Krye

Kërkohet një konstitucionalist

               Publikuar në : 10:48 - 11/06/19 Liberale

Arion Sulo

Së fundi, qarkullon një gjykim popullor, që në fakt nuk është larg së vërtetës, në lidhje me ambientin mediatik në tërësi apo emisionet politike të mbrëmjes, që thotë se, sapo sheh të ftuarit e kupton qëndrimin që do të mbajnë si pasojë e rreshtimit të tyre politik. Po kaq i njohur është edhe shkaku i kësaj deja vu-je të përnatshme, që e ndan përherë e më shumë në dysh opinionin publik, që në fund shkon më larg së vërtetës se në fillim dhe ka të bëjë me përzierjen e rolit të gazetarit dhe analistëve me qeverinë e opozitën dhe interesat e tyre. Jo se nuk ka qenë kështu, por tani po bëhet absolutisht kështu. Por kjo s’ndodh vetëm te ne. Pas kësaj kritike, përherë ka lindur nevoja për të pasur si referencë grupe të tjera shoqërore, si ekspertët dhe intelektualët, që si autoritete morale qëndrojnë ndërmjet politikanëve dhe publikut.

Konstatimi semplist, se ata nuk ftohen me qëllim në media, se gazetarëve iu intereson vetëm audienca që prodhohet dhe shtohet nga qëndrimet vulgare, gjë që ata nuk e bëjnë, nuk qëndron. Gazetarët janë rreshtuar politikisht dhe janë rëndë, por (mos)shfaqja e fundit e autoriteteve të Kushtetutës dhe zhdukja e intelektualëve, sidomos në krizën e fundit, që veç politike tani u bë edhe kushtetuese, vërtetoi edhe njëherë se kjo kategori nuk bie më poshtë në padobishmërinë e saj.

“Ne jemi intelektualë luftëtarë të rrugës. Nëse nuk bëjmë të qartë se në cilën anë të barrikadave qëndrojmë, ne kemi dështuar”, i shkruante më 1969-n, studiuesi i politikës ndërkombëtare, Hans J. Morgenthau, filozofes dhe teoricienes politike, Hannah Arendt, në kontekstin e kundërvënies së politikave të presidentëve Johnson dhe Nixon në dritën e Luftës së Vietnamit apo skandalit të Watergate.

Ndërsa këtu, nga mbrëmja e së shtunës, kur presidenti lajmëroi anulimin e zgjedhjeve deri të dielën, kur Rama nga Burreli bënte batuta me mosrespektimin e dekretit presidencial dhe me shokët që i kishin ikur në drejtim të paditur ishin vetëm dy ekspertë kushtetues që u shpjegonin qytetarëve të trullosur çfarë po ndodhte. Të hënën pas argumenteve të presidentit për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve dhe murit të kryeministrit për të ecur përpara me katër të “pavarurit” e KQZ-së, ata u bënë tre, ja maksimumi katër.

Në thelb të besimit të figurave që janë autoritete të fushave, në këtë rast jurisprudencës,  është besueshmëria, ndërsa deskriptuesi më i zëshëm i së dielës këndejpari ishte një ekspert i betonuar djathtas që më ‘96-n.

Më spektakolarja ishte një zonjë e së hënës, në tymuesen e ardhur nga socialistët, se dekretin e Metës do ta padisnin në gjykatën administrative, e legjitimoi nën autoritetin e konstitucionalistes së njohur.

Jo rastësisht zëri më esëll ishte i një avokati që është jashtë rrymave partiake.

Asnjë jurist i nderuar apo zë akademiku nuk u dëgjua dje pas thagmave të qeverisë për mosnjohjen e dekretit të presidentit dhe për më shumë për nisjen e mocionit për shkarkimin e tij. Arsyeja s’ka të bëjë me aftësinë e tyre, por me interesat e palës, ku një pjesë e mirë militojnë pa tesera partie. Fshehja apo interpretimet e shtrembëta rrjedhin nga frika e humbjes së privilegjeve dhe pozitave komode në universitete apo organizata (jo)fitimprurëse apo kudo që janë.

Debati kushtetues është ekskluzivitet i Gjykatës Kushtetuese, por deri sa çështja të shkojë atje, juristët më të njohur të vendit janë të vetmit që mund të shpjegojnë publikisht marrëzitë e politikës. Por ajo që pamë e dëgjuam dje ishin sërish përfaqësues politikë duke hedhur shashka ligjore dhe qytetarët, si tifozë partiakë që imitonin skuadrat e tyre politike. Fjala bie, ish-anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të ishin një kontribut i vlefshëm në krizën e fundit, gjithnjë nëse janë shkëputur nga partitë që i kanë zgjedhur dikur.

Edhe sikur të pranonim se akti i presidentit del se është ekstrakushtetues në germë, por ka të bëjë me frymën e dokumentit themeltar, edhe sikur të mbyllnim një sy për gjykimin e dekretit të tij në gjykatën administrative e të përtypemi, sepse ekziston një precedent i Gjykatës Kushtetuese me ankimim të një partie anonime, kur vijmë te shkarkimi i presidentit si një broçkull e bërë enkas për ta përtypur militantët, sërish asnjë nga të respektuarit juristë dhe intelektualë nuk bëzanin. Përveç atyre të rreshtuar djathtas.

Duke iu kthyer sërish Hans J. Morgenthau-t që iu drejtohej studentëve të tij se “Është e pamundur për një burrë që merret me një mënyrë teorike dhe akademike me politikën që të heshtë kur këto çështje të mëdha janë para publikut dhe para qeverisë”, ne paradoksalisht duket se duhet të bëjmë të kundërtën. Të mos i dëgjojmë ekspertët dhe intelektualët tanë kur flasin. Fundja gjysmë të vërtetat që thonë pjesa më e madhe e tyre nuk na çojnë gjëkundi./Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *