Aktualitet

Këndvështrim/ Demokratë, koha nuk është aleatja, por gjykatësi juaj

Shkruar nga Liberale
Këndvështrim/ Demokratë, koha nuk është aleatja, por

Reldar Dedaj

Nëse këta deputetë që përfaqësojnë PD-në zyrtare do vazhdojnë edhe për pak kohë me këtë mendje që po shpalosin në media, veçanërisht gjatë këtyre 48 orëve të fundit, shanset janë që ajo ta humbë forcën e saj për të ndryshuar dhe më pas për t’u riafirmuar. Nga sa shihet është shumë e dobët, është kulturalisht shumë e dobët. Mjafton të shikosh se si flasin, si gazetarët i komentojnë deklaratat e tyre, çfarë debatojnë në emisione televizive dhe do kuptosh se askush se njeh më këtë lloj opozite.  Mendimi qëndron në nivelin më të ulët të mundshëm. Opozita e drejtuar nga ish-kryetari Basha u pandeh se mund të ishte vendi i dijes, i intelektit, i mendimit, por o Zot, ajo çfarë shfaqet sot nuk është asgjë tjetër veçse një karikaturë e vetvetes. Ajo është një opozitë e dobët shpirtërisht dhe mendërisht. Por ajo çfarë trazon më shumë se asgjë tjetër në gjithë këtë histori është pandehma nëse do ketë fuqi të shërohet dhe a do guxojë, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, të shkëputet nga lidhjet e saj të errëta, që po mundohen ta pengojnë, madje me çdo çmim.

Është e vërtetë që herë pas here ndodhin ngjarje të pashpresuara dhe, atëherë fillojmë të besojmë se demokratët, kur ndodhen në qorrsokak, nga e keqja, si për mrekulli, e gjejnë rrugëdaljen. Kështu ndodhi në ’97, kështu ndodhi në 2005, por edhe më pas. Por sakaq ja ku ndodhin turbullira të tjera, që zbulojnë shtysa njerëzore krejt të ndryshme, më të errëta, më të njohura, dhe demokrati nis të pyesë veten nëse kjo klasë politike nuk ka arritur, në njëfarë mënyre, pragun e paaftësisë morale, nëse ecën gjithnjë përpara apo është duke nisur një lëvizje së prapi, që kërcënon të vërë përsëri në dyshim gjithë sa janë përpjekur të ndërtojnë brezat më parë.

Këtu nuk është fjala për ankthe të pabaza, që kanë shoqëruar kalimin nga një ditë në tjetrën, as për mallkimet që e kanë zakon të lëshojnë qysh prej kohësh ata që u druhen ndryshimeve. Shqetësimi ynë është i një tjetër lloji. Është shqetësimi i atyre njerëzve që tronditën kur lexojnë në faqet e para të gazetave titujt e mëdhenj me shkronja të zeza të disa deputetëve demokratë që deklarojnë me bujë pavarësinë e tyre nga ish-kryetari Basha; është shqetësimi i disa të apasionuarve pas lirisë, që pandehnin se këta njerëz e kishin bërë pjesë të dimensionit të vetes, por që shohin të tronditur një parti ku liria s’do ketë më vend; është shqetësimi i disa qytetarëve që frikësohen kur dëgjojnë thirrjet e tyre për të gjetur konsensusin me Sali Berishën, sikur nuk ishin ata që përshëndetën të parët vendimin e ish-kryetarit për përjashtimin e tij nga partia. Dhe është para së gjithash e thjeshtë, shqetësimi i disa të dashuruarve me demokracinë, që nuk e pranojnë dot këtë shkatërrim e asgjësim që u rri përmbi kokë.

Që të mos ketë asnjë keqkuptim, po këmbëngulim. Partia Demokratike, si forca më e madhe opozitare, është garantja e funksionimit të demokracisë së një vendi. Në peshën e saj nuk ekziston asnjë forcë tjetër, sado do na pëlqente ta kishim. Pa një opozitë të lirë, me njerëz të lirë, nuk do ta kemi kurrë një demokraci të shëndoshë. Andaj, besojmë se anija ku kanë hipur është shmangur tashmë nga drejtimi, është pa kapiten, pa pikësynim, pa pamje të qartë, pa busull, në një det me dallgë dhe se është urgjente të bëhet një përpjekje për ta shpëtuar prej mbytjes. Nuk mjafton të vazhdohet në rrugën e nisur, duke lundruar me tahmin, të dalë ku të dalë, duke i dredhuar ndonjë pengese dhe duke ia lënë të tjerat kohës. Koha nuk është aleatja, por gjykatësi juaj./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH