Aktualitet

Këshillit Euroatlantik pranë PD: Turp për ne një lëvizje antiamerikane, ta ruajmë si sytë e ballit busullën perëndimore

Shkruar nga Liberale
Këshillit Euroatlantik pranë PD: Turp për ne një

Kreu i Këshillit Euroatlantik pranë Partisë Demokratike, Preç Zogaj, ka përcjellë thirrjen e këtij Këshilli në lidhje me zhvillimet politike në vend dhe zgjedhjet lokale.

Zogaj u shpreh se me përgjegjësinë dhe angazhimin qytetar si individë dhe me lidhjen shpirtërore me PD, anëtarët e Këshillit Euroatlantik iu përgjigjën ftesës së kryetarit, Enkelejd Alibeaj, për të ndërtuar Këshillin Euroatlantik të Partisë Demokratike si një organizëm këshillimor.

Ai ka apeluar që ekuivoket për orjentimin gjeopolitik dhe vënia në diskutim e përkatësinë euroatlantike të PD-së, “duhet të refuzohen pa asnjë hezitim dhe me mençuri nga forcat e ndriçuara të shoqërisë, të cilat kanë qenë dhe mbetën gjithnjë shumicë gjatë këtyre tri dekadave të fundit, duke ruajtur si sytë e ballit busullën perendimore të vendit”.

Zogaj tha se Këshilli Euroatlantik pranë PD bën thirrje që publiku shqiptar, zgjedhësit në përgjithësi, elektorati gri dhe e djathta euroatlantike, pra jo thjesht anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, t’i përgjigjen me mbështetje veprimit dhe alternativës së PD për të mbrojtur demokracinë dhe parimet e shoqërisë së lirë, kundrejt çdo përpjekjeje për keqorientim të shoqërisë shqiptare apo të së djathtës shqiptare për nga Lindja.

THIRRJE  e Këshillit Euroatlantik pranë Partisë Demokratike

ME PËRGJEGJËSINË DHE ANGAZHIMIN TONE qytetar si individë, në paanshmëri për objektiva të zakonshme të karrierës politike, ne, nënshkruesit e kësaj thirrjeje, të përfshirë në mënyrë konstante në jetën publike, me një lidhje shpirtërore  secili prej nesh me Partinë Demokratike, i jemi përgjigjur ftesës së Kryetarit, Enkelejd Alibeaj, për të ndërtuar Këshillin Euroatlantik të Partisë Demokratike si një organizëm këshillimor.

NE JEMI TË SHQETËSUAR se pushteti i gjatë i Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama ka krijuar tiparet e një regjimi  klientelist, që gjithnjë e më pak ka të bëjë me vlerat themelore të demokracisë, me parimet e sundimit të ligjit, ndarjes demokratike të pushteteteve,  zgjedhjeve të lira dhe konkurrencës së lirë, decentralizimit, trasparencës, llogaridhënies. Braktisja masive e vendit tej çdo koeficienti  të lëvizjes  së lirë, sidomos nga të rinjtë, është pjesa më e dukshme mbi ujë e ajsbergut të pasojave. Ndërkohë që opozita e qendrës së djathtë  vuan pasojat e  bojkoteve, të mosrinovimit dhe mosreformimit,  krizës së  identiteti në disa vektorë të saj, të përçarjes dhe axhendave personale të disa prej drejtuesve të saj në mbivendosje të interesit publik.  Si e tillë, opozita jo vetëm nuk  ia shkurton, por ia zgjat ditët regjimit në fuqi.

NE MENDOJMË  se zhvillimet kritike dhe dramatike brenda  Partisë Demokratike,  sidomos këto dy vitet e fundit, që kur SHBA shpallën nongrata ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha dhe ai ndërmori pas kësaj përfshirjen e Partisë Demokratike në çështjen e tij, kanë krijuar një mjegullnajë të pazakontë në politikën dhe shoqërinë shqiptare, duke nxitur një retorikë antiamerikane dhe antiprendimore të panjohur gjatë këtyre viteve të demokracisë, majtas dhe djathtas, të trashëguar nga regjimi i Enver Hoxhës dhe rishtare.

NE POHOJME DHE APELOJNE që ekuivokët për orientimit gjeopolitik dhe vënia në diskutim e përkatësinë euroatlantike të PD-së, të së djathtës shqiptare dhe të çdo subjekti tjetër, nga kushdo që të provokohet dhe në çfarëdo lloj forme të shërbehet,  duhet të refuzohen pa asnjë hezitim dhe me mençuri nga  forcat e ndriçuara të shoqërisë, të cilat kanë qenë dhe mbetën gjithnjë shumicë gjatë këtyre tri dekadave të fundit, duke ruajtur si sytë e ballit  busullën perendimore të vendit.

NE KËRKOJMË  DHE APELOJME që Partia Demokratike dhe të gjitha strukturat e saj, nga lidershipi deri në bazë, të ndjekin me vendosmëri  përcaktimet  statuore dhe misionin historik të krijimit të PD-së si parti euroatllantike, t’u rezistojnë dhe të kthejnë mbrapsht retorikat, sulmet dhe goditjet që u vinë nga korente antiamerikane dhe antiperendimore në vend, të cilat kupola e qeverisë socialiste i shfrytëzon  qoftë  për të relativizuar para  partnerëve amerikanë dhe perëndimorë rekordet negative të qeverisjes së saj, qoftë për të penguar konsolidimin e së djathtës shqiptare dhe shndërrimin e saj në alternativë reale për rrotacionin aq të nevojshëm të pushtetit në Shqipëri.

Kjo vendosmëri është sot jetike dhe ne mbështesim çdo faktor në Partinë Demokratike, çdo kandidat për  kryetar bashkie apo këshilltar, të cilët po luftojnë gjatë kësaj fushate elektorale në rrethana mjaft të vështira për të përfaqësuar vullnetin e demokratëve të lirë dhe njerëzve të lirë në këtë vend.

ME BINDJEN  se euroatllantizmi është atdhetarizëm, demokraci, siguri dhe zhvillim për sot dhe për  brezat; është sovranizmi dhe vetëvendosja jonë më reale dhe me begatuese në kuadrin  e integrimit në familjen e kombeve të lira,

NE  BËJMË THIRRJE  që publiku shqiptar, zgjedhësit në përgjithësi,  elektorati gri dhe e djathta euroatlantike, pra jo thjesht anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike,  t’i përgjigjen me mbështetje veprimit dhe alternativës së PD për të mbrojtur demokracinë dhe  parimet e shoqërisë së lirë,  kundrejt çdo përpjekjeje për keqorientim të shoqërisë shqiptare apo të së djathtës shqiptare për nga Lindja. Një përgjigje kësisoj bëhet më imperative në kushtet e një agresioni shumë të madh të forcave jo dashamirëse ndaj Shqipërisë, që ashtu  si në disa  vende të rajonit dhe Europës, synojnë të krijojnë turbullira, të diskreditojnë demokracinë, të largojnë vendin tonë nga kursi perëndimor, nga aleanca dhe miqësia e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Perëndimin. Ne u bëjmë thirrje demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht, plot vetëdije, besim e largpamësi në zgjedhjet 14 maj për t’i dhënë votën  kësaj alternative,  për ti dhënë mundësi PD-së të ringrihet, të bashkohet e të rritet si forcë fituese e ndryshimit.

Historia jonë e njëqind viteve të fundit  dhe  kodi i mirënjohjes na thonë se një lëvizje antiamerikane në trojet shqiptare është e do të ishte një turp kombëtar e njerëzor. Të njëjtën gjë  na  thotë e ardhmja jonë dhe e brezave. Sepse SHBA janë për ne, sikurse për gjithë planetin, ylli polar i lirisë dhe demokracisë.

NE MBËSHTESIM dhe kërkojmë që pas zgjedhjeve të 14 majit ekipi drejtues i Partisë Demokratike  të  nisë menjëherë riorganizimin, reformimin  dhe rivitalizmi të PD-së,  t’i hapë rrugën, siç ka lajmëruar vetë, një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës të konkurrimit për organet e reja të PD në ruajtje të vlerave të qendrës së djathtë për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe të zhvilluar me parime demokratike.

Po ashtu, ky këshill beson se reformimi i thellë i sistemit tonë politik përmes ndryshimeve të thella kushtetuese,  për një sistem të ri elektoral të hapur dhe konkurrues dhe balancim e ndarje funksionale pushtetesh, është baza dhe platforma për të ringritur shpresën dhe vendosur gjendjen demokratike në Shqipëri.

Vendi i duhet rrotacioni real i pushtetit si  alternim  dinamik e jetëdhënës i programeve dhe njerëzve dhe jo më një stafetë autokratësh që vetëm i thellon plagët e demokracisë dhe shoqërisë shqiptare.

Si përfundim, ky Këshill angazhohet të ndihmojë, mbështesë, advokojë në jetën publike shqiptare, pranë partnerëve ndërkombëtarë, këtë orientim të Partisë Demokratike dhe të ndikojë që procesi pas 15 majit të shkojë drejt ndërtimit të një partie të madhe, alternativë demokratike e pushtetit, e cila të vërë në jetë së bashku me faktorë të tjerë politikë ndryshimin dhe reformimin e sistemit politik, për të kaluar qartësisht në një demokraci funksionale dhe ekonomi të zhvilluar të tregut të lirë në Shqipëri, siç kanë qenë idealet e themeluesve të PD, Lëvizjes së Dhjetorit 1990 dhe kontribuesve të saj në 33 vite.

  1. Edmond Trako
  2. Eduard Prodani
  3. Fatos Hoxha
  4. Gjergji Hani –
  5. Marcel Hila
  6. Neli Demi
  7. Nevila Nika
  8. Omer Stringa
  9. Preç Zogaj
  10. Rushdi Keci
  11. Vasil Gjika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH