Kryesore

Jonila Godole: Zonja që u vlerësua nga Austria

               Publikuar në : 09:08 - 21/12/19 Reldar Dedaj

Reldar Dedaj

Nuk është rastësi, që një shkrimtare dhe përkthyese shqiptare, siç është Jonila Godole të vlerësohet me “Dekoratën e Lartë të Nderit“ nga Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, në një ceremoni që u zhvillua në rezidencën e ambasadorit austriak në Tiranë, Christian Steiner. Shumëkush do të priste diçka mbresëlënëse prej kësaj zonje që pothuajse prej tri dekadash është e angazhuar fuqishëm në jetën social-kulturore të vendit. Por, ndoshta ngaqë është pikërisht e tillë, gjithmonë e afërt, disi e njohur për atë çka ndodhte rreth e rrotull, dëshmia e saj, në pamje të parë, ngjan e plotë. Një shkrimtare dhe përkthyese që ka ditur gjithmonë të mbajë vendin, që shkallët e suksesit i ka ngjitur një e nga një dhe dalëngadalë, e rritur në një provincë të Shqipërisë së Mesme, e shkolluar për gjuhë dhe letërsi në UT, për të vazhduar studimet vite më pas në Gjermani në shkencat sociale e politike, pedagoge e gazetarisë, nënë e një vajze simpatike, tashmë mbi të dyzetat e saj, duket se vitet për të po ecin në të kundërtën e tyre. A i kemi thënë të gjitha? Ndoshta, jo. Ajo sot duket po aq e bukur dhe e motivuar, a thua se është në fillimet e karrierës së saj.

E veshur me një xhaketë të kuqe, flokët gështenjë, elegante dhe një buzëkuq i lehtë i vendosur në buzë, të krijonte përshtypjen se pedagogia Godole po gjendej shumë afër fames dhe aq kërshërisë së publikut, nuk jemi të sigurtë nëse ndjehej triumfuese, por shenjat e një lumturie shquheshin që nga larg. Kjo është diçka e kuptueshme te raca njerëzore, tek të gjithë njerëzit në përgjithësi, por akoma më shumë është e kuptueshme tek ata njerëz që kur ngjiten në majë, pasi të mbërrijnë aty, janë copëtuar, grisur, shqyer, gjakosur dhe zemra e tyre sa s’pushon nga lodhja e mundimi. Por, kur kthejnë kokën pas dhe shohin rrugën që kanë shtruar për brezat e ardhshëm, ata, kanë të drejtë të thonë: I’a dolëm!

Në fakt kështu ka qenë gjithmonë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ende vazhdon të jetë një kohë e trazuar, kur varfëria, korrupsioni, mungesa e standardeve dhe e ardhmja e paqartë, e mbuluar në të shumtën e kohës me një vel zymtësie, i bën njerëzit të largohen nga vendi, por ajo ka vendosur të kundërtën: të qëndrojë për të punuar e të përpiqet t’i bëjë gjërat të funksionojnë më mirë. Vlen të theksohet këtu se një vendim i tillë erdhi pas një jetese shumëvjeçare në perëndim. Sot, Jonila Godole është një pedagoge e respektuar në degën Gazetari-Komunikim në Universitetin e Tiranës, përkthyese dhe një shkrimtare e talentuar shqiptare, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, me theks të veçantë në të shkuarën komuniste – e cila duket se në 29 vite tranzicion priret të duket e largët dhe e harruar – përmes projekteve si “Born in the 90s”, “Pyet gjyshërit” apo vizitat me nxënës e studentë në vendet e kujtesës, ish-burgun famëkeq të Spaçit, në kampet e internimit në Tepelenë, Lushnjë apo Berat, ka ndihmuar në hapjen e dialogut mes brezave; si për të shkuarën ashtu edhe për të ardhmen e këtij vendi.

Pasioni për fjalën e konkretisht për letërsinë është një tjetër angazhim i saj dhe IDMC-së, ku prej disa vitesh organizon festivalin e letërsisë “Det i Bardhë” dhe nismën “Tirana lexon” për të ngjizur një traditë të mirë e për ta kthyer leximin në një festë të përbashkët. Kur e sheh Shqipërinë nga koha kur e la për të ikur drejt Gjermanisë thotë se ndryshimet e këtyre dekadave, edhe pse të pamjaftueshme, janë të mëdha dhe ajo i mbetet fort mendimit se ky vend, një ditë do të bëhet. Kjo është mjaft e kuptueshme, përderisa ka vendosur të jetojë dhe të punojë këtu.

Jo pa qëllim, gjatë dorëzimit të dekoratës, Ambasadori Steiner shprehu vlerësimin e Austrisë për kontributin shumëvjeçar që Jonila Godole ka dhënë në përhapje të kulturës dhe shpirtit austriak në Shqipëri. “Dekorata e lartë e nderit”, sipas ambasadorit Steiner, “vlerëson Jonila Godolen si pedagoge dhe aktiviste të shoqërisë civile, por dhe si përkthyese dhe shkrimtare, duke i sjellë publikut shqiptar shumë vepra të autorëve austriakë si Robert Musil, Rainer Maria Rilke, Thomas Bernhard, Arthur Schnitzler, Marlene Haushofer, Werner Schwab e të tjerë. Si shkrimtare, drama e Godoles “Der Sandmann” (Njeriu i Rërës) është nderuar me çmimin e parë nga Ministria e jashtme austriake dhe PEN Club më 2010 dhe është vendosur ndër të tjera në skenat prestigjioze të Burgtheater dhe Volkstheater në Vjenë”.

Jonila Godole gjatë fjalës së saj falënderuese u shpreh se “ky vlerësim flet shumë për rëndësinë që Austria i kushton kulturës dhe shkëmbimit ndërkulturor sepse vetëm përmes tyre mund të ndërtohen ura bashkëpunimi afatgjata, mes popujve“. “Nga ana tjetër“, tha Godole, “gjithë shkrimtarët dhe personalitetet austriake që kemi sjellë në Shqipëri prej vitit 2013 gjatë edicioneve të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë dhe Tirana Lexon kanë ndihmuar bashkë me veprat e tyre që ne të dalim nga izolimi kulturor, ku për fat të keq ende vazhdojmë të mbetemi edhe 30 vjet pas rënies së regjimit komunist“.

Duket se për letërsinë shqiptare por edhe më gjërë, për vetë kulturën shqiptare në përgjithësi, tashmë ka ardhur dhe është konsoliduar si pjesë e saj edhe një emër tjetër. Ajo është Jonila Godole. Pavarësisht raportimeve të pakta dhe të vakëta në media në lidhje me këtë ngjarje, ne duhet të kujtojmë se vendi ynë ka shumë pak kulme që janë konkurrues në botë. Madje as numërohen dot me gishtat e njërës dorë. Vlerësimi që merr një shqiptar nga shteti Austriak, d.m.th, nga pjesa më elitare e tij, s’mund të jetë një ngjarje e çfarëdoshme, rutinore apo e zakonshme. Ky vlerësim për vetë vlerën e tij ka krijuar një ngjarje kulturore. Sepse, lidhja mes vendeve, s’është vetëm një treg i përbashkët apo bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Këtë gjë më mirë se letërsia askush tjetër s’mund t’a bëjë. Personazhet e saj, emocionet, dashuritë, tradhtitë, grindjet dhe hakmarrjet janë të vetmet ngjarje që lëvizin lirshëm mes vendeve, ngjallin emocione dhe pozicionojnë njeriun. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet t’i lexojë këto histori dhe kjo arrihet nga njohja e kulturave, e cila realizohet përmes përkthimit dhe leximit.

Megjithatë, Jonila Godole nuk erdhi të zëvendësojë asnjë në kulturën shqiptare dhe askush s’ka pse të ketë drojë dhe as të trembet nga kjo ardhje, ajo erdhi për të sjellë vetveten dhe kjo e drejtë s’mund t’i mohohej gjithsesi./Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back