Aktualitet

Kakavija, vulgariteti, politika dhe mbijetesa jonë

Shkruar nga Liberale
Kakavija, vulgariteti, politika dhe mbijetesa jonë

Nga Ben Andoni

Apelet e njerëzve t’kapur papandehur në kufirin shqiptaro-grek mbeten trishtuese në të gjitha orët e fundit. Jo sepse koha është normale, por sepse kurdo do gjendet diçka që t’ua bëjë jetën e vështirë shqiptarëve. Pa marrë parasysh këtu edhe konfuzionin tonë kombëtar. Dhe, shfryrja e tyre, përgjatë këtyre ditëve, ka qenë disi anormale: Ofendime, krahasime sfiduese, vulgaritete të çdo lloji dhe apele. A është përgjegjës shteti ynë për ne?! Por, ndërsa njerëzve u falet me atë tragjedi që po përjetojnë është e paimagjinueshëm cinizmi i zyrtarëve, përfitimi pa skrupuj i opozitës dhe mungesa totale e përshtatjes ose më saktë paraprirjes së situatave të tilla. Dhe, kjo nuk ndodh sot, por prej vitesh nga zyrtarët shqiptarë që kritikojnë (lexo-ofendojnë) paraardhësit e kështu me radhë me lloj-lloj epitetesh. Dhe, njerëzit janë sfond i të gjithës e pré e këtij konfuzioni e banaliteti pafund. Në këto momente shpërndahet vetëm tragjedia e këtyre qytetarëve, papërshtatja me rregullat dhe vulgariteti i shumë kinseve. Më së shumti të politikës.

Po, a ia del dot njeri të numërojë epitetet, metaforat dhe figurat e tjera përdorur në kuptimin fyes nga ish-kryeministri Berisha? Po kinse lojërat e fjalëve të kryeministrit Rama dhe fyerjet e gjithë shpurës së tij, që i përgjigjen opozitës? Po përdorimin vulgar të shumë simbolikave që kulmuan me krahasimin e tij me Skënderbeun dhe “Legjionin e Nderit”. Po shumë fjalë, të kinse veprimtarëve civilë dhe të tjerëve që kërcënojnë dhe ofendojnë me fjalorin e tmerrshëm vulgar përcjellë te një turmë e etur për të keqen. Oh sa e gjatë është lista?! Po aq sa e njerëzve të kufirit, që sot do të largohen me listë...

Njësoj si shqiptarët e kufirit, nuk ka ditë që njeriu ynë i thjeshtë të mos përballet me fyerjen dhe vulgaritetin e politikës, administratës memece dhe segmenteve të shoqërisë dhe kulturës, si edhe çdo subjekti që shërben si medium shërbimi. Në fakt, vulgariteti e përmban normalisht dhe mallkimin e fyerjen. Vulgariteti, në kuptimin e fjalës vulgare, i referohet gjuhës e cila është ofenduese ose e turpshme. Në fakt ka një dallim të vulgares së përdorur në publik dhe asaj me përdorimin e fjalëve specifike, që në letërsi përdoren rëndom për të përforcuar idenë e autorit apo për t’i dhënë vërtetësi një subjekti të caktuar. Të atyre natyrave, ku Nabukov e përdori me kujdes te “Lolita”, kurse Charles Bukowski e lëshoi pa kujdes te “Femrat” për një fashë shoqërore të kohës sonë, duke ardhur te shfrimet paskrupuj të Elfriede Jelinek.

Sërish edhe kjo do t’i shërbente një shoqërie normale, kurse kjo jona e sotme është e mbytur me vulgun që shprehet ngado. Duket se vulgarja është bërë mjeti më i duhur jo thjesht për të mposhtur kundërshtarin; për të bërë diferencën, por edhe për të mbledhur klikimet aq të domosdoshme për mbijetesën e televizioneve apo mënyrën sesi konceptohet funksionimi i medias së sotme dhe mbi të gjitha sesi mund të bësh vend në shoqëri. Dhe, hedonizmi i shfrenuar shoqëror, i shprehur jo pak herë përmes vulgut, është ajo që e ushqen për çdo ditë këtë mjedis. Ndaj, nuk ka më profesorë të përkorë apo dijetarë apo specialistë që kumtojnë ose u referohemi (përveç rasteve të katastrofave), veçse më së shumti njerëz dhe personazhe që përdorin fjalë të drejtpërdrejta banale dhe kinse lakuriqësi fizike e rregulluar me photoshop dhe mendore plot trike citatesh boshe. Mënyra sesi banalizohet dhe ideali më i rrallë, veprimtaria njerëzore dhe si thjeshtohet përpjekja e bën gjithçka të duket e turpshme.

Por sërish, një nga burimet kryesor është vetë politika jonë. Më të rralla, por gjithsesi të pranishme në formën e humorit, fjalët e kryeministrit Rama që e bëjnë gjithçka qesharake kur flitet për kundërshtarët, që arrin t’i denigrojë deri në qelizë. Me miksimin e fjalëve, metaforave dhe batutave të tabanit popullor me ato të standardit, ai bën që gjithçka të duket e ulët përballë tij. Me talljen e grimasave, njëherë arriti deri duke vënë në lojë një cen fizik shprehje të një deputeti të opozitës, ai kaloi cakun, ashtu si ish-kryeministri Berisha, tashmë drejt moshës së tretë, teksa përdor një gjuhë që nuk është e lejueshme qoftë edhe në individët më problematikë. Dhe, fatkeqësia nuk mbaron këtu, por mënyra sesi ushqen me vulg media vizive dhe përhapja e frikshme me rrjetet sociale është tragjike. Zbignjev Brzhinski e vërejti rolin negativ të vlerave amerikane prej televizionit të sotëm të vendit të tij me një esse të gjatë, ku do rrëfente edhe problemet më të mëdha të shoqërisë së vet. “Ky mjet tashmë është bërë mbizotërues në përftimin e kulturës kombëtare dhe të besimeve të saj themelore. Ashtu si vëren James B.Ticell në veprën e tij të goditur “Kultura e karnevaleve –prishja e shijeve në Amerikë 1992”, TV-ja amerikane është bërë ‘një mjet, prodhimi i të cilit ka hyrë kaq thellë dhe është bërë kaq vendosmërisht banal saqë pothuaj i vetëm e ka futur vulgaritetin në kulturën modern duke e bërë normë, Si rezultat kemi një kulturë masive të në lëvizje nga spekulantët që shfrytëzojnë urinë për vulgaritet, pornografi dhe biles për barbarizëm. Një mbisundim i tillë i dekadencës dhe hedonizmit në një kulturë s’bën gjë tjetër veçse krijon efekte çmoralizuese në vlerat e shoqërisë, duke shkallmuar dhe gërryer edhe njëherë besimet e ndjera thellë”.

E kësaj kohe është një analizë e “The Economist” të 28 Mars 1992, ku në programet për adoleshentë më të shikuarat në Tv amerikane në rastin më të mirë prindërit e tyre paraqiteshin si “emocionalisht të paqëndrueshëm, të divorcuar, kriminelë jakë-bardhë, të dhënë pas alkoolit, kokainës ose të Kristalit të Epokës së Re (lloj droge)” (cituar prej tij)

Po pse i jemi lëshuar dhe në këto ditë të vështira vulgaritetit? Pse e urrejmë sakrificën etj? Pse e tallim pamundësinë e njerëzve tanë, dhe madje varfërinë apo në rastin më të zakonshëm e shfrytëzojmë atë. Çfarë mund ta ruajë shoqërinë tonë dhe si mund të rikthejmë si duhet vlerat. Shkolla, shoqëria dhe drejtimi që po i sjellim shoqërisë i mungon gati çdo gjë. Reformat që morëm dhanë aq pak ndryshim për të mos thënë na kthyen pas. Të vetmet përpjekje janë ato që shoqëria bën duke mundur të shfrytëzojë vulgaren, në emër të pozitivitetit, që megjithatë mbetet shumë i përfolur. Pasi vija që e ndan vulgaren me normalen, sot, është fare e ngushtë. Dhe, këtu futet kritika: a mundet vulgarja që të kthehet në diçka pozitive?! Në ndonjë shfaqje arti po, por aspak në jetën e përditshme tek ne, ku vulgu i politikanëve dhe i lloj-lloj kinseve ka mbytur gjithçka të mundur. Këtë vulg përballnin njerëzit e sakrifikuar në Kakavijë e Kapshticë, ata që kanë mbetur pa punë dhe të tjerë e të tjerë, përveç vajzave që zhvishen vend e pa vend duke na treguar hire fotoshopi. Por edhe për to e ka një përgjigje: “Unë e dua luksin. Dhe luksi nuk qëndron te pasuria dhe zbukurimi, por në mungesë të vulgaritetit. Vulgariteti është fjala më e shëmtuar në gjuhën tonë. Unë dua të qëndroj në pjacë thjesht për ta luftuar atë", thoshte dikur Coco Chanel. Por medet, ne e kemi humbur luftën me të, sepse ne gjykojmë sot, vetëm duke folur me vulgaritetin. Ne jemi në lojën e vulgaritetit. (Homos Albanicus)

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH