Aktualitet

Kadilli apel demokratëve: Bëhuni kryetarë duke më votuar mua

Shkruar nga Liberale
Kadilli apel demokratëve: Bëhuni kryetarë duke më votuar mua

Një ditë pas zyrtarizimit të datës për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, kandidati i vetëshpallur për kryetar i kësaj partie Fatbardh Kadilli, ftoi anëtarët demokratë që të votojnë për të ndryshuar politikën në PD dhe për t’i dhënë vlerë votës. Në studion e “Ditari” në A2 CNN, Kadilli tha se Basha ka instrumentin e pushtetit në garë, kurse ai të moralit.

“Kemi një asimetri në garë. Një kryetar që zotëron partinë prej 8 vitesh, që ngriti një aparat të madh për t’u matur me pushtetin nuk fitoi por nuk doli edhe aq keq dhe ky aparat do përdoret kundër meje dhe çdo kundërshtari. Apo ka një asimetri tjetër që është e moralit, nëse është superior në instrumentin e pushtetit, morali është me mua dhe me PD e re, të pastër, të hapur dhe fituese dhe ky vjen nga ky projekt i ri që nuk bën pis, por pastrohet. Duhet të ndryshojmë vetveten që populli të na zgjedhë ne. Përpjekje për të ndryshuar politikën në PD”.

Ai thotë se nuk bën kalkulime por u bën thirrje anëtarëve dhe votuesve që të votojnë atë për të bërë një opozitë të re që jep shpresë.

“Unë i bëj propozim anëtarit të thjeshtë, bëhu kryetar, duke votuar Fatbardh Kadillin, kjo është e vërteta ime. Anëtari i thjeshtë vuan, nuk ka shpresë sa kohë që nuk i japim një propozim politik. Për ta bërë shumicën dërrmuese të shqiptarëve”.

I pyetur nëse do të njohë rezultatin pas zgjedhjeve të 13 qershorit në PD, Kadilli u shpreh: “Unë nuk jam Basha, por Kadilli kurajoz, qëndrestar, mbijetues në politikë nuk fshihem ndaj hileve të kundërshtarit. Nuk fshihem dua ta shoh Bashën me të gjitha defektet me mungesën e transparencës dhe paaftësinë e marrjes së vendimeve”.

Duke qenë se statuti i Partisë Demokratike nuk parashikon dorëheqjen e kryetarit në rats humbje, Kadilli tha se Basha e kishte detyrim moral, pas dy humbjeve radhazi. Ai thotë se e ka paralajmëruar kryedemokratin në rast humbjeje në zgjedhje me fjalët "fito dhe je i larë, po humbe më kë përballë”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH