Aktualitet

Joshja e pafytyrë dhe (prestigji) i tiranëve

Shkruar nga Liberale
Joshja e pafytyrë dhe (prestigji) i tiranëve

Nga Angelo Panebianco

Në fjalën e tij në tubimin demokratik Joe Biden tha se nëse do të zgjidhet, nuk do të ketë më përkëdheli për diktatorët e as nuk do t’u lejohet atyre të ndërhyjnë në fushatat zgjedhore amerikane. Në premtimin e Biden-it, Shtetet e Bashkuara do të rikthehen në vendosjen e dallimit të plotë mes demokracive e diktaturave. Mbas trumbës Trump dhe pështjellimeve që ai ka shkaktuar në politikën e jashtëme amerikane, një Administratë e mundëshme Biden do të thonte në shumë drejtime, edhe duke mbajtur parasysh rrethanat e ndryshuara, një kthim në të vjetrën. Cilatdo të jenë  lëshimet që Biden-i mund t’i bëjë së majtës së Partisë Demokratike në disa zgjedhje të politikës së mbrëndëshme, lëndë taksore e welfare, politika e tij e jashtëme premton rivendosjen e lidhjeve (pothuajse të këputura nga Trump-i) me aleatët e vjetër evropianë e aziatikë dhe kundërshtinë ndaj orekseve rish imperialiste të Rusisë e të Kinës, fuqi që në këto vite kanë pasur në fusha të ndryshme shumë dobi.

Nëse Biden-i do të zgjidhet do të jetë me interes për të vërejtur pasojat mbi qëndrimet e disa pjesëve të opinionit publik evropian: a do  të pësojnë ende ato pjesë joshjen e fuqive autoritare, siç ka ndodhur në vitet e fundit? Humbja e prestigjit të Shteteve të Bashkuara në botë, edhe n’Evropë, në përputhje me përceptimin e një fuqie të pakësuar të tyre, filloi të shënohet nga hulumtimet e opinionit publik që nga vitet 2012 – 2013.

Veçanërisht në vitet e fundit, është shtuar mjaft në vende të ndryshme evropiane prestigji i fuqive autoritare. Kanë ndihmuar në këtë përfundim kombëtarizmi i Trump-it, sukseset ekonomike kineze dhe aftësia e provuar e Rusisë për të shfrytëzuar mundësitë që jep shoqëria e hapur perëndimore për të përpunuar opinionet.

Në dukje ai prestigj nuk ka arsye të jetë. Të marrim rastin e Aleksej Navalnit, kundërshtari i presidentit Putin. U vërtetua dyshimi që kishin të gjithë menjëherë. Në demokracitë, ku Opozita jo vetëm është e ligjshme, por edhe e mbrojtur, nëse një drejtues i saj është i sëmurë, askush nuk mendon se mund të jetë helmuar nga qeveria. Ose të marrim egërsinë e qëndrimit kinez në Hong Kong. Cili, në Perëndim do të donte të provonte në kurrizin e tij ashpërsinë e sundimit kinez? Nga vijnë pra disa rryma tërheqjeje? Shpjegimi i parë, më i zakonshmi, është ai se rrjedhin nga armiqësia që perëndimorë të ndryshëm ushqejnë kundrejt shoqërisë në të cilën jetojnë e në rradhë të parë kundrejt parimeve bazë të saj: shemëria e rregulluar me ligje në fushën politike (demokracia përfaqësuese) e në fushën ekonomike (tregu). Është ai parim që i lidh qeveritë, që i detyron të respektojnë liritë e të drejtat e qytetarisë. Aty ku ai parim nuk është në fuqi nuk ka (në fakt) të drejta të qytetarisë, nuk ka asgjë që mund t’i mbajë në fre qeveritë, ato janë të lira të ushtrojnë shtrëngimin kundrejt kujtdo. Por ka edhe një tjetër arsye që ndoshta ndihmon në të shpjeguarit e një rryme simpatie që përndryshe do t’ishte e pakuptueshme. Është fakti se me përjashtim të krizave të mprehta (shtypja në Hong Kong apo në Bjellorusi), regjimet despotike shpërndajnë rreth tyre një përfytyresë fortësie e qëndrueshmërie, japin përshtypjen e rreme se kanë shumë më tepër miratim të brendshëm se sa i vërteti. Në rrethana të zakonshme regjimet despotike mund t’i lejojnë vetes të ushtrojnë dhunën me një farë kursimi (vrasja e një kundërshtari këtu, arrestimi i një grupi manifestuesish atje). Mbasi të jenë përjashtuar – nga gazetat, universitetet etj – ose të jenë arrestuar të gjithë ata që bien erë kundërshti apo kryengritje ndaj regjimit, është zakonisht i mjaftueshëm kërcënimi për t’ushtruar dhunë për t’i mbajtur urtë nënshtetasit. Por deri sa regjimi qëndron, ata miratime vazhdojnë të mbivlerësohen nga vëzhguesit e jashtëm për shkak të të qenit të një sistemi frikësimi, të një kërcënimi të përhershëm e të heshtur, të vajosur mirë e funksionues.

Duhet mbajtur parasysh se tërheqja drejt despotizmit, në Perëndim, mund të jetë njëlloj një dukuri e “së majtës” apo e “së djathtës”. Veç asaj nuk varet nga niveli i arsimimit apo njohurive. Despotizmi mund të tërheqë njeriun e mprehtë të kulturës, atë që ka një arsim mesatar, gjysmë-analfabetin. Me që ra fjala, një Jean Paul Sartre (që hyjnizonte BRSS e viteve pesëdhjetë, i ndjekur nga shumë intelektualë të tjerë në Francë e n ‘Itali) po aq sa një nën proletar i joshur nga njëri apo tjetri variant i radikalizmit të djathtë. Të hollë apo trashamanë qofshin argumentet e përdorur, qeveria në dorë të njeriut të fuqishëm, e lirë të bëjë çfarë të dojë me qytetarët e saj, me nënshtetasit e saj, ka gjetur gjithmonë ithtarë tek neve dhe i gjen ende. Edhe se nuk është arsyeja e dukurisë, Trump-i ka ndihmuar në popullarizimin e despotizmave, duke treguar se parapëlqen më shumë bashkëbisedimin me autokratët se me qeveritë demokratike evropiane. Nëse do të zgjidhet Biden-i me të drejtë gjërat do të ndryshojnë. Ndoshta, nëse ai do të marrë kundrejt Rusisë një qëndrim kundërshtues më energjik, do të ketë shfaqje antiamerikanizmi të hapura nga ana e përkrahësve evropianë të Putinit. Në tërësi, një Amerikë që rithur pëlhurën e aleancave të hershme do të duhej të jepte ndihmesën për të zvogëluar disa rryma opinioni.

Edhe sepse demokracia perëndimore, me të gjithë mangësitë e veta, zotëron një përparësi të paçmueshme: admiruesit perëndimorë të despotëve, të së djeshmes e të së sotshmes, hyjnizojnë regjime në të cilët ata vetë nuk janë të gatshëm të jetojnë. Mbështesin e vlerësojnë njërin apo tjetrin despotizëm, por është e qartë se ndjehen të siguruar nga fakti se, në shtëpinë e tyre, mund të shajnë kur të duan qeverinë në fuqi. Policia politike nuk do të shkojë e t’i marrë natën.

“Corriere della Sera”,

Përktheu Eugjen Merlika    

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH