Atentat ndaj marrëveshjes së 5 qershorit e ka quajtur Ivi Kaso kërkesën e socialistëve për ndryshimin e statusit të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Ai u shpreh se socialistët po përpiqen të minojnë prezencën e ODHIR e cila ka qenë prezente në çdo mbledhje te Këshillit Politik.
“Në kohë që po jetojmë dhe me sjelljet konsekuente për të rritur standardin e zgjedhjeve për reformën zgjedhore, nuk mund të them që nuk jam i çuditur. Pasi është bërë e ditur dhe ne kemi theksuar se pas marrëveshjes së 5 qershorit, lideri i maxhorancës ka shprehur hapur pakënaqësitë. Drafti i PS është atentati i radhës për marrëveshjen e 5 qershorit. Rama tha hapur që është gati të grisë marrëveshjen. Së dyti ai miratoi në mënyrë të njëanshme në këshillin politik në datën 21 korrik dërgoi dokumentin, në datë 22 thirri mbledhjen dhe më 30 korrik miratoi ndryshimet kushtetuese. E njëjta gjë filloi kur u rimblodh Këshilli Politik. Shfuqizoi një nga pikat e marrëveshjes. ODHIR ka qenë në tryezën e Këshillit Politik, por e minoi edhe atë”, tha Kaso
Kaso deklaroi se Rama po kërkon të zhveshë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor nga një mbrojtje e cila ka ekzistuar prej vitit 2003, duke i hapur kështu rrugë sipas tij, korruptimit të tyre.