Kryesore

Kandidati

               Publikuar në : 09:40 - 27/10/21 liberale

Atë që paralajmëroi në qershor, Sali Berisha e konfirmoi dje nga Kavaja. Ai do të kandidojë për të rimarrë kryesinë e PD-së, por tha se kjo garë do të jetë e hapur dhe e lirë për këdo që ka të tilla ambicie. Këtë javë do të vendoset edhe data për mbledhje e Kuvendit Kombëtar, të cilin Basha e cilëson si “anti-amerikan” dhe është shprehur se nuk do ta lejojë. Ish-kryeministri u ka bërë thirrje deputetëve demokratë të mos votojnë ndryshimet kushtetuese, ndërsa kryedemokrati e ka akuzuar se po intimidon strukturat

Atë që e lëshoi në formë batute më 13 qershor, kur votohej për kryetarin e PD-së, Sali Berisha po e bën realitet.

Nga Kavaja, zonë  ku prej vitesh ka qenë deputet i zgjedhur, ish-kryeministri pohoi se do të jetë një nga kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, ndërsa tha se kushdo ishte i ftuar të bëhej pjesë e një gare të lirë.

Deklaratë që ish-kryetari i Selisë Blu, i tërhequr pas humbjes së zgjedhjeve më 2013-n, e bëri pasi zbuloi se firmat për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar ishin mbledhur.

“Ftoj çdo delegat të Kavajës, çdo delegat të Kuvendit Kombëtar të firmosë që të instalojmë primaret, që të rikthejmë referendumin, të firmosë natyrisht që të hapim një garë, në të cilën garantoj që çdo njeri që do të hyjë, do ketë një garë të lirë, natyrisht njëri prej tyre do të jetë edhe Sali Berisha”, tha dje ai.

Prej shtatorit, kur Basha mori vendimin për të përjashtuar Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së, ish-kryeministri ka nisur një tur nëpër Shqipëri të pagëzuar si “Foltorja”. Në takimet me bazën e partisë Berisha ka denoncuar kryetarin aktual se është i marrë peng nga kryeministri dhe se mes të dyve ka një pakt. Berisha edhe pse e ka cilësuar si nul vendimin e Bashës, është shprehur se kryetari ka shkelur sovranitetin e brendshëm të Partisë Demokratike. Edhe një sërë demokratësh, që i kanë dalë kundër kryetarit pas vendimit të pa konsultuar me organet, janë shprehur se Basha nuk ka respektuar statutin.

Berisha, i cili kërkon tanimë hapjen e një gare të re që do të kthente në parimet fillestare Partinë Demokratike, megjithatë votoi në garën e 13 qershorit ku Basha kandidoi përballë rivalëve si Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj apo Edit Harxhi.

Ndonëse atë kohë përcaktimi publik si “non grata” ishte shpallur, kryetari Basha kërkoi ashtu si ish-kryeministri transparencë të vendimit, ndërsa e përshkroi Berishën si mik të ShBA-së dhe i dha meritat për arritje të rëndësishme të vendit si anëtarësimi në NATO.

Pakënaqësitë e Berishës ndaj kryetarit Basha u shfaqën kur ky i fundit vendosi ta përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar, si përgjigje e drejtpërdrejtë e thirrjeve të ambasadores Yuri Kim. Paskëtaj Berisha ngriti “Foltore”-n, ku përtej mbështetjes nga demokratët e thjeshtë gjeti edhe atë të një sërë deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë, që e kanë shoqëruar në disa ndalesa. Qëllimi ishte mbledhja e firmave, që do të mundësonte mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar, jo vetëm për të hedhur poshtë vendimin e Bashës – nga i cili ka deklaruar më vonë se nuk tërhiqet  – por edhe shkarkimin e tij dhe hapjen e një gare për kryetar të ri.  Ndërsa ish-kryeministri ka bërë me dije se këtë javë do të njoftohet mbledhja e Kuvendit Kombëtar, Basha nga ana e tij tregohet i patundur se nuk do të lejojë mbajtjen e asnjë kuvendi, që ai e cilëson si “anti-amerikan”.

I vënë përpara pyetjeve se përse nuk e konsultoi vendimin për përjashtimin e Berishës, përgjigja e Bashës ka qenë për të shmangur përccarjen e partisë, ndërsa zërat kundër ndaj tij po rriten.

Berisha u është përgjigjur edhe kritikëve, të cilët janë shprehur se ka qenë pikërisht ai që e ka vendosur Bashën në krye të partisë dhe për tetë vite i ka dhënë mbështetjen- ndërsa PD ka parë humbje të njëpasnjëshme në zgjedhje. Ish- kryeministri i ka rrëzuar ato, duke thënë se ka qenë anëtarësia e PD-së që e ka votuar.

Ndërsa thuhet se më shumë se 60 përqind e delegatëve të Kuvendit kanë votuar pro mbledhjes së një kuvendi të ri, Basha deklaron se 95 përqind e demokratëve e duan atë në krye. Ai është shprehur se zoti Berisha do të mbajë peng partinë për interesa personale.

Berisha u ka bërë thirrje deputetëve demokratë të mos votojnë ndryshimet kushtetuese, të propozuar nga Basha. Sipas ish-kryeministrit  përfiton vetëm Rama.

“Së pari, në cilën marrëveshje të këtyre 8 viteve përfituam ne demokratët? Tek  të gjitha përfitoi vetëm Edi Rama. Pavarësisht nga këto, ky për të mbuluar dramën e tij, vepron te marrëveshja. Ata i janë vërsulur Kushtetutës si çakej. I bëj thirrje deputetëve të PD, të refuzojnë çdo marrëveshje me Edi Ramën sepse përgjegjësia do të jetë shumë e madhe. Edi Rama është i pabesë, njësoj si pengu që ka marrë. Nuk njohin marrëveshje”, tha Berisha. Duke iu drejtuar demokratëve që mbështetin kryetarin Basha,  ish-kryeministri Berisha tha se ai nuk meriton besim, duke i numëruar humbjet në zgjedhjet parlamentare e ato lokale.

“Të vendosësh besimin te një i pa besë nuk është mençuri. Jo. I pabesi, nuk ndërton kurrë marrëdhënie njerëzore”, ka thënë Berisha, duke lajmëruar edhe protesta.

“Ne do të vijojmë protestat që do të përfundojnë deri në rrëzimin tënd përfundimtar. Me Edi Ramën që kontrollon votën, zgjedhje në Shqipëri nuk mund të ketë.  Ndaj  edhe ne, do i japim vendin e merituar këtij armiku të shqiptarëve. Ish-kryetari në një tentativë të fshehtë, po konkretizon marrëveshjen e turpit me Edi Ramën”, thotë Berisha duke e cilësuar që tani Bashën si ish-kryetar, ndërsa ky i fundit u rikonfirmua për herë të tretë në krye të Partisë Demokratike.

Nga Kavaja, Berisha tha se në PD do të rikthehen Primaret. “Do të zgjidhni ju me votën tuaj kandidatin për deputet për Kavajën. Do të zgjidhni ju. Sot kemi dhe guximin dhe dijet”.

Ai tha se “Foltorja” synon të bëjë shembull këdo që shkel statutin.

“Nëse deri me datën 25 prill i besonin rreth 19% e zgjedhësve, sot i besojnë rreth 5%. Nuk i besohet pengut që ka dy  muaj ditë e natë, që të gjitha mediat e vajtojnë dhe e marrin në mbrojtje. Është i pa shpresë”, vijoi Berisha.

Ndërsa Basha ka argumentuar vendimin e tij për Berishën si të përkohshëm – derisa ky i fundit të qartësojë akuzat në betejën e tij ligjore – Berisha tha dje se Gjykata e Parisit ka pranuar padinë e tij ndaj Sekretarit Blinken.  Ish-kryeministri e ka parë përcaktimin “non grata”  si cenim i integritetit dhe e ka gjykuar si politike, ndërsa ai prej tetë vitesh nuk ushtron asnjë funksion publik.

Në mbledhjen e Grupit, dy ditë më parë, Lulzim Basha tha se ish-kryeministri Berisha po u bënte presion strukturave. Në po të njëjtën mbledhje u artikulua edhe kriza brenda partisë, ku kërkohet zgjidhje dhe unifikim për të mos vënë në rrezik ekzistencën e partisë.

Ndërkohë, kryetari Basha kërkon ta heqë vëmendjen nga beteja mes tij dhe Berishës, ndërsa  flet për hallet madhore të qytetarëve, të cilat ai pretendon t’i zgjidhë përmes ndryshimeve kushtetuese, që po sipas tij do t’i jepnin fund tranzicionit të gjatë të politikës shqiptare. Por, megjithë rezistencën e tij për të mos lejuar mbajtjen e Kuvendit, Basha do të duhet të përballet me faktin e mbledhjes së firmave të nevojshme, që sipas statutit mundësojnë Kuvendin Kombëtar, ku edhe do të merren vendime të mëdha.

Basha: Nuk e bunkerizoj PD-në për interesat e një personi

Zbardhen disa mesazhe që kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë para krerëve të degëve të Partisë Demokratike, në mbledhjen me dyer të mbyllura, në selinë blu.

Në mbledhjen tri-orëshe janë diskutuar dhe deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa ky i fundit ka thënë se do të kandidojë për kryetar të PD dhe do të zbulojë brenda javës datën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë.

Siç mëson gazetari Stafa, në lidhje me çështjen e Berishës, Basha ka thënë para krerëve të degëve se “Nuk e bunkerizoj Partinë Demokratike për interesat e një personi. Në PD nuk do të ketë institucione paralele. Armiku ynë i vetëm është Edi Rama”.

Deputeti Korreshi: Nuk e kemi luksin të jemi të përçarë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “FrontLine”, të gazetares Marsela Karapanço. Korreshi, nuk la pa komentuar situatën e brendshme në PD.

Ai tha se Partia Demokratike nuk e ka luksin të jetë e përçarë, por duhet të jetë më e bashkuar se kurrë.

Deputeti deklaroi se çfarëdo zhvillimesh të ndodhin, ai nuk do të largohet nga Partia Demokratike apo të japë dorëheqjen e kuvendit. Sakaq, Korreshi tregoi se kryedemokrati Lulzim Basha, nuk ka etiketuar si “llumi” i partisë militantët, por ata persona që dikur kanë qenë funksionarë të lartë e tanimë e kanë braktisur partinë dhe janë bashkuar me kundërshtarët.

Saimir Korreshi: Partia Demokratike nuk e ka luksin të ‘pastrojë’ asnjërin prej të dyve, as Bashën as Berishën. PD ka nevojë për forcën e të dyve. Ne nuk kemi luksin për të larguar askënd nga PD. Pyetja konkrete është se me kë je ti me ‘Lulin apo Saliun’. Por unë jam me Partinë Demokratike, e theksoj, s’kemi luksin të humbasim asnjërin prej të dyve. Kryetari Basha nuk ka thënë që pezullon doktor Berishën. Kur ne hyjmë në parlament firmosim një dokument ku themi se ku do të aderojmë, unë kam thënë që do të aderoj te PD. Kryetari ka marrë përgjegjësinë e vet personale për atë që ka ndodhur. Ka ndodhur një reaksion për disa faktorë. Të gjithë ne kemi ngritur gishtat në nder të Berishës, por unë mendoj që sot po loz një shah, janë dy mbretër që po lozin ndaj njëri-tjetrit.

A ka mbaruar epoka e zotit Berisha?

Saimir Korreshi: Zoti Berisha deklaroi që nuk do të kthehet në politikë, por unë mendoj që ik dhe hajde nuk i bën mirë gjësë. Unë kam ndjerë te demokratët për ikjen e të gjithë figurave që deri dje kanë qenë tepër të lartë në PD. Doktor Berisha nuk ka qenë asnjë jashtë, se ka qenë gjithmonë pjesë e PD, ndërsa të larguarit e tjerë, nuk i bëjnë mirë fare PD, duhet t’i kthejnë borxhin PD që gjithë këto vite ka investuar në kohë. Të dalësh kundër PD dhe të shkoja në një anë të kundërt politike, unë s’do e bëja kurrë.

Nëse do të ketë rikthim të Berishës në krye të PD,  ju do të jeni në kuvend?

Saimir Korreshi: Çfarëdolloj do të ndodhi unë do të jem i PD. Edhe nëse do të jap dorëheqje vetëm nëse ma kërkon kryesia apo elektorati. Por kontributi dhe forca ime do të jetë çdo ditë në PD, sepse ka pasur shumë drejtues që mezi kanë pritur të lëne PD në pozitë vetëm e vetëm që të kthehen ata. Ka një vendim personal. Unë e bëj shpesh këtë pyetje, ku po shkojmë? Ne si PD po humbim dita ditës kohë duke u marrë me këta që po vjedhin dita ditës lumë. Nuk mund të mos më trishtojë se çfarë po ndodh. Nuk mund të ve pikëpyetje se çfarë do të ndodhi. Duhet një gjuhë tjetër për të ardhur te bashkimi. PD është e lidhur ngushtë me profilizimin e SHBA.

Llumi në PD?

Saimir Korreshi: Me “llum” duhet nënkuptuar të gjithë ata që janë akuzuar se kanë shërbyer ndaj PD, Basha e ka pasur vetëm për këtë, asnjë militant, nuk gjykohet se është llum. Vota është e shenjtë, ne jemi të barabartë te vota. Këto situata kam frikë se do të na lenë në opozitë, sepse fjala tjetër po këndon. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back