Analizë

ANALIZË nga Preç Zogaj: Kandidatët e PD-së si ushtarët e Salaminës

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Preç Zogaj: Kandidatët e PD-së si

Preç Zogaj

PD po nis fushatën e parë në historinë e saj jo si herë të tjera. Arsyen e dimë  të gjithë. Një pjesë e demokratëve janë me grupin e Rithemelimit të Berishës.  Një pjesë më e vogël është në PD-në zyrtare. Një pjesë e tretë as me Rithemelimin, as me Zyrtaren. Grup pa grup.

Kjo është ndarja. E cila filloi pasi Lulzim Basha “hodhi  bombën” në kuptimin figurativ të fjalës, duke pezulluar anëtarësinë e Sali Berishës në grupin parlamentar, me ç’rast Sali Berisha ndërmori lëvizjen  e tij të Foltores duke kontestuar në pikënisje pezullimin pa u pyetur forumet e partisë.

E vura në dukje këtë hollësi për të treguar se kështu nisi. Por Berisha do të gjente pretekste dhe arsye të tjera pa fund për të çuar përpara Lëvizjen e tij. Edhe nëse Basha do ta kishte votuar në forume pezullimin e tij. Edhe po të mos ishte pezulluar fare. Sepse, siç është parë qartë tashmë,  Berisha nuk kontestonte pezullimin, por sanksionimin nga SHBA. Për këtë i duhej të krijonte rreth vetes një eskortë sa më të madhe partiake-elektorale dhe mundësisht të merrte drejtimin e plotë të PD-së. Pas kësaj të priste çfarë do të shkruante fati, koha apo gjeopolitika në favor të problemit të tij. Duke e ditur mirë besoj se nuk mund t’u imponohet SHBA-ve edhe sikur ta ndjekin gjithë anëtarësia dhe votuesit demokratë.

Ndarja ka ardhur duke u thelluar në dëm të demokratëve në të tre prej grupeve të lartpërmendura, ku dëmin me të madh e ka pësuar PD-ja zyrtare. Nga ana tjetër, megjithë çoroditjen e krijuar, ndarja  ka ardhur duke u sqaruar dhe vazhdon të sqarohet për një gjë të madhe që i përgjigjet pyetjes “për çfarë”.

Pra,  për çfarë kjo ndarje? Përgjigja është: Për orientimin gjeopolitik. Për atë se me kë jemi, cila është familja jonë politike, ku i shohim të realizuara më mirë aspiratat demokratike, të zhvillimit  dhe mirëqenies së shqiptarëve, ku e shohim të mbështetur e të mbrojtur më mirë çështjen tonë kombëtare, sigurinë dhe integritetin tonë territorial si vend dhe si komb? Cila, pra është busulla jonë  në këtë botë të madhe regjimesh të ndryshëm, blloqesh e aleancash të ndryshme, në bashkëjetesë paqësore diku, në përballje të ashpra diku tjetër, siç është lufta në Ukrainë për shkak të agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.

Orientimi është një çështje madhore identitare dhe atdhetare për çdo forcë politike në Shqipëri. Për  PD-në është “të jesh a të mos jesh”. PD është në gjenezë dhe në gen vetëm euroatlantiste. Nëse nuk është euroatlantiste nuk është më PD.

Askush që e quan dhe e njeh veten demokrat nuk mund të jetë indiferent, evaziv, në terr dhe injorancë në këtë pikë. Çështja e orientimit euroatlantik qëndron më lart se çështja e pushtetit. Nga pikëpamja e PD-së euroatlantike, ambicia e njërit dhe tjetrit për të marrë një funksion të mirë apo  një punë shteti çfarëdo nuk mund të përligjë një kompromis me orientimin, në kuptimin se nuk prish punë pse nuk jemi me SHBA dhe Europën, mjaft të  kemi pak pushtet dhe të marrim një rrogë diku. Këtë e themi  për ta thënë.  Rasti nuk shtrohet konkretisht. Sepse në Shqipëri nuk fitohet në rang kombëtar pa qenë qartazi një forcë  euroatlantiste. Nuk fitohet me një SHBA kundër dhe BE dyermbyllur. Dhe nuk duhet të fitohet.

Demokratët e PD-së zyrtare, edhe pse të pakësuar në numër në këtë periudhë dhe në këtë fushatë, janë në këtë parti  pikësëpari sepse janë euroatlantistë. Ata nuk  shkojnë nga t’i çojë bariu, por nga i çon busulla, vetëdija e tyre, duke kërkuar që edhe liderin ta kenë të mbështetur qartazi nga partnerët perëndimorë.

Thënë këtë, nuk mendoj  se mbështetësit e Berishës janë të gjithë antiamerikanë  apo antieuropianë. Por tangoja kërcehet dyshe. Ti mund të thuash jam me SHBA, por kur SHBA nuk janë më ty, s’ke si të jesh me ta. Veç kësaj, duke sulmuar pa pushim me fjalorin më vulgar përfaqësuesit e SHBA në Shqipëri dhe PD-në që ka zgjedhur pa ekuivoke të jetë euroatlantiste, berishistët e padisin hapur vetën e tyre si antiamerikanë. Mund të jenë të manipuluar dhe janë të manipuluar disa syresh. Berisha s’resht ti ushqejë  me idenë e dy  SHBA-ve kundërshtuese të njëra tjetrës: njëra  e institucioneve shtetërore që e paska personale me të, sepse ka  penguar ndarjen e Kosovës, sepse është nxitur nga Soros, nga Mcgonigal, nga “McGonigal me fustan”  e plot broçkulla të kësaj natyre. Tjetra, një SHBA abstrakte që do ta amnistojë nesër-pasnesër. Çdokush ka të drejtë  të ëndërrojë. Personalisht do të kisha mirëpritur desanksionimin e tij.  Por kjo nuk është një çështje ëndrrash e dëshirash. Duhen dëgjuar edhe të zotët e punës, përndryshe ta ka qejfi të rrosh në manipulim. Vazhdimisht dhe jo më larg se mbrëmë me gojën e diplomatit të mirënjohur Gabriel  Eskobar, SHBA  kanë shprehur qëndrimin e tyre rreth pamundësisë që desanksionimi të ndodhë sepse dikush ka prapa ndjekës. Aq me shumë në kushtet e sfidimit të përditshëm të  SHBA-ve nga i sanksionuari.  Nuk ka asnjë indikator që të mbështesë idenë e tij të dy SHBA-ve. Republikanët dhe demokratët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim sa herë  kanë ardhur delegacione bipartizane në Tiranë.

E kemi thënë e shkruar disa herë: Berisha ka zgjedhur rrugën e gabuar për PD-në dhe për vete.  Ai bëri gabimin tjetër kohët e fundit tek i privoi demokratët të bashkonin votën rreth një kandidati të vetëm. Në vend  të një marrëveshjeje angazhuese të  dy grupeve, në bazë të propozimit të zotit Alibeaj, që mund të pasurohej e përforcohej me propozime të Rithemelimit, Berishën e udhëhoqi shija e poshtërimit të palës që ka busullën dhe të drejtën me vete.

Këtu jemi tani. Këto zare u hodhën. PD euroatlantike zbret në fushatën saj të pashembullt për të shpëtuar të ardhmen e saj dhe për t’u rinisur drejt reformimit të thellë,  riorganizimit, rritjes dhe fitores me projektin e demokracisë normale të lirive reale dhe sundimit të ligjit për të gjithë. Sa është numri i demokratëve, simpatizantëve dhe  zgjedhësve të lirë shqiptarë që mbështesin me votë këtë PD, që sheh nga e ardhmja? Sa janë ata që e kanë këtë shpresë? Sa janë ata që duan ta ruajnë dhe forcojnë këtë alternativë  perëndimore dhe moderne të qendrës së djathtë në Shqipëri?

Kandidatët për këshilltarë të kësaj partie dhe ata të pakët, por të vendosur, për kryetarë bashkish janë në  garë për këto përgjigje. Në rrethanat e krijuara, në referencë të romanit të mrekullueshëm “Ushtarët  e Salaminës”, të spanjollit Havier Cerkas, ata janë sot ushtarët e Salaminës, metaforë e cila ka këtë kuptim:  Në çastin vendimtar, gjithmonë një togë ushtarësh e ka shpëtuar qytetërimin. Roland  Bejko është kandidati për bashkinë e Tiranës që u prin kandidatëve të tjerë në arenë dhe i mishëron të gjitha arsyet pse PD është në këtë betejë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH