Editorial

Jehonat e sovranizmit putinian

Shkruar nga Liberale
Jehonat e sovranizmit putinian

Nga Preç Zogaj

Presidenti  i Federatës  Ruse, Vladimir Putin,  iu rikthye  kësaj jave temës së tij të parapëlqyer  të sovranizmit  në një “ botë që po ndryshon me shpejtësi”,  siç tha ai. Duke patur parasysh patjetër ngjarjen  më  të madhe dhe më dramatike  të kohës:   agresionin e paprovokuar  ushtarak  të  Rusisë së tij kundër  Ukrainës;  efektet zinxhir të  këtij agresioni  në rrafshin botëror. Ku përtej alibive fatalisht  të njëjta  me  ato të Hilterit kur  sulmoi Çekinë në vigjilje  të Luftës së Dytë botërore, shohin të  përvijohet  një përballje mes  autokracisë  një anë dhe  demokracisë në anën  tjetër.

Bota ka jetuar, jeton e mund të jetojë  në një diversitet regjimesh e sistemesh që japin e marrin në një garë  të natyrshme zhvillimi me njëra tjetrën.  Ku sistemet shfaqin epërsitë apo defektet e tyre.  Koha ka dëshmuar në më shumë se njëherë epërsinë  e vendeve të lira në zhvillim, në  shkencë, në teknologji, në nivelin e të ardhurave për frymë, në cilësinë e jetës së individëve dhe familjeve, e tjerë e tjerë . Pavarësisht nga kjo, SHBA  që përfaqëson bastionin më të fuqishëm të demokracisë në  planet,  vendet demokratike  në  Europën Perëndimore, në dy Amerikat e  deri në Azi  nuk kanë  dhënë shenjën më të vogël se e kanë   shqetësim  apo po mendojnë  të ndryshojnë natyrën e regjimit në Rusi. Sekush në rrugën e vet.

Përballja ka nisur e  njëanshme. E Rusisë me Perëndimin. Rusia  ka hedhur dorashkën. Përballje  me luftë. Ukraina është  arena.  Falë demokracisë, Ukraina arriti të bëhej  një lloj “qyteti që shndrit mbi kodër” në krahasim  me Rusinë autokratike dhe  vendet e tjera  të ish Bashkimit Sovjetik nën orbitën e  Moskës. Demokracia  e vendit fqinjë ishte e para që u vrau  sytë  dhe nuk duruan  Putini me  klikën e tij.  Të tjerat janë istrumentalizime.

Por ndryshimi me shpejtësi i botës, sipas  carit të ri të Kremlinit, nënkupton  shumë me shumë se shndërrimin e Ukrainës në një  Bjellorusi të madhe nën ombrellën  ruse.

Në realitetin e ri  që ka në mendje ai, nuk ka shtete të ndërmjetme, por vetëm shtete sovrane ose shtete koloniale, pa asnjë  asnjë shans për të mbijetuar në luftën gjeopolitike!   “Çdo vend, çdo popull, çdo  grup etnik  duhet të garantojnë sovranitetin e tyre”. Në të kundërtën, alternaitva do të ishte  të bëheshin një “koloni pa perspektivë”, citohet të këtë thënë Putin.

Referimi   i  drejtpërdrejtë  i shkon  Ukrainës.  E  cila në vend që të përqafonte nënën  Rusi  ka zgjedhur të  jetë  demokraci, pjesë e familjes perëndimore dhe po e mbron me sakrifica të jashtëzakonshme zgjedhjen e saj.

Çdo vend që ka bërë të njëjtën zgjedhje, siç është edhe Shqipëria,  mund ta gjeje vetën në grupin e vendeve të ndërmjetme të destinuara për  tu zhdukur apo të një “kolonie pa perspektivë”, sipas liderit rus.

Putin përdor fraza të përgjithshme e të  rrumbullakosura, që i bëjnë  jehonë në pamje të jashtme një  vlere dhe aspirate të shenjtë të çdo vendi  për të qenë i lirë, sovran, i pavarur. Ai  nuk përmend asnjë shembull me justifikimin  se nuk dëshiron të fyejë vendet. E le kësioj  të vagëllt e të pa qartësuar mesazhin e vet. Duke ia kaluar stafetën propagandës, që kjo t’ja  ta përcjellë  të gatuar siç duhet publikun trushplarë

Po çfarë është koncepti i tij për sovranizmin?

Çfarë sovranizmi mund të reklamojë dikush që sundon  prej me shumë se dy dekadash  si një autokrat rrethuar nga një kavaleri oligarkësh?  Dikush që  nuk bën zgjedhje të lira, të drejta e të barabarta në vendin e tij?  Dikush që burgos kundërshtarët dhe rivalët  politikë? Dikush  që ka sulmuar me ushtri  dhe bombardon me raketa prej njëqind e ca ditësh,  duke vrarë e shkatërruar,  një vend tjetër që e ka zgjedhur me votë popullore fatin e vet, që ka bërë disa herë rrotacionin e pushtetit me votë të lirë, siç është Ukraina.

Emri i vërtetë i sovranizmit putinian është krejt e kundërta  e fjalës sovranizëm: është nënshtrimi i vendeve ndaj Rusisë dhe nënshtrimi i popullit ndaj  kukullave të Putinit  në këto vende.  Shembujt e vendeve “sovrane “ nën tutelën e Moskës  janë një ilustrim par exellance.

Është  shumë e qartë se kur flet për “ koloni” që kanë humbur   sovranizmin,  Putin nuk e ka fjalën për satelitët e tij. Satelitet e tij me siguri i konsideron tepër sovranë! Mjaft ti rrinë gatitu atij dhe ta  imitojnë  si sundimtar.

Është po aq e kuptueshme se kur flet për “koloni”  ai e   ka fjalën parasëgjithash për aleatët e SHBA-së, për vendet e NATO-s, për vendet europiane dhe jo  europianë që nuk janë  në NATO apo BE  por kanë si model  dhe  busull demokracinë.  Putin  sikurse gjithë autokratët dhe tiranët konfondojnë  me dashje  zgjedhjen  e lirë me votë të fshehtë të popujve, me  imponimin a me blerjen e qeverive vasale.  Ne e dimë se  hyrja në NATO dhe BE ka qenë dhe është një aspiratë qytetare. Kaq e vërtetë është kjo sa deri para  agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Finlanda dhe Suedia nuk ishin në NATO sepse nuk kishin një shumicë popullore në favor të aderimit. Lufta  i ndryshoi raportet. Tani  shumica e suedezëve dhe finlandezëve, duke parë ç’po bën Rusia në Ukrainë,  duan hyrjen në NATO.   E duan për  të  mbrojtur  në kuadrin e   fuqisë dhe  klauzolave  të solidaritetit mes vendeve të  NATO-s sovranitetin dhe integritetin e tyre  territorial  kundër rrezikut të një agresioni rus, kundër  rënies nën zgjedhën ruse. Pra për  krejt të kundërtën e asaj për të cilën i akuzon koncepti putinian për sovranizmin.

Veç kësaj që thamë më lart, hyrja në NATO dhe BE  as i imponohet kujt, as është dhuratë. Hyrja duhet merituar. Ajo kalon  nëpër etapa  dhe kritere të shumta,  plotësimi i të cilëve  merr vite.  Për vendet që ia kanë dalë apo janë në rrugën e plotësimit të kësaj aspirate  hyrja  në NATO dhe BE është  demokraci, zhvillim, siguri, sovranitet në kuadrin e aleancave dhe vlerave demokratike që është i vetmi sovranizëm real. Sovranizmi ynë  në Shqipëri dhe në  Kosovë është euroatllantik në përcaktim, në markë.  Alternativa e tij është izolimi komunist i Enver Hoxhes që  për fat duket i pamundur në ditët tona dhe i ashtuquajturi sovranizëm nën ombrellën e  Moskës.  Bota që po ndryshon me shpejtësi, sipas shprehjes së përdorur  nga kreu i Rusisië, e ka  bërë edhe më të qartë këtë. Në fakt gjuha e Putinit i bën  jehonë diskurit të  disa partive  të vetëquajtura sovraniste  në Europë ( jo partitë konservatore  tradicionale  të  Anglisë,  Hollandës  e tjerë),   siç janë përshembull  Lega Nord në Itali,  Bashkimi Kombëtar Marin le Pen në  Francë e ndonjë tjetër. Anasjelltas,  gjuha e këtyre partive me lidhje të ngushta dhe të financuara disa prej tyre nga Moska i ka bërë jehonë deri vonë  diskurit të Putinit.  Lufta në Ukrainë ka ndryshuar e po ndryshon shumë gjera edhe në rrafshin e qasjeve sovraniste të partive homonime në Europë.  Në një anë sovranizmi i tyre ka qenë dhe mbetet një rivendikim ndaj pushtetit të madh të Brukselit  ndaj vendeve anëtare, sipas tyre. Në një anë më pak të artikuluar, apo edhe të fshehtë, ka qenë një  shprehje e antiamerikanizmit. Kjo e fundit ka ndryshuar. Partitë e djathta në Europë, qoftë të grupit të madh të partive Popullore, qoftë konservatoret  klasike, qoftë konservatorët reformiste janë në një gjatësi vale me qëndrimet e SHBA, të lumtura  që  bashkimi  i madh i vendeve demokratike udhëhiqet prej tyre  pa kërkuar asgjë në shkëmbim veç mbrojtjes së demokracisë dhe paqes.  Rusia e Putinit sheh ti ketë shkuar dëm  me sa duket investimi dhe fara diversionit që ka hedhur prej vitesh në Europë. Duket sikur tani Moska ka dëshirë ti vërë në pozitë  të vështirë  “ tradhtarët” e saj duke folur për sovranizmin siç kanë folur ata para luftës.

Në vendin tonë të vogël diskuri i sovranizmit që  ka zhvilluar Sali  Berisha me grupin e tij të Rithemelimit të PD-së, por edhe Ilir Meta nga pozitat e Presidentit të Republikës, ka patur e ka nevojë  të sqarohet. Nëse është akoma në agjendën e tyre.  Ne nuk jemi  akoma në BE që të kemi parti sovraniste që  ankohen pse Brukseli ka me shumë fuqi se sa duhet  ndaj Tiranës. Për çfarë sovranizmi është fjala  atëherë?  Kundër  hyrjes në BE? Kundër  NATO-s? Kundër SHBA-ve?

Shkrimi është ekskluziv për Liberale.al. 

Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin me shkrim të Liberale.al, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH