Editorial

Kim Jong-un, dhjetë vite përbetimesh e hakmarrjesh në timonin e Koresë së Veriut

Shkruar nga Liberale
Kim Jong-un, dhjetë vite përbetimesh e hakmarrjesh në timonin e

GUIDO SANTEVECCHI

“I madhërishmi shok Kim Jong – un ka zbritur nga qielli, i ngjizur nga i shenjti Mal Paektu”. E paraqiti kështu më 20 dhjetor 2011 Rodong Sinmun, megafoni i regjimit të Phenianit. Ishin ditë lajmërimesh tronditëse për popullin  koreanoverior dhe inteligjencën botërore. Më 19 dhjetor një spikere e ngashëryer e televizionit shtetëror kishte dhënë lajmin se Udhëheqësi i Dashur Kim Jong-il kishte pushuar së marri frymë dy ditë më parë, më 17 dhjetor, nga një pushim zemre, ndërsa ishte në udhëtim mbi trenin e tij të blinduar. U njoftua se i biri Kim Jong-un kishte marrë fuqitë e plota si “Pasuesi i Madh”.

Mbasi vdiq Kimi II kishte hipur në fronin e Republikës demokratike popullore të Koresë (emri zyrtar i Koresë së Veriut) Kim III, një njëzeteshtatëvjeçar i panjohur për publikun e gjërë. Shërbimet e fshehta, nga Seuli në Washington, në Tokio u befasuan, edhe se prej vitesh Kim Jong-il ishte dobësuar në mënyrë rrënqethëse dhe nuk lëvizte më dorën e majtë, shenjë e një sërë sëmundjesh të rënda. Qe një dështim edhe fakti që u muar vesh kthesa nga televizioni koreanoverior me pesëdhjetë orë vonesë. Megjithatë, qindra analistë perëndimorë kalojnë ditët e tyre duke studjuar çdo imtësi sado të vogël që filtron nga Pheniani, pikërisht për të dhënë piskamën në rast paqëndrueshmërie, të një tronditje në udhëheqjen e një Vendi të rrezikshëm dhe t’armatosur me armë bërthamore.

Nuk qe ai i vetmi gabim i inteligjencës. Më 28 dhjetor të dhjetë viteve më parë, nën një shtrëngatë bore, në rrugët e Phenianit, kaloi një vargan i përmortshëm shumë i gjatë. Arkëmorti i Udhëheqësit të Dashur, i vënë mbi një shtrat lulesh të bardha, u trasportua në një limuzinë të zezë, një Lincoln Continental të fabrikimit amerikan (i mbërritur kontrabandë), ndërmjet krahësh të turmave në lotë, në një heshtje të thyer vetëm nga britmat e dëshpërimit të qindra mijra vetëve. Në Korenë e Veriut, këto ceremoni shërbejnë për të zbërthyer marrëdhëniet e forcave, në bazë të rrjeshtimit të personazheve, të listës së autoriteteve të ftuar. Lincolni i kthyer në një karro funebre, ishte i shoqëruar në dy anët nga tetë burra në këmbë. Kim Jong-un dhe shtatë hierarkë, të vendosur në dy rradhë. Duke i vështruar me lente zmadhimi ato pamje, analistët dhanë gjykimin se të shtatë të “de profundis” të Kim Jong-il do të përbënin Këshillin e Kujdestarisë së “ të papërvojësit dhe të papregatiturit Kim III”. Kim Jong-un mbahej në pasqyrëzën që shihte mbrapa, ndoshta për të qënë simbolikisht në kontakt thuajse fizik me Udhëheqësin e Dashur  të vdekur, ndoshta për të mos rrëshqitur në dëborë.

Mbas tij Jang Song-thaek, burri i hallës së Kimit dhe dy zyrtarë të lartë politikë, nga e majta e Lincolnit katër gjeneralë. Xhaxha Jangu ishte prej vitesh në krye të programit ekonomik, njeriu i referimit për marrëdhëniet me Kinën e fuqishme, që shtynte për reformat e tregut. Thuhej se lartësia e hirtë Jang ishte zotuar për t’i siguruar një trashëgimi të qetë nipit, por u mor vesh më vonë se në të vërtetë ishte përbetuar, ndoshta me shokët kinezë, për të marrë kontrollin e për të përdorur Kimin si një kukull, si një bedel për t’i a paraqitur masave adhuruese koreanoveriore, të rritura në mitin e Dinastisë. Nga krahu tjetër i makinës katër ushtarakë: vargani i tyre udhëhiqej nga nënmarshalli Ri Yong-ho, komandanti i Ushtrisë popullore, që i u betua për besnikëri menjëherë udhëheqësit të ri: “Çdo element i ushtrisë do të jetë pushkë dhe bombë njerëzore për t’a mbrojtur” shkroi e zakonshmja Rodong Sinmun. Mbas gjashtë muajsh Ri u hoq nga komanda “për arsye shëndetësore” dhe që atëherë nuk është parë më.

E paparë dhe tronditëse dalja nga skena e kujdestarit tjetër të hamendësuar: xhaxhi Jangu u arrestua në fund të vitit 2013, gjatë një mbledhjeje të Byrosë Politike. Propaganda e regjimit tregoi pastaj çastin kur dy ushtarë e ngritën peshë dhe e tërhoqën rrëshqanthi drejt proçesit të menjëhershëm e pastaj drejt togës së pushkatimit. “Ka kryer veprime të mallkuara pabesie, ishte më keq se një qen”, komentoi Rodong Sinmun. Janë humbur gjurmët edhe të pesë të tjerëve të varganit mortor: Kim Ki-nam, shefi i propagandës, i zëvendësuar nga Kim yo-jong, motra e vogël e Kimit; i tretur në asgjë Kim Yong-chun, zëvëndës marshall dhe ministër; i zëvendësuar Kim Jong-gak, gjeneral; i lënë mënjanë e ndoshta i spastruar U Dong-chuk, shefi i policisë së fshehtë; Choe Tae-bok, përgjegjësi i vjetër i çështjeve të jashtëme është nxjerrë në pension.

Nga ai grusht njerëzish në zi, i rishpagëzuar “vargani i të zhdukurve” ka mbetur vetëm Kim Jog-un, që tani mbush dhjetë vjet si Marshall i Respektuar dhe ka patur kënaqësinë të takonte tri herë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. U tall me parashikimet e fatkeqësisë në 2020, kur nuk u duk për më shumë se një muaj dhe u dha për i vdekur. Për kronikë, në 52 ditët e fundme është shfqur vetëm një herë, por tani shërbimet e fshehta koreano-jugore janë të bindur se është mirë dhe që dobësimi me 20 kg i ka bërë shumë mirë. Parashikim i gabuar dhe ai që e donte Kimin si reformist, mbi bazën e hapjes së tij botës së jashtme: kishte studiuar (me emër të rremë) në një kolegj zviceran, thuhet se ka udhëtuar n’Evropë si i panjohur, ndoshta edhe në Milano ku dikush betohet se e ka parë në San Siro në një ndeshje të Interit.

Sigurisht është një tifoz i basketbollit, aq sa të ketë pritur shumë herë në Korenë e Veriut ish kampionin amerikan të Chicago Bulls Dennis Rodman, i quajtur “the worm” (krimbi). Diktatori nuk e ka lehtësuar shtrëngimin, nuk e ka hapur ekonominë, nuk ka reshtur së përsosuri raketat dhe armët bërthamore, vetëm ka luajtur duke marrë kohë me nisma diplomatike. Që nga 2020, nga Pheniani arrijnë vetëm komunikata zyrtare që kullojnë propagandë. Kanë ikur pothuaj të gjithë diplomatët e huaj, të sfilitur nga shtrëngesa e lëvizjeve, e rënduar nga frika e Covid-it (i cili zyrtarisht dhe mrekullisht në Korenë e Veriut nuk paskej arritur). Fotografitë e fundit satelitare tregojnë lëvizje të mëdha në kryeqytet. Nuk janë lajmëruar kremtime e festa publike për dhjetëvjetorin e Kimit. Por për “fundin e dhjetorit” është vënë në kalendar Plenumi i Partisë së punonjësve. A do të dalë ndonjë lajmërim befasues? Joe Biden është kthyer në të lashtin “durim strategjik”, në fakt Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të mos e përfillin Kimin dhe hedhjene tij sporadike të raketave (nëntë në 2021). Presidenti jugo-korean Moon Jae-in ëndërron të nënëshkruajë me Kimin një “Deklaratë paqeje” simbolike, për t’i dhënë fund Luftës së Koresë të viteve 1950 – 1953, ende të ngrirë në armëpushimin e Panmunzhonit. Moon ka shumë ngut, sepse në mars lë Shtëpinë Blu të Seulit dhe pasuesi mund të jetë shumë më pak i gatshëm të bisedojë me koreanoveriorët. Shtetet e Bashkuara heshtin, dyshojnë se një traktat paqeje ndërmjet dy Koreve do t’i jepte Kimit mundësinë të kërkonte tërheqjen e forcave amerikane që mbrojnëJugun. Marshalli i Madhërishëm ka ende shumë zgjedhje për të befasuar analistët.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH