Nga Prof. Dr. Isuf Kalo*
“Ra ky mort e u pamë”. Ky titull i librit të Ismail Kadaresë botuar në vitin 2000 dhe pse me subjekt e kontekst tjetër, tingëllon aktual edhe sot në “mortin e pandemisë së Koronavirusit.”
Të gjitha vendet e botës (përfshi edhe ato të zhvilluara) kur u pushtuan nga pandemia e Covid -19 vërejtën të habitur se sistemet shëndetësore të tyre kishin mangësira të ndjeshme. Rëndësia e pesha e shëndetësisë me ndikime të njohura multisektoriale; jo vetëm për mbrojtjen dhe forcimin e shëndetit, por dhe të mirëqenies ekonomike, sociale të popullatës ishte nënvleftësuar.
Ishin harruar fjalët e mençura të dy herë ish-kryeministrit të Anglisë Benjamin Disraeli, i cili, që në vitin 1868 pati paralajmëruar se “Shëndeti i mirë i popullatës është faktor vendimtar për mirëqenien dhe prosperitetin e çdo vendi.” Për fat të keq në shumicën e vendeve të globit sidomos ato më të varfëra potencialet shëndet prodhuese e jetë shpëtuese të shëndetësisë dhe meritat e profesionistëve bluzë bardhë nuk ishin besuar. Vetëm Mikail Gorbaçovi pranoi së fundi me pendesë: “Kjo pandemi dëshmoi se të gjitha shpenzimet për forcat ushtarake dhe armët për mbrojtjen nuk na mbrojtën dot.” Vendet e botës nuk patën parashikuar të pushtoheshin aq lehtë tragjikisht nga një agresor që nuk e kap as plumbi as raketa.
Një rreze drite
Sidoqoftë “ky mort ra” por solli kudo për shëndetësinë edhe diçka ogur mirë; Stafi mjekësor u pa me sy tjetër. Si nga qeveritarët dhe nga popullata. Falë përkushtimit vetëmohues të tyre në përballje të drejtpërdrejtë me virusin, bluzat e bardha fituan respekt dhe admirim. U harruan pakënaqësitë, ndonje mallkim e procedim gjyqësor, deri dhe dhuna në raste të izoluara me apo pa shkak ndaj tyre. Si asnjëherë më parë atyre ju kërkua ndjesë, madje edhe për keq shpërblimin në raport me meritat e vyera të harruara. Ata u shpallen plot elozhe heronj sepse në këtë përballje rrezikuan shëndetin e vetes. Madje një numër i dhimbshëm i tyre dhanë tragjikisht edhe jetën.
Realisht ata nuk u bën heronj më së pari në këtë pandemi. E patën dëshmuar heroizmin shumë kohë më parë, që ditën kur secili prej tyre zgjodhi bluzën e bardhë, duke ofruar vullnetarisht me guxim jetën e tyre personale e mirëqenien familjare në shërbim të shëndetit të popullatës. Ata hynë të ndërgjegjshëm në këtë profesion me plot rreziqe të befasishme, përfshi atë të humbjes së jetës: nga infeksionet, nga rrezatimi radiologjik e nuklear, nga reaksionet prej barnave, nga stresi e lodhja rraskapitëse në punë e deri dhuna fizike apo ajo verbale prej të sëmurëve mendorë apo familjarëve të pakënaqur. Jo rastësisht në librin “Mjekët” Erik Segali dëshmon se mjekët e kanë mesataren e jetëgjatësisë më të shkurtwr se sa ajo e bashkëmoshatarëve të tyre në profesione të tjera.
Pritshmëritë dhe limitet e mjekësisë
Bashkë me falënderimet që marrin nga të sëmurët, personelit mjekësor i ndodh që të jetë edhe viktimë e paragjykimeve, e keqinformimeve dhe pasigurisë për rezultatet e pritshme. Sepse mjekësia është shkencë në evolucion të pandërprerë por ende jo shkencë ekzakte. Në veprimtarinë e bluzave të bardha ndodh jo rrallë që edhe “kur bëhet ajo që duhet, ashtu siç duhet” mund të mos përftohet rezultati pozitiv i hamendësuar. Veçanërisht ndaj sëmundjeve afatgjata kronike ku çelësi i suksesit final nuk është aq në dorën e tyre, se sa tek vetë pacientët; i rigorozitetit me të cilin ata i zbatojnë apo jo në kushtet e shtëpisë masat dhe terapinë që u janë rekomanduar. Fuqizimi i bashkëveprimit të pacientwve dhe qytetarëve si aktorë qendrorë të sistemit, dhe transparenca e hapur ndaj tyre për limitet e mundësive të shkencës dhe të praktikës mjekësore në raport me rezultatet e dëshiruara është thelbësore.
Dr. Mark Chasin bazuar në etikën mjekësore ju garanton të sëmurëve vetëm ndershmërinë profesionale për të cilën ata janë dhe betuar. “Në rast gabimesh a dështimesh të pavullnetshme,-thotw ai- mjafton që kujdesi ndaj të sëmurëve të kenë qenë qëllim mirë i dhënë me ndershmëri e me zemër të pastër. “Ndershmëria, dijet dhe aftwsitë profesionale janë shtyllat e besimit të qytetarëve ndaj tyre. Ky besim është i shenjtë. Prandaj nuk duhet shpërdoruar në asnjë rrethanë nga askush prej tyre. E vërteta është që kontigjentet e bluzave të bardha në shekuj e kanë respektuar atë me rigorizitet. Ndonjë pikë e izoluar e zezë e rënë aty këtu mbi detin e dobive që prodhon mjekësia, nuk ja ka nxirë dot të bardhën e madhe të saj.
Koha për njohje dhe afrim
Stafi mjekësor duhet të hedhë i pari hapat e njohjes dhe mirëkuptimit me të sëmurët dhe qytetarët. Jo vetëm për problemet në trupin e tyre, por edhe ato shpirtërore e jetësore. U duhet të njohin; mendimet, brengat, kushtet e stilin e jetës, traditat, psikologjinë dhe parimet etike të secilit. Dhe çfarë ata ndjejnë, dyshojnë, çfarë i tremb apo shpresojnë në procesin e mjekimit. Shtrirja e mjekësisë përtej shkencave biologjike edhe në ato sociale, ekonomike e psikologjike, mundëson njohjen shumë dimensionale të pacientëve si individë, çka mundëson një qasje të re terapeutike të personalizuar ndaj tyre. Ajo mund dhe duhet të jetë e ndryshme tek pacientë që vuajnë me të njëjtën diagnozë. Një personalizim përzgjedhës të tillë po dëshmon me “inteligjencë” koronavirusi. Tek personat e infektuar prej tij, sëmundja e njwjtë si diagnozw nuk ka të njëjtën tabllo as evolucion; tek disa zhvillohet pa simptoma ose ngadalë dhe e lehtë, kurse tek të tjerë mjaft e rëndë, me shpërthime galopante befasuese deri dhe me humbje të jetës. Ta ketë kuptuar vallë ai përpara nesh personalizimin e viktimave si faktor për performancën infektuese të tij?
Dy shembuj frymëzues
Pretendimet për një model të ri të personelit mjekësor, me tipare humane, mund që të duken utopike. Por për fat të mirë, që dy shekuj më parë dhe deri në vitin që shkoi, janë dëshmuar së paku dy shembuj të tillë të suksesshëm, frymëzues. Njëri prej tyre në vitin 1819 në Spanjë dhe tjetri në vitin 2020 në SHBA në përballje me koronavirusin. I pari me një histori emocionuese reale e memorizuar në një tablo të posaçme nga piktori Francisco Goja ka ndodhur si më poshtë:
Në vitin 1819 në moshën 72-vjeçare i ve, i vetmuar e i shurdhet piktori Francisco Goja u sëmur rëndë. Një sëmundje infektive i kishte prekur mushkërinë dhe zemrën. Ishte në prag të vdekjes kur u shtrua në spital thuajse i pa shpresë. Pesimizmin ja shtonin eksperiencat e trishta që kish patur në spitalet ku ishte shtruar më parë. Ato i patën lënë piktorit mbresa të thella të zymta. Spitalet e asaj kohe shërbenin më së shumti si strehë për të vdekur. Ato u ngritën së pari falë donacioneve filantropike të aristokracisë dhe të kishës, si “Hospise” (hoteler), se funksiononin azile afat shkurtër për të sëmurët e vobektët, pa familje, që ata të mos jepnin shpirt rrugëve të vetmuar. Kushtet higjieno-sanitare në to ishin të mjerueshme, por varfanjakët që iknin nga kjo botë me murgeshat pranë, me shpirt të qetë dhe besim për një jetë më të mirë në botën tjetër. Hospiset nuk ishin të denja për monarkët e aristokracinë e lartë, të cilët mjekoheshin në kështjellat e vilat madhështore të tyre, nga mjekë të famshëm të vendit apo edhe të huaj të sjellë posaçërisht për ata.
Francisko Goja zemërak i përhershëm i pati denoncuar realitetet tragjike, sociale e shëndetësore të asaj kohe: mizore, të padrejta, hipokrite dhe primitive. Mes tyre nuk pati kursyer edhe mjekësinë, dhe as mjeket e atëhershëm. Ai i pati cilësuar ata “të paaftë, jo mirë trajnuar dhe të pashpirt”. Në një tablo të tij, të vitit 1797 me titull “Nga cila sëmundje do të vdesë ai ?” ai me sarkazëm e pati shpërfytyruar figurën e mjekut në formë karikature si një gomar që po i mat pulsin një të sëmuri në shtrat, me thundrën e këmbës së përparshme. Përgjigja e tij ndaj titullit të asaj tabloje ishte “Ai do vdesë, jo nga sëmundja por nga mjeku”. Mungesa e respektit dhe e mirënjohjes së tij ndaj mjekëve qe e pafund.
Por dy dekada më pas, në vitin 1819, Goja tashmë në fund të jetës i rraskapitur, në gjendje shëndetësore të pashpresë, ja dorëzoi edhe njëherë jetën një mjeku. Ky quhej Eugenio Garcio Arrieta. Këtë herë për habinë e piktorit gjithçka rrodhi ndryshe. Ndoshta sepse mllefi i mëparshëm pati qenë eksesiv, apo sepse mjekësia dhe mjekët me kohë patwn evoluar. Ai pa e ndjeu tek mjeku i tij virtyte dhe vlera profesionale e shpirtërore, që, ose sëmundjet e mëparshme, ose zemërimi i akumulur i dikurshëm nuk e kishin lejuar t’i pikaste. Piktori i moshuar krijoi për të respekt dhe admirim. Dhe çuditërisht këtë herë sëmundja edhe pse ishte më e rëndë u mposht. Piktori i moshuar ndjeu adhurim për Dr. Arietën i cili i qëndroi tek koka me përkushtim të pashoq. I frymëzuar me ndjenjat dhe përjetimet e kujdesjeve që përftoi nga Dr. Arrieta, një vit më pas, me 1,820, Francisko Goja krijoi për dhuratë në shenjë falenderimi ndaj mjekut, tablonë me titull “Autoportret me Dr. Arrietën”. Në dedikimin shkroi: “Goja me mirënjohje mikut tim Dr. Arrieta, për pasionin, kompetencën dhe kujdesin me të cilin ai më shpëtoi jetën nga një sëmundje shumë e rëndë dhe e rrezikshme”.
Gjuha e ngjyrave
Tabloja u bë shpejt e famshme. Përtej vlerave artistike ajo u shndërrua në model të relacioneve humane, shpirtërore mes pacientëve dhe mjekëve. Rëndësia e relacioneve të tilla për shumë kohë nuk ishte konsideruar si pjesë e domosdoshme e protokolleve të mjekimit. Në to fetishizohen ende barnat, sidomos ato të reja dhe aparaturat e teknologjive moderne diagnostike dhe terapeutike. Në “Autoportret me Dr. Arrietën” Goja ilustron artin e mjekimit në mënyrën se si e pati perceptuar dhe ndjerë ai vetë si pacient. Vëmendja që ai i ka kushtuar detajeve për çka ka parë, dëgjuar, përjetuar e memorizuar në ambientin spitalor është impresionuese. Edhe një vit pas asaj eksperience, ai ka mundur të shprehë me “gjuhën e ngjyrave” vlerësimet për personelin shëndetësor që i pati shërbyer. Duket që i kishte ruajtur në kujtesë hollësisht xhestet, shikimin e mimikën e mjekut të tij. Ato ai i riprodhoi më vonë simbolikisht si mesazh për humanizimin e dëshiruar të mjekëve në relacionet e tyre me pacientët.
Dr. Arrieta është pikturuar me trup gjysmë i përkulur, i përqendruar dhe i përkushtuar tek pacienti. Të dy janë me veshje të shkujdesur, të pa pispillosur. Dr. Arrieta duket që mban në njerën dorë një gotë (me shumë gjasa me një ilaç të lëngshëm), që ja afron pacientit tek goja. Kjo është detyrë infermierore, por mjeku me modesti po e bën këtë akt miqësisht me dorën e vet si ta kishte pacientin të afërm a familjar të tij. Nuk dihet nëse ka ndodhur vërtetë ky akt apo piktori e ka krijuar kinse artistikisht këtë detaj për të idealizuar lidhjen shpirtërore mes tyre si, dhe modestinë e përkushtimin që pacientët vlerësojnë aq shumë tek mjekët. Dr. Arrieta e ka mbështjellë pacientin në krahët e tij sikur janë të dy të shkrirë fizikisht dhe shpirtërisht në një. Pas shpinës së tyre sfondi është i zi (ngjyrë e vdekjes?), por në fytyrën e mjekut shquhet edhe një fasho drite e brishtë (shpresa që ai ende ruan ?). Goja me sytë e mbyllur nuk ja sheh dot fytyrën mjekut, por e imagjinon atë me “syte e zemrës”. Ndjen këmbënguljen, mos dorëzimin e tij, ndërkohë që i ofron pacientit pa ngurrim gjithçka ka në dorë vetë; shpresën, ngrohtësinë dhe mbështetjen shpirtërore. E gjithë tabloja rrezaton përkushtimin vetëmohues të mjekut ndaj pacientit të tij, të cilin e mban shtrënguar në krahë, si fëminë e tij, për të mos ja dorëzuar vdekjes.
Edhe pse Dr. Arrieta është pikturuar jo si tip “Tarzani” muskuloz dhe vetë Goja si i “sëmurë i mbaruar”, tabloja rrezaton besim se falë aleancës kundër vdekjes mes mjekut dhe të sëmurit, ata do triumfojnë. Dhe triumfuan vërtetë. Francisco Goja jetoi dhe pikturoi edhe 8 vite të tjera më pas.
Një foto që flet
Historia e tablosë “Autoportret me Dr. Arrieta” sikur u përsërit dy shekuj më pas, në nëntor 2020 në SHBA e përcjellw me një foto brenda një spitali në të cilën stafi mjekësor po përballej me pandeminë e Coronavirusit. Ajo u be virale në rrjetet sociale me shpejtësi të jashtëzakonshme. Ajo ishte shkrepur rastësisht nga dikush brenda pavijonit me të sëmurë të prekur nga Covid-19 nën terapi intensive në gjendje të rëndë. Në të duket profesori amerikan Jozef Varon, specialist për sëmundjet infektive dhe shef i urgjencws mjekësore dhe reanimacionit, në gjoksin e të cilit ishte mbështetur koka një pacienti të moshuar që po qante. Profesori Varon është mjek i shquar e i njohur edhe përtej mureve të spitalit Universitar United Memeorial të Texasit, ku shtrohen edhe të sëmurë të varfër dhe emigrantë dhe madje përtej SHBA, si autor i shumë artikujve kërkimorë shkencor, i një sërë monografish dhe tekstesh universitare mjekësore. Ai njihet sidomos edhe si bashkautor i sindromit “Varon -Ayus” me anomalira genetike e hormonale.
Historia e asaj fotografie e cila përloti botën është e thjeshtë. Profesori ishte duke hyre si çdo ditë në pavionin ku ishin të shtruar të sëmurët në gjendje të rëndë të infektuar me Coronavirus nën terapi intensive, kur papritur njëri nga pacientët, burrë i moshuar, thinjosh, qe ngritur nga shtrati dhe i doli atij befas përpara. Profesori nuk e shmangu. U ndal për ta dëgjuar, por pacienti nuk po shqiptonte asnjë fjalë. Ai kishte zhytur kokën në gjoksin e mjekut dhe qante me dënesë. Profesori u befasua, por nuk e largoi nga vetja. Qëndruan disa çaste heshturazi ashtu të përqafuar të dy. I moshuari që qante dhe profesori që e mbante të shtrënguar ngrohtësisht në gjoksin e tij. Ashtu dhe janë fotografuar; mjeku me veshjen mbrojtëse nga koronavirusi si prej “astronauti” dhe pacienti i moshuar me kokën tek gjoksi i tij. Duken të dy të si të njohur të hershëm, apo të afërt në një takim të përmallshëm. Në fakt nuk ishin të tillë. Deri në atë çast ishin të panjohur mes tyre. Po për mjekun kjo nuk kishte rëndësi. Rëndësi kishte që ai i sëmurë vuante një brengë, një dhimbje të madhe të cilën po ja shprehte në mënyrë të pazakonte me shprese e besim për ndihmë. I moshuari ishte shtruar disa ditë më parë në atë pavijon dhe mjekohej për Covid -19 , por ishte ende i infektuar pozitiv. Ai me kokën e zhytur në gjoksin e profesorit qante, pa i kërkuar atij asgjë. I befasuar dhe i prekur profesor Varon e tregoi me pas vetë me emocion ngjarjen: ”Ishte një burrë rreth 70 vjeç. Po qante si fëmi. Pa thënë asgjë. E pyeta çfarë kishte. -Më mungojnë të afërmit – më tha, – familja. Dua të kem gruan pranë”. Këto pat shqiptuar i moshuari mes ngashërimit. Ndoshta kishte frike se do vdiste pa i parë e pa u lënë lamtumirë bashkëshortes dhe të dashurve të tij.
Njëhershi i lakmuar dhe i mallkuar
E tille është historia e kësaj fotografie. Nuk dihet nëse atë brengë ai thinjosh ja kishte shprehur edhe mjekut që e vizitonte çdo ditë? Apo infermierëve që kujdeseshin për të. A e kishin shënuar vallë ato atë dëshirë në kartelën mjekësore të tij? Apo ai ishte ndrojtur t’ua shprehte tek i shihte aq të zënë, aq të tensionuar, të rraskapitur në përballje me vdekjen apo edhe t’u rridhnin nga dramat që përjetonin edhe lot nga sytë?
Profesori si rrallë herë u ndje i pafuqishëm. Thinjoshit “fëmi” i mungonin çka ai nuk kishte në dorë që t’ja jepte: ambienti i shtëpisë familja; prezenca, dashuria e ngrohtësia shpirtërore e njerëzve më të afërt të tij. Në cilindo spital ato mungojnë për këdo. U mungojnë edhe vetë mjekëve dhe infermierëve që kalojnë aty një pjesë të madhe të jetës. Sepse spitalet janë tempuj magjik për të shpëtuar e zgjatur jetë, por jo ambiente për të jetuar në to. Sado mirë të pajisur, të pastër e të rehatshem të jenë, ato nuk janë shtëpia. Dhe stafi me bluzë e zemër të bardhë sa do miqësor të jenë nuk janë familja. Barnat që përdoren aty mund që lehtësojnë vuajtjen e mposhtin sëmundjen, por nuk zëvendësojnë dot inkurajimin, buzëqeshjen, dorën në sup a mbi ballë nga të afërmit e tyre. Ato pacientëve u duhen, veçanërisht në çaste pasigurie, vetmie, frike e paniku për jetën, atëherë kur sëmundja dhe ambienti spitalor krijojnë tek disa prej tyre stres, ndjenje pasigurie dhe tek ndonjëri një shtysë marroke të mistershme që i nxit të hidhen nga dritarja apo ballkoni i spitalit për t’u vetëvrarë. Por sot kur bota është përfshirë në përballjen me pandeminë e Covid -19 spitalet edhe pse jo gjithmonë të lakmuar nga të sëmurët, janë bërë për ata jetëshpëtues e më të vyer se çdo herë.
I moshuari që dëneste në gjoksin e Profesor Varonit, nuk e dinte që edhe profesori në krye të ekipit që drejtonte, kishte 226 ditë me radhë që po qëndronte në atë spital pa vajtur në shtëpi, pa i parë gruan e fëmijët e tij. Kishte po aq ditë që flinte vetëm 1 deri 2 orë në ditë, duke qëndruar me vetëmohim në punë, në përballje me virusin vrastar. Dhe infermierët e personeli tjetër, ishin po aq të rraskapitur e të stresuar sa herë pas here shpërthenin heshturazi në lot, sepse nuk përballonin dot të gjithë kërkesat e lutjet e pacientëve dhe pikëllimin e thellë, kur njëri nga të sëmurët e intubuar u jepte në duar shpirt.
Të njëjta sakrifica e vështirësi përballojnë në rrethana e fronte të tjera, të gjithë profesionistet e mjekësisë në veprimtarinë e përditshme, e veçanërisht në këtë pandemi. Mjekët e familjes në qendrat e kujdesit parësor, që ekspozohen të parët në kontaktet me qytetarët e pacientët, ata të laboratorëve që testojnë për virusin, infermierët që zbatojnë terapinë, ata që vaksinojnë, radiologët, fizioterapistët etj..
Me shikim nga e ardhmja
Pandemia e koronavirusit sado që të zgjasë do të kalojë. Ajo ka dhënë që tani mësime për sistemet shëndetësore. Bashkëjetesa e njerëzimit me viruse të tjerë të ngjashëm do të jetë e përhershme. Sistemet shëndetësore duhen forcuar që të mund të parandalojnë pandemi të tilla eventuale në të ardhmen dhe të jenë të parapërgatitura. OBSH në vitin 2008 rekomandoi rikonceptimin e tyre si sisteme “gjithë qeveritare” dhe “gjithë shoqëror”, pra jo vetëm i nje ministrie, por edhe ministrive të tjera me impakt në shëndetin e popullit. Paraja duhet të shkojë me përparësi te ato struktura apo veprimtari të provuara që prodhojnë për popullatën më shumë shëndet me kosto të ulët dhe që parandalojnë ose minimizojnë me efektivitet sëmundjet. Një hap logjik në këtë drejtim tek ne do të ishte fuqizimi prioritar i Institutit tonë të Shëndetit Publik (ISHP), i cili përgjatë dekadash ka kryer shërbime shëndetësore me rëndësi kombëtare. Vlerat e dobitë e tij u dëshmuan qartas edhe në pandeminë që po përjetojmë.
Pandemia e Covid -19 evidentoi mangësi shqetësuese edhe në kulturën shëndetësore e higjieno-sanitare tek kontigjente të gjera të popullatave, madje dhe në vende të zhvilluara. Ato u shprehën me hezitime, mos bindje deri me kundërvënie ndaj masave të thjeshta për vetëmbrojtjen individuale nga infektimi me virusin dhe për mospërhapjen e tij, apo dhe gjatë vaksinimit. Bluzat e bardha e respektojnë lirinë e individëve. Nuk janë pronar, as protektor të shëndetit të askujt ndër ata. Janë vetëm këshilltar dhe mbështetës te çdo njërit. Zgjedhjet për “më shumë vite në jetë, apo më shumë “jetë“ në vite”, janë e drejtë e çdo individi. Por mbrojtja e shëndetit publik dhe e të tjerëve është detyrë e kujtdo nga ne.
Nga deklamacionet në institucionalizim
Çfarë do të ndodhë me bluzat e bardha pasi kjo pandemi do të kalojë? Do fashitet si flakë kashte me të edhe ky fllad vlerësimi dhe mirënjohje njerëzore për ata? Po të ndodhte, do të ishte zhgënjim. Ata kolegë që dhanë edhe jetën në përballje me pandeminë do të lëviznin me zemërim në varre. Por do zhgënjeheshin edhe ata të mbetur gjallë përballë virusit në spitalet Covid, apo ambulatorisht në shtëpitë e pacientëve të infektuar, që e sfiduan me vetëmohim virusin. Po ashtu familjarët që vuajtën bashkë me ta. “Nuk me interesojnë as shenjtëria as heroizmi” thotë Dr. Bernart Rieje në librin “Murtaja” të Alber Kamy. I ndodhur larg familjes në përballje me murtajën, ai mësoi vdekjen e së shoqes vetëm 8 ditë më pas. “Ajo që fitojmë është kujtesa e mynxyrës”-shton ai aty.
Bluzat e bardha nuk punojnë për dekorata. As për ca para. Por kujtesa e përballjes së sotme me pandeminë duhet ruajtur. Ajo duhet që të mësojë, edukojë dhe frymëzojë brezat e ardhshëm. Vlerësimet ndaj atyre që u martirizuan por dhe cilindo nga ata që sfiduan rreziqet në këtë mision humanist, nuk duhen të mbeten verbale e mediatike. Ato duhen formalizuar sipas kritereve etike që u takojnë.
Gjetkë nderimi për mjekët është institucionalizuar. Në SHBA me 1990 me dekret të ish-presidentit George Bush, 30 marsi i çdo viti u shpall “Ditë Kombëtare e Mjekeve” dhe ditë pushimi për të gjithë vendin. Ne Indi “Dita e Mjekut” festohet me 1 qershor. Kurse veças mjekët e familjes kanë “Ditë Botërore” te tyre datën 19 maj. Në to nderohen figura të shquara ose ngjarje të shënuara të mjekësisë së vendit. A vlen ta zbatojmë këtë edhe në vendin tonë ?
Tagrin e vendimit e kane autoritet shtetërore. Por propozimet për datën mirë është të jenë të hapura për mjekët dhe qytetarët tanë. Një kandidaturë e spikatur sipas meje është Prof. Dr. Rifat Frashëri, mikrobiolog e virolog i shquar bashkautor me kolegë të Institutit Paster në Paris, i disa zbulimeve të rëndësishme për shëndetësinë botërore në fushën e virologjisë dhe të vaksinave, sidomos kundër epidemive të Lisë dhe të Tërbimit. Ai në Kongresin e Lushnjës më 23 janar 1920 u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë shqiptare (pararendëse kjo e një ministrie të mirëfilltë). Ai njihet si shkencëtar dhe akademik me emër në Europë, në Universitetet turke e franceze. Ishte patriot i shquar, mik dhe i afërt me vëllezërit Frashëri. Vdiq në Shqipëri me 15 nëntor 1934. Do ta ketë vallë Shqipëria mundësinë e një dite nderimi për mjeket me 15 nëntor ?
*Anëtar themelues i Akademisë Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave.
Ish drejtues në OBSH – Europë për “Cilësinë e Sistemeve Shëndetësore”. /Dita