje?

Sa herë që më ringjallen në kujtesë ato vite, mua më fanitet nëna përlotur që e vuante largimin e të afërmve të saj për në Turqi. Pastaj më ringjallet në kujtesë edhe fytyra e atëhershme e mrrolur e babait që vuante shkuarjen e motrës së tij në Stamboll. Pas kësaj, imagjinatën time  e pushtojnë mbrëmjet e zymta kur fillonin disa lëvizje të çuditshme rrugëve të fshatit, si dhe lajmet që përhapeshin nëpër mëhallët tona se kush kujt ia kishte shitur shtëpinë, apo se kush cilën arë e kishte lënë të pashitur sepse asokohe në Turqi shpërnguleshin kryesisht më të pasurit, që do t thotë se ata që mbeteshin edhe nuk kishin me çka tua blinin pronën atyre që shtegtonin, e të cilën pastaj ua konfiskonte shteti. Asokohe në fshatin tim banonte pikëllimi i dyfishtë: ai që e jetonin ata që kishin vendosur të shpërnguleshin në Turqi dhe ai i atyre që shkaku i besnikërisë ndaj vatrës familjare, apo edhe shkaku i varfërisë, kishin vendosur të mos e braktisnin fshatin.

Mbase fëmija i atëhershëm në mua gabimisht e ka regjistruar, por mendojë se të gjithë njësoj e ndenin se sa vështirë ishte asokohe të jesh shqiptarë dhe të mbijetosh si shqiptarë. Dhe mbase nuk kam të drejtë, por besoj se mu kjo vështirësi, te ne shqiptarët e këtushëm vulosi një shenjë njohëse kolektive – një mosbesim të theksuar ndaj cilitdo pushtetmbajtësi dhe një ‘egërsi’ ndaj joshqiptarëve të këtushëm. Im atë bënte çmos asokohe t’i bindte fshatarët të mos e braktisnin vendlindjen. Dhe këtë nuk e them që ta shpalli atë atdhetar, ngaqë ai këtë mund ta ketë bërë nga frika që të mos mbeteshim të vetëm në fshat.  Pastaj ne ishim familje e varfër dhe mbase nuk u shpërngulëm pse nuk kishim çka të shesim e me çka t’i paguajmë biletat deri në Stamboll, e le më të kemi me pka atje të ndërtonim ndonjë kasolle. Pra kishte familje që nuk u shpërngulën ngaqë nuk kishim çka të shisnin e me çka të rinisnim jetën atje ku do shkonim. Dhe të gjitha ato shpërngulje kishin të bënin me mbijetesën, me mbrojtjen e asaj që na bënte të dallueshëm nga sllavët e që ishin gjuha shqipe dhe feja myslimane.

Andaj asokohe ishte shumë i rëndësishëm roli i mësuesve që mungonin dhe i hoxhallarëve që i kishte çdo fshat, po që kryesisht ishin të paarsimuar. E shumë nga ata hoxhallarë – mbase të paguar nga pushtetarët e atëhershëm – propagonin ikjen. Për dallim nga hoxhallarët patriot shqiptarë  që thoshin se ta braktisën vatrën e të parëve do t thotë të mbetesh i pafe. Duke dashur kështu t’i trembnin besimtarët e të mos e braktisnin vendlindjen. Sidoqoftë, asokohe të gjithë manipulonin me ndjenjat fetare të banorëve të këtushëm. Mbase  pse nuk kishin me çka tjetër të manipulonin, ngaqë bëhej fjalë për popullatë thuajse tërësisht të paarsimuar dhe analfabetet.

Shpërnguljet e shpeshta të familjes suaj çfarë kanë lënë tek ju?

Shpërngulja e të afërmve të mi në Turqi bëri që t’i ngjajmë trungut me dy degë, e të cilat japin fryte të ndryshme: ne të mbeturit ta shpëtonim shqiptarinë në vetvete, e ata që shkuan të turqizoheshin. Por, duke mbetur ne këtu, edhe ata nuk i harruan rrënjët dhe viteve të fundit kanë filluar procesin e rikthimit të vetëdijes kombëtare. Shkuarja e të afërmve tanë në Turqi bëri që për ne Stambolli të jetë qyteti më i ‘afërt’ se cilido tjetër.

Pastaj gjatë viteve të socializmit, shumë familje të këtushme shqiptare, mbijetonin duke shitur atë që blinin në Stamboll. Pra gjatë viteve kur nga muri ideologjik i Enver Hoxhës nuk mund ta shihje mëmëdheun, dhe kur shqiptari i Maqedonisë as që mund të punësohej në ndonjë sipërmarrje shtetërore për ta mirëmbajtur familjen, ne mund t mbijetonim vetëm nëpërmjet bujqësisë dhe tregtisë. Kështu që shumë familje shkupjane mbijetuan duke blerë mallra të lira në Stamboll që i shitnin në Shkup. Pastaj unë në njëfarë mënyre jam rritur në Stmaboll.

Im at, duke mos pasur mundësi të më çonte kudo qoftë në pushime verore, posa  mbaronte viti shkollor, më hipte në autobusin për në Stamboll ku e kaloja tërë verën. Stambolli është qyteti ku ne shpesh bisedonim për atë se sa të lumtur janë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, Stambolli është qyteti ku shpesh takoheshin  shqiptarët e shpërngulur atje që nga koha e “sulltan Hamitit” me ata të viteve të mëvonshme, e që mes veti shpjegonin se sa vështirë është në këtë Ballkan të mbijetosh si shqiptarë. Apo atje takoheshin shqiptari nga Elbasani me atë nga Kaçaniku e Shkupi, që bashkërisht ta ndërthurin rrëfimin për një popull ‘pa atdhe’, të cilin o armiqtë e dëbonin nga vendlindja, ose ata iknin duke dashur ta shpëtonin vetveten.

Nëse flasim për shqiptarët e Maqedonisë në vitet 50-60-të, çfarë tabloje mund të na sillje?

Shqiptarët e viteve 50-60 t Maqedonisë ishin si të harruar nga të gjithë. Ata nuk i donte shteti ku jetonin, për ta thuajse asgjë nuk dinte as mëmëdhe Shqipëria, kështu që u mbetej të shikojnë vetëm drejtë Turqisë, e cila asokohe ishte marrë vesh me Jugosllavinë e Greqinë që t’i merret turqit e këtyre trojeve. Pra për shqiptarët e Maqedonisë nuk interesohej askush, përpos Jugosllavisë së Titos, e cila bënte çmos që ata t’i çrrënjoste nga këtu dhe t’i deshqiptarizonte këto vise autoktone shqiptare. Shqiptarët e Maqedonisë të viteve 50-60 te shekullit të nëntëmbëdhjetë, i kishte kapluar trishtimi se ashtu të lënë vetëm, pa kujdesin e askujt, nuk do mund të mbijetonin dhe se nuk do mund të mbronin atë që i bënte të dallueshëm nga sllavët – gjuhën dhe fenë. Dhe duke e jetuar atë trishtim, atyre nuk u mbetej gjë tjetër përpos të mësonin ndonjë fjalë turke sa për t’i nxjerrë ‘vesikat’ ( garancitë për t’u shpërngulur në Turqi). Pra ato ishin vite e trishta kur dënesnin edhe ata që shkonin edhe këta që i mbeteshin besnik vatrës së lindjes, e në ndërkohë nuk dihej kush për çka vajtonte:  nëse ata që shkonin lotonin nga trishtimi ndaj të panjohurës së largët, apo këta që mbeteshin e dënesnin të nesërmen e pasigurt.

Treska ju mësoi se ka gjithnjë një vend ku mund ti ikësh vetmisë?

Për dallim nga vendet e shumta ku njeriu mund ta kalojë kohën i shoqëruar nga të tjerët, të pakta janë vendet ku ai mund të mbetet me vetveten. Që në fëmijërinë time, brigjet e Treskës ishin vendet ku mund të bisedoja lirshëm me vetveten dhe ku i papenguar nga askush dëgjoja titërrimën e vetmisë, e cila shpeshherë në vetvete ngërthen gjitha ato që nuk guxon t’ia thuash vetvetes kur je i shoqëruar nga to tjerët. Madje besoj se bisedat me vetveten janë më të vështira se ato me të tjerët, sepse përderisa të tjerët mund t’i gënjesh e t’ua thuash atë që ata duan ta dëgjojnë, apo atë që ty të shpërfaq të atillë siç do doje të të njihnin, pra përderisa gjatë bisedës me të tjerët mund të thuash gjëra që do e mbulojnë të vërtetën që e fsheh, vetveten as mund ta gënjesh e as ta joshës me fjalë ledhatuese./Gazeta Liberale

(Visited 56 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *