Globi

Izraeli formon kabinetin e ri qeveritar të luftës

Shkruar nga Liberale
Izraeli formon kabinetin e ri qeveritar të luftës

Izraelin në luftë do ta drejtojë tani një qeveri e re e bashkimit kombëtar. Kryeministri Benjamin Netanyahu ra dakord të formojë kabinetin e luftës me ish-ministrin e Mbrojtjes dhe liderin e partisë opozitare të qendrës Benny Gantz. Ky kabinet do të fokusohet tërësisht në luftë, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga partia e Unitetit Kombëtar të Gantz.

Numri i të vdekurve në Izrael u rrit në 1,200 me mbi 2,700 të plagosur, sipas ushtrisë. Nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazën e rrethua janë vrarë mbi 1,100 vetë dhe janë plagosur 5,339, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Rreth 535 ndërtesa banimi janë shkatërruar duke lënë rreth 250,000 të pastrehë.

Në Rripin e Gazës gjendja humanitare sa vjen e rëndohet. Termocentrali i vetëm ka mbetur pa karburant, ndërkohë po ndërpritet furnizimi me energji, ushqim dhe ujë. Në këtë situatë, Uashingtoni tha se është duke biseduar me Izraelin dhe Egjiptin për kalimin e sigurt të civilëve nga Gaza.

Këtu të plagosurit mbërrijnë në spitalin Al-Shifa në qytetin e Gazës. Dhjetëra banorë të Gazës që ikin nga sulmet ajrore kanë kërkuar strehim në spitalin al-Shifa. Disa nga familjet atje thanë se u larguan nga disa vende, të tjerët ecën në këmbë për orë të tëra për të arritur në një vend të sigurtë.

“Jemi në dorë të Zotit. U zhvendosëm në tre strehimore të ndryshme. Nuk ka më vend të sigurt në Gaza. A jemi objektivat tuaja? A jemi në objektivat tuaja Netanyahu? A jemi ne kafshë njerëzore?”

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al Qassam, njoftuan të Mërkurën se janë ende duke luftuar brenda Izraelit. Xhama dhe mbeturina duken përtokë jashtë një ndërtese pranë spitalit në jug të Izraelit Ashkelon. Raketat e lëshuara nga Gaza mund të shiheshin në qiell me sy të lirë.

Ushtria izraelite ndërkohë ka dislokuar tanke dhe automjete të blinduar në veri të Gazës. Shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Herzi Halavi tha se ushtria do të godasë liderët e Hamasit kudo që të jetë.

Ushtria izraelite tha se ka vrarë të paktën 1000 palestinezë të armatosur që u infiltruan nga Gaza. Trupa të terroristëve të armatosur të Hamasit u gjetën në komunitetin izraelit Beeri pranë kufirit me Rripin e Gazës. Ky është një ndër komunitetet më të goditura. Trupat, të mbështjellë me batanije të bardha, u gjetën në rrugët e Beeri, i cili tani patrullohet nga ushtria izraelite. Mediat lokale thanë se mbi 100 banorë u vranë. Kjo përbënte rreth 10 për qind të popullsisë të komunitetit.

Situata është e tensionuar edhe në bregun Perëndimor ku forcat izraelite të sigurisë kanë vrarë të paktën 27 palestinezë gjatë përleshjeve që nga e Shtuna. Në bregun Perëndimor janë strehuar edhe palestinezët që punonin në Izrael.

Një ofensivë tokësore në Gaza mbart rreziqe për Izraelin, veçanërisht për pengjet që mbahen dhe për shkak të dendësisë së popullsisë. Hamasi ka kërcënuar se do të ekzekutojë një rob për çdo goditje në shtëpi pa paralajmërim.

Burimet palestineze thanë se një nga sulmet ajrore izraelite në shtëpitë e goditura në Gaza gjatë natës vrau tre të afërm të shefit të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, organizatori i fshehtë i sulmit, i cili ishte planifikuar për dy vjet.

Dhjetëra izraelitë dhe të tjerë të huaj u dërguan në Gaza si pengje, disa prej të cilëve u parakaluan nëpër rrugë. Të dyja palët kanë thënë se shumë gra dhe fëmijë ishin në mesin e të vdekurve dhe të plagosurve, dhe të afërmit e shqetësuar kanë mbajtur funerale të shumta.

Pati dyshime për hapjen e një fronti të ri nga ana e Libanit. Gjatë ditës pati alarme paralajmëruese, por ushtria izraelite më pas tha se ka pasur mosfunksionim të sistemit.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka paralajmëruar mbështetësit iranianë të Hamasit që të mos shfrytëzojnë rastin për të nisur një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH