Aktualitet

Këndvështrim/ Berisha po mundohet të bëjë të pamundurën

Shkruar nga Liberale
Këndvështrim/ Berisha po mundohet të bëjë të

Reldar Dedaj

Sali Berisha është pjesë e realitetit shqiptar, i cili mbart mbi vete, përveç tjerash, edhe një stigmë, një si përçmim dhe një kërkesë joreale për të bërë të pamundurën. Pse themi të pamundurën. Sepse i kapur ngusht nga vendimi i Shteteve të Bashkuara, Sali Berisha për t'u çliruar nga ajo barrë, po tenton të mbledhë rreth vetes sa më shumë injorancë. Ky është edhe absurdi i tij.

Radha e mbarë e punëve do të na detyronte të mendonim se për një ish-profesor universiteti, injoranca do t’i krijonte alergji dhe për rrjedhojë do i qëndronte larg asaj. Por si politikan, madje si një nga aktorët kryesor të tranzicionit të lodhur dhe të stërzgjatur shqiptar, injoranca është e vetmja humus që e mban në jetë një politikan aktiv në skenën politike prej 3 dekadash. Kjo edhe për faktin se në rrethanat tona, injoranca prodhon veç demokraci jofunksionale, injoranca prodhon pushtet të korruptuar, injoranca prodhon krizë morale, injoranca nxjerr në sipërfaqe vese njerëzore të shëmtuara, injoranca është krah i fortë i korrupsionit, injoranca i bashkohet turmave të mëdha njerëzore, duke pranuar gjithashtu të pozojë edhe kundër miqve tanë amerikanë, e kështu me radhë.

Shqipëria prodhon krizë të përgjithshme, politike dhe shoqërore, vetë zhytet në atë krizë dhe, me progresion gjeometrik, degjeneron vlerat e saj njerëzore dhe morale. Ky është rrethi i mbyllur. Por kjo duket teori, nëse gjatë këtyre ditëve të fundit nuk je ulur qoftë vetëm një ditë të vetme para televizorit dhe të kishe parë se kriza jonë, në të vërtetë, është një krizë e vlerave njerëzore.

Televizionet tona, krejtësisht të paafta për t’i dhënë qoftë një titull të vetëm qytetarit, janë thellësisht shkatërrimtarë, degjenerikë, një kope gënjeshtarësh dhe mashtruesish, pa kulturë, pa dije, pa sensin e masës për asgjë, moralizues të rremë, banditë dhe zhvatës. A i thamë të gjitha? Mbase jo, sepse përsëri të duket sikur fjalët nuk e thonë atë që duhet.

Për ta plotësuar akoma edhe më mirë kuadrin dhe për ta ndjerë veten të neveritur deri në klithje, mbi krejt këtë duhet shtuar gënjeshtra lapidare, se gjithë këto media punojnë për të mirën e Shqipërisë. Për ta plotësuar kuadrin dhe për të ndjerë krupë më shumë se ç’mund të mbajë barku i njeriut, kësaj “lukunie” mediatike duhet t’ua vësh nga pas kopenë e analistëve, shumica syresh pa shkollë dhe pa dije politike, servilë pa dinjitet, të cilët më shumë merren me element të panevojshëm të jetës shoqërore, sesa më thelbin e saj.

Rendi normal i gjërave e thotë se këta kallauzë mediatikë do duhej të ishin shpresa jonë e madhe për ndryshim, për një qasje ndryshe të situatave të vështira që kalon vendi, për një ekspertizë më profesionale dhe për një frymë europiane të të parit dhe të të shpjeguarit të gjërave, por, o Zot i madh, nga ajo që shihet deri më tani, këta janë edhe më të frikshëm se bosët e tyre. Përveç karrierizmit agresiv dhe demagogjisë vulgare, ata nuk i ofrojnë asgjë më shumë këtij vendi. Ata janë aq gllabërues, aq ujqër të uritur, me “synin pishë” në misionin e tyre për të rrjepur vendin. Nga ajo që kemi mundur të shohim, para këtyre lubive shqiptari duket aq i vogël, aq i pafuqishëm.

Nuk është rastësi se pse Shqipëria mban prej 30 vitesh një klasë të tillë politike, e cila me asnjë bilanc pozitiv në asnjë fushë të jetës, vazhdon të jetë po aq e fuqishme, po aq ndikuese dhe po aq vendimmarrëse për jetët tona. Dhe, derisa politikanët tanë përpiqen të arnojnë pushtetet e tyre, duke pranuar çdolloj kompromisi dhe duke mbledhur copat e tyre, të mbetura sa në një dosje hetusie, sa në një tjetër, media shqiptare vazhdon pa i ndalë për asnjë moment me të pavërtetat e saj. Dhe, derisa Shqipëria tashmë është bërë ferr për të gjithë idealistët e këtij vendi, më anë tjetër ajo është kthyer në parajsë për të gjithë njerëzit me vanitete dhe është bërë strofull i ngrohtë për të gjitha veset njerëzore. Kjo krizë morale, kjo krizë vlerash dhe ky shfytyrim që na ka përfshirë ka krijuar alibi për të gjithë plangprishësit, të hershëm dhe më të vonë, për ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët e sigurimit, për ata që kanë punuar në dëm të Shqipërisë dhe për ata që me bëmat e tyre e kanë shkatërruar prestigjin e saj./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH