Tre vite pas Reformës në Drejtësi, të cilën e ka renditur si një nga sukseset e qeverisjes së tij, kryeministri Rama flet për një ligj të ri special, që do të dënojë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar në këtë fazë tranzitore. Ai që besonte fort tek pastrimi i sistemit, duket i paduruar të presë procesin e pastrimit të sistemit deri në fund, duke deklaruar se duhet ndërhyrë me forcë dhe me masë ekstreme
Suadela Balliu
U desh rasti i një prokurori, i akuzuar nga qeveria si i korruptuar, që ithtari më i madh i Reformës në Drejtësi, të tregojë padurimin e procesit që prej tre vitesh po përpiqet të pastrojë sistemin nga elementët e korruptuar.
Dje, nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Rama nuk do të ndalej vetëm tek akuzat ndaj prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, por do të fliste për një organizatë kriminale me imunitet kushtetues ligjor, prej gjyqtarësh e prokurorësh të korruptuar, të njohur – siç bëri të ditur kreu i qeverisë, ose kështu zgjodhi t’i etiketojë ai në mënyrë figurative -, si KÇK apo “Kap ç’të kapësh”.
Këta prokurorë e gjyqtarë -Rama përmendi me emra disa prej tyre, ku akuzave ndaj prokurorit dhe gjyqtares së Durrësit iu bashkua edhe një gjyqtare nga Gjirokastra -, janë ende në sistemin e Drejtësisë, por të vetëdijshëm se do të shkarkohen nga procesi i vetingut, sipas kryeministrit po bëjnë kërdinë me vendime absurde, të diktuara nga krimi dhe korrupsioni.
Ca padrejtësi, të denoncuara në profilin e vetë kryeministrit, duket se e kanë çuar maxhorancën të hartojë një ligj special. Sipas Ramës, është koha që parlamenti të veprojë kundër tyre.
“Këtë grup, ky parlament duhet ta shpallë në kërkim me çdo mënyrë”, tha kryeministri, duke e shpallur si objektiv emergjent të parlamentit. “T’ia japim “KÇK” -së me ligj mesazhin, që është në kërkim. Kush na pengon, Holanda apo Franca? Dhe ne do ta bëjmë këtë. Ligj special kundër o sot o kurrë”, deklaroi kreu i qeverisë, jo pa emocion, kur shtoi se do t’u kundërviheshin me forcën më të egër KÇK-së dhe” mbeturinave që janë rrugëve dhe presim që KÇK-ja t’i çojë pas hekurave.
Për herë të parë, kryeministri pranoi se vetingu, është proces që merr kohë të përfundojë, krejt ndryshe nga deklaratat e tij të mëhershme kur mungesën e Gjykatës Kushtetuese e shihte “ më mirë djepi bosh, se me shejtanin brenda” dhe se zbrazja e gjykatave për shkak të vetingut ishte parë si sukses i procesit edhe nga vetë kancelarja gjermane, Merkel. Rama atëkohë e shihte atë që e cilësonte si “rilindja e gjykatave” si një çështje që do të përmbyllej në më pak se një vit.
Ndërsa kremtohej trevjetori i miratimit unanim nga Kuvendi i Reformës në Drejtësi, e ngarkuara me punë e ambasadës së ShBA-së në Tiranë, do të thoshte se procesi i rivlerësimit po funksiononte dhe kjo tregonte se reforma ishte e nevojshme. Në korrik, Leyla Mones-Ones, foli për mbi 15 përqind të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kishin kaluar procesin e vetingut dhe shumë prej tyre kishin dështuar, përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
Dy ditë më parë, përfaqësuesja e ambasadës amerikane iu drejtua gjyqtarëve të rinj me shpresën se do të jenë agjentë të ndryshimit për një Shqipëri më të lirë, më të drejtë dhe më demokratike”.
Duke qenë se vetingu do të dojë edhe disa vite, siç e pranoi vetë kreu i qeverisë dje në Parlament, maxhoranca nuk do të lejonte që në ndërkohë ata prokurorë dhe gjyqtarë “të bënin kërdinë”.
“KÇK” është grupi më i madh kriminal në Shqipëri. Këtë ndërhyje duhet ta bëjë parlamenti me çdo çmim le të thonë çfarë të duan të gjithë”, u shpreh kryeministri.
Një nga nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu është ndjekja penale e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, të cilët kanë ngelur në veting. “Arrestojeni thonë. Mësojeni që nuk arreston Kryeministri dhe nuk arreston qeveria, por arreston drejtësia. Procesi i një drejtësie që të arreston është ky që po bëjmë”, do të deklaronte kryeministri disa ditë më parë, ndërsa premtonte se llogaridhënia e atyre që nuk e kanë justifikuar dot pasurinë në procesin e rivlerësimit, do të vinte pas pastrimit të sistemit.
“Vetingu nuk dënon, por pastron, pastaj sistemi që del nga vettingu dënon dhe ata që kanë dalë jashtë thirren dhe aty pastaj duhet të përballen, jo me komisionerin që thonë nuk justifikon pasurinë, por prokurorin që thotë ku i gjete lekët”, tha dje kryeministri.
Për kushtin e parë të Bundestagut, krijimin sa më parë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, kryeministri do t’ia linte një pjesë të përgjegjësisë ndërkombëtarëve që e monitorojnë reformën në Drejtësi.
“Vetingun nuk e bën qeveria. Kush del jashtë sistemit nuk është vullneti i qeverisë”, deklaronte ai.
Por kryeministri duket i paduruar me mbërritjen e Drejtësisë së Re dhe i zhgënjyer me drejtësinë e vjetër, të cilët megjithëse përpara provës së “gjykimit” po mundohet të përfitojnë sa më shumë nga sistemi i kapur.
Megjithëse Ambasada e ShBA-së është një nga financuesit dhe mbështetësit kryesorë të Reformës në Drejtësi, pas vendimit të gjykatës së Krimeve të Rënda për rastin “Tahiri”, do të shpreheshin, duke ia njohur meritat, se vendimi tregonte pavarësinë në rritje Gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat, me lidhje të forta. Por, megjithatë, dënimi me tre vite punë në komunitet për ish-ministrin e Brendshëm, ishte shkurajues duke pasur parasysh akuzat e forta për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Pas vendimit, ku ai që u artikulua i zhgënjyer e që e cilësoi qesharak ishte vetëm Saimir Tahiri, zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Elisa Spiropali do të deklaronte se ishte “çështje e drejtësisë jo e Partisë Socialiste, as e qeverisë dhe as e partive të tjera politike në tërësi”.
Kryeministri, i cili kohë më parë do të shprehej se nuk do të bënte asnjë marrëveshje politike që mund të rrezikonte drejtësinë për të shpëtuar “të ndenjurat e ndonjë politikani” dhe se Reforma në Drejtësi, as negociohej e as vihej në diskutim, por vetëm pranohej, dje paralajmëroi marrjen e masave shtesë për sa kohë që sistemi i drejtësisë është në fazë tranzicioni.
Derisa tranzicioni të kalojë, kryeministri pranoi se nuk kishte garanci për askënd.
“Këtë garanci do ta japë ky Parlament. Ndërhyrjen do ta bëjë parlamenti me çdo çmim, le të thotë e të hidhen përpjetë të gjithë”.
Kryeministri renditi një sërë akuzash ndaj prokurorëve, si përfshirje në procese grabitjeje të tokave apo legalizime pallatesh me kate pa leje, por edhe lirim nga burgu të eksponentëve të krimit.
“Ligj special për ata që vrasin, lirohen dhe dalin prapë rrugëve, futen mes të Bllokut, bëjnë edhe shfaqje, nuk e bëjmë dot ne këtë? Po nëse nuk e bëjmë, nuk duhet të rrimë më këtu. Ata në rrugë jo e jo. Ka ardhur koha të ngremë stekën”, tha kreu i qeverisë, ndërsa foli për profile kryesore në burgjet e vendit, duke i krahasuar me industrinë e kinematografisë , Holluvdin.
“Atyre do t’u ndërpriten deri në fund fijet me botën e jashtme. Sepse ata e prodhojnë treçerekun e filmave si të Hollivudit”, tha ai.
Nuk bëhet fjalë për veting tjetër, do të qartësonte kryeministri. “Ne mund të bëjmë ligje dhe reforma, por nuk fusim njerëz në burgje, pasi nuk e kemi këtë kompetencë sepse përndryshe bie sistemi. Por mund të mjaftohemi me kaq ne me të fortët që vijnë vërdallë dhe bëjnë ligjin mbi ligjin duke thënë se presim procesin.”
Zbulesa, kryeministrit Rama që numëron një nga sukseset e qeverisjes së tij, por edhe si detyrë e bërë përballë ndërkombëtarëve, Reformën në Drejtësi, i ka mbërritur nga një mesazh në numrin e tij të telefonit, ku i përgjigjet shpesh ankesave dhe problemeve të qytetarëve që i shkruajnë, e që më pas i publikon në profilin e tij të Facebook-ut, duke ngjarë si heroi personal prej të cilit vijnë zgjidhjet. Në këtë mesazh, një grua – siç deklaroi dhe kishte besuar kryeministri – e dhunuar nga bashkëshorti tregonte padrejtësinë e vendimit të gjykatës së Gjirokastrës, e cila kishte vendosur në mbrojtje dhunuesin.
“Si mund të mjaftohen unë duke i thënë se këta janë kriminelë?! Prandaj ju thashë, është koha të marrim një masë ekstreme, po aq sa është veprimtaria e këtyre kriminelëve në gjykata, prokurori dhe rrugë që bëjnë të njëjtën gjë”, do të shprehej Rama, ndërsa do ta kalonte fjalimin në plan personal dhe emocional, ndërsa fliste se nuk mund t’i linte në baltë, viktimat e korrupsionit të sistemit të Drejtësisë.
“Po të ishte ajo një e njohura e njërit këtu apo motra, apo fqinja e njërit këtu, do të vinit këtu ti binit qeverisë, apo të thoshit një fjalim emocional, si ky i imi që nuk vlen asgjë, nëse ne nuk veprojmë. Nuk mund ta lejojmë më që Shqipëria të mos bëjë kapërcimin e fundit me këta palaço në prokuroi, gjykatë dhe në rrugë”, do të thoshte kryeministri, ndërsa e quajti edhe drejtorin e Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula, viktimë dhe jo fajtor. “Edhe ata që sot përballen me “KÇK” janë njerëz”. Ndërsa raporti i Komisionit të Venecias në konkluzionet e tij e cilësonte shkarkimin e presidentit si proces jo vetëm juridik, por edhe politik, duke theksuar se në një kohë kur si pushteti ekzekutiv dhe ai lokal janë në duart e një partie, vendimi për ta shkarkuar kreun e shtetit mund të lëkundte parimin “check and balance” të pushteteve dhe Meta, në një bashkëbisedim me studentë të UET dy ditë më parë tha se qeveria i ka kapur të gjitha pushtetet, kjo nuk e ka ndalur kryeministrin të hedhë një tjetër hap në emër të sovranit.
“E them jo në mënyrë metaforike, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Me çdo mënyrë, me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Të gjithë së bashku! Është e kotë që nga tryezat e opozitës të ngrihen këtu dhe të fajësojnë qeverinë”, ka thënë kryeministri, duke lajmëruar ligjin e ri special në një kohë kur Struktura e Posaçme Antikorrupsion, që pritet të merret me dosjet e zyrtarëve të lartë të lidhur me korrupsion dhe me krim të organizuar është lajmëruar se do të ngrihet në tetor e nga kushtet e Bundestagut priten rezultate me nisjen e punës së SPAK.
Shteti, do të përfundonte kryeministri, nuk mund të bjerë në gjunjë para KÇK-së, të cilët i vizatoi si të ishin kaçakët e drejtësisë e kundër të cilëve ai është vënë personalisht në ndjekje. Ndërsa institucionet e reja të Drejtësisë ende nuk e kanë parë dritën e lindjes për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin me gjyqtarë e prokurorë të pastër, kryeministri dhe maxhoranca kanë gati ligjin për të hetuar e futur në burg elementë të “kalbur” të sistemit, nga kolegët e tyre, ende në Drejtësinë e vjetër. Që pastrimi i Drejtësisë është proces që do kohë, kryeministrit që besoi tek Reforma e që e firmosi pa e lexuar më parë draftin, siç ka zbuluar vetë ai, iu deshën tre vite ta kuptonte. Nga një sms e një gruaje të dhunuar dhe një drejtor kadastre në bankën e të akuzuarve.
Leyla Moses-Ones, gjyqtarëve të rinj: Bëhuni agjentë të ndryshimit!
Një revolucion të qetë me konsensus politik e ka konsideruar Leyla Moses-Ones, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, gjatë ceremonisë së Diplomimit të Shkollës së Magjistraturës.
Sot, nuk do të flas për politikën e Sh.B.A. – sepse të gjithë ju e dini se ku qëndrojmë. Ne qëndrojmë pranë përparimit të Shqipërisë drejt arritjes së reformave historike në gjyqësor që do ta shndërrojnë këtë vend nga maja deri në fund. Në vend të kësaj, sot, do të doja të flas për udhëtimin tuaj. Por, së pari – për të theksuar një udhëtim tjetër; 53 vjet më parë, një përfaqësues i nivelit të lartë i Shteteve të Bashkuara qëndronte përpara një grupi studentësh të huaj në vendin e tyre dhe u tha atyre se bashkë, ata mund ta transformonin vendin e tyre për mirë.
Ai burrë shteti ishte Senatori Robert F. Kennedy, i cili në qershor të vitit 1966 mbajti në Afrikën e Jugut atë që më vonë do të quhej fjalimi “Valëzimi i Shpresës”, duke iu drejtuar mijëra studentëve në një moment të rëndësishëm në historinë e tyre.
Senatori Kennedy u tha studentëve:
“Nga veprimet e panumërta të kurajës dhe besimit, historia njerëzore merr formë. Çdo herë që njeriu ngrihet për një ideal apo vepron për të përmirësuar gjendjen e të tjerëve ose godet padrejtësinë, ai dërgon një valëzim të vogël shprese dhe, duke kapërcyer njëri-tjetrin nga një milion qendra të ndryshme të energjisë dhe të guximit, ato valë ndërtojnë një rrymë që mund të shkatërrojë murin më të fuqishëm të shtypjes dhe të rezistencës”.
Me fjalë më të thjeshta, mund të jesh pjesë e diçkaje më të madhe se vetja. Zgjedhjet e tua të vogla për të bërë gjënë e duhur – çdo ditë – do të kenë efektin e përbashkët të çuarjes përpara të reformës në drejtësi.
Reforma në drejtësi nuk ishte asgjë më pak se një revolucion i qetë me konsensus politik dhe ju jeni rojtarët e kësaj përpjekjeje. Përpjekjet tuaja janë të lidhura me të ardhmen më të gjerë të demokracisë së vendit tuaj.Udhëtimi juaj do t’ju vendosë në pozicione për të ndërtuar dhe për të mirëmbajtur sistemin e ri gjyqësor të Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Kjo ju jep fuqi të jashtëzakonshme, përmes këtyre valëzave, që të ndërtoni – vendim pas vendimi, ditë pas dite – një sistem gjyqësor të ndershëm dhe transparent, pa korrupsion dhe të lirë nga çfarëdo ndikimi kriminal. Në atë fjalim, Robert Kennedy foli për ata që nuk ishin të lirë. Së shpejti ju do të flisni për ata që kërkojnë drejtësi. Së shpejti do të jeni një pjesë e atyre që frymëzojnë kalimin në një kulturë respekti për çdo individ.
Ju nxis të gjithëve që të bëheni agjentë të ndryshimit për një Shqipëri më të lirë, më të drejtë dhe më demokratike. Ushtrojeni fuqinë tuaj të re me përgjegjësi. Përfaqësojeni profesionin tuaj të ri me nder. Dhe kryejini detyrat tuaja në mënyrë etike, me sy të pandikueshëm nga korrupsioni dhe të hapur ndaj padrejtësisë dhe pabarazisë.
Secili nga ju, si individ, ka përgjegjësinë të jetë më i mirë dhe të bëjë më mirë se ata para jush. Secili nga ju duhet të krijojë valën e tij të shpresës për të mirën e këtij vendi. Dhe kur ta bëni – kur të gjithë ta bëni së bashku – valët tuaja të përbashkëta do të krijojnë një rrymë aq e fuqishme sa që do të transformojnë përgjithmonë sistemin tuaj të drejtësisë për të mirën e të gjithë popullit shqiptar. Ky është çasti juaj për të qenë pjesë e diçkaje të madhe. Kapeni atë!
Kryeministri, mesazh prokurorit Ndoja: Nuk po luan mirë!
Kryeministri Edi Rama ka folur për rezultatet e Reformës në Drejtësi, duke u shprehur se po sjell një pastrim rrënjësor dhe madhor të sistemit të kalbur.
Në Forumin e dytë Rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, Rama i dërgoi një tjetër mesazh të koduar prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, teksa tha se “disa prokurorë nuk po luajnë mirë”.
“Reforma në Drejtësi po sjell një pastrim rrënjësor dhe madhor. Shumë gjyqtarë, prokurorë, kryeprokuror, drejtues prokurorish janë shkarkuar nga Vettingu. Kemi një sërë prokurorësh e gjyqtarësh që e dinë se nuk mund ta kalojnë Vettingun. Ata po luajnë sikur është vakti i fundit, pra nuk po luajnë mirë dhe duan që t’i kenë të gjitha. Ky proces i kalbur i drejtësisë ka krijuar një zinxhir të gjatë ngjarjesh tragjike, presioni e dhune”, tha Rama.
Rama e ka akuzuar prokurorin Ndoja si të lidhur me bandat kriminale, ndërsa pak ditë më parë e paralajmëroi se nuk do t’i shpëtojë Reformës në Drejtësi, duke thënë se edhe nëse shkarkohet nga Vettingu, do të përballet sërish për të dhënë llogari për paratë e krimit.
Korrik 2016
Kuvendi miraton me 140 vota, unanimisht Reformën në Drejtësi, të pranishëm në sallë ishin ambasadori i ShBA dhe ajo e BE-së
Dhjetor 2017
Arta Marku zgjidhet kryeprokurore e Përkohshme, derisa të formoheshin institucionet e reja të drejtësisë
Dhjetor 2018
Ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i pari institucion i Reformës në Drejtësi që do të zgjedhë SPAK dhe kryeprokurorin. /Gazeta Liberale