Kryesore

Italia dhe G20 për të vaksinuar gjithë botën

               Publikuar në : 09:39 - 23/02/21 Danilo Taino

Danilo Taino

Bëhet fjalë për të vaksinuar botën: “askush nuk është i sigurtë deri sa të gjithë nuk janë të sigurt”, është fjalia e përsëritur vazhdimisht. A mund të ketë Italia dhe qeveria Draghi një rol në nisjen e fushatës së imunizimit global të bllokuar në këtë çast? Në datën 17 shkurt ishin vënë në punë 188,35 milionë doza vaksinash në botë (burimi, Ourwoldindata.org). Prej tyre 56 milionë në Shtetet e Bashkuara, 24 milionë në BE, 18 milionë në Mbretërinë e Bashkuar, shtatë milionë në Izrael, 40 milionë në Kinë (më 9 shkurt).

Në pjesën tjetër të Vendeve, pak më shumë se 40 milionë gjithsej, e në shumë prej atyre më të varfër perspektiva e një vaksinimi është tepër e largët. Është e dukshme që për të drejtuar një fushatë globale duhen mobilizuar Vendet më të pasura, mbasi të kenë vënë në vijë rrugën për imunizimin e qytetarëve të tyre. Ka një sërë nismash të prirura për të mbështetur zotimin e Organizata  Botërore e Shëndetësisë ka krijuar Covax, një aleancë bashkëpunuese për të vaksinuar gjithë të rriturit e planetit. Ajo që mungon është ndihmesa konkrete për të mbushur zbrazësitë që në shumë pjesë të botës janë dhe pengojnë që fushata të fillojë.

Bëhet fjalë për të shtuar prodhimin nëpërmjet lejeve, të organizohen zinxhirët e furnizimit shpesh të ngatërruar për karakteristikat e vaksinave, të krijohet prapavija për mbarështimin, të gjinden teknikët që janë t’aftë të bëjnë gjithë këto. E të vihen në dispozicion fondet për këtë sipërmarrje të rëndësishme. Vetëm ekonomitë më të pasura, ato të G20 kanë muskujt dhe arkat për të mbështetur një bashkëpunim botëror të këtij lloji.

Mirë: Italia ka këtë vit kryesinë e G20-ës, ka një qeveri të re të drejtuar nga një kryeministër me një autoritet absolut ndërkombëtar. Ka mundësinë të nxisë e të drejtojë njëzet ekonomitë më të fuqishme drejt një përpjekjeje të përbashkët të domosdoshme për të gjithë. Dhe duhet t’a fillojë duke futur në lojë aleatin më të fortë, atë Joe Biden që duhet të rifitojë për Shtetet e Bashkuara prestigjin historik të drejtimit në mbarështimin e krizave, të humbur në 2020 për shkak të America First. Kështu dhe Italia do të rigjejë kuptimin e vetvetes.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika  /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back