Aktualitet

Pesë Shqipëritë e Spartak Ngjelës

Shkruar nga Liberale
Pesë Shqipëritë e Spartak Ngjelës

Reldar Dedaj

Kur e takuam avokatin për herë të parë në atë gjysëmerrësirë në barin e një hoteli të famshëm në Tiranë, një perëndi e di pse na u bë se qe Sami Frashëri i Zagorisë, i rruar e qethur. Aq të natyrshme na e bëri atë fanepsje ashtu i bardhë dhe i papërqendruar sa ç’ishte, nën një xhaketë plot stil që të krijonte përshtypjen se vinte nga një planet tjetër, zhytur në kolltuk e rrethuar me shikime të gjithfarsojshme, sa, për një çast, jo vetëm nuk arritëm t’a merrnim për bashkëkohore gjallesën e tij, por, teksa i zgjatëm dorën na ngjau si i ruajtur në formalinë. Jeta në Rrethin e Nëntë të Ferrit nuk ia kishte disiplinuar aspak xhindet, që i rrinin me syrin pishë mbi kokën e mprehtë sheperase si të ishin një shpurë qensh të pazbutur, të cilët, edhe pse ende s’kishin kafshuar asnjë njeri, mbeteshin prapëseprapë propabilisht të rrezikshëm. Dhe ndër të tjera ajo botë i kishte lënë “vesin” që t’i piqte mirë fjalët përpara se t’i nxirrte ngoje.

Avokat Ngjela është padyshim njeriu që pruri me vete mënyrën më ekstravagante të të jetuarit me lirinë sipas motos së tij të preferuar të “mobilitetit permanent”. Ai është një njeri i shijeve të holla, intelektual i sojit të rrallë në këtë vend dhe mbi të gjitha atipikë në llojin e elekuencës së vet. Një fatkeq që tentoi të zbulojë Amerikën, atë të vërtetën, por që fatkeqësisht kishte zbuluar një tjetër Amerikë në steren e burgut të Burrelit, ku kishte tretur tërë rininë e vonë duke u vetëprojektuar jashtë qelisë së zymtë, në qiellin e ëndrrave e kujtimeve të rinisë së tij të parë të asaj kohe kur, hipur mbi demin e Guernikës së Pikasos që i fanepsej në tavanin e lagësht të qelisë së burgut, projektohej po i njëjti njeri plëngprishës, i cili u shndërrua në macen e zezë të nomeklaturës shqiptare falë kureshtjes për filozofinë, agjitacionit të pareshtur kundër pushtetit popullor dhe dobësisë së trombës së Louis Armstrong-ut.

Elegant, ceremonial, flokëbardhë, i veshur me shije si gjithmonë, Spartak Ngjela tregon se në fillim të viteve ’90-të, në periudhën kur doli nga burgu kujton se në politikë ekzistonte një ngërç i madh. Liderët e pluralizmit politik në Shqipëri ishin të gjithë, pa përjashtim të gjithë në një ngërç të plotë. Një ngërç që kuptohej që e kishin nga regjimi dhe natyrisht s’mund të ishin aq kurajozë, edhe pse tigri ishte pa dhëmbë, gjithsesi ishte gjallë. Ai ndan mendimin e palëkundur se moneklatura komuniste kishte ndikim të madh edhe në krijimin e partive opozitare. Por me kalimin e kohës, sipas tij, politika nuk pyet, me përmbysjen e një klase mbaron interesi i saj dhe fillon interesi i klasës tjetër që është ngjitur në pushtet.

Në politikë ai konsiderohet si një nga politikanët që ka zhvilluar një nga betejat më të rralla politike në vend. Kandidimi i tij përballë Edi Ramës në zgjedhjet vendore të 2003 u konsiderua një garë e pangjashme, e para dhe ndoshta e fundit në llojin e vet. Ajo çfarë i dha tempin dhe ngjyrën asaj fushate, ishte alternativa e qendrës së djathtë, që mbështetet në çudibërjen e tregut dhe lirisë, në fuqinë e ligjit. Tregu, liria dhe ligji – këto nocione të shterpëzuara nga përdorimi vend e pa vend, deri edhe jashtë kuptimit të tyre të mirëfilltë – fitojnë në fjalët e tij fuqinë e tyre të parë dhe të përjetshme.

Njeriu që s’ka humbur asnjë betejë, por që s’ka fituar asnjë me peshë ama gjatë kësaj periudhe është shfaqur si profeti i degradimit të politikës, duke e konsideruar si shkollë dhe që liderët kryesorë në vend nuk arritën t’a mësonin asnjëherë atë. Sipas tij, këta krerë të politikës shqiptare, kurrë nuk iu drejtuan racionalizmit, arsyes, por vetëm gënjeshtrës dhe kërcënimit me destabilizim të Shqipërisë. Për të, klasa politike gjithmonë ka sunduar me anë të manipulimit të zgjedhjeve dhe korrupsionit, pasi kanë dashur gjithmonë të sundojnë dhe jo të menaxhojnë shtetin shqiptar.

Një ithtar i evolucionit krijues të Bergsonit dhe simpatizant i përkushtuar i lëvizjes libertare të ’68-ës, i cili ka shtuar në koleksionin e tij të mendjes edhe Francis Bacon-in, “anglosaksonin që mbylli epokën”, mendon se politika amerikane sot ka gjithçka në dorë në Shqipëri. Për avokat Ngjelën ky është shpëtimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve pas dyqind viteve luftë për të shpëtuar ekzistencën e tyre të kërcënuar me shfarosje etnike.

Avokati mendon se politika shqiptare ka njëqind vjet që vazhdon të luajë kundër interesave shqiptare dhe në favor të fqinjëve pushtues. Ai thekson se eleminimi masiv i klasës së korruptuar të politikës shqiptare, krjon realisht strukturën e shtetit modern. “Edhe sot, korrupsioni në Tiranë dhe në Shkup, është ai që errëson zhvillimin shqiptar”, tha avokati. Madje, thekson ai, nëse shihet më vëmendje analitike, edhe korrupsioni i politikës së lartë në Prishtinë nuk luan në interes të bashkimit shqiptar, pasi kuptohet se luan në interes të Beogradit. “Por eliminimi tërësor i klasës së korruptuar politike në Tiranë, hap menjëherë historinë e re të shqiptarizmit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, sepse menjëherë fillon likuidimi i krerëve shqiptarë të korruptuar në Prishtinë dhe në Shkup”, nënvizon ai.

Për avokatin reforma në drejtësi nuk është si ai qiriri që digjet për të dhënë pakëz dritë, duke gënjyer të tjerët dhe veten, sepse drita e tij e zbehtë nuk prodhon më anë tjetër veçse një botë hijesh që valviten mbi mure, sipas formave që ai përcakton. Dhe s’mund të jetë kurrsesi një botë tjetër e paqenë, pasi në thelb është vetë jeta e njeriut që rropatet gjithë kohës në një përpjekje heroike, ku nuk ka sigurira, por vetëm luftë, shpresë, hove dhe asnjë mbështetje sigurie.

Ai përgjatë gjithë jetës së tij është munduar të paraqesë kalvarin e shpirtit njerëzor që është në ëndërr dhe pret të zgjohet. Kjo trajektore që shkon prej gjumit drejt zgjimit do të ishte një përfytyrim thuajse i thjeshtë, naiv, nëse njeriu nuk do të pranonte se pas natës vjen dita, pas gjumit vjen zgjimi, pas propagandës vjen e vërteta./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH