Editorial

Këshilli Politik, aty ku ndeshet demokracia me tiraninë

Shkruar nga Liberale
Këshilli Politik, aty ku ndeshet demokracia me tiraninë

Klementin Mile

Asnjëherë më parë në historinë e politikës shqiptare nuk ka patur një ndarje kaq të qartë të legjitimitetit nga legaliteti. Kjo sepse si kurrë më parë këto dy burime themelore të sistemit politik nuk gjenden në të njëjtin institucion. Kështu, Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e kontestuara të vitit 2017, prej të cilit u larguan deputetët e opozitës për t’u zëvendësuar, por jo plotësisht, me kandidatë të tjerë nga listat opozitare, është legal, përderisa nuk ka patur një akt interpretues formal që ta zhvlerësojë ekzistencën e tij. Por ky institucion, duke mos qenë përfaqësues i të paktën gjysmës së shqiptarëve, nuk mund të ketë legjitimitet.

Nga ana tjetër, Këshilli Politik, i krijuar me mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve politike që përfaqësojnë vlerat dhe interesat e artikuluara të elektoratit shqiptar, e ka legjitimitetin, por nuk zotëron forcën imponuese ligjore. Në këtë mënyrë, themeli mbi të cilin ngrihet dhe qëndron sistemi politik gjendet i shpërndarë në dy institucione, asnjëri prej të cilëve nuk mund të shpërfillet, pasi politikës i duhet edhe legaliteti i Parlamentit edhe legjitimiteti i Këshillit Politik.

Imponimi i njërit institucion kundrejt tjetrit është gabim me pasoja fatale për sistemin. Ky gabim, megjithatë, ka premisa të bëhet. Veçanërisht ekziston rreziku që Parlamenti do t’i imponohet Këshillit Politik, duke i bërë fakt të kryer ndryshimet kushtetuese që ristrukturojnë opsionet zgjedhore, veçanërisht koalicionet parazgjedhore dhe çështjen e listave. Për të cilat nuk ka dakordësi në Këshillin Politik dhe, prandaj, legjitimitet. Sistemi politik rrezikohet maksimalisht kur Kushtetutës (së ndryshuar) i mungon legjitimiteti. Prandaj rruga e duhur për sistemin politik është balancimi dhe harmonizimi i Parlamentit me Këshillin Politik, jo imponimi i të parit ndaj të dytit.

Nga ana tjetër, duke mbajtur parasysh qëndrimet monokrome të Parlamentit, megjithë spektaklet bajate të kundërshtive artificiale, dinamika reale e gjërave vërehet te Këshilli Politik. Katër palët pjesëmarrëse aty mund të reduktohen, praktikisht, në dy palë: qeveria e bashkuar (PS + opozitë parlamentare) dhe opozita e bashkuar (PD + LSI). Diskutimet ndërmjet palëve nuk kanë vetëm rëndësinë teknike të marrëveshjes apo mosmarrëveshjes për elemente të ndryshme të kodit elektoral. Përveç kësaj, ato janë sheshi i betejës së demokracisë me tiraninë.

Filozofi gjerman Sloterdijk thotë që despoti (ose tirani) është njeriu që dëshiron të sillet në qytet sikur të ishte brenda katër mureve të shtëpisë së tij: ai e ngatërron hapësirën publike me atë private dhe dëshiron të veprojë në agora ashtu siç bën një pronar në pronën e tij. Grekët e lashtë e përçmonin tiraninë thjesht sepse e konsideronin tiranin si agjent të cilit i mungonte një kundërshtar i denjë, pra dikush që të kishte të njëjtat pushtete si ai. Kjo është domethënia më e thellë, filozofike, e diskutimeve të Këshillit Politik. Në ato diskutime po dallohen tiranët nga demokratët, ata që po mundohen të krijojnë kundërshtarë të denjë për njëri-tjetrin nga ata që po mundohen ta degradojnë dhe ta nënshtrojnë kundërshtarin pa filluar ende gara.

Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për të ardhmen e sistemit politik, por edhe për shoqërinë në tërësi. Siç shprehet Sloterdijk, aty ku nuk ka hapësirë për një pushtet kundërbalancues, aty qeveris frika, shtrëngimi dhe respekti skllavëror. Tirania është faza e suksesshme e mungesës së kundërshtarëve. Grekët besonin se faza të tilla ishin të dënuara prej natyrës për të qenë të shkurtra. Por rasti shqiptar, sa herë që diskutohet për reformë zgjedhore në këto 30 vite pluralizëm, dëshmon se ky i grekëve qe thjesht një besim. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH