Aktualitet

“Jam unë babai, jo burri tjetër”/ Ngjarja e pazakontë në Tiranë

Shkruar nga Liberale
“Jam unë babai, jo burri tjetër”/ Ngjarja e pazakontë

“Ai erdhi, i futi krahun nënës së sapo lindur, mori foshnjën dhe grisi rregjistrin ku do të shënohej emri i fëmijës”. Kështu e nis denoncimin e pazakontë juristja e një materniteti në kryeqytet e cila u ndodh para një situate që gjatë karrierës së saj nuk i kishte ndodhur asnjëherë.

Ngjarja u rregjistrua nga sektori i hetimit të krimeve në komisariatin numër tre dhe të alarmuar se mos ndodheshin para një rrëmbimi fëmije, efektivët e poicisë kanë thirrur në polici një sërë personash. Nuk kanë munguar edhe nëna që lindi fëmijën dhe i ati i cili nuk pranoi që të shkruheshin të dhënat e foshnjës, në çastin ku e ëma do të linte këto ambjente.

Një burim policor i Gazetasi.al tregoi në anonimitet se në përfundim gjatë verifikimeve veprimet i ka sqaruar vetë i dyshuari. Ai është një djalë 28 vjeç me inicialet I.G, që nuk është as më pak dhe as më shumë babai biologjik i fëmijës. Por duke qenë se gruaja me të cilën ai jeton, ka qenë e martuar më herët dhe ende nuk ka kryer divorcin, i riu është trembur nga fakti se mos automatikisht në maternitet do t’ia rregjistronin foshnjën me të dhënat e ish-bashkëshortit, ndaj dhe është acaruar dhe ka kryer veprimin duke refuzuar paraqitjen e të dhënave.

Kjo ngjarje ndodhi në maternitetin Mbretëresha Geraldinë nënvizoi një oficer poicie që shton se nuk është ndeshur asnjëherë me një konflikt të tillë gjatë karrierës së tij. I.G i denoncuar dhe i identifikuar nga policia shpjegon para agjentëve citojnë burimet e Gazetasi.al: “Dua të thëm që unë bashkëjetoj me shtetasen N.I. prej një viti e gjysëm dhe së fundmi u shtuam me një vajzë, por bashkëjetuesja ka qenë e martuar me shtetasin E. C, por ndërkohë nuk e ka finalizuar ende divorcin që do të thotë rezulton ende e martuar me të dhe rezulton ende gruaja e tij. Në momentin që po bënim letrat për të dalë nga materniteti, aty më thanë se fëmija do mbante emrin e burrit me të cilin partnerja rezulton e martuar dhe mbiemrin e tij”.

Ky ka qenë sipas policisë çasti që e ka nervozuar të riun. “Në atë moment ju thashe se përse fëmija im do shënohet me mbiemrin e ish-burrit dhe emrin e tij. I gjendur në këtë situatë e mora nusen dhe vajzën dhe nuk pranova ta rregjistroj,” deklaroi ai.

I riu kujton në polici se kërkon falje për grisjen e kartelës dhe për humbjen e kontrollit.

Denoncimi i rrallë dhe vënia në lëvizje e agjentëve ndodhi pas paraqitjes në komisariatin numër tre të shtetases A.K , që mban detyrën e juristes. Agjentët e policisë tregojnë se u bë shkak incidenti në maternitet që ata të kryenin kqyrje të kartelës së dëmtuar dhe një sërë veprimesh të tjera, derisa janë bindur se në të vërtetë konfikti ndodhi për shkak të emocioneve të një burri xheloz dhe se nuk gjendeshin përpara një kanosjeje apo rrëmbimi.

“Rreth orës 10 në sallën e maternitetit shtetasja N.I lindi një fëmijë të seksit femër. Kur po kryheshin procedurat e daljes nga institucioni, një person i panjohur i seksit mashkull, por që u shfaq duke shoqëruar pacienten kreu veprime konfliktuale. Ndonëse pacientja S. e prezantoi në këto çaste si partneri, civilisht kjo shtetase rezulton e martuar me një person tjetër. I gjendur para këtij fakti burri nervozohet, e kap nga dora infermieren dhe grisi në mënyrë demonstrative kartelat ku do shënoheshin të dhënat dhe kërkon që të largohet bashkë me gruan dhe foshnjën,” shpjegon A.K në komisariat.

Policia përshkruan në dosje se ky largim nxitimthi dhe duke refuzuar rregjistrimin ka sjellë edhe dyshimet e mësipërme, ndonëse punonjësja e maternitetit ka përmendur disa herë që burri i panjohur ishte prezantuar si babai biologjik. Një version të tillë e mbështeti edhe nëna e foshnjës. Mbasi ka dëgjuar palët policia është qetësuar dhe në përfundim bën me dije se i ka sugjeruar nënës së re që të finalizojë divorcin dhe në këtë mënyrë të qetësojë partnerin që vazhdon të refuzojë rregjistrimin e daljes në maternitet. Për policinë kjo çështje zgjidhet së pari me divorc dhe derisa kjo të ndodhë, 28 vjeçari nuk ka asnjë rrugë tjetër, atij do t’i duhet të pranojë regjistrimin e foshnjës në kartelat e maternitetit./Marrë nga Gazeta SI

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH