Kryesore

Jo MiniShengen, por Berlin

               Publikuar në : 09:56 - 11/06/21 liberale

Në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, veç lajmeve të mira për një investim 30 miliardë euro si rimëkëmbje pas pandemisë dhe një gjysmë premtim për të bindur Bullgarinë për të mos vënë shkopinjtë nën rrota për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, kryeministri Kurti e vuri theksin te Minishengen si një dublim i procesit të Berlinit. Sipas Kurtit, Serbia po pengon edhe veten në procesin e anëtarësimit, ndërsa sipas tij duhet ecur me nismën e kancelares Merkel për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve

Suadela Balliu

Dy ishin fjalëkyçet e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Së pari, premtimi i Komisionerit për Zgjerim, Varlehyi se BE ka një plan investimesh prej 30 miliardë euro për rajonin dhe, së dyti puna pas kuintave që Bullgaria të mos pengojë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Mikpritësi, kryeministri Rama, si edhe në raste të tjera theksoi se si Shqipëria ashtu edhe fqinji lindor i kanë kryer detyrat e shtëpisë dhe çdo vendim tjetër mbetet çështje e brendshme e vetë unionit, i cili deri më tani vetëm i ka zvarritur proceset herë për zgjedhjet e brendshme paralamentare e herë për shkak të pandemisë globale.

Ndonëse në ngërçin e ri me Bullgarinë, për gjuhën dhe rrënjët identitare, Zoran Zaev u duk optimist mbi projektet investitorë të Bashkimit Europian. “Plani ekonomik dhe investues do ta bëjë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj dhe do të mundësojë më shumë të hyra të investimeve”, u shpreh Zaev, ndërsa shihte tek tregu i përbashkët rajonal krijimin e vendeve më të mira të punës.

Të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor u shprehën të vendosura që të ecin drejt një hapësire të përbashkët zhvillimi dhe lirie, me projekte madhore investimi. Por ndërkohë që këto vende si Serbia, Shqipëria e Maqedonia janë përfshirë në projektin e Shengenit Rajonal, pak edhe si sfidë ndaj BE-së që e i konsideron ende si aneks apo oborr të pasmë të Evropës, por edhe si mundësi lëvizjeje e lirë mes syresh, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha nga Tirana se vendet e rajonit duhet të hyjnë në BE si rajon i përbashkët sa i takon ekonomisë dhe tregtisë.

Ndërkohë që në Ballkanin Perëndimor shumica e vendeve e kanë nisur procesin e anëtarësimi, ndonëse të ngecur në pika të ndryshme si Serbia me mosnjohjen e Kosovës, 15 kushtet e Shqipërisë, çështja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, Bosnje dhe Hercegovina si kandidate potenciale prej 2016-s e penalizuar nga ndarja  dy entiteteve me  Republika Srpska dhe me negociatat e ngecura me Malin e Zi.

Sipas kryeqeveritarit Kurti, Serbia po mban në fakt peng veten drejt anëtarësimit në BE- proces i nisur tashmë  prej shumë vitesh, duke mos njohur Kosovën. Sipas Kurtit, mosnjohja nga Serbia është shkak i ngecjes së nismave rajonale.  “BE e paplotë pa Ballkanin”, tha Kurti, duke theksuar situatën më të vështirë të Kosovë në krahasim me gjashtë vendet e rajonit.

Sipas Kurtit, Prishtina është në pozicion më të pafavorshëm, ndërsa nuk ka marrë nga Bashkimi Europian as premtimin për liberalizimin e vizave. Dy vjet më vonë, i zhgënjyer presidenti Thaçi shprehej nga Berlini se qytetarët e Kosovës e meritonin lëvizjen e lirë në vendet e zonës Schengen.

“Të gjitha nismat rajonale po ngecin se mungon njohja e Kosovës nga Serbia, njohja nga Serbia do krijonte situatën,  në të cilën të gjitha vendet do të bashkëpunonin më shumë. Në këtë aspekt nuk mjafton vetëm tregu i përbashkët, por vlerat e BE duhet të vendosen edhe në raport me të gjitha shteti, barazia, lufta e korrupsionit, investimet në ekonomi, sundimi i ligjit e kështu me radhë”, do të deklaronte Kurti, i cili pak kohë më parë pas samitit në Beograd mbi Shengenin rajonal tha se rruga drejt Tiranës kalon nga Prishtina. Kryeministri shqiptar u mjaftua të përgjigjej se Kurti nuk qe i ftuar, pasi qeveria e Kosovës ende nuk ishte konstituuar, por do ta bënte këtë në takimin e Ohrit.

Kurti zbuloi për mediat se kishte propozuar modelin e  marrëveshjes europiane, EFTA, “që ne të hyjmë si rajon i përbashkët në BE sa i përket Ekonomisë dhe Tregtisë që në fund të kësaj të dekade të ishim të gatshëm të hynim në BE. Nuk ka më Minishengen, por procesi i Berlinit”, tha Kurti, duke i dhënë përparësi nismës së kancelares gjermane  Angela Merkel, qysh më 2014 e që u përshëndet edhe nga Parisi zyrtar.

Procesi ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Kryeministri Rama tha se tashmë vendet e rajonit kanë ambicie madhore që Procesi i Berlinit të bëhet pjesë e brendshme e BE-së dhe vitin e ardhshëm Samitit të jetë i përbashkët me të gjitha vendet anëtare të unionit. Rama tha se ambicia është që avancimi dhe jetësimi i katër  lirive të e BE-së të zbatohen edhe në rajonin e Ballkanit si lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

“Të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi si e quan njëri apo tjetri, por ka rëndësi që të çojë përpara jetësimin e katër  lirive të Evropës në rajonin tonë”, tha Rama.

Pak ditë më parë, ndërsa Tiranën e vizitonte  ministrin gjerman për Çështjes e Europës, Michael Roth, ai tha se Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Roth, të dy shtetet, kane përmbushur kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit dhe negociatat duhet të nisin së shpejti me të dyja, Ai u shfaq optimist se kjo do të arrihej më 22 qershor , gjatë takimit fillimisht të Ministrave të Jashtëm e më vonë të Këshillit Europian.

Vitin e kaluar, gjatë pandemisë Këshilli Europian dha një po, me kushte për vendet, por pa caktuar një datë të konferencës ndërqeveritare. Nga ana e tij, kryeministri Rama është shprehur hapur se vendi nuk është ende gati për t’u anëtarësuar, por është i gatshëm për çeljen e negociatave. Zvarritjen, Rama e cilësoi skizofrenike në një samit online në Firence të Italisë.

Por megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar vendet e rajonit të vijojnë me axhendën e tyre të Minishengenit, që do u lehtësonte tregtitë, ndonëse qeveria e Kosovës vijon me parimin e reciprocitetit. Megjithatë, në një takim me zv/presidentin e BE-së  Borell në Bruksel premtoi rifillimin e negociatave me Beogradin.

Megjithëse BE ngulmon se Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasmë i Europës, procesi i Berlinit është tregues i trajtimit të ndryshëm të vendeve ballkanike. Ky proces është përpjekur të normalizojë marrëdhëniet mes vendeve ballkanike, ku më i nxehti mbetet ai mes Prishtinës dhe Beogradit, me Merkel që insistoi të mos vihej në jetë plani i shumëpërfolur amerikan me shkëmbim kufijsh, që do të thoshte hapja e kutisë së Pandorës për rajonin ende të nxehtë nga luftërat e fundit ballkanike. Por në udhëheqjen e BE-së dhe shefes së Politikës së Jashtme, Mogherini, procesi i normalizimit të marrëdhënieve u zvarrit gjatë dhe në fund ngeci për shkak të taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, të prazantuar nga kryeministri Haradinaj, të cilën pasuesi i tij Kurti e përktheu në reciprocitet.

Sipas kryeministrit Rama, pjesëmarrja juaj në këtë Samit të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor në Tiranë “është një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit të BE, planit ekonomik dhe të investimeve, dhe të tregut të përbashkët rajonal”, është shprehur ai.

Megjithëse zoti Rama ka qenë shpesh kritik me zvarritjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe si kundërpërgjigje ka lëshuar deklarata për Shqipëri të madhe a bashkim kombëtar, më pas ai i ka qartësuar ato duke thënë se bashkimi i dy vendeve do të bëhet nën ombrellën e BE-së,  e cila po vonon ca për shkaqe të brendshme,ca për veton e vendeve që nuk shohin te Shqipëria një kandidate të gatshme.

Pak ditë më parë, me  tone të indinjuara përballë ministrit gjerman Michael Roth, duke thënë se BE po mbante peng Kosovën për liberalizimin e vizave.

“Bashkimi Europian e ka marrë peng Kosovën. Peng është dhe Kosova, i një loje shahu, ku një nga figurat e lojës ka vendosur që atë ushtar ta marrë peng”.

Por nga ana tjetër, zoti Rama është shfaqur krah për krah me liderët e Ballkanit, Vuçiç- i cili mungonte në këtë samit, i përfaqësuar nga kryeministrja Brnabiç- dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev me planet për Shengenin Rajonal, si një mininismë e zonës europiane Schengen,

Sipas Kurtit, njohja nga Serbia do të krijonte situatën që vendet të ecnin më shpejt drejt BE-së, të gjitha të stacionuara për një motiv a një tjetër

“Nevojiten edhe vlerat e BE të vendosen në raportet mes shteteve, nuk mjafton vetëm tregu ekonomik”, ka thënë Kurti. Por, ndërkohë që nga BE të ketë një përgjigje për dy kandidatët ballkanike për caktimin e një date për konferenën ndërqeveritare, ende nuk ka asnjë dritë jeshile për liberalizimin e vizave me Kosovën.  Por duket se Procesi i Berlinit i mban liderët ballkanikë pikëriht në oborrin e pasmë, pavarërisht ndonjë frike të ndonjë eurofili që i druhet se hendekun e lënë nga BE në rajon do ta mbushin fuqi të huaja, jo mike të Europës. Gjatë pandemisë, kryeministri Rama nuk e fshehu zhgënjimin se BE e la vetëm në sigurimin e vaksinave, ndërsa tha se ia doli vetë duke siguruar vaksina nga Kina e nga Rusia. Ky samit në mos për të tjera, duhet të shërbejë për të kuptuar se ballkanaset trokasin në derën e mbyllur të BE-së, e cila ende nuk dëgjon nga ai vesh dhe madje i ka rreptësuar edhe më krireteret për lëvizjen e lirë.

Samiti i Ballkanit Perëndimor, Majlinda Bregu: 500 milionë euro grante nga BE

Sekretarja e Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ka treguar se BE do të dhurojë 500 milionë euro grante investime në infrastrukturë, energji, digjitale për Ballkanin Perëndimor vetëm në 2021.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale duke folur për Samitin e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Tiranë, Bregu shkruan se prej 1 korrikut dhe në vijim do të punohet për të ulur tarifat e Roaming në Europë, ndërkohë që do të punohet edhe për shtrirjen e “korridorit jeshil” për mallrat e medikamentet me Europën.

“Edhe diell, edhe shi sot në Tiranë. Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar ku jemi me çka rajoni ka rënë dakord për të bërë së bashku. Folsinshpi, prej 1 Korrik dhe në vijim do të punojmë për të ulur tarifat e Roaming me Europën. korridor jeshil për mallrat e medikamentet të cilin e bëmë të mundur gjatë pandemise, por tani duhet ta shtrijmë me. 500 millionë Euro Grante nga BE investime në infrastrukturë, energji, digjitale etj VETËM në 2021”, shkruan Bregu.

Hapja e kufijve me BE/ Varhelyi: S’është çështje politike apo diplomatike

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se hapja e kufijve nuk është çështje politike apo diplomatike, por e gjitha varet nga situata epidemiologjike e pandemisë. Ai tha se janë shtet anëtare ato që vendosin mbi bazë të kapaciteteve që ato kanë.

“Komisioni ka bërë një rekomandim se kjo si kompetence është e shteteve anëtare për të vendosur për udhëtimet jo thelbësore dhe deri më tani janë shtet anëtare që duhet të shikojnë se në ç’kushte janë ato gati për të hequr kufizimet që tashmë ekzistojnë. Faktori kyç është situata epidemiologjike, situata në Ballkanin Perëndimor është përmirësuar, ka edhe marrëveshje 2 palëshe mes vendeve. Të gjithë e kemi vuajtur këtë gjë dhe nuk besoj se është e këndshme për askënd, por e gjitha varet nga situata e pandemisë, nuk është çështje politike apo diplomatike, por për shëndetin. Me të filluar sezoni veror në fillim të korrikut, kjo çështje do të jetë pjesë e historisë”, tha Varhelyi. Rama u përgjigj me batutë.

“Në oborrin tonë jemi më mirë se ata nga ana e situatës shëndetësore. Po t’u shkojmë ne te trau me standartet, vlera dhe sistemin që funksionin mbaron puna, por na takon ne. Kemi besim që jemi në rrugën e duhur dhe në këtë rrugë jemi me fat se ajo që ka ndryshuar në historinë tonë mes shekujve para se të shfaqet BE dhe pas shfaqjes është BE që na ka dhënë mundësinë për të lidhur fijet”, tha Rama.

“Jam i kënaqur që shoh që ndoshta ky do jetë fillimi i fundit të krizës së pandemisë dhe se do të fillojmë që t’i rikthehemi mënyrave të mëparshme dhe të kryhen takime të tjera kaq të rëndësishme në formë fizike dhe të shtyjmë përpara punën. Ne e shohim një angazhim dhe përkushtim të udhëheqësve për të krijuar tregun e përbashkët rajonal, nuk kemi arritur aty ku dëshirojmë , por duhet të arrijmë atje deri në korrik, kur të kemi samitin e radhës. Po shikojmë rezultatet e para që po ndryshojnë jetë qytetareve me marrëveshjen për lëvizjen pa tarifën Roaming, kjo është një arritje e madhe, do ketë të tjera që të lëvizin me ID, njohja e diplomave, heqja e lejes për punë, pra të gjithë këto gjëra do të bëjnë që bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimorë t’i shërbejë qytetarëve.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back