Aktualitet

Këndvështrim/ Pa u ndërru kjo media, nuk ndërrohen politikanët

Shkruar nga Liberale
Këndvështrim/ Pa u ndërru kjo media, nuk ndërrohen

Reldar Dedaj

Çdo ditë që kalon aq më shumë e thellon debatin në lidhje me pozicionimin e medias. Qytetarët me të drejtë pyesin të habitur nëse media shqiptare është e renditur në krah të interesit publik apo në krah të politikës. Ky është debati. Hamendësimet janë shtuar shumë.

Mund të themi se prej kohësh media po ndërton një mënyrë të të parit të gjërave që lidhet shumë pak me interesat e qytetarit dhe që mbështetet veçanërisht mbi përqëndrimin e autoritetit të saj me dhunë dhe një stil krejt uniform, duke shmangur prerazi dhe qëllimisht të gjitha mënyrat e tjera të të parit të gjërave.

Jo vetëm çdo element i gazetarit shfaqet uniform, por ngjashëm shfaqet edhe mentaliteti i gazetarit. Nëse një ditë ndokush do të marrë përsipër të llogarisë gjatë një jave editorialet e një portali ose të disa syrësh, shkrimet në lidhje me Berishën dhe familjen e tij do zënë hapësirën më të madhe të medias dhe kjo vetëm në një ditë, por nëse do llogariten çdo ditë të muajit dhe çdo muaj të vitit? E njëjta gjë ndodh edhe me kryeministrin Edi Rama, madje ky i fundit, ndryshe nga Berisha në të shumten e rasteve i dërgon edhe të gatshëm artikujt e tij.

Kjo është një llogaritje që na çon në një shifër tronditëse dhe shumë shqetësuese për vendin tonë të vogël, që pjesën më vitale të vendit e ka jashtë territorit dhe mbi të gjitha shanset që gjërat mund të përmirësohen sadopak një ditë shfaqen gjithmonë edhe më të zbehta. Justifikimet mund të jenë të shumta dhe gati-gati bindëse, por ne besojmë, ose ndoshta më tepër e pranojmë si të qenë, vetëm njërën nga ato; fakti i thjeshtë që lidhet me shoqërinë e konsumit dhe kulturën e uniformitetit.

Si gazetat e ndryshme opozitare, si ato pozitare vetëm shpallin lëvdata për ritmin e këtij sistemi të hekurt. Telenovela Rama, apo ajo Berisha po zgjasin me vite e vite në tregun mediatik thjesht si mall konsumi dhe asgjë më shumë. Mjafton të ndjekësh një shkrim, apo një seri dhe tak-fak do përfshihesh i tëri për vite e vite me radhë në faqet e gazetave shqiptare. Madje ne arritëm si askund tjetër të krijonim gazetar anti-berishist dhe pro-berishist, secili prej tyre akoma edhe më i flaktë se tjetri.

Niveli i analizës shfaqet tepër sipërfaqësor, pa bosht dhe krejtësisht artificial. I ndërtuar mbi parimin e mitit, ku njeriu i thjeshtë i zhytur në hallet e tij të përditshme, mes borxheve të shumta, konflikteve në punë, pasigurisë totale në vend; sheh i ngazëllyer poshtërimin e udhëheqësit apo ish-udhëheqësit të vendit, teksa gazetari i rendit pa fakte, gjithmonë pa fakte korrupsionin, pasurinë dhe vjedhjet.

Si dëshmitar i kësaj pamje, ai qytetar, i cili edhe pse është i gatshëm të vrasë sho-shoqin për një të parë, teksa sheh njëshin e vendit të poshtëruar publikisht, të fyer, i denoncuar me guxim nga gazetari për korrupsion dhe sidomos kur ky i fundit i drejton gishtin drejt qelisë së burgut, pikërisht këtu, në këtë pikë të ligjeratës patetike të medias, qytetarit i bëhet zemra mal.

Veçanërisht kur sheh kryeministrin e vendit nën këmbët e tij, veçanërisht kur ndjen fuqinë qytetare, barazinë me të dhe ndërsa e merr gjumi në minderin e aneksit, ëndërron më në fund poshtërimin e shkaktarit kryesor të halleve të tij. Por ky njeri harron se kjo telenovelë politiko-mediatike, veçanërisht kjo nuk mund të ketë fund kurrë, regjisori sapo ka krijuar një realitet virtual dhe bashkë me këtë realitet edhe një sagë akoma më të madhe për konsum popullor. Ku ai sheh çdo pasdite, çdo darkë të njëjtat personazhe, që luajnë gjithmonë të njëjtin skenar, ku ai, veçanërisht ai, s’ka asgjë në dorë të ndryshojë, as personazhet dhe as skenarin.

Media e ka shndërruar realitetin e saj mediatik, në një prostitucion jolegal, duke na paraqitur një skilet, ku profili i tij skicohet në të gjitha produktet e medias. Madje gazetarët nuk e ndjejnë fare të nevojshme që ta fshehin këtë monopol, sepse pushteti i medias përforcohet sa më e deklaruar të jetë dhuna e tij.

Gazeta dhe televizioni nuk kanë nëvojë më të shiten si shërbëtorë të qytetarit. E vërteta, që ato nuk janë asgjë më shumë se thjesht një biznes, përdoret prej tyre si ideologji, për të legjitimuar mbi të gjitha plehërat që prodhojnë dhe konservojnë qëllimisht.

Ndërsa kalohet në heshtje dhe në terr total, qytetari nuk është më në gjendje të dallojë asgjë mes virtuales dhe reales. Ai shndërrohet spektator i spektaklit të tyre të humorit, e nis të qeshë me të madhe, kur duhet të qante, ndërsa qan, kur fare mirë duhej të qeshte./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH