Aktualitet

Saliu shpalli fitoren, por njerëzit ende pyesin kush do fitojë: Basha apo Berisha?

Shkruar nga Liberale
Saliu shpalli fitoren, por njerëzit ende pyesin kush do fitojë: Basha

Reldar Dedaj

Në dyqanin e vogël që bën fotokopje për këta të lagjes, ka tre a katër kompjuterë të vjetër, ku, o luajnë fëmijët, o vijnë ca tipa për të folur me të afërmit refugjatë nëpër botë. Kjo pikë interneti rri gjithnjë plot, “plot” domethënë tre a katër vetë, sepse aq vend ka. Isha futur rrallë herë, kur më ishte prerë interneti në shtëpi, interneti këtu pritet sepse kush ka qejf të kruhet me një send, këput telat që shikon mbi kokë… Njëri nga të zotët e biznesit po i vinte rrotull porosisë time. Më bëri me shenjë; prit pak, siç bëjnë të afërmit kur duan të mbajnë veç. Kisha folur vetëm njëherë të vetme krejt rastësisht me të dhe, me sa më kujtohet, i kisha thënë se punoj gazetar në një gazetë, por vetëm kaq. Asgjë më shumë.

-Kisha një fjalë me ty… -përshpërtiti.

-Po! –thashë dhe prita sa dolën të tjerët.

-Ore ça është kjo punë?... si e gjykon, kush do ta fitojë këtë betejë: Basha apo Berisha?

-Do vendosë gjykata, i thashë… sa për t’u ndarë shpejt.

- Po gjykata po vonohet dhe Saliu i ka zgjedhur strukturat (mu afrua akoma edhe më shumë si për të mbyllur mundësinë që të hidhja shikimin jashtë), tani që i ka zgjedhur drejtuesit, as gjykata dhe as Zoti nuk e nxjerr dot më nga selia.

Zgjedhjet për strukturat e Rithemelimit nuk i kisha ndjekur me vëmendje; ndërsa ai dinte datën, ditën, njerëzit dhe objektivat që kishin deklaruar të zgjedhurit e Berishës.

Ndoshta edhe për shkak të njeriut të internetit nuk harrova më se në këtë qytet, dy kategori janë mbizotëruese; numri i të papunëve që vuajnë ku të shtyjnë kohën dhe numri i atyre që merren me politikë deri në bezdisje. Të dy palët, të varfër.

-Si të shkon ky biznes, i yti është? –E pyeta kot.

-Ç’ne i imi, vëlla?! Unë jam punëtor këtu, më parë kam punuar magazinier në një kompani ndërtimi.

Kur u hap dera, na erdhi një erë e keqe, për të vjellë. Këta të internetit bëjnë sikur kanë air-condition, por kursejnë energjinë. Ai e pa kokë e këmbë të ardhurin dhe iu kthye: Ku paske shkelur kështu, se na çmende.

Këpucët e atij që erdhi ishin mbytur në një baltë si të jeshilët dhe kundërmonin fekale të ndenjura. Klienti që hyri u ndje keq. Përplaste këmbën përtokë dhe shikonte nga dera. Ky i internetit thërriste: Jo këtu ore. Jo këtu se na munxurose…

Përjashta, vetëm pesë metra nga porta e shtruar me mermer të lëmuar ku thyen kokën, i ardhuri kishte parkuar makinën. E kishte lënë ndezur dhe kishte hyrë me nja dy letra në dorë. As thoshte “dua fotokopje”, as dilte jashtë, veç shikonte gomat e makinës. Ishin zhytur komplet në atë llucën si jeshile.

-Moçal janë bërë ujërat e zeza, as kujtohet njeri, tha si me vete njeriu i internetit, duke mos mbajtur gjallë as pikën e interesit për bisedën që nisi rreth Partisë së Saliut dhe dilemës se kush do ta fitojë logon dhe vulën e saj.

Në fakt është disi e çuditshme, ndërsa Saliu ka shpallur triumfin e tij ndaj grupit parlamentar demokrat, që refuzon një parti nën drejtimin e ish-kryeministrit, i cili është damkosur shumë keq nga amerikanët për korrupsion dhe minim të demokracisë, ka njerëz, dashamirës të tij apo jo, që ende vazhdojnë të pyesin se kush do ta fitojë këtë betejë. Me një fjalë, në fund fare, do triumfojë Saliu me të vetët apo fryma euro-atlantike në PD.

Është po kaq e vërtetë se PD sot ndodhet në pikën me të zezë të saj, por akoma më zi dhe madje sterr fare do të ishte nëse gjykata shqiptare do vendoste në favor të frymës anti-amerikane, pasi nuk do flitej më për shkatërrim të një logoje partiake, por akoma më shumë se kaq, do flitej për shkatërrim të vetë shoqërisë shqiptare, pasi çdokush në këtë vend do mendonte se forcat anti-amerikane, anti-euroatlantiste dhe non gratat të të gjitha llojeve do festonin triumfin e tyre kundrejt drejtësisë shqiptare dhe orientimit perëndimor, kurrë të pandryshuar për aspiratat shqiptare.

Pavarësisht fushatës agresive në media, “Rithemelimi” mund ta përdorë edhe për ca kohë logjikën e shumicës, por s’do arrijë dot të asimilojë PD-në e vërtetë, atë euro-atlantike.

Sepse, platforma e ndarjes dhe asimilimit, nuk ka lindur tek demokratët e thjeshtë, por vetëm në mendjen e sëmurë të atyre njerëzve që komplekset e inferioritetit dhe frika nga drejtësia i kanë konvertuar në komplekse ideologjike. Platformat e ndarjes kanë mbirë në mendjen e atyre të cilët kur e vinin kokën mbi një dru ëndërronin se si t’ua vidhnin jastëkun të tjerëve. Por le të mbetemi me shpresë, se edhe druri i trashëguar edhe jastëku i vjedhur do të humbin pas vendimit të Apelit, aty ku PD-ja do bashkohet dhe aty ku, nga cila anë ta kthesh, do të shohës po ato hundë të shtrembra shqiptarësh tek picërrojnë sytë në rreshtat e atij vendimi. Dhe nuhatja e tyre nuk di të gabojë./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH