Reldar Dedaj
Shkaqet mund të jenë të shumta. Por edhe demokracitë më të qëndrueshme në botë, janë infektuar nga mania e të fortëve. Pak kohë më parë, presidenti rus Vladimir Putin ishte vetëm një nga udhëheqësit e denjë për t’u etiketuar kështu. Sot, ai ka një konkurrencë të fuqishme.
Në Hungari, Victor Orban sapo ka fituar një mandat të katërt radhazi si kryeministër.
Marine Le Pen humbi vërtet zgjedhjet presidenciale franceze përballë centristit teknokratik Emmanuel Macron. Por fakti që mori 41.5 për qind të votave, ishte ende një shenjë e re inkurajuese për të djathtën ekstreme evropiane.
Dhuna dhe kaosi i Putinit në Ukrainë po e ndryshojnë fytyrën e Evropës, por nuk duket se ka ushtruar presion ndaj fuqive të tjera globale (siç është Narendra Modi në Indi) për t’u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar që kundërshton luftën e tij.
Bolsonaro ka mundësi të rizgjidhet në tetor. Ndërkohë, zgjedhjet e 2024-ës në SHBA po afrohen, dhe bashkë me to edhe perspektiva e një mandati të dytë dhe akoma më ekstrem për Donald Trump.
Presidenti kinez Xi Jinping është ndoshta lideri më i fuqishëm i vendit, që nga vdekja e Mao Ce Dunit katër dekada më parë.
Në Turqi, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili kishte kohë që zhvendosej drejt autokracisë, e ka përqendruar pushtetin, edhe më shumë pas grushtit të dështuar të shtetit. Edhe në Filipine, ku Revolucioni i Pushtetit të Popullit përmbysi Ferdinand Marcosin në vitin 1986, votuesit zgjodhën si presidentin e tyre Rodrigo Duerten, një “i fortë”, populist i betuar, si dhe luftëtar gati të shkrepë pushkën, kundër baronëve të drogës.
Ja pra, të fortët u kthyen në modë.
Edhe në Shqipëri duket se ka depërtuar një ndjenjë frike. Duket sikur dinastitë kanë nisur të bien. Të gjithë këtej kanë filluar të hedhin sytë se mos ka ndonjë të fortë rreth nesh e këta se shohin dot.
Megjithatë, një gjë dihet mjaft mirë, të gjithë po i frikësohen ndryshimit, por po presin një “të fortë”. Sali Berisha, me nuhatjen e një gjahtari të vjetër dhe me lapsin e një llogaritari sojli në dorë, që në fillim të lëvizjes së tij të foltores filloi të dukej si i tillë, fillimisht hodhi në gjyq Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken dhe si për të mos mjaftuar as kjo, fill pas këtij akti i shpalli luftë miliarderit George Soros.
Vetëm disa javë më pas, fiks me datë 8 janar, ish-kryetari i PD-së mblodhi njerëzit e tij për të hapur me forcë dyert e blinduara të selisë. Atë ditë mbështetësit e tij qëndronin jashtë godinës së PD-së të kthyer në një kala, ndërsa Lulzim Basha rrethohej brenda nga besnikët e tij.
Shumë ujëra kanë rrjedhur në gjashtë muaj, palët shkarkuan dhe përjashtuan njëri-tjetrin, vendosën vija të kuqe, ata që me 8 janar mbronin kryetarin nga sulmi i paraardhëst të tij, ndryshuan krah dhe, nisen revoltën nga brenda për ta larguar.
Siç duket ideja e një lideri të fortë, ngjiti si gjithmonë më shumë se te kushdo tjetër tek demokratët.
Udhëheqësit politikë mendojnë të jenë të përhershëm në pushtet, fatkeqësisht vetë jetëgjatësia, cikli më normal i jetës, ligji i të gjitha ligjeve, kërkon ndryshimin.
Prej kohësh na ka pëlqyer të përsërisim se udhëheqësit vrasin veten. Në të vërtetë vetëvrasja i shkon shumë për shtat një ideje të tillë. Madje udhëheqësit e mbështetur në idenë e jetëgjatësisë gjithmonë janë shembur nga vetvetja.
Mirëpo, këta të ngjiturit pas pushtetit nuk duan të ndryshojnë, presim që të ndryshojmë ne- populli. Sali Berisha pas 9 viteve pushim, kërkon të rikthehet në krye të PD-së. Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka 25 vite në pushtet, aq sa Skënderbeu dhe vështirë të zbresë nga pushteti, nëse do ketë përballë Saliun./Liberale.al/