1

Kërcënim real ndaj fuqisë kombëtare

               Publikuar në : 09:08 - 17/09/20 Blendi Lami

Blendi Lami

“Shqipëria është Kolumbia e Evropës,” deklaron një diplomat perëndimor. “Është vend prodhues dhe shpërndarës i drogës në Evropë. Është narko-shtet. (Marrë nga gazeta britanike “Independent”).

Këto janë fjalë shigjetuese për Shqipërinë. Në pamje të parë, disi të fryra për një vend evropian që krahasohet me Kolumbinë. Për më tepër, për një vend që është i orientuar – të paktën sipas platformave politike – drejt integrimit në BE dhe konsolidimit në struktura të tjera ndërkombëtare të sigurisë.

Procesi i integrimit dhe konsolidimi i pranisë në institucionet euroatlantike janë kushte që i kërkojnë Shqipërisë të gjejë shtigjet e përshtatshme për t’iu afruar zhvillimit euroatlantik – përmes një shteti në gjendje të fuqizohet. Ky lloj fuqizimi do të çonte më pas drejt një koncepti thelbësor për jo vetëm për organizimin shtetëror por edhe rritjen e sigurisë në shumë plane. Me këtë nënkuptohet fuqia e një kombi.

Fuqia e një kombi mund të përkufizohet si kapaciteti i një kombi për të garantuar qëllimet e interesit kombëtar në lidhje me kombe të tjera. Në këtë mënyrë, mund të jetë edhe aftësia për të ndikuar apo kontrolluar sjelljen e shteteve apo organizatave në përputhje me objektivat strategjike.

Në këtë rrugëtim shqiptar drejt institucioneve euroatlantike krijimi, fuqizimi dhe zbatimi i objektivave të fuqisë kombëtare janë përcaktues për të ardhmen e Shqipërisë. Etiketa “narko-shtet” pengon këtë rrugëtim në planin e integrimit dhe konsolidimit në mjedisin ndërkombëtar. Më keq akoma, kjo etiketë është vënë si rezultat i institucioneve të dobëta të brendshme. Ky rrugëtimi mundësohet vetëm përmes funksionimit efikas institucional.

Referuar raporteve kombëtare dhe ndërkombëtare, një nga faktorët që minojnë funksionimin normal shtetëror dhe, më tej, dobësojnë fuqinë kombëtare, është edhe krimi i organizuar.

Në “Vlerësimin për krimin e organizuar në Shqipëri”, i përgatitur nga “Qendra për Studimin e Demokracisë edhe Qeverisjes”, krijohet një ide e qartë për këtë fenomen në Shqipëri. Ndër aktivitet kryesore që realizuara nga grupet e krimit të organizuar listohen: kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve, trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi i armëve të zjarrit, fajdet, zhvatjet, mashtrimi financiar dhe pastrimi i produkteve kriminale. Megjithatë, veprimtaria e këtyre grupeve shtrihet edhe në “prostitucion, kontrabandën e migrantëve, krimet e organizuara të pronës, pastrimin e parave dhe krimet financiare”. Më tej, grupe të tilla kanë përdorur historikisht teknologjitë e reja të informacionit, “por kohët e fundit ata gjithnjë e më shumë po përdorin mediat sociale, rrjetin e errët (dark web) dhe kriptovalutat për të kryer aktivitetet e tyre”. Kjo është një panoramë e përgjithshme e realitetit të sotëm në një vend që karakterizohet për destabilitet të vazhdueshëm. Shpesh destabiliteti shqiptar lidhet me konfliktet politike, por krimi i organizuar është gjithashtu faktor vendimtar në stabilitetin e një vendi.

Nga ana tjetër, veç raportit të mësipërm, mund t’i referohemi raportit të vitit 2019 të Departamentit të Shtetit mbi “Strategjinë e kontrollit ndërkombëtar të narkotikëve”, ku përshkruhet situata në Shqipëri në lidhje me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Konkluzionet kryesore të raportit përfshijnë: trafikimi i kokainës dhe heroinës është rritur; krimi i organizuar komandon trafikimin e drogës nga vendet burimore në tregjet evropiane; rrjetet e krimit të organizuar në Shqipëri janë shtuar; Shqipëria tani shërben si një bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në SHBA, Amerikën e Jugut, Evropë dhe Lindjen e Mesme; Shqipëria është një vend i rëndësishëm për pastrimin e parave dhe rreziku i saj është rritur. Në një raport tjetër të Departamentit të Shtetit të SHBA “2020 Investment Climate Statements: Albania”, arrihet në përfundimin se niveli i lartë i korrupsionit, me të cilin përballen investitorët e huaj, e bëjnë Shqipërinë një vend shumë të vështirë për të bërë biznes.

Efekti më i rëndësishëm negativ i krimit të organizuar është dëmi që i shkaktohet qeverisjes. Vetë qeverisja si element i fuqisë kombëtare është përcaktuese për përmbushjen e interesave kombëtare dhe progresin e një vendi. Dëmi që krimi i organizuar i sjell qeverisjes ka të bëjë me efektin negativ që shkakton tek integriteti i nëpunësve publikë, përfshirë ata që janë përgjegjës për zbatimin e ligjeve.

Në vendet ku grupet e krimit të organizuar janë të fuqishme, legjislacioni dhe politikëbërja nuk i shërbejnë më interesit të përgjithshëm por interesave të grupeve të caktuara. Siç u theksua ehe në raportin e DASH-it për klimën e biznesit, përmes vendimeve arbitrare minohet efikasiteti i tregut dhe investitorët vendas e të huaj humbin besimin në funksionet ligjore dhe rregullatore të shtetit. Në këtë mënyrë, kur strategjia kombëtare bazohet në tolerimin e krimit të organizuar, jo vetëm që është e pamoralshme, por ekonomikisht vetë-shkatërruese. Kjo lloj pandëshkueshmërie shkakton pengesa në zhvillimin e qëndrueshëm dhe për pasojë stanjacion apo masa detyruese ndaj Shqipërisë nga institucione ndërkombëtare si FMN, OKB, BE etj.

Në raportin e lartpërmendur “Vlerësimi për krimin e organizuar në Shqipëri”, theksohet se efektet “krimi i organizuar ka prodhuar efekte të shumta negative në shoqëri, ekonomi dhe procese politike”, të cilat variojnë nga dëmet psikologjike tek individët e viktimizuar deri tek siguria kombëtare. Disa nga efekte kryesore të trajtuar në raport janë: depërtimi në ekonominë e licencuar, e cila ka dëmtuar konkurrencën e lirë, duke dëmtuar klimën e përgjithshme të biznesit; korrupsioni i sistemeve administrative dhe ato të drejtësisë penale, duke shkaktuar ngadalësimin e procesit të integrimit në BE; ushtrimi i presionit mbi sistemet e qeverisjes ekonomike dhe zbatimin e shtetit ligjor, duke e detyruar vendin të ndërmarrë reforma të kushtueshme, përfshirë reformën në sektorin e drejtësisë. Pra, gjithë kjo strategji kundër këtij fenomeni ka marrë shumë resurse, të cilat – sipas raportit – mund të përdoreshin në “fronte të tjera pa dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë”.

Në këtë mënyrë, krimi i organizuar – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – reflekton thelbësisht degradimin e autoritetit qeveritar dhe raporte të tilla shërbejnë si kambana alarmi për riorganizim dhe reformim të strukturave që përballen me këtë fenomen. Sfidat e krimit të organizuar dëmtojnë seriozisht stabilitetin politik, shoqëror dhe ekonomik të shteteve, veçanërisht nëse merret parasysh fuqia e tij e madhe financiare. Sigurisht, ky është një proces, dhe krimi i organizuar – referuar raportit – “do të vazhdojë të paraqesë një sfidë të frikshme për strukturat shtetërore dhe zbatimin e shtetit ligjor”, por zgjidhja vjen përmes “një kombinimi të luftës kundër korrupsionit me luftën kundër krimit të organizuar”. /Gazeta Liberale

 

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back