Aktualitet

Këndvështrim/ Kush po e përdor median shqiptare?

Shkruar nga Liberale
Këndvështrim/ Kush po e përdor median shqiptare?

Reldar Dedaj

Ndikimi i medias në përgjithësi mbi orientimet e raportimeve të gazetarëve është një dukuri e pranishme prej kohësh, veçanërisht ideja e saj në lidhje me “mitin mediatik” se mediat: shprehin dhe interpretojnë, në mënyrë të paanshme, përfaqësimin e interesave publike dhe të publikut; ka nisur gjithmonë të veprojë me një standard të dyfishtë.

Nga njëra anë, reporterët duhet të ndjekin çdo ngjarje apo aktivitet me rëndësi shoqërore dhe nga ana tjetër, raportimi duhet të jepet në përputhje me çdo kusht me vijën editoriale të vetë medias.

Rrjedhimisht ky lloj “miti” është një aspekt i pashmangshëm i ekzistencës kolektive të mediave në përgjithësi dhe në veçanti i reporterëve të tyre. Nga ky këndvështrim, siç do ta shohim, përpjekjet për të ç`mitizuar, për të ç`montuar një mit, për të vënë në dukje pavërtetësinë, aq sa e ka, mund të themi se janë të pavend.

Ato zor se kuptohen nga gazetarët si një përpjekje qëllimmirë për të dalluar të pavërtetën. Pikërisht ashtu siç është vënë re, gazetarët nuk do të ndryshojnë mënyrat e tyre të sjelljes dhe të psikologjisë raportuese dhe ashtu siç pritet nuk do të premtojnë një sjellje tjetër në të ardhmen, të pandikuar, kryesisht, pjesërisht apo plotësisht nga “miti mediatk”.

Madje edhe atëherë kur miti i tyre sulmohet, gazetarët në fjalë do ta ndjejnë veten të sulmuar, do ta shohin atë si sulm ndaj themeleve të tij, që venë në pikëpyetje ekzistencën e tyre. Kështu, ata do të mbrojnë vetveten me çdo mjet të mundshëm.

Përfundimisht mund të themi se na duhet një alternativë si shpjegim më bindës për natyrën e “mitit” dhe rolin që ai luan në veprimet kolektive të gazetarëve. Si një direk i dalë prej thellësive të mëdha, ai kërceu në sipërfaqe andej, ku pak kush hedh sytë, kur gazetari dhe media lundrojnë në ujëra të turbullta.

Ky lloj miti i jep ekzistencë kolektive një dimensioni të përkohshëm, ai rrënjos në anëtarët e një komuniteti një të kaluar, e cila mund të jetë e pasaktë, por që ndjehet si konstruktive, gjithashtu ai u jep atyre sensin e një të ardhmeje të përbashkët. Në këtë sens, ekzistenca e një ideje të tillë kolektive tek reporterët, krijon amullinë e saj: atë të riprodhimit mediatik.

Ka ditë që mediat tona po raportojnë vetëm ankth, vuajtje, vrasje, dhunime pa pyetur për ndërtimin e një logjike të shëndoshë shoqërore, duke krijuar një gjendje lufte ku njeriut i duhet të luftojë dhe të mbrohet ndaj të gjithëve. Qysh në ngjizje lajmi mendohet sipas modelit konceptual të edicionit informativ. Përpara që të jetë një informacion i dobishëm për komunitetin, ai është një informacion për vetë median. Për më tepër, që kur lajmi formulohet paraprakisht, ai ka nevojë të përpilohet në ato forma që e bëjnë të dobishëm për interesat komerciale të medias.

Dikush mund të thotë se gazetarët kanë punën e tyre. Ata raportojnë në mënyrë të tillë se këtë karakteristikë ka lajmi, më tepër si mekanizëm marketingu, sesa një përfaqësim i problematikave të komuniteteve që ngelen në hije për shumë kohë të gjata. Sigurisht është e drejta e gazetarit për të përzgjedhur informacionin për aq kohë sa dëshiron, por nuk duhet harruar, se ai pas një kohe bëhet i varur nga media, duke humbur, plotësisht aftësinë selektive përballë informacionit që i jepet. Logjika e tyre perceptuese, mësohet me mjedisin mediatik në të cilin ndodhen dhe jo vetëm që nuk kërkojnë të veprojnë ndryshe, por edhe e kërkojnë atë në mënyrë instiktive, u duket normale, e domosdoshme, pavarësisht dëmit që krijojnë dhe ankesave që kanë për ta.

Dëshira për të raportuar të njëjtat problematika, anipse, janë të përfshira edhe konjukturat e ndryshme mediatike, bëhet kështu pak e nga pak mjedisi normal i funksionimit të shqisave të gazetarit dhe i psikologjisë së tij raportuese në media. Duke u përfshirë në një vetë-censurë të padukshme që herë shfaqet si bashkëvuajtës e herë si bashkëfajtor.

Shkalla më e lartë e dykuptimësisë, përftuar nga pështjellimi i fjalëve, është ajo që do ta quajmë “ekstazë e komunikimit” Ekstazë do të thotë; dalje jashtë botës reale. Një gjendje pluskimi ose mbetjeje pezull e diçkaje që ndodhet jashtë vetes. Kjo largësi mund të jetë ndriçuese ose pështjelluese, të na bëjë të zbulojmë ose të shkatërrojmë. Ekstaza e komunikimit është ajo rrethanë ku komunikimi ekziston së qeni i qartë dhe i këmbyeshëm, duke shndërruar në një realitet të dytë që e mbështjell botën dhe e ngatërron atë me vetë faktin dhe interpretimin e tij nga gazetari.

Nëse analizojmë shprehjen “ekstazë e komunikimit”- thotë Jozef Ramoneda – duhet të bëjmë dallimin midis komunikimit dhe ekstazës, një stad i epërm në të cilin komunikimi humb trajtat e tij, si rrjedhojë e intensitetit të skajshëm dhe vjen e shpërbëhet. Siç thotë Ramoneda, e para pyetje që duhet të shtrojmë është nëse logjika e komunikimit shpie pashmangshmërisht – nëpërmjet akumulimit – në ekstazën e tij.

Po të jetë kështu -vëren ai- atëherë gjendemi përballë një pyetjeje të dytë: a mund të dalim nga kjo ekstazë? A ka ndonjë mundësi për t`u kthyer në realitet? Duke nisur të mbajmë logjikën e këtij fakti, vërehet se çdo fenomen komunikimi – përcjellje informacioni – ngërthen njëfarë distancimi nga realiteti, pra edhe një shkallë të caktuar irrealiteti. Fjala “ekstazë” ka për qëllim të shënjojë atë situatë ku distancimi është i atillë sa që e humbasim nocionin e referimit: referimi i çdo komunikimi nuk është më realiteti, por vetë komunikimi. Këtu nuk ka asgjë të çuditshme, nëse pranojmë principin niçean sipas të cilit “gjithçka është interpretim”.

Vështirësia që sjell ekstaza e komunikimit, thekson ai, lind ngase, me çdo gjasë, nuk kemi të qartë nëse komunikimi e fsheh apo e zëvendëson realitetin. Nëse e zëvendëson, atëherë jemi plotësisht të kredhur në të: nuk do ishte botë e huaj për ne, do të ishte bota jonë, realitet i ri. Nëse vetëm e fsheh, kjo do të thotë se realiteti mbetet latent dhe herëpashere na dërgon sinjale të ekzistencës së tij, të cilët na nxisin të bëjmë pyetje. Pikërisht ashtu siç vëren Ramoneda që ka momente që reja e komunikimit davaritet dhe na lejon të shohim qiellin ose tokën. “Nuk është për t’u çuditur nëse, në kulmin e ekstazës së komunikimit-thekson ai- befas dëgjohen evokime të sferës transhendentale ose të gjërave më tërësisht tokësore, të sferës mistiko-fetare apo të atavizmave.” Reja ka nevojë për to që të vazhdojë rrugën e vet.

Gjëja e parë e sigurt, ajo që shohim tani, ende pa pranuar si realitet të ri komunikimin, është se komunikimi e fsheh realitetin. Me fjalë të tjera, teksa vërshimi i informacionit që na përmbyt duhet të na bëjë të besojmë se jemi duke arritur në një nivel tepër të lartë njohjeje shumë të hollësishëm të realitetit, del se kjo tepri, sipas Josef Ramonedës, është një formë fshehje, që shfaqet në figura mjaft karakteristike:

Fshehje në sajë të akumulimit: nëpërmjet sasisë, informacioni shndërrohet në zhurmë. Humb aftësia e ruajtjes, vlerësimit dhe sistemimit të tij në perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve.

Fshehje në sajë të shpejtësisë: marramendja informative sjell mbulimin e një kufome nga një tjetër, shpërfytyrimin e një tragjedie historike – hiperbolizimi është konstante e mediave – nga një anë tjetër, brenda periudhës midis lajmeve të mesditës dhe të mbrëmjes.

Fshehje në sajë të fëlliqësisë: ekzibicionizmi i imazhit krijon konkurrencë në drejtim të fëlliqësisë, gjë që sjell tekefundit zhdukjen e çdo kriteri ose përzgjedhje me shije.

Fshehje në sajë të thjeshtëzimit: vetë logjika e gjuhës komunikative priret për nga mesazhet e shkurtër dhe të drejtpërdrejtë, duke asgjësuar çdo kompleksitet dhe çdo nuancë.

Fshehje në sajë të homologimit: çdo informacion ka kutinë përkatëse në strukturën informative, enën e vet mbajtëse të gatshme në çdo mjet të komunikimit masiv dhe në tërësinë e sistemit të komunikimit.

Duke e parë të gjithë sistemin mediatik në të tillë gjendje, për aq sa mendohet nga studiues të ndryshëm të komunikimit, vërejmë se; për aq sa vazhdojmë të mendojmë se është fshehje e realitetit, bota e komunikimit nuk është plotësisht e jona. Mbetën të çara përmes të cilave realiteti mund të depërtojë. Ndërkaq, ngjarjet luhaten mes realitetit të tyre të ashpër dhe paraqitjes së tyre mediatike, siç po ndodh kohët e fundit me betejat politike, vrasjet, dhunimet në vendin tonë anekënd Shqipërisë.

Kemi një marramendje komunikimi; nga maja e rrokaqiellit mediatik, na magjeps humnera e realitetit. Duhet ta mbajmë gjallë britmën e këtij realiteti, deri sa ngadhënjimi i komunikimit ta zhdukë përgjithmonë dhe të mos jemi në gjendje të dallojmë ndërmjet luftës dhe marsianëve. Një pjesë e fuqisë simbolike të mediave, për sa u përket informacioneve për shembull, qëndron në tërheqjen e vëmendjes drejt fakteve që u interesojnë të gjithëve. Fakte të përgjithshme janë faktet e jetës së përditshme, që nuk paraqesin rreziqe, që nuk krijojnë ndarje, që marrin konsensus, por në një mënyrë që nuk prek asgjë të rëndësishme./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH