Aktualitet

Kanë të drejtë studentët rebelë të Ekonomisë

Shkruar nga Liberale
Kanë të drejtë studentët rebelë të Ekonomisë

John Cassidy

Në rast se ju ka shpëtuar – dhe ka shumë gjasa të ketë ndodhur – një revoltë po ndodh në universitete. Nuk është tamam Parisi 1968, por ka një lëvizje domethënëse – ndonëse ende të vogël – që shtrihet nga New Yorku në London, Romë dhe Tel Aviv, që është e vendosur të ndryshojë mënyrën si mësohet ekonomia.

Duke u bërë jehonë thirrjeve që kanë ardhur duke u shtuar në botën ekonomike prej më shumë se njëzetë vitesh, dhe që erdhën e u bënë më të forta pas krizës financiare të vitit 2008, rebelimi i studentëve po kërkon një qasje më pluraliste dhe të ndryshme, duke refuzuar metodologjinë e teksteve shkollorë, e cila shpesh herë e redukton ekonominë në një seri ushtrimesh matematikorë. “Bota reale duhet risjellë në klasa, ashtu sikurse dhe debati, me një pluralizëm teorish dhe metodash”, thoshte një grup që është bërë i njohur si Nisma Studentore Ndërkombëtare për Pluralizmin në Ekonomi, në një letër të hapur që u postua në internet javën që kaloi. “Kjo do të ndihmojë për përtëritjen e kësaj disipline, dhe në fund do të krijojë një hapësirë në të cilën do të mund të gjenerohen zgjidhjet për problemet e shoqërisë. Të bashkuar, ne bëjmë thirrje për një ndryshim kursi”.

Grupi i protestës përbëhet nga më shumë se 40 shoqata studentësh ekonomikë nga 19 shtete. Natyrisht, ata përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të të gjithë trupës studentore botërore që studion ekonominë. Por shfaqja e këtij grupi reflekton disa shqetësime për këtë lëndë që kanë rrënjë të thella, dhe që shumë ekonomistë i ndajnë në biseda private. Në vitin 1996, shkruajta një artikull për këtë revistë me titull “Rënia e ekonomisë”, ku citoja një numër ekonomistësh në kompani të mëdha dhe grupe biznesi, që ankoheshin se shumë prej të diplomuarve për ekonomi që punësonin, ndonëse të aftë teknikisht, kishin shumë pak njohuri për mënyrën si funksionon ekonomia në jetën reale. Sidomos në nivelet e diplomimit, studentët janë të detyruar të kalojnë kaq shumë kohë duke mësuar teknikat përkatëse matematikore dhe teoritë, dhe kështu ata injorojnë historinë ekonomike dhe organizimin ekonomik.

Në librin e tij, “Kapitali në shekullin XXI”, Thomas Piketty, ekonomisti i momentit, shkruan se pasi mori doktoraturën në ekonomi dhe kaloi shumë vite duke dhënë mësim në M.I.T, “e vetja gjë për të cilën isha i vetëdijshëm ishte se nuk dija asgjë për problemet ekonomikë të botës”. Piketty vazhdon duke thënë se “për ta thënë troç, disiplina e ekonomisë duhet të heqë dorë nga pasioni fëmijëror për matematikën dhe për spekulimet që janë teorikë dhe shpesh herë shumë ideologjikë, gje e cila ndodh në dëm të kërkimeve historikë dhe bashkëpunimit me shkencat e tjera sociale”.

Grupi studentor bie dakord me Pikettyn. Në letrën e hapur, studentët argumentojnë se një diplomë në ekonomi “duhet të përfshijë qasje ndërdisiplinore dhe të lejojë studentët të angazhohen me shkenca të tjera sociale dhe humane”. Por “ankesa” kryesore e studentëve është se, edhe brenda lëndës së ekonomisë, kurikula standarte është shumë kufizuese dhe përjashton shumë gjëra që janë të vlefshme. Letra kërkon që studentët të prezantohen me “një shumëllojshmëri këndvështrimesh teorikë, që nga qasjet që mësohen zakonisht dhe bazohen tek neoklasikët, e deri tek traditat përgjithësisht të përjashtuara, si ato klasike, post-Keinesiane, institucionale, ekologjike, feministe, marksiste. Shumica e studentëve të ekonomisë diplomohen pa ndeshur asnjëherë këndvështrime të tillë të ndryshëm në klasat e tyre”.

Kjo është e vërtetë, dhe është problem serioz. Nëse dëshiron të kuptosh origjinën e krizës financiare, do të ishte mirë të studioje Hipotezën e Paqëndrueshmërisë Financiare të Human Minskyt, një post-Keinesian, apo teorinë e ciklit të biznesit të Knut Wicksellit, një prej themeluesve të shkollës së Stokholmit, dhe jo tekstet shkollorë standartë neoklasikë…

Pas kritikave të përhapura ne vijim te krizës financiare, reagimi i profesionit të ekonomisë në SHBA ka qenë kryesisht injorimi i ankesave, duke shpresuar që ato do të shuheshin. Deri në një farë mase, janë shuar. Të paktën në këtë vend, studentët vazhdojnë të rregjistrohen me shumicë në kurset e ekonomisë, dhe kërkesa për të diplomuar, sidomos për ata që janë të aftë në matematikë dhe statistika, mbetet e lartë. Provat anektodike tregojnë se shumë studentë vazhdojnë ta shohin ekonominë, ndryshe nga shkencat e tjera sociale, si një diplomë që do i ndihmojë të sigurojnë një punë të mirë.

Ndoshta do i ndihmojë. Ekspertiza teknike është e çmuar. Askush nuk duhet lejuar të diplomohet në ekonomi, pa një njohuri të paktën fillestare të statistikës. Prezantimi me teoritë e financës, si modeli i përcaktimit të çmimit të aseteve dhe kapitalit, shpjegon shumë për Wall Street-in dhe botën e biznesit, që përndryshe do të mbeteshin misterioze. Por ekonomia duhet të ofrojë më shumë se sa thjeshtë ushtarë për industrinë financiare dhe kompanitë e Big Data.

Pavarësisht gjithë shqetësimeve për karrierën e tyre, shumë studentë i hyjnë ekonomisë me një supozim idealist se do i ndihmojë të kuptojnë, te vënë në dyshim dhe ndryshojnë botën. Programet më të mirë ekonomikë synojnë të nxisin këtë lloj zhvillimi intelektual, por gjithësesi, shumë prej tyre kanë qenë shumë të ngushtë dhe jointeresantë. Dikur, kurset e historisë së ekonomisë kanë qenë standart, sot janë shumë më të rrallë. Kurset për historinë e mendimit ekonomik dhe qasjeve alternative ndaj ekonomisë dikur kanë qenë të zakonshëm. Sot janë një specie në rrezik.

Lëvizja studentore disidente, e cila nisi në Gjermani, u përhap në Europë dhe përfshin një grup me qendër në New York, me studentë nga Columbia dhe Neë School, nuk pretendon se i ka të gjithë përgjigjet. “Por ne nuk kemi dyshim se studentët e ekonomisë do të përfitojnë nga prezantimi me ide dhe këndvështrime të ndryshëm”, shkruajnë ata. “Pluralizmi jo vetëm do të ndihmojë për të bërë sa më pjellor të mësuarit dhe kërkimin si dhe ripërtëritur disiplinën. Mbi të gjitha, pluralizmi premton ta rikthejë ekonominë në shërbim të shoqërisë”.

Kjo pjesa e fundit tingëllon pak madhështore. Por, ka dhe një tingëllimë të të vërtetës dhe shpresës në vetvete.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH