Aktualitet

KÇK, pikëpyetjet e një ligji

               Publikuar në : 09:36 - 07/11/19 Suadela Balliu

Pas atentatit të Shkozetit, kryeministri iu rikthye paralajmërimeve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar. E fokusuar dhe promovuar tek kapja e “peshqve të mëdhenj”, duket se Reforma në Drejtësi nuk ka parashikuar ata që Rama i cilëson si anëtarë të organizatës me të rrezikshme “KÇK.

Ai premton Luftë frontale ndaj organizatës KÇK, ligj dhe masa speciale në Kuvend për rezultate konkrete, por pikëpyetjet rreth ndërhyrjes dhe tentativës për nënshtrimin e drejtësisë nga ekzekutivi mbeten

Suadela Balliu

Atentati ku mbeti i plagosur prokurori Arian Ndoja, vetëm pak ditë pasi kryeministri Rama e kishte denoncuar publikisht nga foltorja e Kuvendit, ishte prova konkrete e përmasave dhe seriozitetit të organizatës kriminale, të pagëzuar si “KÇK”.

Ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të vetëdijshëm se nuk do ta kalojnë procesin e vetingut dhe ndërkohë, sipas kryeministrit po “bëjnë kërdinë” me vjedhje, Rama disa ditë më parë lajmëroi se shumica do të përgatiste një ligj special, që do të pastronte sistemin në fazën tranzitore të Reformës në Drejtësi. I paduruar për të pritur që këtë ta bënte reforma, që ka nisur zbatimin prej tre vitesh por që po ecën ngadalë, kryeministri u shpalli luftë të hapur të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistem, që jo vetëm nuk janë trembur nga Drejtësia e Re, por që po e sfidojnë atë me vendime absurde, dy prej të cilave vetë Rama i denoncoi në Parlament.

Pas atentatit në Shkozet, ku u plagosën tre njerëz mes të cilëve prokurori i Durrësit – i akuzuar drejtpërdrejt nga kryeministri dhe zv/kryeministri- në shoqërinë e një individi me katër identitete të ndryshme dhe i njohur si “i forti i Sukthit” dhe ku u arrestua një autor i dyshuar që ndodh të jetë i afërmi i një deputeti, kryeministri iu kthye edhe njëherë organizatës “Kap ç’të kapësh”.

Në takimin me qytetarët dhe bizneset rreth platformës “Shqipëriaqëduam.al”, kryeministri pati një tjetër paralajmërim për gjyqtarët, prokurorët dhe të gjithë zyrtarët e korruptuar të administratës shtetërore. Ai tha se ndaj tyre do të merren masa speciale, përmes një ligji special. Rama, i cili e ka renditur veten mes besimtarëve më të mëdhenj të Reformës në Drejtësi e për të cilën ka thënë se “nuk negociohet, nuk diskutohet, por vetëm mbështetet”, do të pranonte dështimin e sistemit aktual,  për të zgjidhur problemet e qytetarëve.

Sot është e vështirë të mendosh të shkosh në gjykatë për të zgjedhur problemin. Shumë nga xhakajdurët, që janë në sistem dhe që e dinë vetë që nuk e kalojën filtrin e vetingut, kanë lëshuar “KÇK””, do të shprehej Rama, duke e cilësuar si organizatën më të rrezikshme kriminale që vepron sot në Shqipëri. “Kjo është e veshur me ligj dhe vepron si organizatë grabitësish ordiner”.

Kryeministri zbuloi që krahas ligjit special, që sipas tij do ta çojë luftën ndaj krimit të organizuar në një nivel të lartë, maxhoranca do të çojë në Parlament edhe  masa speciale ndaj anëtarëve të KÇK-së. “Më herët se vonë do të shihen në praktikë rezultatet e një ofensive frontale, që qeveria do të ndërmarrë qoftë ndaj krimit të organizuar, qoftë ndaj KÇK-së”, do të vijonte ai.

Ndërhyrja

Denoncimi publik ndaj KÇK-së, do të vinte pas arrestimit të kreut të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula, i akuzuar nga Prokuroria e Durrësit dhe prokurori Ndoja për shpërdorim detyre”, ndërsa kryeministri do ta quante Pulën “viktimë” të kësaj organizate ndërsa prokurorin mbështetës të bandave, që e çuan Ramën të pranonte se kishte nevojë për masa të tjera, përtej hapave të Reformës në Drejtësi që deri më tani ka vetuar rreth 15 përqind të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që është mjaftuar vetëm me ndërprerjen e karrierës brenda sistemit.

Sipas kryeministrit, ligji special që do të propozohet në Kuvend do të shërojë plagët në Kadastra e veçanërisht në zonat e bregdetit, ku krimi i organizuar sipas tij përpiqet të pastrojë paratë.

“Masat speciale kundër KÇK-së do ta çlirojnë përfundimisht Kadastrën e Durrësit dhe gjithë kadastrat në Shqipëri, nga rrethimi kriminal, që ka nisur prej shumë vitesh dhe që ne kemi arritur ta çajmë vetëm pjesërisht, sidomos në zonat që kanë interes zhvillimi turistik, aty ku krimi i organizuar përpiqet të shpëlajë paratë e pista, por nuk do t’i gëzojë. Çfarë kanë grabitur, nuk do ta gëzojnë”, paralajmëroi kryeministri.

Kryeministri Rama flet për luftë frontale, të një niveli të pandodhur më parë dhe se rezultatet do të shihen në praktikë. “Do të jetë fundi i sigurt i gjithë merimangave dhe i rrjetit të vjetër të merimangave, që kërkojnë ushqim për të dhënë atë që në fakt është e drejta e gjithsecilit, duke futur duart në xhepa”. Në automjetin e prokurorit Ndoja, forcat e policisë gjetën edhe disa dosje, të cilat lidheshin me gjyqtarin e vrarë në Vlorë, Skerdilajd Konomi, të cilat ai i ka argumentuar si pjesë e punës së tij si konsulent në një studio ligjore.

Ndërsa prokurori Ndoja ndodhet aktualisht në spital, në gjendje të plagosur dhe i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë duke mohuar se ka bërë diçka në kundërshtim me ligjin apo është shoqëruar me kriminelë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkoi kryeprokurores së përkohshme të nisë hetimin disiplinor për prokurorin e Durrësit.

Në një njoftim, kryeprokurorja bën të ditur se ka nisur verifikimin e fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Arian Ndoja, ndërsa po mblidhen të dhëna mbi shkeljen e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, parashikuar në nenin 103 “a” të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Por ndërsa atentati i Shkozetit, i dha fakte akuzave të kryeministrit Rama nga foltorja e Kuvendit, lufta me nota personale që kreu i ekzekutivit ka ndërmarrë duket si tejkalim apo prishje të ekuilibrave të pushteteve, duke mos pritur derisa vetingu do t’i përjashtojë një nga një, të gjithë ata që nuk justifikojnë dot pasurinë, pastërtinë e figurës apo aftësitë profesionale.

Edhe Bundestagu gjerman në nëntë kushtet për çeljen e negociatave kërkon hetim ndaj të gjithë atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk e kanë kaluar vetingun e që dyshohen për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Fokusuar dhe promovuar tek kapja e “peshqve të mëdhenj”, duket se Reforma në Drejtësi nuk ka parashikuar ata që kryeministri i cilëson si anëtarë të organizatës me të rrezikshme “KÇK”, për të cilën premton se do të marrë masa dhe do të nisë luftë. Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi do t’i cilësonte akuza politike ato të kryeministrit Rama, ndërsa masat konkrete me hetim e më pas me ndëshkim do të vijë nga po i njëjti sistem, ende jo krejtësisht i reformuar ndërsa shpresat janë varur tek SPAK, krijimi i së cilës nuk erdhi në afatet e premtuara të shtatorit e tetorit, nga kreu i KLP.

KLP, thirrje Arta Markut: Të nisë hetimi disiplinor për Ndojën

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar për herë të parë mbi atentatin ndaj prokurorit Arian Ndoja, që tronditi mbarë opinionin publik, pasditen e 1 nëntorit. Përmes një shkrese dërguar kryeprokurores Arta Marku, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, kërkon të nisë hetimi disiplinor ndaj prokurorit Ndoja, për të zbuluar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore.

KLP e cilëson atentatin te mbikalimi i Shkozetit një ngjarje të rëndë në radhët e magjistratëve dhe të sistemit të drejtësisë në vend, ndërsa thekson se duhet vërtetuar nëse prokurori Ndoja drejton ose jo një studio ligjore, ku ofron konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Sipas KLP, nëse kjo do të rezultonte e vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

 Shkresa:

Ngjarja e ndodhur në datën 01.11.2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, dhe si rezultat i atentatit mbetën të plagosur, prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij, Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar me emrin Aleksandër Laho, është një ngjarje e rëndë në radhët e magjistratëve si dhe të sistemit të drejtësisë në vend.

Nisur nga të dhëna paraprake si dhe nga një prononcim dhëne për median A2 Neës nga prokurori Ndoja, bëhet me dije fakti që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 160/5 i Ligjit 96/2016“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe nenit 194/2 gërma ç, i Ligjit 115/2016“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ngarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm me detyrën qe të hetojë të gjitha pretendimet për shkeljet disiplinore në radhët e prokurorëve për sa kohë nuk është krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Sa më lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në nenin 119 të ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkon nga ana Juaj, nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Ndërkohë Zyra e Shtypit të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme  ka njoftuar se ka filluar verifikimin e fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Arjan Ndoja. Verifikimet konsistojnë në mbledhjen e të dhënave për shkeljen e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, parashikuar në nenin 103 shkronja “a” të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

“Nuk i trembem askujt”, Prokurori Ndoja konfirmon se në makinën e tij kishte disa dosje!

Të premten e javës që lamë pas, në Shkozet, një breshëri plumbash goditi makinën në të cilën gjendej, ndër të tjerë edhe prokurori Arjan Ndoja.

Teksa Ndoja ndodhet nën kujdesin e mjekëve në repartin e Ortopedisë, Durrës, në një deklaratë për “A2”, prokurori tha se në bagazhin e mjetit të tij ndodheshin disa shkresa, dokumente dhe fotokopje të dosjeve për të cilat ai ka ofruar konsulencë ligjore duke konfirmuar kështu lajmin e pak orëve më parë në Top Channel.

“Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja, duke shtuar “Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar, ndryshe do të kisha marrë masa të mbrohem. Çdo gjë kisha pritur, vetëm këtë jo. Kisha menduar që mund të më çonin në prokurori, duke më ngritur akuza, por jo deri tek arma. Unë nuk i trembem askujt. Asgjë nuk kam bërë në kundërshtim me ligjin dhe nuk jam shoqëruar kurrë me kriminelë”./Gazeta Liberale

 

 

 

 

Tags: , , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back