Editorial

Jo Jozefina, por as Basha nuk merr vota jashtë PD-së

Shkruar nga Liberale
Jo Jozefina, por as Basha nuk merr vota jashtë PD-së

Klementin Mile

Partia e re e Jozefina Topallit, “Lëvizja për Ndryshim”, ka ngjallur një lloj interesi mediatik dhe pritet me kureshtje nga një pjesë e publikut. Mbi të gjitha, duket se kjo parti po shërben si informacion për votuesit demokratë. Disa zëra të njohur demokratë, analistë në media dhe komentatorë në rrjetet sociale nuk kanë humbur kohë të merren me këtë lëvizje të fundit të zonjës Topalli. Madje edhe kryetari Basha, edhe pse nuk e ka përmendur me emër Topallin, ka treguar se nuk është indiferent ndaj lëvizjes së saj.

Natyrisht, ka shumë mënyra për të lexuar një lëvizje politike. Nga perspektiva e sistemit, kjo e Jozefinës mund të shihet si një eksperiment me një individ lehtësisht të sakrifikueshëm politikisht për të ngritur një çështje që ka kosto të lartë po të ngrihej nga anëtarët e partisë. Jozefina, duke dalë jashtë partisë (PD-së), fiton aftësinë për të artikuluar çështje të partisë. Cilat çështje? Do ta shohim; por, pritshmëritë janë se do të artikulojë çështje që lidhen me mangësitë e lidershipit të PD-së, të djathës dhe opozitës. Pra, nga partia e saj, Jozefina pritet të flasë për çështjet e brendshme të një partie tjetër. Nga perspektiva sistemike, është natyrisht tragjike që sistemit politik i duhet të shpikë mekanizma të tillë paradoksalë (si partia e Jozefinës që do të flasë për partinë e Bashës) për të artikuluar çështje që do të duhet të adresoheshin në komunikimin normal të partive politike.

Nga një perspektivë filozofike, lëvizjes së re të Jozefinës, pritet t’i mungojë pikërisht lëvizja. Sikurse një numër i madh partish në hapësirën shqiptare, edhe “Lëvizja për Ndryshim” pritet ta fshehë pas emrit të saj ngurtësinë e strukturës tipike partiake, ku parimi i hierarkisë në komandë e bën më së shumti t’i ngjajë një reparti ushtarak. Por, siç e thamë, ky është një fenomen i vjetër në politikën shqiptare, vjetërsi për të cilën lëvizja e Jozefinës do të japë një kontribut të ri.

Së fundi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, votat që do të synojë të marrë “Lëvizja për Ndryshim” do të jenë padyshim të djathta. Vota që normalisht shkojnë për Partinë Demokratike. Por historia politike e këtyre tridhjetë vjetëve na ka treguar se asnjë figurë politike e rëndësishme në një parti nuk ka arritur të lërë gjurmë pasi ka dalë jashtë saj (me përjashtimin, që vërteton rregullin, e Ilir Metës), ndaj dhe nuk pritet që Jozefina të konkurrojë realisht Bashën, ashtu sikundër as Patozi nuk ishte dhe nuk mund të jetë rival, e po ashtu as Rudina Hajdari. Madje, jo Jozefina, por as Basha nuk merr vota jashtë PD-së, po të imagjinojmë skenarin sikur një ditë, kryetari aktual i PD-së ta linte partinë dhe të krijonte një tjetër. Kjo sepse votat demokrate jepen për partinë dhe vlerat që përfaqëson ajo pavarësisht se kush është kryetar.

Këto vota idealiste janë të lidhura ngushtë me historikun e asaj partie dhe nuk rrjedhin në forca të tjera. “Lëvizja për Ndryshim” e Jozefinës nuk mund t’i marrë ato vota, përderisa shihet që tani si një instrument në dorën e Ramës për të zgjatur pushtetin e tij. Sigurisht, PD ka patur rrjedhje votash në zgjedhjet e kaluara, vota që rëndom cilësohen ‘klienteliste’. E megjithatë, Jozefina nuk mund të marrë as vota të tilla, sepse ato kërkojnë burime materiale të konsiderueshme, të pamendueshme për një parti të re. Qeveria nuk ka nevojë të përdorë Jozefinën për të marrë vota klienteliste. Ato mund t’i marrë vetë. /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH