Aktualitet

ISHP i kërkoi kryerjen e testeve në laboratorë të jashtëm, por MSH...

Shkruar nga Liberale

Një muaj më parë, më 8 qershor, Instituti i Shëndetit Publik i është drejtuar me një shkresë zyrtare ministrisë së Shëndetësisë, ku i kërkon që testimi për COVID-19 të kryhet në laboratorë jashtë këtij institucioni, të cilët janë të certifikuar nga Instituti.

Në dokumente të siguruara nga Euronews Albania dhe të shtjelluara nga gazetarja Bruna Çifligu, theksohet se kjo çështje ka marrë përmasa emergjente.

ISHP nënvizon se në atë kohë, pra më 8 qershor, kishte kërkesa të shumta për testime, të cilat lidheshin kryesisht “për efekt dokumentacioni, apo udhëtime jashtë vendi”.

Pra situata konsiderohej emergjente, por çfarë thonë shifrat në lidhje me pandeminë në atë kohë?

Më 8 qershor kishte 17 raste pozitive dhe në 24 orë ishin kryer 102 testime, ndërsa në total kishte 1,263 raste pozitive dhe 34 viktima.

Ndërsa sot, fiks një muaj pas kësaj shkrese, më 8 korrik, autoritetet kanë deklaruar 68 raste pozitive dhe në 24 orë ka kryer 397 teste, me në total 3,106 raste pozitive ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 83 vdekje.

Pra shifrat tregojnë për pothuajse trefishim të rasteve pozitive, pas trefishimit të testeve.Faksemile e kërkesës së ISHP-së drejtuar ministrisë më 8 qershor 2020.

Euronews Albania pyeti zyrtarisht ministrinë e Shëndetësisë, e cila tha se “ka kapacitete të plota për kryerjen pa vështirësi të hetimeve epidemiologjike”, ndërkohë që shumë qytetarë po hasin vështirësi për kryerjen e testeve.

Të martën Euronews Albania solli në vëmendje rasti ne një vajze, së cilës autoritetet nuk i kryenin testin për COVID-19 pavarësisht se ajo ishte listuar prej javësh për këtë gjë.

Megjithatë ministria nuk ka pasur një reagim konkret për këtë situatë.

Në përgjigje ndaj kërkesës së redaksisë, ministria thekson se “së shpejti do të hapet laboratori i QSUT-së” dhe se “janë 90 mijë teste në dispozicion”.

Për sa i përket testimeve për arsye udhëtimi apo dokumentacioni jashtë shteti, ministria thotë se “po diskuton me Komitetin Teknik të Ekspertëve dhe ende nuk ka një vendim”. /Euronews

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH