Prestigjozia britanike “The Times” i ka kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve të arsimit privat në Mbretërinë e Bashkuar. Redaktorja mbi edukimin në “The Times”, Nicola Woolcock ka realizuar një intervistë me sekretarin e Shtetit për Arsimin në Mbretërinë e Bashkuar, Nadhim Zahawi.
Në intervistën ekskluzive për “The Times”, ministri britanik i arsimit vlerësoi shkollat kryesore private për mbështetjen që i kishin ofruar sektorit shtetëror.
“Britania duhet të jetë “shumë krenare” për shkollat e saj private dhe të mos “mbajë anë në sistemin arsimor” për tu siguruar që më shumë nxënës nga shkollat shtetërore të pranohen në Oxbridge” tha ministri britanik i arsimit.
Në intervistë Nadhim Zahawi deklaroi se pranimet duhet të bazohen vetëm në merita, pasi ai u bëri thirrje njerëzve të lënë mënjanë “paragjykimin” e tyre ndaj shkollave të pavarura me performancë të lartë.
Ai vlerësoi shkollat kryesore private duke përfshirë Eton dhe Westminster për mbështetjen që i kishin ofruar sektorit shtetëror dhe tha se donte që ato të bënin më shumë. Gjithashtu ministri tha se qeveria duhet të zvogëlojë “hendekun e arritjeve” midis shtetit dhe sektorit privat duke rritur cilësinë e shkollave shtetërore.
“Unë mendoj se duhet të bazohet në merita dhe rezultate të cilat shkollat private i kanë realizuar shumë mirë,” deklaroi mes të tjerash ministri Nadhim Zahawi.