1

Kim e pranon: “Aksident i rëndë’ në luftën kundër Covidit

               Publikuar në : 11:09 - 03/07/21 Guido Santevecchi

Guido Santevecchi

Në Korenë e Veriut ka ndodhur “një aksident i rëndë” në betejën kundër coronavirusit, i shkaktuar nga “pazotësia dhe papërgjegjshmëria” e disa funksionarëve të shkallës së lartë. E ka thënë Kim Jong-un në një mbledhje të zgjeruar të Byrosë politike, që duhet të ketë qenë dramatike, duke mbajtur parasysh fjalët e Marshallit, që ka paditur drejtues “kronikisht përtacë” të cilët nuk kanë zbatuar udhëzimet shëndetësore dhe kanë shkaktuar “një krizë të madhe” për sigurinë e Vendit e të popullit. Në mbledhjen e piskamës janë shkarkuar disa anëtarë të Politbyrosë, sekretarë të komitetit qëndror e funksionarë, rrëfen agjencia shtetërore e lajmeve Kcna. “Duhet një revolucion në mbarështimin e personelit”, ka lajmëruar kreu i regjimit.

Nuk është komunikuar asnjë imtësi sa i përket “aksidentit të rëndë” në parandalimin e pandemisë. Koreja e Veriut ka vulosur kufirin e saj që nga fundi i janarit 2020, për të shmangur infektimin nga Kina. Në një vit e gjysmë nuk ka komunikuar asnjë rast të Covid-19, por prej muajsh Kimi flet për pasoja ekonomike shkatërrimtare në territorin e saj nga mbyllja: Kina ishte e vetmja rrugëdalje për regjimin e Phenianit dhe bllokimi i valës së mallrave i ka dhënë një goditje shumë të fortë furnizimit me prodhime të nevojës së parë.

Ka shkuar keq edhe vjelja e prodhimeve bujqësore, për shkak të tajfuneve e më pas të thatësirës dhe gjendja ushqimore është “e nderë”, ka pranuar Kimi disa javë më parë.
Simbas disa analistëve seria e pranimit të vështirësive ekonomike, bujqësore dhe tani shëndetësore, të shkaktuara nga rrethanat e mbrapshta apo gabimet e vartësve, ndjek një fill logjik në strategjinë e Kimit. Synimi do t ‘ishte përgatitja e terrenit për një kërkesë ndihme nga agjencitë humanitare ndërkombëtare. Por bëhet fjalë vetëm për hamendje, sepse lajmet mbi gjendjen në Korenë e Veriut janë vetëm ato që regjimi dëshiron të japë: përfshirë dhe pamjet e fundit që tregojnë një Kim Jong-un të dobësuar dhe një emision shtetëror televiziv që i ka dhënë zë shqetësimeve të gjindes për shëndetin e Mareshalit të Respektuar.

“Corriere della Sera”
Përktheu Eugjen Merlika

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back