Dossier

Ish-shefi i ‘Shtëpisë me Gjethe’: Kadare është përgjuar rregullisht

               Publikuar në : 21:30 - 03/02/21 liberale

Skënder Lama, ish-ushtarak i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe me detyra drejtuese te dega e ish-Sigurimit të Shtetit që merrej me përgjimet dhe kontrollin postar, e cila prej vitit 2017, njihet ndryshe si Muzeu “Shtëpia me Gjethe”, tregon eksperiencën e tij kur shërbeu për disa vite në Radio-Zbulim në repartet e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.

Më pas, ai dhe një grup tjetër oficerësh që kishin dalë me rezultate të larta dhe që plotësonin edhe disa kritere të tjera, si ana biografike, përgatitja fizike profesionale etj., u caktuan të shkonin në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Sauk, ku u specializuan në disa degë të asaj shkolle.

Pas atyre specializimeve, ish-ushtaraku Lama i ftuar në atë emsion, tregoi se u emerua me detyrë në Degën e Sigurisë dhe Ruajtjes së Personaliteteve në ish-Bllokun e udhëheqjes së asaj kohe, ku shërbeu për disa vjet me rradhë deri në 1984-ën. Në atë vit, ai tregoi se u thirr në Drejtorinë e Kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendëshme të asaj kohe, ku Drejtori Asllan Ulqinaku, i komunikoi transferimin dhe detyrën e re, e cila ishte: Shef i Edukimit Profesional pranë Objektit “Gjethja”, siç njihej në atë kohë me emrin e koduar, Dega e Përgjimeve dhe Kontrollit Postar e Drejtorise së Sigurimit të Shtetit, që ndodhej në atë godinë e cila prej disa vitesh është e njohur si Muzeu Shtëpia me Gjethe.

Në dëshmitë e tij, ish-ushtaraku i lartë i atij objekti (që në strukturat organizativë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme njihej si Dega e II-të dhe Dega e V-të), fillimisht tregoi se si ‘Shtëpia me Gjethe’, para viteve ’90-të në Tiranë ka pasur edhe pesë apo gjashtë objekte të tjera të Sigurimit të Shtetit, më të mëdha po dhe më të vogla, që kryenin të njëtin funksion dhe që ishin të shpërndara në pika të ndryshme të kryeqytetit që mbaheshin tepër sekret, por vetëm ai objekt njihej nga populli, pasi ishte i ekspozuar për shkak se ishte në mes të Tiranës.

Më pas ish- ushtaraku Lama, tregoi se përzgjedhja e atij objekti që njihet si “Shtëpia me Gjethe”, ka qenë e kushtëzuar edhe për shkak të godinës së Post Telegrafës që ishte aty afër dhe rrjeti kabllor i sistemit telefonik vihej më lehtë në përgjim. Sipas tij, aparatura dhe teknologjia që kishte në dispozicion ‘Shtëpia me Gjethe’, fillimisht erdhi nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe vende të tjera të Evropës Lindore, si Republika Demokratike Gjermane, Hungaria, Çekosllavakia etj., me të cilat regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte marrëdhënie të mira, por pas fillimit të viteve ’60-të kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me këto vënde, aparaturat dhe teknologjia e ‘Shtëpisë me Gjethe’, për shumë vite mbeti shumë e prapambetur, aq sa shiritat e manjetofonave që përgjonin, lidheshin me copam letre për të ndarë fjalët. Kjo gjë vazhdoi për shumë kohë deri sa shteti filloi të blinte aparatura dhe teknollogji për atë objekt, edhe në vënde të ndryshme Perendimore, si Austria, Zvicrra, Suedia etj.

Në dëshminë e tij në emisionin Memorie, ish-ushtaraku i lartë i Ministrisë së Brendëshme, Skënder Lama, në bashkëbisedim me dy gazetarët, u ndal gjatë duke shpjeguar edhe në anën organizative e objektit në fjalë, ku tha se punonin një numër i madh njerzish të përzgjefhur, kryesisht vajza të reja që punonin si operatorë në aparaturat e përgjimit. Por edhe pse ai cilësohej si objekt i rëndesisë së veçante dhe tepër sekret, i ftuari Lama tha se ai objekt dhe stafi shumë i madh që shërbenin aty, pothuaj ishin të dekonspiruar, pasi hynin e dilnin aty nga porta kryesore që ishte në pjesën ballore të saj, (aty ku është dhe sot) dhe të gjithë I dinin se ata njerëz punonin aty, edhe pse ata as familjeve të tyre nuk duhej t’u tregonin për punën që bënin.

I ftuari Lama tregoi edhe mënyrën se si funksiononte ai objekt, ku asnjë nga punonjësit e tij nuk duhet të dinte në asnjë mënyrë punën që bënte tjetri dhe çdo gjë mbahej në sekretin më të madh. Ai tha se per personat që viheshin nën përgjim, merrej më parë miratim nga Prokuroria e Gjykata, por kjo gjë ishte një formalitet, pasi askush nuk i shpëtonte përgjimit dhe ajo gjë bëhej si padashje, pra sikur personi kishte rënë rastësisht në rrjetën e përgjimit telefonik. Sipas tij, objekt i përgjimit ishte çdo persona që etiketohej si antiparti, apo për veprimtari të dyshimtë, duke filluar nga anëtarët e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ministrat etj., dhe ndaj tyre fillonte automatikisht përgjimi, pa pasur nevoje të kërkohej aprovomi apo leja e Prokurorisë. Një ndër ta ka qenë dhe Petrit Dume, ish-Shefi i Shtatmadhorisë, me të cilin Lama tha se ka pasur njohje personale, ku ndaj tij përgjimi kishte filluar sapo ai u kritikua nga udhëheqja e lartë dhe personalsiht, Enver Hoxha.

Në ketë kontekst, ai tha se që nga viti 1974 e në vijim, është përgjuar rregullisht edhe shkrimtari i njohur, Ismail Kadare. “Askush nuk përjashtohej nga pergjimi, madje as kryeministri Mehmet Shehu, i cili ka qenë i përgjuar por edhe përgjues”, u shpreh ndër të tjera ish-ushtaraku i ‘Shtëpisë me Gjethe’. Skënder Lama, i cili mës të tjerash tha se i gjithë trupi diplomatik që ishte në Shqipëri përgjohej rregullisht, duke treguar konkretisht edhe mënyrat se si u viheshin përgjuesit, (apo “çimkat”, siç njiheshin ndryshe ato në zhargonin popullor), në ambientet e tyre, automjetet etj.

I pyetur nga dy gazetarët nëse kishte pasur rrjedhje sekreti nga stafi i atij objekti apo ai vetë personalisht, i ftuari Lama tha se në një rast të vetëm, ai njoftoi një mikun e tij të ngushtë që asokohe shërbente si pilot, duke i thënë të mbyllte gojën, gjë e cila nënkuptonte se ai ishte nën përgjim. Ai tregoi se në atë objekt, kishte dhe gafa të mëdha, siç ishte p.sh., përgjimi i një mjeku të Spitalit Ushtarak që ndiqej dhe mbahej nën përgjim si agjent i mundshëm i Zbulimit Grek, në një kohë që ai kishte gjashtë muaj që kishte vdekur. Këto gabime tha ai, vinin nga drejtuesit injorantë që merreshin aty nga jeta civile, ku sa më lart që të ishin në funksione drejtuese, aq më të paaftë ishin ata, sepse ishin rektutuar aty në bazë të biografive dhe besnikërisë ndaj regjimit komunist.

I pyetur nga dy gazetarët për ndonjë ngjarje të veçantë në atë objekt që gjatë periudhës së regjimit komunist cilësohej si mjaft i frikshëm për popullin e thjeshtë, ish ushtaraku i lartë, Skënder Lama, tha se në vitin 1985, pikërisht ditën që vdiq diktatori Enver Hoxha, dy tre kolegë të tij, me detyrë Punetorë Operativë të Sigurimit të Shtetit, (si Besnik Daci, Sulo Rusmajli) që shërbenin aty dhe mbulonin disa ambasada të huaja, dolën në ballkon duke qeshur, pasi nuk e dinin se çfarë kishte ndodhur. Dikush i spiunoi ata dhe aty u shfaq mënjëherë Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, i cili bëri një mbledhje urgjente, duke i diskretituar ata për veprimin që kishin bërë dhe më pas ata përfunduan në burg me 8 vjet denim (Besnik Cani), kurse tjetri, si punëtor në Minierën e Manzës./Scan/

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back