Kryesore

Kalendari i konkursit – Çmimi “Kadare” 2021

               Publikuar në : 11:56 - 11/01/21 liberale

Aplikimet do të jenë të hapura deri më 12 shkurt 2021 dhe autorët shqiptarë që dëshirojnë të jenë pjesë e tij, duhet të dorëzojnë në adresën e email-it: [email protected] një sinops (jo më shumë se dy faqe) mbi veprën e shkruar, bashkangjitur me 15 faqet e para të dorëshkrimit.

Nga sinopset dhe dorëshkrimet e mbërritura pranë jurisë, kjo e fundit pas shqyrtimit me kujdes të secilës prej tyre, do të zgjedhë vetëm 10 për të qenë pjesë e garës së Çmimit “Kadare”.

10 autorët e përzgjedhur për të vazhduar garën do të shpallen në 19 shkurt dhe duhet të dorëzojnë dorëshkrimet e plota të veprës së tyre, pranë adresës së bërë publike nga juria brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të tyre si fitues.

Në 26 shkurt 2021, juria do të shpallë 5 emrat finalistë në fazën e dytë të konkurimit, të cilët do të vijojnë garën për çmimin e madh.

Fituesi i Çmimit “Kadare” 2021 do të shpallet më 28 shkurt, ora 12.00 gjatë aktivitetit Anuarët e Filozofisë, duke përzgjedhur kështu autorin shqiptar fitues në gjininë e prozës, në edicionin e gjashtë të këtij konkursi.

E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës “Leteratura”. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve në Llogara, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.

Autori, fitues, sipas Statutit të këtij Çmimi, do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back