Krye

Isuf Kalo: Si e kam njohur Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë

               Publikuar në : 09:16 - 12/07/19 V Liberale

UET PRESS promovoi dje librin “Blloku” me autor Isuf Kalon. Për herë të parë, mjeku personal i Enver Hoxhës sjell në një libër kujtimet e tij pranë udhëheqjes socialiste. Personalitete të larta të kulturës dhe të politikës si ish kryeministri Berisha ishin të pranishëm dje gjatë promovimit.

Rrëfimi im në këtë libër është fokusuar më shumë te dy protagonistë kryesorë: Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Kjo e fundit, sepse pati marrëdhënie të ngushta pune dhe miqësi të gjatë, të sinqertë me të. Mund të lindë pyetja: Përse tek ata dhe jo te Enveri, të cilin e kam njohur më nga afër, si mjek personal i tij, gjatë 12 viteve të fundit të jetës? Arsyeja është se dëshmitë në këtë libër shtrihen edhe më tej në kohën kur ai nuk ishte gjallë. Sidoqoftë, Enveri përmendet shpesh në këtë libër. Po ashtu, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu etj., pasi edhe ata i kam takuar dhe kam biseduar me ta si mjek. Veç kësaj për Enverin është folur e shkruar gjerësisht gjetkë. Ai ka shkruar vetë libra për jetën dhe veprimtaritë e tij. Kanë shkruar për të autorë shqiptarë dhe të huaj, si edhe Nexhmija, Ramizi apo të tjerë ish-bashkëpunëtorë të afërt. (Megjithatë, nuk përjashtohet që një ditë të shkruaj edhe unë posaçërisht për të.) Ndërsa për Ramiz Alinë, përveç disa kujtimeve të përcipta të tij, fare pak është shkruar. Ai ka mbetur si i harruar, i njohur vetëm sipërfaqësisht. Ndoshta, për shkak se ai vetë pat preferuar më shumë që të fshihej sesa të dukej.

Mirëpo Ramiz Alia ishte personalitet kyç, drejtuesi kryesor i ideologjisë dhe i propagandës komuniste, të cilat, në fund të fundit, dështuan edhe te ne. Ai, në vitet e fundit të jetës së Enverit, pati kontaktet më të ngushta me të. Ishte i preferuari i Enverit dhe pati besimin e jashtëzakonshëm të tij, si pasardhës pas vdekjes. Së fundmi, kur diktatura u shemb, Ramizi, në krye të pushtetit dhe Nexhmija krah tij, ishin të vetmit nga ish-kupola e lartë të mbetur gjallë në të ashtuquajturin “tranzicion”. Atyre u ra barra dhe sfida që ose ta mbronin e ta vazhdonin ideologjinë komuniste me këmbëngulje, ose ta dorëzonin e ta varrosnin atë dhe Bllokun përfundimisht. Cilën prej tyre bënë vallë?

***

Në këtë libër nuk ka histori në kuptimin shkencor e profesional të fjalës. As letërsi në kuptimin artistik. As ditar apo fantazi. Dhe as biografi e autorizuar e ish-udhëheqësve që përmenden në të. Do të gjeni thjesht dëshmi dhe reflektim për një periudhë të kaluar sa entuziaste aq dhe të dhembshme, rrëfyer nga një mjek tashmë 77-vjeçar, por me kufizimet etike që profesioni ia impononte. Episodet në libër nuk kanë vijueshmëri, ato nuk ndjekin një linjë narrative unike dhe as kronologjike. Ato janë si copëza puzzle, apo mozaiku, ku secila plotëson diçka në tablonë e së tërës.

Përmbajtja është e bazuar në fakte dhe përjetime. Por dhe në analiza, ndjenja dhe mendime personale të miat, të çastit e retrospektive. Me to kurrsesi nuk kam qëllim të cenoj me keqdashje askënd që është përmendur në libër. Rrëfimi im është vetëm për çka pashë, ndjeva dhe kuptova unë si qytetar dhe si mjek, me vështrimin dhe përjetimet nga brenda Bllokut. Opinionet dhe vlerësimet e mia, si ato pozitive edhe ato kritike, mund të mos përputhen me mendimet dhe vlerësimet e disa prej lexuesve, sepse edhe jeta nuk na ka rrjedhur njësoj. As e shohim dot atë nga i njëjti kënd apo e njëjta dritare. Roza Luksemburg e quante pluralizmin e mendimit “kushtin e parë të demokracisë”.

Duke rrëfyer dhe reflektuar për Ramiz Alinë dhe në mënyrë episodike për Nexhmije Hoxhën e të tjerë personalitete të ish-elitës udhëheqëse komuniste, jam përpjekur t’i pasqyroj ata paanshmërisht, pa tendencë ashtu siç i njoha, i kuptova dhe i interpretova, gjatë kontakteve personale me ta.

Do t’i respektoj me përulësi opinionet e çdonjërit prej lexuesve, pa pretenduar se e kam unë monopolin e saktësisë, pagabueshmërisë dhe së vërtetës. Ata që nuk do të tolerojnë në këtë libër vlerësime pozitive për ndonjërin nga ish-udhëheqësit si individ, do t’i mirëkuptoj edhe nëse do ta ndërpresin leximin. Dhe po njësoj do të mirëkuptoj edhe ata, të cilët mund të mos durojnë kritika ndaj tyre, ndonëse i siguroj që ato janë krejt të sinqerta.

***

Shumë vite më parë Ismail Kadareja iu drejtua brezit të ri me vargjet: “Ju do të vini në kohëra më të qeta / Shumë fjalë tonat pa kuptim kanë për t’ju dukur / Se shumë fjalë do t’i ketë zhdukur jeta / Ashtu siç ndoshta tigrat do të ketë zhdukur”.

Mbase edhe ky rrëfim është disi i vonuar, sepse “raca” e personave për të cilët flas, tashmë është zhdukur nga skena jonë publike. Ajo racë ishte e veçantë, e vështirë për ta njohur së brendshmi dhe po aq për ta kuptuar. Dritëro Agolli pat shkruar se “për të parë të nesërmen, duhet të jetosh të sotmen dhe të kujtosh të djeshmen”.

Fillimisht, pas fitores së luftës antifashiste, ata ndërmorën me shumë entuziazëm një eksperiment ideologjik e social, të cilin e besuan se do t’i sillte frute vendit. Por, pas disa sukseseve fillestare, ai eksperiment në fund dështoi. Jo vetëm në Shqipëri por kudo ku u zbatua. Ndërkohë, la pas të pashkulura, rrënjë në mendësi, metoda, shprehi dhe në sjelljen e njerëzve që bashkëjetuan me ta.

Ato mendësi mund të gjallërohen e të rishfaqen përsëri të tjetërsuara. Kështu ndodhi me mikrobet, të cilat gjatë disa dekadave, falë antibiotikëve, u besua se u zhdukën përgjithmonë. Por, papritur, ato u rishfaqën në një formë të re, rezistente dhe më dëmprurëse. Zhdukje përfundimtare, pas ndryshimeve, ndodhi vetëm me dinozaurët. Këta e pësuan nga dimensionet e stërmëdha, nga mbipesha dhe nga paaftësia e përshtatjes me kushtet e reja. Kohët e reja nuk lanë vend për ta. Ky pësim prej teprimit u bë mësim universal për gjallesat dhe shoqëritë njerëzore më pas.

Dëshiroj që ky libër t’i ndihmojë brezat e sotëm dhe të ardhshëm për të njohur një epoke të çuditshme të së kaluarës, e cila ende pulson dhe përpëlitet pa u zhdukur tërësisht.

Së fundmi, dëshiroj t’u them lexuesve se, pas botimit, ky libër nuk do të jetë më imi. Do të jetë i gjithi juaji. Në dorën tuaj të bëni ç’të doni me të: ta lexoni, rilexoni, ta flakni, ta harroni në ndonjë raft apo ta nënvizoni./Gazeta Liberale

(Visited 241 times, 2 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *