Kryesore

Kaligula-arketip i të gjihë tiranëve si rrënues të dinjitetit njerëzor

               Publikuar në : 09:46 - 18/09/21 liberale

Prof. Dr. Gjergj Sinani

(Refleksion filozofik rreth dramës “Caligula” të Albert Camus)

Në këtë kohë pandemie, “Murtaja” e Kamysë u vendos në qendër të vëmendjes. Shumë njerëz ju rikthyen romanit në përpjekje për të kuptuar kohën e tashme. Por, unë do të doja të sillja në vëmendjen tuaj një dramë të Kamysë me titull “Kaligula”, dramë me katër akte, e cila u vu në skenë, për herë të parë në vitin 1945. Në botimin që unë disponoj, ai mban si vit botimi vitin 1947 dhe është botimi i 31. Kjo tregon për interesin e kësaj drame, të cilën Kamy e botoi më 1944. Në aktorët që e kanë luajtur për herë të pare, më 1945, bien në sy dy emra të njohur aktorësh për publikun shqiptar, sidomos të kohës së rinisë time; këta janë Gérard Philipe, në rolin e Kaligulës dhe Michel Bouquet, në rolin e Shipionit.

Natyrshëm lind pyetja, pse kjo dramë të nesërmen e mbarimit të Luftës II Botërore kur gjithë bota festonte fitoren mbi nazizmin dhe fashizmin? Me mbarimin e Luftës, a kishte ikur edhe koha e diktatorëve, despotëve apo tiranëve? Mos vallë ka diçka në këtë dramë që i shqetëson të fuqishmit e kësaj bote? Me sa duket Kamy mendonte se në gëzimin e përgjithshëm të mbarimit të Luftës, njerëzit nuk duhej të mendonin se kishte ikur edhe koha e tiranëve. Rreziku i tyre ishte permanent. Përmes kësaj drame ai na dha disa tipare karakteristike të çdo tirani dhe të çdo kohe.

Le të ndalemi në momentet kryesore të kësaj drame. Që në aktin e parë na jepet një grup patricësh romakë në pallatin e perandorit, të cilët janë tepër të shqetësuar dhe duket se jetojnë nën peshën e një ankthi të përhershëm. Ata janë të shqetësuar se Kaligula ka munguar një kohë të gjatë. Arsyeja ishte se ai kishte vrarë të motrën, Drusilën, me të cilën kryente edhe marrëdhënie seksuale. Patricët e trembur shkonin deri aty sa ta justifikonin këtë veprim të perandorit. Madje, njeri nga patricët thotë se nuk ka arsye për qarje dhe asgjë nuk e ndalon perandorin të vazhdojë punën. Sherea, që është kundërshtar i perandorit shkon deri aty sa të thotë se për një perandor artist është e pakonceptueshme, por patricët e tjerë nuk guxojnë të mendojnë që ta zëvendësojnë perandorin. Me këtë Kamy do të tregojë se frika është parimi drejtues i tiranive. Përmes frikës, sundimi i tyre bëhet absolut.

Në skenën e pestë, të aktit të parë, na shfaqet Kaligula që bisedon me një nga lakenjtë e tij, Helikonin, i cili e pyet se çfarë dëshironte ai dhe Kaligula i përgjigjet se ai donte hënën, pasi hëna ishte një gjë që ai nuk e kishte. Detaj shumë i bukur që tregon se tiranitë drejtohen nga kapriçot e princit. Kur Kaligula i thotë se mos Helikoni mendon se ai është i marrë, përgjigjja e Helikonit është e jashtëzakonshme: “Ti e di mirë se unë nuk mendoj kurrë”. Në tirani nuk duhet menduar. Të menduarit është diçka e rrezikshme për tiranët. Kjo është arsyeja pse ata e urrejnë filozofinë dhe filozofët. Tirani e zotëron të vërtetën. “Gjithçka rreth meje është gënjeshtërt, I thotë ai Helikonit, dhe unë dua që të jetohet në të vërtetën! Dhe pikërisht, unë kam mjetet për të bërë për të jetuar në të vërtetën. Sepse unë e di se çfarë u mungon atyre, Helikon. Ata janë të privuar nga dija dhe u mungon një profesor që di për ç’ka flet”[1]. Se cila është gjendja që krijon tirani, ne e zbulojmë në fjalët e Kasonias, të dashurës së Kaligulës, kur thotë se “Roma e tërë shikon kudo Kaligulën. Dhe, në fakt, Kaligula nuk shikon gjë tjetër veçse idenë e tij”[2]. Përmes fjalëve të Kasonias, ne shikojmë edhe një fakt tjetër, atë që të dashurat e tiranit nuk kanë ideal tjetër veçse t’i jepen tërësisht tiranit. “Unë, thotë ajo, nuk kam patur kurrë zot tjetër veçse trupin tim dhe se është ky zot që do të doja t’i lutesha sot që më ka dhënë Kajus”[3]. Kajus është emri i Kaligulës.

Me interes është skena që na tregon bisedën e Kaligulës me intendentin, i cili do të diskutojë rreth thesarit publik që, siç i thotë ai Kasonia, problemet e thesarit janë shumë të rëndësishme. Për paranë tiranët nuk ndalen para asnjë skrupulli. Ja çfarë porosie i jep intendentit. “Dëgjo mirë. Së pari: të gjithë patricët, të gjithë personat e perandorisë që zotërojnë ndonjë pasuri – të vogël ose të madhe, është e njëjta gjë – duhet detyrimisht t’i përjashtojnë nga trashëgimia fëmijët e tyre dhe të bëjnë menjëherë testament në favor të shtetit”. Përpjekjes së ndrojtur të intendentit për të ndërhyrë ai i thotë: “Nuk ta kam dhënë ende fjalën, për shkak të nevojave tona, ne do t’i vdesim këta personazhe sipas një liste të hartuar arbitrarisht. Ndërkohë, ne mund ta modifikojmë këtë urdhër, gjithnjë arbitrarisht. Dhe ne do t’i trashëgojmë”[4].  Etja për para nuk i le vend asnjë ndjenje apo vlere, madje as dashurisë. Duke ju përgjigjur Kasonias që i thotë se nuk mund ta mohojë dashurinë ai i përgjigjet: “Dashuria, Kasonia! (E kap nga supet dhe e shkund). Kam mësuar që ajo është asgjë. Diçka tjetër ka arsye: Thesari publik! E dëgjove mirë apo jo? Gjithçka fillon me këtë. Ah, tani po që unë po jetoj më së fundi! Të jetosh, Kasonia, të jetosh, kjo është e kundërta e të dashuruarit. Jam unë që ta them dhe jam unë që të ftoj në një festë të madhe, në një proces të përgjithshëm, në spektaklin më të bukur. Dhe më duhen njerëz, spektatorë, viktima dhe fajtorë”[5]. Se çfarë spektakli do të jetë do ta mësojmë më vonë. Siç i thotë ai Kasonias, ky do të jetë një spektakël që do tu tregojë se i vetmi njeri i lirë në perandori është vetëm ai.

Përderisa i lirë është vetëm tirani, kuptohet se gjithë të tjerët janë subjekte të tij, prandaj ai ka të drejtë t’i poshtërojë e t’i vrasë ata. Se si i ka poshtëruar edhe patricët, këtë e shohim në fillim të aktit e dytë ku një grup patricësh diskutojnë ndërmjet tyre dhe ne zbulojmë se si Kaligula i ka depersonalizuar dhe poshtëruar ata. Njëri thotë se Kaligula “fyen dinjitetin tonë, një tejtër thotë se atë Kaligula e “quante grua”. Se çfarë u ka bërë Kaligula atyre e zbulojmë në këto fjalë të njërit prej patricëve: “Patricius, ai të ka konfiskuar pronat; Shipion, ai të ka vrarë babain; Octavius; ai të ka rrëmbyer gruan dhe tani e ka bërë të punojë në një shtëpi publike; Lapidus, të ka vrarë djalin tënd. Do i suportoni këto? Për mua, zgjedhja është bërë. Ndërmjet rrezikut për të vazhduar këtë jetë të padurueshme në frikë dhe pafuqi, unë nuk mund të hezitoj… Ne jemi me ty, i thotë një kalorës. Ai i ka dhënë popullit vendet tona në cirk dhe na ka shtyrë të luftojmë me plebenj për të na ndëshkuar sa më mirë më pas”[6]. Ata bërtasin ndërmjet tyre se Kaligula është një i poshtër, një cinik dhe një komedian. Në këtë mllef shfaqet zëri i arsyeshëm dhe i guximshëm i Shereas, një nga patricët. Ai thotë se në Romë ka ndodhur që një njeri të zotërojë një pushtet pa limit, por nuk ka ndodhur që ai ta përdorë pa limite, siç bën Kaligula, derisa të mohojë njeriun dhe botën. Më e kaqja për të është se ai ka bërë të humbasë kuptimi i jetës, të zhdukë arsyen e të ekzistuarit, por si mund të jetohet pa arsyen?

Por çfarë ndodh kur shfaqet Kaligula bashkë me Kasonian dhe Helikonin? Njerit i thotë se ka ftuar gruan e tij, një tjetri, me emrin Rufus, i thotë se ai duhet të vdesë dhe, pas një heshtje, u thotë të tjerëve se mos më pyesni pse duhet të vdesë dhe se ata duhet të kuptonin se nuk është e domosdoshme që të kesh bërë diçka që të vdesësh dhe, në fund u drejtohet ushtarëve duke u thënë se ai është i kënaqur me ta. Pasi i fton patricët në tryezë për të ngrënë, ku nuk ngurron që bërthamat e ullinjve dhe mbetjet e mishit t’i hedhë në pjatat e atyre që ka pranë, të kryajë dhëmbët dhe kokën në mënyrë frenetike, befas i drejtohet një patrici, Lepidus, duke i thënë se pse nuk dukej mirë, mos kjo “sepse të kam vrarë djalin?”. “Jo Kajus, përkundrazi”, i përgjigjet ai. Poshtërimi ndaj tij vazhdon kur i kërkon që t’i tregojë ndonjë histori të bukur dhe sapo ai nis t’i tregojë historinë, Kaligula e ndërpret dhe i thotë se ai, Kaligula, do të tregojë një histori dhe ai duhet të qeshë, madje të gjithë duhet të qeshin. “Dua që të gjithë të qeshin. Ti, Lepidus dhe të gjithë të tjerët. Ngrihuni, qeshni. (I bie tryezës). Dua, ju e kuptoni, dua t’ju shikoj të qeshni”. Këto janë pasojat e frikës që ka futur në zemrat e njerëzve tirani. Skena bëhet më poshtëruese kur i drejtohet një patrici tjetër, Mucius, se do ta dëgjojë dhe ai që ia kthen menjëherë se është nën urdhërat e tij. Kaligula i kërkon që ai të flasë për gruan e tij dhe i kërkon që ajo të qëndrojë në të djathtë të tij. Duke i lëpirë si i hutuar supin e majtë gruas së Mucius, Kaligula u thotë patricëve se ata ishin duke komplotuar kundër tij. Kur patrici më i vjetër i flet, pa arritur ta mbarojë fjalinë, Kaligula i thotë se nuk ka rëndësi “bukuroshja ime”. Më pas ai largohet me gruan e Mucius në një dhomë tjetër. Dialogu më pas, në prani të të dashurës së Kaligulës, është i tendosur dhe ka lajka për tiranin si “Kaligula është një psikolog i përsosur”, thotë patrici plak që e quajti “bukuroshja ime”. Një patric tjetër thotë se “Ai na foli me elokuencën e kurajos”, një tjetër thotë se “Ai duhet t’i përmbledhë të gjitha idetë e tij. Kjo do të ishte e paçmueshme”, dhe kjo tiradë lavdesh ndërpritet kur Kasonia u thotë se Kaligula është duke shkruar një traktat të madh. (Kujtoni veprat e tiranëve deri në diktarët totalitarë modernë).

Skena kur rishfaqet Kaligula na zbulon tipre të tjera të tiranit. Ai bën edhe shiun edhe erën. “Nesër do të ketë zi buke”, thotë ai dhe kur intendenti i thotë se populli do të gjëmojë, fjalët e Kalugulës na japin një tipar thelbësor të tiranit. “Unë them se do të ketë zi buke nesër. Të gjithë e njohin zinë e bukës, është një gjëmë. Nesër do të ketë gjëmë… dhe unë do ta ndal gjëmën lur të më pëlqejë… Tek e fundit, unë nuk kam shumë mënyra që t’i provoj popullit se unë jam i lirë. Je gjithmonë i lirë në kurriz të dikujt. Është e mërzitshme, por është normale. (Me bisht të syrit drejt Mucius). Zbatojeni këtë mendim ndaj xhelozisë dhe ju do ta shikoni. (Ëndërrimtar.) Megjithatë, sa e ndyrë është të jesh xheloz! Të vuash nga vaniteti dhe nga imagjinata! Të shikosh gruan tënde… (Mucius shtrëngon duart dhe hap gojën)”[7]. Trillet e tiranit nuk kanë limite.

Ajo që vjen më pas është tmerruese. Ai urdhëron Helikonin të lexojë traktatin e ekzekutimit dhe Kaligula e urdhëron tu lexojë paragrafin e parë të seksionit III. Helikoni lexon: “Ekzekutimi lehtëson dhe çliron. Ai është universal, fortifikues dhe i drejtë në qëllimet e tij. Je fajtor, sepse je shtetas i Kaligulës. Pra, të gjithë njerëzit janë subjekte të të Kaligulës. Pra, të gjithë janë fajtorë. Prej nga del se tërë bota është e fajshme. Është çështje kohe dhe durimi”[8]. Kjo skenë mbyllet me qeshjen e Kaligulës për gjetjen e tij për durimin dhe u thotë dy patricëve, Lepidus dhe Mereas, që të qëndrojnë se do të diskutojë me ta “organizimin e shtëpisë së tij publike”, pasi ajo i shkakton shumë shqetësime. Shikoni shqetësimin e tiranit, ndërkohë që popullin e rrezikon zia e bukës, ai ka si shqetësim shtëpinë e tij publike. Në fund të aktit të dytë, ai i jep të pijë me zorr kupën e helmit Mereas, pse guxoi të revoltohej.

Akti i tretë na shpalos një tipar tjetër të tiranit; ai barazohet me perënditë. Helikoni reciton këto fjalë, ku ndodhen disa patricë dhe poeti i ri Shipion, të cilit Kaligula i ka vrarë të atin. “Edhe njëherë perënditë kanë zbritur në tokë. Kajus, Cezar dhe zoti, i mbiquajtur Kaligula, u ka dhënë atyre formë njerëzore. Afrohuni, të vdekshëm të trashë, mrekullia e shenjtë po realizohet para syve tuaj. Nga një favor i veçantë ndaj mbretërimit të bekuar të Kaligulës, sekretet hyjnore u ofrohen të gjithë syve”[9]. Ndërsa Kasonia u thotë që ta adhurojnë dhe të japin dhuratën e tyre në të holla, pasi misteret qiellore janë hapur për të gjithë. Në këtë skenë të Kamysë mund të përfshihen të gjithë tipet e lakejve nga oborret mbretërore, deri në kabinetet e sotme moderne, madje dhe në demokraci.

Ndërkohë shfaqet Kaligula, i veshur si Venusi dhe Kasonia u lexon patricëve lutjen e shenjtë për Kaligulën-Venus, të cilët si robotë përsërisin fjalët e saj. Nuk ka poshtërim dhe dehumanizim më të madh. Nga kjo lutje e gjatë do veçoja tre momente: “Na mbush ne me dhuratat e tua, përhap në fytyrat tona egërsinë tënde të paanshme, urrejtjen tënde objektive; hap mbi sytë tona duart e tua plot lule dhe të vdekur… Priti fëmijët e tu të shpërndarë. Pranoji ata në strehën e zhveshur të dashurisë tënde indiferente dhe të dhimbshme. Na jep ne pasionet e tua pa objekt, dhimbjet e tua të privuara nga aryeja dhe gëzimet e tua pa të ardhme… Ti, aq bosh dhe aq djegës, jo human, por aq tokësor; na deh me verën e ekuivalencës tënde, na shtrëngo përgjithmonë në zemrën tënde të zezë dhe të kripur”[10]. Gjatë gjithë lutjes Kaligula qëndron i palëvizur, ai ngrihet dhe pranon lutjet e tyre. Shfaqja bëhet më poshtëruese kur patricët, të përkulur para tij, derdhin dhuratat në të holla, por i fundit, duke u dredhur, harron të dorëzojë dhuratën, kur Kaligula që e vë re i thotë (te paratë tiranët nuk falin): “Ej! Djalosh, hajde këtu. Të adhurosh është mirë, por të pasurohesh është akoma më mirë. Kjo kuptohet. Në qoftë se perënditë nuk kanë tjetër pasuri veçse dashurinë e të vdekshmëve, ata do ishin po aq të varfër sa Kaligula i varfër. Dhe tani, zotërinj, ju mund të largoheni dhe të përhapni në qytet mrekullinë që ju asistuat: ju patë Venusin; kjo quhet të parë, me sytë tuaj prej mishi dhe Venusi ju foli. Ikni zotërinj”[11]. Duke dalë, shton Kaligula, merrni majtas, pasi djathtas ndodhen rojet për t’ju vrarë.

Pasi largohen të gjithë, na hapet një skenë absurde, ku ndodhen Kaligula, Shipioni, Helikoni dhe Kasonia. Shipioni që i flet hapur dhe një lloj rrëfimi të vetë Kaligulës. Edhe pse Helikoni e kërcënon me gisht, Shipioni i thotë Kaligulës se ai ka blasfemuar, se ai ka ndyer qiellin, pasi ka përgjakur tokën. Paralajmërimit të Kasonias që i thotë të ketë kujdes se në Romë ka njerëz që vdesin edhe për diskutime më të buta, ai i përgjigjet se ka vendosur t’i thotë të vërtetën Kajusit. Vini re që ai i flet në emër perandorit. Pasi ja përsërit dy herë që ai ka blasfemuar, Kaligula i përgjigjet:

“Jo Shipion, kjo është qartësi. Thjesht kam kuptuar se ka vetëm një mënyrë për t’u barazuar me perënditë: mjafton të jesh po aq mizor sa ata.

Shipioni: Mjafton të bëhesh tiran.

Kaligula: Çfarë është një tiran?

Shipioni: Një shpirt i verbër.

Kaligula: Kjo nuk është e sigurtë Shipion. Por një tiran është një njeri që sakrifikon popullin ndaj ideve ose ambicionit të tij. Unë, unë nuk kam ide dhe nuk kam se ç’të kërkoj nga nderet dhe pushteti. Në qoftë se e ushtroj këtë pushtet, kjo është për kompensim.

Shipion: Ndaj kujt?

Kaligula: Ndaj marrëzisë dhe urrejtjes së perëndive.

Shipioni: Urrejtja nuk kompenson urrejtjen. Pushteti nuk është një zgjidhje. Dhe unë njoh vetëm një mënyrë për të balancuar armiqësinë e botës.

Kaligula: Cila është ajo?

Shipioni: Varfëria”[12].

Dialogu duket më absurd kur Kaligula i thotë se do ta provojë edhe këtë, por kur Shipioni i kujton se shumë njerëz po vdesin rreth tij, Kaligula i përgjigjet se më shumë do të vdisnin po të bënte luftëra pushtuese, ndërsa viktimat nga fantazia dhe kapriçot e tij janë më pak se luftërat pushtuese. Kur Shipioni këmbëngul që ai të përpiqej të kuptonte, Kaligula i thotë se nuk mund të kuptohet fati dhe ai vetë është fati. “Unë kam marrë fytyrën e shtazës dhe të pakuptueshme të perëndive. Pikërisht këtë sapo kuptuan të adhurojnë shokët e tu”. Kur për të tretën herë Shipioni i thotë se kjo është blasfemi, Kaligula i përgjigjet: “Jo Shipion, është art dramatik! Gabimi i të gjithë njerëzve është se nuk besojnë shumë te teatri”[13]. Mos vallë Kamyja me këtë skenë ka dashur të na thotë se dehja nga pushteti është aq e madhe sa tirani barazohet me fatin dhe perënditë? Apo mos vallë se jeta reale është një teatër ku secili luan rolin që i është caktuar nga fati? Se ai është zëdhënësi i perëndive në tokë?

Drama vazhdon me informimin e Kaligulës se rreth tij po thurret një komplot për ta vrarë. Madje shkon dhe një patric tradhëtar, spiun që i vë para planin e komplotit. Kamyja ka kaq tmerr dhe urrejtje ndaj tradhëtarëve dhe spiunëve sa këtë e vë në gojën e Kaligulës: “Atëherë, zhduku bukuroshja ime. Një njeri me nder është një kafshë aq e rrallë në këtë botë, saqë unë nuk do ta suportoja gjatë vështrimin e tij. Duhet të qëndroj vetëm për të shijuar këtë moment të madh”[14].

Rrëfimi i tij vetëm para pasqyrës na shfaq logjikën e vërtetë të tiranit. “Ti vendose të jesh logjik, idiot. Bëhet fjalë vetëm për të ditur deri ku do të shkojë kjo. (Ironik🙂 Në qoftë se do të kishin sjellë hënën, gjithçka do të ndryshohej, apo jo? Ajo që është e pamundur do të bëhej e mundur dhe përnjëherë gjithçka do të transfigurohej. Pse jo, Kaligula? Kush mund ta dijë? (Shikon rreth vetes) Ka gjithnjë e më pak njerëz rreth meje, kjo është kurioze. (Pasqyrës me një zë të shurdhët🙂 Shumë të vdekur, shumë të vdekur, kjo zbraz. Edhe në qoftë se do të më sillnin hënën, unë nuk do të mund të kthehem prapa. Edhe në qoftë se të vdekurit do dridheshin rishtazi nën perkëdheljet e diellit, të vdekurit nuk do të ketheheshin prapë nën tokë. (Me një akcent furioz🙂 Logjika, Kaligula, duhet ndjekur logjika. Pushteti deri në fund, braktisja deri në fund. Jo, nuk ka kthim prapa dhe duhet shkuar deri në konsumim!”[15]. Kjo është logjika e tiranit, pushteti me çdo kusht dhe çdo mjet, qoftë dhe përmes vdekjes.

Përballë tij dhe lakejve e spiunëve që rrethojnë Kaligulën qëndron figura e një patrici kurajoz, Sherea. Kaligula e di se ai është koka e komplotit dhe nuk i dridhet syri para tij kur ai e thërret t’i paraqitet. Sherea i thotë atij se ai është i paaftë, se tek ai s’ka asgjë për tu dashur dhe ai e kupton se pse, sepse nuk mund të dashurohet ai që ka disa fytyra dhe përpiqet të maskohet në vetvete. Kur tirani e pyet se pse e urren, Sherea i thotë se nuk e urren aspak, por e gjykon të dëmshëm dhe mizor, egoist dhe vanitoz. Nuk e urren, sepse nuk beson që ai është i lumtur dhe se, tek e fundit, ai është një i poshtër. Kur e pyet Sherean se pse do ta vrasë, përgjigjja është e jashtazakonshme: “Ta thashë: unë të gjykoj të dëmshëm. Unë kam shijen dhe nevojën e sigurisë. Shumica e njerëzve janë si unë. Ata nuk janë të aftë të jetojnë në një univers ku mendimi më i marrë, brenda sekondit, mund të bëhet realitet – ku, shumicën e kohës, hyn si një thikë në zemër. As unë, nuk dua të jetoj në një univers të tillë. Unë preferoj të mbahem me duart e mia”[16]. Sherea shkon deri atje sa t’i thotë se ai është bërë aq i padurueshëm sa duhet të zhduket, sepse ai do të jetojë dhe të jetë i lumtur. Kur Kaligula i thotë se kështu ai rrezikon jetën, ai i përgjigjet: “Sepse të tjerë do të më zëvendësojnë dhe sepse unë nuk dua të gënjej”. Kjo të kujton fjalët e Sokratit para gjyqtarëve që e dënuan. Në këtë dialog ndërmjet tyre, zbulojmë edhe një tipar tjetër të tiranive; drejtësia dhe gjykata është tirani. Kur ai i tregon provën e komplotit, që ja kanë vënë para lakejtë dhe spiunët, Sherea i thotë: “Nuk besoj se ti ke nevojë për prova për të bërë të vdesi një njeri”.

Sherea qëndron më lart edhe se poeti i ri Shipioni, sepse kur Sherea i kërkon të jetë pjesë e komplotit për të vrarë Kaligulën, ai i përgjigjet se nuk mund të jetë kundër tij, në një kohë që Kaligula i ka vrarë të atin. “Në qoftë se do e vras, i thotë ai Shereas, të paktën zemra ime do ishte me të”. Madje ai shton se diçka brenda tij i ngjan Kaligulës. Ndoshta me këtë Kamy do të tregojë rrenimin shpirtëror të të rinjve që bëjnë despotizmat dhe kjo është e keqja më e madhe për një shoqëri. Me këtë tjetërsim të njeriut dhe poetit, në veçanti, mos vallë Kamy do të fshikullojë atë fenomen të regjimeve totalitare kur babai mohonte djalin, apo kur djali denonconte babain në policingë sekrete? Apo ka dashur të tregojë tjetërsimin e poetit, shkrimtarit në regjimet despotike? Ndoshta të dyja së bashku. Ky tjetërsim e habit edhe vetë Sherean dhe e shikon si një arsye më tepër për ta vrarë Kaligulën. “Jo, Shipion, e mbyll Sherea diskutimin me të, ai të ka dëshpëruar. Dhe të dëshpërosh një shpirt të ri është një krim që i kalon të gjitha ato që ka kryer deri tani. Unë të betohem se kjo do të mjaftonte që unë ta vras atë menjëherë”[17].

Akti i katërt i dramës mund të quhet akti i vdekjes, jo thjesht të Kaligulës, por për kënaqësinë perverse që vdekja e jep atij. Ai pasi i tall patricët, njërit që i thotë me hipokrizi se ai është gati të japë jetën për të, ai e vret atë menjëherë. Këtu shihet qartë se pushteti dhe sidomos në tirani, të jep të tilla privilegje, që mund të krahasohen me vdekjen. Ky pushtet suprem është edhe një largim radikal nga ankthi i vdekjes së tiranit. Ai vret edhe disa poetë të rinj, që gjoja i fton në një konkurs poezie. Kulmi arrin kur vret edhe të dashurën e tij, Kasonian. Dhe Kaligula, duke e mbytur atë, i flet në vesh, ndërkohë që ajo jepte shpirt. “Unë jetoj, unë vras, unë ushtroj pushtetin delirant të pushtuesit, pranë së cilës pushteti i krijuesit duket një majmunëri. Kjo do të thotë të jesh i lumtur. Kjo është lumturia, ky çlirim i pasuportueshëm, kjo përbuzje universale, gjaku, urrejtja rreth meje, ky izolim i pangjashëm i njeriut që e mban tërë jetën e tij nën veshtrimin e tij, gëzimi i pakufishëm i vrasësit të pandëshkuar, kjo logjikë e pamposhtur që thërmon jetët njerëzore (qesh), që të thërmon Kasonia, për të përkryer së fundi vetminë e përjetshme që dëshiroj”[18]. Drama mbyllet me një skenë ku hyjnë komplotistët për ta vrarë dhe Kaligula që thërret: “Historisë, Kaligula, historisë. Unë jam ende i gjallë!”. Mesazhi është i qartë. Kaligulat nuk kanë vdekur, ata ende jetojnë midis nesh dhe vetëm presin rastin të shfaqen. Te çdo qeveritar, brenda tij fshihet një Kaligulë, i cili mund të bëhet tepër i rrezikshëm, nëse gjen rrethana të shfaqet. Ja pse Kaligula i Kamysë, mbetet aktual, sidomos në periudhat e krizave që kalojnë shoqëritë.

Natyrshëm, dikush mund të shtrojë pyetjen se vërtet kaq mizor dhe pervers ishte Kaligula sa na e paraqet Kamyja? Apo drama është fryt i fantazisë së shkrimtarit? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve le të shikojmë Kaligulën historik, siç e kam gjetur në veprën e historianit romak, Suetone, “Jeta e dymbëdhjetë Qezarëve”[19]. Pasi na tregon jetën dhe ngritjen në pushtet dhe si fitoi simpatinë e popullit, për shkak të fatit tragjik të persekutimit të fmiljes së tij nga Augusti dhe nga disa reforma që bëri dhe “gjeste të pëlqyeshme për popullin”, ndërmjet të cilave ishin edhe përpjekjet e tij për t’i dhënë popullit të drejtën e votës, Suetone e mbull këtë pjesë të veprës me fjalët se, “pasi folëm për një princ, tani le të flasim për një monster”.

Suetone na thotë se Kaligula, i pakënaqur nga shumë cilësime për të si, “I përshpirtshmi”, “bir i fushës së betejave” (pasi kishte lindur në një kamp ushtarak), “ati i ushtrive”, “më i miri dhe më i madhi i Qezarëve”, kur disa mbretër që kishin ardhur për ta nderuar dhe filluan të diskutonin në tryezë mbi origjinën fisnike të tyre, ai bërtiti duke recituar këtë varg të Homerit “Nuk keni veçse një shef, vetëm një mbret”. Më pas ai dërgoi njerëz të kërkonin në Greqi statujat e perëndive më të adhuruara dhe më të bukura, ndërmjet të cilave dhe Jupiter Olimpikun, vepër e Fidias, për t’i zëvendësuar kokat e tyre me kokën e tij. I ngriti vetes një tempull special si hyjni, ku vendosi dhe priftërinj dhe ndonjë victimë. Në tempull vendosi një statujë prej ari për veten e tij.

Ai nuk lejonte jo vetëm të thoshnin, por të besonin se Agripa ishte gjyshi i tij, për shkak të origjinës së tij jo fisnike (Agripa ishte babai i Agripinës, gruaja e Gjermanikus dhe ky i fundit babai i Kaligulës). Ai shpalli se nëna e tij ishte frut i një inçesti të Augustit me vajzën e tij, Xhulia. Vrau gjyshen e tij, vrau një kushëri të tij, Tiberin, e detyroi vjehrrin, Silanus, të vriste veten me brisk rroje, ndërsa xhaxhain, Klaudin, e kurseu për tu talluer me të.

Ai kishte marrëdhënie inçestuoze me të gjitha motrat, dhe kryente marrëdhënie para të gjithëve, në tryezë, ndërkohë që gruaja e tij qëndronte në këmbë. Përsa i takon Drusilës, ai ja mori konsullit Lucius Cassius Langinus, që ishte martuar me të, dhe e trajtonte publikisht si gruan e tij legjitime. Kur ajo vdiq, Kaligula nga hidhërimi u largua nga Roma për në Sirakuzë. Ai martohej dhe ndahej si i donte qejfi. Për shembull, kur dëgjoi se gruaja e një konsulli ishte shumë e bukur, e sollën nga provinca, u martua me të, pastaj e ndau dhe e ndaloi që të mos kishte marrëdhënie me asnjë person. Përsa i takon Kasonias, ajo nuk kishte ndonjë bukuri të veçantë, nuk ishte as e re (kishte qenë e martuar dhe kishte tre vajza), por ajo ishte e dhënë pas argëtimeve dhe veseve. Ai e mbante pranë vetes, të veshur me armature, kur parakalonte trupat, dhe lakuriq para miqve.

Suetone na thotë se ai ftonte për darkë gra të bukura, me burrat e tyre dh endërkohë që ato parakalonin para tij, ai i shikonte si tregëtar skllevërish pasi zgjidhte ndonjë, ai largohej nga salla e ngrënies kur i tekej, duke marrë të preferuarën e vet dhe, kur kthehej në tryezë, ai lëvdonte ose kritikonte hapur, pikë për pikë, atë që kish gjetur të këndshme ose difektoze në personin që kishte kryer marrëdhënie. Ndonjë burrë detyrohej të nënshkruante menjëherë divorcin dhe urdhëronte që kjo të përmendej në aktet zyrtare.

Ai ishte mizor edhe kundrejt senatorëve. Disa, që kishin ushtruar edhe detyra të larta në magjistraturë, i detyronte të vraponin pranë karros së tij të veshur me togën e senatorit, ose të qëndronin në këmbë kur hante darkë, disa ekzekutoheshin fshehtas dhe vazhdonte të përmendte emrat e tyre sikur ata vazhdonin të jetonin dhe pas disa ditësh thoshte se ata kishin vrarë veten. Konsujt që harronin të publikonin shpallje për përvjetorin e lindjes, i shkarkonte nga detyra dhe ndodhi që shteti, për tre ditë mbeti pa magjistraturë të lartë. Ndërmjet shumë bëmave të tij perverse, Suetoni na thotë se ai mbylli depot e grurit dhe shpalli zinë e bukës.

Mizoria e tij nuk njihte kufij. Kështu, meqë blerja e kafshëve si ushqim për kafshët e egra që mbaheshin për shfaqje ishte i kushtueshëm, ai urdhëroi të përdoreshin të dënuarit si ushqim dhe i vizitonte vetë burgjet duke zgjedhur të burgosurit që ua hidhnin kafshëve. Shumë njerëz të nderuar, i damkoste me hekur të skuqur, pastaj i shpinte në miniera, ose ua hidhte kafshëve, ose i detyronte të qëndronin si kafshë në një kafaz dhe këtë e bënte jo për ndonjë motiv të fortë, por pse kishin kritikuar një nga spektaklet e tij, ose nuk kishin vënë bast për gjeninë e tij. I detyronte baballarët të shikonin ekzekutimin e fëmijve të tyre dhe mbas kthimit nga ekzetkutimi i detyronte në tryezën e tij që ta bënin të qeshte. Një stallier, vetëm pse kishte bërë një shaka me kuptim të dyfishtë, e dogji në amfiteatër në mes të skenës. Një kalorësi që po ua hidhnin kafshëve, vetëm pse bërtiti për pafajësinë e tij, i preu gjuhën dhe e dërgoi përsëri te vuajtjet. Dyshues se ata që kishte internuar dëshironin vdekjen e tij dërgoi njerëz në ishujt ku ndodheshin dhe i theri të gjithë. Ai kërkonte që dikush që ndëshkohej, të gotitej ndadalë dhe vazhdimisht dhe rekomndonte: “Goditeni në mënyrë të tillë që ta ndjejë se po vdes”.

Ai qahej se në kohën e tij nuk po ndodhte ndonjë katastrofë publike, ndërkohë që gjatë Augusttit ndodhi shkatërrimi i Varusit, gjatë Tiberit, rënia e amfiteatrit të Fidenes, ndërsa koha e tij rrezikohej nga harresa nga fakti i prosperitetit që ai kishte krijuar. Ai dëshironte të kishte ndonjë masakër të ushtrisë, ndonjë zi buke, ndonjë murtajë, zjarr ose ndonjë kataklizmë çfardo. Edhe në kohën e pushimit, gjatë ndonjë feste, mizoria shfaqej te fjalët dhe aktet. Shpesh, gjatë drekës ose orgjive, procedohej ndonjë hetim serioz dhe një ushtar i priste kokën ndonjë të burgosuri të zgjedhur rastësisht. Ngandonjëherë, ai përkulte qafën e gruas ose të ndonjë dashnoreje dhe thoshte: “Kjo kokë e këndshme do të bjerë, sapo unë do ta urdhëroj”. Madje shpesh thoshte se do të shkonte deri te tortura për të mësuar nga e dashura Kasonia, pse ai e donte kaq shumë. Ai jo vetëm që urdhëroi të shkatërroheshin statujat e personazheve të shquar që kishte ngritur Augusti, por ai mendoi të shkatërronte edhe poemat e Homerit: “Përse nuk kam të drejtë, thoshte ai, të bëj si Platoni, që i dëboi nga republika?”. Madje urdhëroi të hiqeshin nga bibliotekat shkrimet dhe portretet e Virgjilit the të Tit-Livit sepse, i pari nuk kishte gjeni dhe tjetri se ishte historian verbal dhe jo i saktë. Edhe shkenca ishte e padobishme dhe ai do të bënte që asnjë përgjigje shkencore të mos kalonte jashtë tij.

Për të treguar etjen për pasuri, Suetone tregon se kur i lindi një vajzë, ai filloi të qahej se ishte i varfër dhe se tani i duhej të tregohej edhe baba i mirë. Kështu, një turmë e madhe personash të çdo klase u vunë në rradhë për t’i dhënë dhurata të shtrenjta. Së fundi, i mbërthyer nga dëshira për të qenë në kontakt me floririn, shpesh shëtiste zbathur mbi monedha të arta në një lokal të madh dhe rrokullisej mbi to për një kohë të gjatë.

Suetones nuk i ka shpëtuar as veshja e Kaligulës. Ja si e përshkruan veshjen e tij: “Veshjet e tij, këpucët, veshja e tij në përgjithësi, nuk qenë kurrë të denja për një romak, as për një qytetar, as madje për seksin e tij, madje as për një qenie njerëzore. Shpesh, në publik, ai shfaqej me pallto të stolisur, të mbuluar me gurë të çmueshëm, një tunikë me bishta dhe byzylykë; ngandonjëherë vishej në mëndafsh, me një rrobë të stolisur në ar; mbante në këmbë herë sandale herë kotakë, herë këpucë me qafa për vrap, ose këpucë të qëndisur grash, shumë shpesh shfaqej me mjekërr të stolisur me ar, duke mbajtur në dorë atributet e perëndive, vetëtimën, shtizën me tre shigjeta ose kaduce (atribut i Mërkurit, Gj.S.) dhe madje kostum si Venusi. Përsa u takon shenjave të triumfit, i mbante vazhdimisht edhe para ekspeditave, shpesh me mburojën e Aleksandrit të madh, që e kishte marrë nga varri i tij”. Kaligula, e mbyll historinë për të Suetone, jetoi 29 vjet dhe qe perandor për tre vjetë, dhjetë muaj dhe 8 ditë. Dhe ishte Cassius Cherea, tribun i gardës pretoriane që e vrau. Atë ditë që u vra të njejtin fat pësoi dhe Kasonia, që u ça nga shpata e një çenturioni dhe vajza e saj u përplas në mur. Aq të tmerruar qenë njerëzit të shpallnin vdekjen e tij, sepse dyshonin se mos ishte lojë e Kaligulës për të zbuluar se çfarë ndjenjash frymëzonte ai.

Si përfundim, shihet se drama nuk është fantazi shkrimtari. Unë zgjodha nga Suetone disa bëma që përputhen me dramën e Kamysë, por të ndaleshim më gjatë te personi historik i Kaligulës, kjo do të kërkonte një punim të veçantë. Mbyllja e dramës me fjalët e Kaligulës se “Unë jam ende i gjallë!”, tregon se tirania rrezikon të rishfaqet, sidomos në kohë krizash. Prandaj, në veprën “Njeriu i revoltuar”, botuar më 1951, ai e bëri revoltën imperativ ekzistencial, duke e zëvendësuar formulën e Dekartit “Unë mendoj, prandaj unë jam” me formulën “Unë revoltohem, prandaj ne jemi”.

[1] Albert Camus, Caligula, Gallimard, Paris, 1947, f. 111.

[2] Po ty, f. 113.

[3] Po aty, f. 115.

[4] Po aty, f. 117.

[5] Po aty, f. 124.

[6] Po aty, f. 128.

[7] Po aty, f. 142.

[8] Po aty, f. 143.

[9] Po aty, f. 159.

[10] Po aty, f. 162.

[11] Po aty, f. 163.

[12] Po aty, f. 166.

[13] Po aty, f. 168.

[14] Po aty, f. 175.

[15] Po aty, f. 175-176.

[16] Po aty, f. 178.

[17] Po aty, f. 185.

[18] Po aty, f. 209.

[19] Të dhënat mbi Kaligulën historik janë shkëputur nga vepra; SUETONE, “Vies des douze Césars”, Livre do poshe, 1961, ff. 233 – 284. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back