Aktualitet

Këndvështrim/ Po fillojmë edicionin e kobshëm të lajmeve

Shkruar nga Liberale
Këndvështrim/ Po fillojmë edicionin e kobshëm të

Reldar Dedaj

Shqipërisë nuk do t’i vlente të tronditej, nëse ekzekutimi mafioz i tre të rinjve në Fushë-Krujë, do të ishte vetëm një vrasje për larje hesapesh. Shqipëria është tronditur pasi vuri re se e keqja tani ka mbërritur në shtëpinë e tyre, ngaqë ata po e sodisnin më parë se si po ndodhte në shtëpitë e të tjerëve. Mafia është tani një terrorizëm që po formon shtetin e tij dhe që policia po e toleron. Mafia shqiptare është tani një fuqi e madhe që po dikton rregullat e saj edhe shtetit ligjor.

Nga ana tjetër, skenës së atentatit me tre të vrarë në mbikalimin e Fushë-Krujës, nuk i mungon asgjë nga ato që shihen rëndom në filmat me aksion. Por në Shqipëri, realiteti është gjithmonë më larg se fantazia. Kjo e fundit është diçka e rëndomtë sa gjithmonë të krijohet bindja, që ajo që mund të imagjinohet, nuk do të jetë kurrë më e veçantë, sesa ajo çfarë vërtetë ndodh realisht në terren.

Mirëpo, gazetaria shqiptare, një ngjarje të tillë u mundua ta përkufizojë si një larje hesapesh mes grupeve kriminale, e cila mund të jetë edhe e tillë, por nisur nga pamjet dhe përmasat e ngjarjes, është e vështirë të flasësh thjesht për një vrasje, por shumë më tepër se kaq; ajo është një terrorizëm i pastër.

Referuar asaj çfarë kanë raportuar mediat shqiptare dhe policia makina e të rinjve është qëlluar me 50 plumba kallashnikovi nga tre persona, duke realizuar një masakër të vërtetë, por duke rrezikuar seriozisht edhe automjete të tjera. Ata që s’e njohin një segment të tillë rrugor, veçanërisht muajt e verës, duhet ta mësojnë se është një nga akset më të rënduara rrugore, që në një orar të tillë, trafiku i makinave kap përmasa edhe kilometrike.

Gjithashtu, një paradoks tjetër që e shoqëron ngjarjen, është edhe fakti se si ka mundësi që një person i shpallur në kërkim nga shteti shqiptar, i sapo kthyer nga Britania e Madhe, i cili jetonte në një fshat të Kurbinit, i njohur krejtësisht nga të gjithë banorët e zonës, arrihet të gjendet më parë nga hasmit apo rivalët, sesa Policia e Shtetit.

Sot, policia, pasi të survejon me dron për kalim shpejtësie arrin të ndalojë në rrugë, nëse dikush guxon të hedhë një shishe plastike nga makina, nxirret me urgjencë në tre-katër portale, por askush, askush nuk gjendet, as policia madje dhe as qytetarët e përgjegjshëm, sa herë ndodhin akte të tilla kriminale.

Rruga e Fushë-Krujës apo të gjitha lidhjet e tjera me këtë rrugë janë të rrethuara nga qindra, për të mos thënë mijëra biznese, kamerat e sigurisë, punonjësit, rojet etj, askush nuk ka vënë re asgjë. Asnjë pamje dhe asnjë detaj bindës nuk është publikuar, për të sqaruar opinionin publik dhe jo vetëm, edhe familjen madje, nëse një vrasje e tillë ishte kryer për hakmarrje, apo ishte një eleminim mafioz për shkak të konflikteve mes grupeve mafioze në vend.

Ky detaj është i rëndësishëm për të kuptuar përmasën e krimit në fjalë. Pse themi i rëndësishëm. Pasi është një paradoks i pakuptueshëm që qytetarët e Laçit kanë guximin të japin më shumë detaje bindëse në lidhje me vrasjen sesa policia apo gazetarët e kronikës. Policia hesht se mund të ketë më shumë interes për të relativizuar ngjarjen, gazetarët kapërcejnë nga njëra degë në tjetrën, për të rritur audiencën. Tmerr!

II

Duket se ka një problem të madh me mediat në vend, kryesisht përgjatë këtij muaji. Disa vdekje dhe ngjarje të tjera tepër të rënda kanë trazuar disi punën e gazetarëve. Në fillim na la përshtypjen se do ishte një muaj i qetë, pa dallgë të mëdha, me pushtetin e vapës ku mendja e njerëzve më shumë do ishte e interesuar rreth pushimeve dhe ushqimeve, sesa monstruoziteteve që përcolli. Kemi parë dje gazetarë që me përpikmërinë më të madhe kanë raportuar deri në detajet më të imta në lidhje me ngjarjet.

Në fillim, ata treguan vrasjen e tre të rinjve. Më herët, një vrasje në Shkodër, pastaj vdekjen e një turisti, më pas përsëri vdekje, por në këtë rast nga Ukraina, po më tej, një 38 vjeçar që pasi arrin të futet me dhunë në një banesë, lidh kryefamiljarin dhe abuzon seksualisht me një nga vajzat e vogla të familjes.

Pak a shumë, ky ka qenë edicioni i djeshëm informativ i televizioneve tona. Për të mos mjaftuar as kjo, media e rrëmbyer nga etja për të fituar sa më shumë ndjekës, flet gjithmonë më në detaje për ngjarjen. Në rastin e përdhunimit, detajet janë krejtësisht të panevojshme, larg profesionalizmit dhe nxitën më tepër nga emicioni, sesa racionalja e lajmit.

Po pse ndodh e gjithë kjo?

Me shumë siguri, rrefimet e krimit janë edhe ato qetësuese sepse japin kënaqësinë e të parit të tjetrit si shkatërrohet. Siç lë të kuptojë Niçe, “krimi mbi të tjerët eksiton perversitetin urban, sepse i ngop inatin kundër njerëzve në përgjithësi, që i bën përgjegjës për fatin e tij”.

Mirëpo, ne pamë dje në ekran një gazetar, në fakt, titrat që i kishin vendosur e legjitimonin se ishte gazetar, se për të qenë gazetar, mjafton të thuash: “unë jam gazetar” dhe këtë s’ka Zot që e zhbën në ditët e sotme.

Por u duk pak si i trashë, d.m.th, shumë i bëshëm, më i bëshëm se duhet për të qenë gazetar. Megjithatë, mirë ka bërë, ka gjetur një punë dhe bën gazetarin, se mos do presim nga këta të bëjnë teorinë e gazetarisë.  Mirëpo, po të kishte qenë një bari, një punëtor ndërtimi, do ta pranonim. Ka shumë njerëz në botë, që të ulur në një tryezë kafeneje me miq dhe shokë ja nisin duke shpjeguar botën, madje arrijnë të shpjegojnë se pse njerëzit ende nuk jetojnë në hënë. Dhe kjo është e kuptueshme.

Ajo që s’kuptohet është fakti se si ka mundësi gazetari e bën shpirtin shkurre, duke raportuar hollësi të pakuptueshme dhe krejt të panevojshme vetëm për hir të audiencës. Kemi parë shumë gazetarë ku akoma pa zbardhur dita mirë, nisen të shërbejnë të keqen, të transmetojnë të zezen. Ka edhe shumë të tjerë që bëjnë të njëjtën gjë. Ka shumë njerëz që ulin korba në tryeza të përbashkëta, a thua se zia dhe e keqja bie lart nga qielli. I kemi parë të gjitha…

III

Media shqiptare është ajo pjesë e gazetarisë ku gazetarët në vend që të informojnë opinionin publik, më tepër e topisin atë, është ajo gazetari që gazetarët thirrën në haremin e kryeministrit dhe tallen, përqeshen dhe shndërrohen thjeshtë në lolo përpara tij.

Mbi të gjitha, është një gazetari që nuk guxon, servile dhe hipokrite deri në kufijtë e fëlliqësisë. Me gazetarë që bëjnë biznes me pushtetin dhe me të gjitha pushtet që vinë. Është injorante deri në ekstrem, mburracake, e plogësht dhe shurdhuese.

Por jo vetëm kaq. Media shqiptare ka problemin e saj me lirinë, nga e cila, është transferuar nga etja për të lexuar diçka të ndaluar dhe të thellë, në dëshirën për të lexuar diçka të shkurtër dhe  sipërfaqësore.

Përcjellëse e pashoq e propagandës së pushtetit dhe gjërave të përcipta, të paverifikuara dhe mundësisht bombastike, që të lënë një farë jehone në veshët e njerëzve.

Është një media ku njeriu mesatar shfaqet më shumë aty se gjetiu. Mediokriteti ka mbërritur në një stil të atillë, sa është e vështirë të gjesh shembull tjetërkund të budallallëkut të tij karakteristik. Ndoshta për këtë, gazetarët shqiptar, janë të mëdhenj për hiçësirat./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH