Analizë

JUS PHILOSOPHIA nga Marsid Gupi: Turma dhe drejtësia e 3 marsit

Shkruar nga Liberale
JUS PHILOSOPHIA nga Marsid Gupi: Turma dhe drejtësia e 3 marsit

Marsid Gupi

Zgjedhjet vendore të 14 majit janë cenuar në ushtrimin e vullnetit nga qytetarët, sepse një nga dy partitë politike kryesore në Republikën e Shqipërisë, konkretisht Partia Demokratike, ka dy grupime kundërshtare të cilat kanë kandidatët e tyre dhe secila pretendon që është Partia Demokratike legjitime.

Pyetja që krijohet është se, kush do jetë personi, që në zbatim të ligjit dhe konform kërkesave të tij, do të ketë marrëdhënie juridike me komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të dërgojë letrat e Partisë Demokratike për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është shprehur se do regjistrojë vetëm një Parti Demokratike dhe për të bërë këtë veprim juridik do jetë në pritje të vendimit të Gjykatës të Apelit. Seanca e radhës për këtë çështje është data 3 mars. Në po këtë datë, njëri nga grupimet, i cili është dhe subjekt i këtyre problemeve juridike ka njoftuar se do të zhvillojë një protestë publike.

Ky grupim është komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, i cili njeh si kryetar të tij zotin Sali Berisha. Ky grupim e ka mbështetur fuqinë e tij tek ideja e turmës. Pra, fondamenti i tyre që prodhon vullnet politik, drejtësi, marrje selie, madje dhe legjitimitet qenka turma. Turma është fenomen populist, i cili në mentalitetin rural shërben si mjet force për të ushtruar presion mbi sistemin ligjor.

Turma dhe drejtësia janë dy koncepte që nuk bashkëveprojnë dot, sepse turma është fenomen i krijuar nga eksperienca pseudo-empirike të simpatizantëve ndërsa drejtësia është fenomen i prodhuar nga racionaliteti, pra është eksperiencë empiriko-racionale. Madje, edhe në religjion turma dhe drejtësia nuk qëndruan dot bashkë sepse turma zgjodhi Bajrabën dhe vendosi të dënohej Jezu-Krishti.

Vendimi i gjykatës së shkallës së parë, i cili është ankimuar dhe po shqyrtohet në Apel, ka njohur si PD zyrtare këtë grupim. Por ligji shprehet se, kur një vendim gjyqësor i shkallës së parë është ankimuar brenda afatit ligjor nga shpallja e tij, vendimi nuk merr formë të prerë, pra për pasojë nuk prodhon asnjë pasojë juridike. Ky ankimim ka bërë që në bazë të karakterit formal të ligjit, të njihet si PD zyrtare, grupimi tjetër i kësaj partie me kryetar të komanduar Z. Enkelejd Alibeaj.

Në fakt, këtu ka një problem tjetër juridik sepse Z. Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje vetëm duke u shprehur publikisht, por nuk ka depozituar një dokument juridik, në të cilin të ketë shprehur dorëheqjen e tij sipas formës së kërkuar nga ligji. Prandaj edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sipas karakterit formal të ligjit, njihet si Parti Demokratike legjitime, Partia Demokratike me kryetar Z.Lulzim Basha.

Gjykata e Apelit, sipas kompetencave ligjore në vendimin e saj, mund të lejë në fuqi vendimin e gjykatës se shkallës së parë, mund ta ndryshojë atë ose mund ta kthejë përsëri çështjen për rigjykim. Sipas njërit prej filozofëve më të mëdhenj të së drejtës, Herbert Hart, në librin e tij , Koncepti i së drejtës, ai ngrinte pyetjen: Gjykatësi krijon ligj, në bazë të vendimit, apo zbaton ligj në raport me një rregull ligjor? Në rast se krijon ligj ai shprehej se rregulli ligjor që merret si bazë ligjore në fakt është burim dytësor.

Duke vendosur teorinë e tij në rastin konkret, nëse gjykatësi do zbatojë karakterin fomral të ligjit, duke e marrë atë si burim primar, do legjitimohet si grupim, ai me z. Enkelejd Alibeaj pra konkretisht me kryetar Z. Lulzim Basha. Por, në rast të pohimit të tij se gjykatësi krijon ligj, dhe rregulli është burim sekondar, atëherë do legjitimohet grupi tjetër me kryetar Z. Sali Berisha sepse legjitimiteti i tij qëndron tek vullneti politik sipas të cilit ai ka shumicën e anëtarëve të Partisë Demokratike. Por, pyetja reale është kush është i drejtë: Vullneti i shumicës pa respektuar rregullat ligjore, apo vetë rregulli ligjor, i cili imponon veprimet?! Përgjigja nga secili prej grupimet është në veprimet faktike që po ekzekuton, njëri imponohet nëpërmjet turmës për t’i dëshmuar gjykatës dhe faktorit ndërkombëtar fuqinë politike në raport me palën tjetër, ndërsa grupimi tjetër pret vendimin e gjykatës, për t’i dëshmuar turmës se ata kanë të drejtën për të përfaqësuar këta njerëz, të cilën po keqpërdoren nga grupimi tjetër për interesa personale./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH