Kryesore

“Kësulkuqja” e Rudolf Marku një roman eksperimental

               Publikuar në : 09:01 - 15/11/19 liberale

Behar Gjoka

Dalja e romanit Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës, të Rudolf Marku konfirmon shkrimtarin, që luan me fjalën si rrëfim, me zhanrin si riformulim i pastër, ku prekim një përzierje të prozës me poezinë, me eseistikën,duke dëshmuar se parësore, për këtë shkrimtar rebel në poezi dhe përkthime, është eksperimenti letrar, gjuhësor dhe letrar, bëhet i prekshëm në të gjithë elementët sendërtues të veprës letrare, por më e rrokshme kjo ndjesi vjen në ndërthurjen e një romani të përveçëm, si kohë dhe hapësirë, si tipologji shkrimi dhe temporitmikë e fjalës, si skicim dhe plazmim i personazheve, që lëvizin në hapësirat e tekstit, e ku duket se është një tekst që ka në qendër dashurinë e humbur, por mbase kohën e shkretimit të qenies, pra sistemin qëe vriste dashurinë e pafajshme.

Në fakt, ndërthurja dhe shkrirja e kaq shumë elementëve, thadrues të veprës romanore, e sidomos pranëvënia e caqeve kohore dhe hapësinore, të bindin se është një libër për njeriun, ka gjasa një dëshmi në mbrojte të tij. Dashuria këtu, në syrin metaforik dhe simbolik, është shkasi për të depërtuar prapa realiteteve ndërkohore dhe ndërhapësinore. Faqet e romanit, përveç tipareve të tjera, padyshim që kanë përplasur me njëra-tjetrën, dy anë të thelbit ekzistencial të jetës, dy gjendje në të cilat njeriu, udhëtoi pa grimën e dëshirës, në një kohë dhe kontekst të caktuar:

– Nga njëra anë, romani që ka në qendër Kësulkuqen, kemi të skicuar pamjen e plotë të diktaturës, në apogjeun e saj, pra kur kishte fuqi edhe ta shkatërronte jetën e njeriut, por befasisht na vjen e integruar edhe këndej koha, kur jeta e qenies ka sjellë kaq shumë përmbysje. – Në anën tjetër, dashuria e madhe, e pastër dhe sfidante, qëndrestare e shpirtit njerëzor, që përlindet në luftë me ideologjinë dhe shërbestarët e saj, madje shumë më tepër si një ndjenjë e pazakontë e qenies, si dhe si realizimi në rrethanat e pengimit dhe përgojimit të jashtëzakonshëm, kur njeriu vritej si pa të keq ose lihej gjallë, teksa i vihej damkë, me kleçka në biografi.

Teksa lexon tekstin, ndeshesh me kacafytjen e pabarabartë të dashurisë me diktaturën, madje ke ndjesinë se gjendesh në dy gjendje, edhe në ferrin e dikurshëm të diktaturës, të cilën autori e sjellë me anë të groteskut dhe ironisë sarkastike, e cila na zbulohet artistikisht në emrat e personazheve, në skicimin e pamjes së mjediseve, por që me sa duket, si kohë dhe atmosferë, sërish e ka lënë litarin jashtë, veçmas në mentalitetin përjashtues dhe paragjykues, edhe të tanishëm, po ashtu sikur gjendesh në parajsë, në rrathët e ndritshëm të saj, pa mëdyshje në një parajsë imagjinare, teksa sheh dhe ndjen se dashuria jeton, mbijeton edhe duke shpërfillur sistemin e diktaturës. Kacafytja e tyre, e dashurisë me diktaturën, më shumë si një gjetje letrare, ku si për ironi jeton edhe shkrimtari i madh, i asaj kohe dhe kësaj kohe, i përkëdhelur dhe i rrezikuar, por edhe e jo pak gjurmë të arteve të tjera, që dihet se për kaq shumë mote, mbase e shkrimtarit që ka bërë lojën e maces me miun me diktaturën.

Në romanin Kësulëkuqja…, bota rrëfimore,si prani dhe imazh, si frymë dhe dëshmi letrare, na vjen përmes rrëfimtarit të gjithëdijes. Pra, në qendër të universit të romanit, është autori-narrator, që përçon një ngarkesë të shumëfishtë të realitetit, e cila lidhet me ngjyrat në hapësirat e tekstit:

Së pari: Shpesh, në faqet e romanit, qëllon që të ndeshim edhe njëndërrim të vendeve të rrëfimtarit-autor, tashmë me rrëfimtarin-personazh, që më e prekshme është nëshkërmbim me personazhin e Nik Grudës, qendra e kozmogonisë letrar të tekstit.

Së dyti: Në praninë e një rrëfimtari të dytë dhe të identifikuar, pra të hapësirave narrative, kur autori pothuajse zbulohet qartësisht përpara lexuesi.

Së treti: Një tipar tjetër është edhe ritmika poetike e rrëfimit, që bëhet e prekshme nga rimarrja e situatave tekstologjike, ose po ashtu edhe nga përsëritja e pasazheve të njëjta, pra të episodeve të romanit. Veçanësitë e rrëfimit, gjuhësisht dhe artistikisht, më shumë anësohet nga një ritëm i rrokshëm poetik, i rrokshëm në rastet e monologut dhe të dialogut hipotetik të dy protagonistëve, e pikërisht këto attribute që bart poetika e narrativës autoriale. Në pikëpamje strukturore, autori ka ecur në dy rrugina:

– Edhe në një shpalim klasik, pra të strukturuar në tetëmbëdhjetë krerë gjithsej, ku lëvizet nga njëra kohë në tjetrën, nga njëra hapësirë në një tjetër, gjithnjë në figurim të personazheve, absurdë dhe të çuditshëm, mbase si vetë koha që përfaqësojnë. Pra, në aspektin formal, ngjarjet e romanit, na vijnë të parashtruara si rrjedhë lineare, vetëm se funksion estetik, pra që të realizojnë pamjen e qytetit N, i cili e ka thelbin e vetë: Qyteti N ishte kudo, i klonuar në dhjetëra qytete të tjera. Krahas shaplimit të këtillë, diku më në brendësi të tekstit, kemi elementë të rrokshëm të strukturimit modern:

– Retrospektivat kohore dhe hapësinore (përthyerjet e shpeshta të linjave subjektore), tejet të prekshme në shumicën e episodeve të këtij teksti.

– Përthyerjet e disa kapitujve të romanit, sidomos me anë të shkrimit të prozës si letër, intermexo, kronikë apo edhe si një dëshmi spiunimi.

Romani, Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës, spikatet nga prozë shkrimi i letrave shqipe, përpos të tjerash, për figurimin e plotë të të dy planeve, pra e kohës dhe hapësirës,

frymës dhe dëshmisë, vjen dhe thuret si një larmi e përveçme:

– Koha, përmasa e ngrirë, na ofrohet si një përzierje e rrokshme e disa kohëve, si një rrjedhojë e logjikës së tekstit, që plazmon një vizion kohor me disa pamje:

A – Koha e diktaturës, që pa grimën e mëshirës vret jetën dhe dashurinë, porse mbi të gjitha ka shkatërruar qenien, duke e kthyer në një mjet ideologjik.

B – Paskoha e tanishme, që përkon me demokracinë, ashtu shqiptarçe, kur duket sikur është vijim i të parës, porse që shënon edhe një përmbysje të madhe, por ende pa shënuar një kohë të lirisë së qenies, të lirisë pa kushtëzim dhe paragjykim. Dykohësia e aspiruar, si një rast dinamik dhe specifik, i përzierjes së tyre, si për të vërtetuar edhe njëherë se ndryshimi në sistemin politik dhe shoqëror, nuk është se garanton edhe ndryshimin e tipareve të qenies. Po ashtu, në marrëdhënia me hapësirën, si një realitet letrar, imediat dhe unik, ku duket se autori, jo rastësisht lëviz në disa topose, e ku si më thelbësorit janë:

– Qyteti N, pra pa emër, një lagje e të cilit tanimë është vendosur në Londër, që shënon edhe vendin e lindjes, por njëherit edhe çdo qytet tjetër provincial të Shqipërisë, dje dhe sot.

– Kryeqyteti, që duket më tepër si një zgjatim i provincës, me gjasë të provincave, si frymë dhe mentalitet, porse megjithatë ndryshimi lidhet me hapësirën paksa më të madhe, si dhe ligësia dhe thashethemet shpërndahen paksa më ngadalë.

– Kryeqyteti i Anglisë dhe Sen Frensisko, ku pakuptuar të shpien ngjarjet e romanit, dëshmojnë edhe ndryshimin e thellë, po kaq të zbulojnë një realitet që përsëritet pambarimisht me monotoni, dashuria dhe qenia, kudo që gjallojnë kanë vështirësi të ekzistojnë me lirinë dhe përnderimin, që e meriton dashuria.

Prania e këtyre toposeve hapësinore,i jep tekstit një vegim tjetër, shenjë kjo e përmbysjeve të jashtëzakonshme, që kanë ngjarë, në të gjithë planetin, por me rrezatim edhe në hapësirën shqiptare.

Megjithëse rrafshet kohore dhe hapësinore, në shumicën e tekstit romanor, të sjellin pranë Shqipërinë, ky realitet dëshmon ngjyresat e universit, i cili bëhet i prekshëm, sidomos nga prania e dy figurave:

-Kësulëkuqja, që përfaqëson një figurë simbolike të pafajësisë dhe  bukurisë dhe  femrën, e pranishme në poetikën e letërsisë së përbotshme. Në faqet e romanit, nga figurë simbolike, shënjon inocensen që sulmohet ngaqë është e pambrojtur, dhe sakrificat e shumta për ta mbrojtur dashurinë, të vetmen ëndërr që i ka mbetur.

– Eva, një figurë tjetër, madhore dhe e pandashme e qenies njerëzore, që të shpie menjëherë gjer tek zanafilla, tek guximi i beftë dhe i parrëfyeshëm për ta zbuluar e shijuar jetën, që lidhet me poetikën biblike te gruas primordial.

Duke patur këto dy cilësi, pra e pafajshme  si Kësulëkuqja e përrallave, dhe po kaq guximtare si Eva e fillesave të ekzistimit të qenies, heroina e romanit, duket sikur më shumë nuk ka të bëjë me mjediset ku luhen ngjarjet, pra me qytetin N, por edhe me të gjithë hapësirat e tjera, ka gjasa të mjafta, që të bëjnë të besosh se është më shumë një figurinë ëndërrore dhe tokësore:

– Ëndërrore që pamëdyshje lidhet vetëm me figurimin e dyfishtë, të huamarrë në poetikën librore, e pafajshme  dhe viktimore si një Kësulkuqe, për ta fituar dashurinë, dhe e guximshme dhe havërdare si një Evë, më shumë për ta mbrojtur atë.

– Tokësore, teksa sheh realitetin e ferrit të thashethemeve, përgojimeve dhe tmerrit të provuar, prej kleçkave të frikshme në biografi, dhe po ashtu edhe prej pamundësisë me shiju plotësisht dashurinë.

Ngjizja e figurës së vajzës, që thur dhe shthur ëndrra për dashurinë, e ndjekur dhe e rrethuar nga shkëlqimi dashunor i Nikut, duke formatuar kështu një dyshe fatlume që jo vetëm ka ndeshur dashurinë, por ata janë të gatshëm të kryejnë çdo sakrificë për të shijuar dhe për ta mbrojtur atë, meshenjë të mendësisë së poetikës së universalitetit, e po kaq edhe me tipare jetësore, të realitetit tokësor, e bëjnë atë një figurë interesante, por aq sa edhe Nikun, dhe që na mundëson tashmë në depërtimin në kohën e pa kohë, të moteve kur dashuria shihej si punë e mbrapshtë, mbase si prani e qoftëlargut./Gazeta Liberale

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back