Kandidatit të Partisë Socialiste për bashkinë e Hasit, Beqir Mulaj, i është djegur automjeti brenda garazhit.
Paraprakisht dyshohet se makina e Mulajt është djegur në mënyrë aksidentale. Ngjarja vjen 4 ditë para zgjedhjeve, por deri tani nuk raportohet se diegia ka qenë e qëllimshme.
Ndërkohë po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Beqir Mulaj pas ngjarjes u shpreh se ngjarja ka ndodhur në mesnatë dhe lajmin e ka merr vesh nëpërmjet një telefonate. Ai tha se me ngjarjen po merren autoritetet ndërsa nuk komentoi nëse incidenti ka të bëjë me fushatën zgjedhore.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:00. Jam telefonuar përmes telefonit, kam shkuar në vendngjarje dhe kam parë që makina po digjet. Menjëherë ka ardhur policia dhe zjarrfikësja dhe kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Po bëhet ekspertiza në lidhje me ngjarjen. Kam pasur tensione në fushatë me rivalitetin por nuk mund ta lidh ngjarjen me këtë. Automjeti ishte i parkuar prej tre vitesh. Ambienti ku ishte i parkuar makina ishte magazina”- tha ai.
Policia tha se një automjet në pronësi të B.M. në Kukës është djegur brenda garazhit gjatë natës.
“Ngjarja ka ndodhur rreth në mesnatë rreth orës 00:04 në aksin rrugor Krume-Golaj.
Shërbimet e policisë dhe ato zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku është bërë i mundur neutralizimi i flakëve, me qëllim mospërhapjen e zjarrit.
Si pasojë e flakëve, është djegur plotësisht automjeti në pronësi të shtetasit B. M.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, vijon veprimet hetimore, me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, ishte njoftimi i policisë.