Kryesore

Jam dru, s’po di, s’po du, s’po muj me kuptu!

               Publikuar në : 10:25 - 12/07/21 Loer Kume

Clubbing, duke ushtruar sportin e rëndë të të menduarit

Loer Kume

Vera është e nxehtë, për të pirë nëpër clubs, clubing, koktejle, njerëz, muzikë. Po. Muzikë.
Besimi im personal është që gjithkush në kohën tonë bën ç’të dojë e jeton si do. Zgjedhje e lirë, dhe mundësi të pafundme.
Sigurisht, kolona RockRëmujë nuk është as moraliste, as didaktike. Nuk është qëllimi im të jap leksione, çfarë duhet bërë, dëgjuar, ngrënë, pirë, tymosur, apo thithur. Liri totale për këdo. Aq më tepër, nuk jam kurrsesi për të dhënë leksione e mësuar njerëzit se ç’muzikë duhet të dëgjojnë. Jam armiku më i madh i didaktizmit.
Gjithashtu, i përkas një brezi që përveç rock-ut të trashëguar e zhvilluar më tej, jemi rritur me hip hop. Me më të mirën e tij. Trashëgimia e hip hop-it bazë të viteve ‘80, ne u rritëm me hip hop-in e ‘90-2000. Nisi aventura e brezit me 2Pac e Notorius BIG, me Snoop Dog, P. Diddy, Nas, Dr. DRE, e derisa vijmë te Eminem, e më pas te Kayne West. E plot të tjerë, që qarkullonin në qiellin e hip hop të viteve ’90- 2000.
Ndaj, kurrsesi nuk mund të jem një hip hop hater. Me gjithë tekstet primitive, me dhunën e integruar, prapë artistët e hip hop-it që pushtuan botën ishin saktë artistë. Krijonin rima si poezi, kishin truke në të bërit rep, dhe ti kudo nëpër muzikë e tekste ndieje gjenialitet krijues e zgjuarsi, edhe në mes të budallëkut të gangsta nigga.

Për të ardhur pastaj te gjenialiteti i pastër dhe shokues i Eminem, që vazhdon ende sot habit e nxit me talentin, shpejtësinë dhe rimat e tij spektakolare. Deri te beteja mes tij dhe Machine Gun Kelly, loja e bukur e luftës së hip hop. E deri te Godzilla, sërish një rekord Guiness shpejtësie.
Vijmë te hip hop-i shqiptar i viteve 2000; tekste sërish tricky, ngacmues, të çiltër, të fortë, të pastër, ende gangsta i pafajshëm, ndjehet në tekstet e tyre dëshira për të bërë muzikë. Djem e vajza me këngë, me mesazhe, me eksperienca jete si “Ushtari rrugës”, apo me gjurmët e para të të përdorurit të muzikës për argëtim, si “kush o ma i forti”, Afrim Roboti. Sigurisht dhe 2dieFor e këngët e para të Tingulli Trent, me llokume e me gjëra. E sigurisht, Mc. Mimo në karik si gjithmon çik me taktik. Saktë. çikë me taktikë.
Taktika është fjala kyç.

Ndërsa mbrëmë në mes të natës e vapës dal me mikun tim Igin, shkojmë në një klub, për një gotë, një moment fillon një këngë e një repereje te 2020-tës. Muzika sigurisht super, por teksti…
Kjo është arsyeja e këtij shkrimi. Teksti ishte një horror i vërtetë. Fjalë pa sens, të lidhura bashkë vetëm si shfryrje, ngrefje, pështytje ndaj tjetrit, teksti plot me cancel culture, dhe një, dy, tre, shumë, tërë gocat dhe çunat qark në klub që këndonin çdo fjalë, tërë pasion. Pas saj filloi një tjetër këngë e tillë horror, dhe e njëjta histori, i njëjti reagim, të tërë këndonin në një zë, çdo fjalë, çdo veprim të klipeve, aty në vend. Vajza e djem të bukur si yje, që këndonin fjalë të përçarta e ngjanin si turmë të zotëruarish nga ndonjë djall i vogël i debilizuar.

Gjëja më e pamundur në jetë është t’i shkosh kundër kohës. Koha ecën para, bashkë me fenomenet e reja, modën, frymën e kohës, dhe atë çka koha nxit, në terma inteligjence kolektive. Por ama, kjo nuk na pengon të mos gjykojmë atë që mendojmë të mirë e të keqe, atë që mendojmë të zgjuar apo idiote.
Sigurisht nuk jemi për luftë brezash, nuk kemi probleme me muzikën e kësaj kohe, shijojmë ritmin, kërcimin, hip hop-in, twerkun, smoke grwn shit e tërë efektet. Asgjë e panjohur në këtë diell.
Por ajo që shqetëson, ajo që duket e zymtë, e tmerrshme, e errët në të ardhur, jane tekstet. Mungesa e mendimit, e ngacmimit, e lojës, e stimulit. Mungesa e figurave letrare, varfëria e mendimit, reduktimi i retorikës në dy-tre batuta, në lekë, makina, mall, të fortë dhe kurva. Dhe goca të forta sigurisht, që bëjnë lekë dhe s’pyesin për kënd.
Për sa kohë që i dëgjojmë e argëtohemi, ne njerëzit që e kemi mbushur korteksin me poezi e tekste të artistëve të epokës kur truri ende punonte, ne është e vështirë të na ndikojnë këto tekste më shumë se argëtimi i lehtë i një nate vere. Por kur sheh një brez të tërë 16, 18, 20 vjeçarësh, që rriten, fomohen, iu merr formë mendimi, truri nga këto vargje e rima të meta; kur sheh tullat e para që vendosen në trurin e atyre që kanë lindur në vitet 2000 e tutje, janë këto lirika demente, atëherë e ardhmja është shumë e zymtë në dukje. Kultura e cancel culture, e mendimit të shkurtër, të shpejtë, fast food, e rrugës së shpejtë, e mospërqendrimit, e shpejtësisë për askund, e të mospasurit qëllime e plane, veç të tymosurit bar e të bërit lekë nga ajri duke ndenjur te cepi I rrugës, kjo lloj kulture po pjell kuçedra. E këto kuçedra, do trashëgojnë botën nesër. Ndaj më vjen në mend një batutë e dikujt: “Mos flisni ç’botë do t’u lëmë fëmijëve, por ç’fëmijë do t’i lëmë botës”.
Do kurajo shumë të shkruaj mbi këtë temë, që më pozicionon në hapësirë e kohë si brez i vjetër. Por do të jesh vërtet cinik, i hidhur, i keq, e do edhe më shumë kurajo të rrish pa folur mbi këtë temë.
Muzika e hip hop-i në veçanti, nuk janë edukatore. As nuk janë përgjegjëse për të rritur brezat përkatës. Muzika është ajo që eshtë, gjuha e parë, ajo më e drejtpërdrejta, ajo vjen drejt e nga kulla e Babelit e u flet të tërëve drejt e në qendër. Mënyra më e thjeshtë dhe primare e komunikimit, pa asnjë kufi.
E nuk e dimë në është veza apo pula, në eshtë koha që prodhon muzikën, apo muzika që farkëton kohën. Por unë nuk jam aq trim sa të mos reagoj, kur më trazohet stomaku nga të tilla vargje:

Tri vija addidas une i nuhas
Si lule 8-mars, coke edhe hash
Sytliash kerrit ja dhash shume gaz
E e bona zhyll permbas
E i thash shoferit shko laje…

Ça po don prej meje çe pak fam ta jap, like WTF.
Diamonds on my wrist, diamonds on my neck, like WTF.
Beli holl për mas për para t’çume, like WTF.
Give me give me mula-la, WTF, WTF…, 
që janë guri i themelit i mënyrës së mendimit, e krehëri që kreh trurin e brezit lindur më 2000 e tutje.
Mirë ne, jemi brezi i rrëmujës, produkt i rrethanave të kohës sonë të rrëmujshme, po ky brez, do jetë brezi i bërë dru? Brezi i drunjtë?
Mundet fare mirë që ka një konspiracion okult për të prodhuar qënie njerëzore të thjeshta e primitive me kërkesa minimale kafshërore, të cilët drejtohen e kontrollohen më kollaj, e gjërat për kontrolluesit shkojnë vaj. Ose mund të jetë që koha po thjeshton gjërat në atë mënyrë që po na rikthen drejt kafshës sërish, si varianti më i thjeshtë i mbijetesës dhe evolucionit. Por më pëlqente koha kur gjërat ishin të komplikuara e të bukura. Kur mendja ishte me shumë pyetje e me shumë pak përgjigje, ende njerëzore.

 

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back