Aktualitet

Ishin arrestuar për kontrabandë mallrash, pezullohen nga detyra dy inspektorë dhe dy doganierë

Shkruar nga Liberale
Ishin arrestuar për kontrabandë mallrash, pezullohen nga detyra dy

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Korçë ka ekzekutuar vendimin penal dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec për dy inspektorë dhe dy doganierë. Këta punonjës u arrestuan fillimisht në muajin qershor. Por më pas, Gjykata e Apelit vendosi të caktojë për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Madje të katër punonjësit ishin kthyer në punë, por tashmë janë pezulluar me vendim gjykate. Të pezulluarit janë shtetasit:

- Inspektor Arjan Harjulla, 43 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, stacionuar në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë/të pjesshëm, nga detyrimet doganore apo të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

- Inspektor Fisnik Mahmutllari, 38 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, stacionuar në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ” Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë/të pjesshëm, nga detyrimet doganore apo të akcizës “,”Kontrabanda me mallra të tjera”.

- Shtetasit nën hetim Vladimir Bardhi, 53 vjeç, me detyrë doganier fizik në Degën e Doganës Pogradec, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

- Shtetasit nën hetim Julian Poce, 45 vjeç, me detyrë doganier i peshores në Degën e Doganës Pogradec, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

“Këta shtetas janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.206, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, i referuar dhe ndjekur nga AMP Korçë nën drejtimin e kësaj Prokurorie gjatë operacionit “Dinarët” në kuadër të punës kundër kontrabandës dhe veprimeve abuzive në pikat kufitare, ku me herët në lidhje me këtë procedim janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, ndër ta edhe punonjësit e mësipërm”, tha AMP.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH