Aktualitet

INTERVISTË/ Soela Zani, fotografja që shkroi sërish historinë: Kur prek zemrat mund të kalosh edhe kufijtë  

Shkruar nga Liberale

Nga Luiza Pinderi

Nisi me një  një telefonatë nga mikja e saj, ish-shoqe e auditorëve të Akademisë së Arteve, Eneida Xhelili. Frankën e kishte fotografuar që kur ishte 3 vjeçe dhe kishte “çaste” shumë të bukura nga seti i realizuar në atë kohë. 8 vite më pas ajo i kërkoi të njëjtën gjë, tashmë e veshur me xhubletën që do të kërcente në një fest. Nxori të ëmën nga studioja, për të larguar emocionet te 11-vjeçarja dhe nisi punën me pozat dhe shkrepjet. Edhe pasi vajza bëri lëvizjet e kërkuara, diçka i mungonte fotos në sfondin e zi. Krejt rastësisht gjeti njeriun që e ndihmoi për të realizuar konceptin.

“Valëviti flamurin si duhej dhe vetëm pas 9 shkrepjesh kuptova se arrita atë që doja”, thotë Soela Zani. Gjithçka që vjen më pas është thjesht histori. Fotoja e Frankës me xhubletë dhe flamur u bë virale në rrjetet sociale, u bë fotoja më e përdorur këtë vit për të uruar Festat e Nëntorit. “Është njësoj si një këngë që të gjithë e këndojnë”, thotë më tej Soela në këtë intervistë për Liberale.al. “Unë bëra punën time me dëshirë dhe pasion siç e bëj gjithmonë”.

Pasioni ka qenë ai që e ka drejtuar shumë herë të shkelë rrugën e suksesit. Njëjtë ndodhi edhe vite më parë, në 2015, kur nga fjala e një nëne i lindi ideja e realizimit të fotografimit të 14 fëmijëve me Sindromën Down, nën petkat e personazheve të pikturave të famshme. “Edhe unë jam një vepër arti” u kthye më tej në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar, ndërsa pati jehonë në shumë media të huaja.

Rrugëtimin, nga auditorët e Arteve, të vajzës që vinte nga Gjirokastra për të ndjekur ëndrrën e pikturës, te “rrëmbimi” i aparatit të parë fotografik, hapja e studios së saj, projektet shumë të veçanta e të suksesshme, e deri te “puna” më e bukur si nënë, Soela Zani i rrëfen të gjitha në këtë intervistë, shumë natyrshëm, shumë njerëzisht e shumë thjeshtë, ashtu siç edhe ajo ecën në rrugëtimin jetësor.

Keni studiuar për skenografi dhe kostumografi në Universitetin e Arteve në Tiranë. Si u gjendet te fotografia dhe prej se vitesh punoni në këtë fushë? Cila qe ajo indicie që ju shtyu për të marrë këtë drejtim, ndryshe nga studimet e kryera?

Studimet e mia në fakultetin e Artit Skenik në degën skenografi/ kostumografi me profesor udhëheqës të pazëvendësueshmin Agim Zajmi, kanë qenë baza e formimit tim artistik. Kur ke themele të forta, të formuara mirë, sigurisht që mund të eksperimentosh në çdo lloj forme të artit vizual pasi kjo fushë është shumë e gjerë. Dhe fotografia sigurisht që është pjesë e kësaj fushe, ndaj unë nuk do ta quaja fotografinë si medium shumë larg asaj çka unë studiova. Pasioni ishte shumë i madh për fotografinë, kështu që sapo më ra në dorë aparati i parë fotografik gjysmë profesional me film (23 vite më parë) kuptova që kisha në dorë mjetin me të cilin mund të realizoja çdo ide artistike që më vinte në mendje.

Jeni përfshirë në dy projekte të veçanta me fëmijët me Sindromën Down dhe përtej kontributit për fushatën, fotografitë ju kanë bërë të njohur edhe jashtë vendit, me jehonën që patën në mediet ndërkombëtare. Nëse hidhni një vështrim pas në kohë, si e kujtoni procesin e realizimit të tyre dhe a keni sërish në plan për të sjellë një projekt të ngjashëm?

Shkak për këtë ekspozitë u bë njohja ime me tashmë mikeshën time Emanuela Pepkola Zaimi. Ajo është CEO e Down Syndrome Albania & Pro PAK. Është një vajzë “dinamit” do ta cilësoja, e cila ka një energji vibruese me të cilën më “infektoi” edhe mua. Së bashku vendosëm të realizonim një seri fotografike me fëmijët e qendrës ku ofrohen terapi. E menduam shumë thjesht, për vete, për fëmijët, për qendrën, për familjarët e fëmijëve. Nuk e dinim fare çfarë do të ndodhte më pas. Ekspozita u hap 8 vite më parë, në datë 6 nëntor 2015. E mbaj mend si sot përlotjen e disa vizitorëve teksa shihnin ekspozitën. Përshtypjet ishin të shumta dhe shumë pozitive. Për disa ditë nuk arrija të menaxhoja kthimin e përgjigjeve në rrjet.

Më pas “People Magazine”, “Vanity Fair Italy” dhe “Daily Mail” i dedikuan nga një shkrim kësaj ekspozite. Kjo që ndodhi ishte jashtë imagjinatës sime. Mora një mësim. Kuptova se kur prek zemrat mund të kalosh edhe kufijtë. Falënderoj nga zemra Emanuelen dhe 14 fëmijët pjesëmarrës të ekspozitës. Shpërblimi i kësaj pune erdhi i shumfishtë dhe më bëri të ndihem shumë e vlerësuar. Me pas u ftuam së bashku me Emanuelën në Glasgow për të marrë një çmim mirënjohjeje nga DOWN SYNDROME INTERNATIONAL, në një mbrëmje gala. Po ashtu edhe ish-presidenti i vendit z. Bujar Nishani dhe zonja e parë Odeta Nishani organizuan një mbrëmje gala në fundvitin 2015 me hapjen e ekspozitës në Pallatin e Brigadave.

Pse ju zgjidhni fëmijët dhe sa të vështirë apo të bukur e bëjnë ata punën tuaj? Cila ka qenë fotoja, çasti, personazhi që iu ka lënë më shumë mbresë, a do të mundeshit të veçonit diçka?

Fillimisht kam fotografuar personazhe për gazetë e më pas në revista të ndryshme. Kryesisht artistë, politikanë, sportistë etj… persona të rritur që merrnin një farë pozimi përpara aparatit. Duhej të kishin një lloj impostimi me të cilin t’i prezantoheshin publikut. Jo gjithmonë ky impostim që të gjithë ne të rriturit e marrim përballë objektivit është i goditur. Humbim natyrshmërinë dhe ngërdheshemi së koti. Tek fëmijët kjo gjë nuk ekziston. Fëmijët nuk kanë komplekse, e për pasojë janë shumë të natyrshëm. Ata nuk pozojnë, ata janë thjesht ata që janë, ashtu si janë, d.m.th të mrekullueshëm. Histori të bukura me fëmijët në studio dhe jashtë saj ka shumë. Por ata rriten shumë shpejt, dhe unë kam fatin t’i dokumentoj ata kohë pas kohe. Është e pabesueshme sa shpejt kalon koha dhe fotografia është një medium që ka mundësinë ta ndalë atë. Dhe fëmijët të ngelen fëmijë në këto foto përgjithmonë.

Vajza me xhubletë dhe flamur mund të konsiderohet më e bukura e këtij Nëntori, një koncept që vjen i ri për këto festa. Si lindi ideja dhe konkretizimi e deri te gjetja e personazhit? Cili është komenti më i bukur që keni marrë për këtë foto?

Vajza me xhubletë quhet Franka dhe nuk është e panjohur me kamerën dhe aparatin fotografik, pasi ka marrë pjesë edhe në disa spote publicitare. Unë ama kam pasur fatin ta fotografoj Frankën që kur ajo ishte 3 vjeç. Me Eneida Xhelilin, që është mamaja e Frankës, kam njohje që nga koha e Akademisë së Arteve, kur të dyja studionim në të njëjtët auditorë. Ajo ma solli Frankën e vogël në studio 8 vite më parë dhe nga ai set kam foto shumë të bukura. Këtë herë po Eneida me telefonoi e me tha që donte përsëri që unë të fotografoja Frankën me xhubletë, me të cilën ajo do të kërcente me shoqet e saj të shkollës në një festë. Erdhën të dyja në studio, por setin e realizova vetëm me Frankën, pasi ajo donte të ishte vetëm me mua ngaqë merrte shumë emocione nëse mami i saj do të qëndronte në studio. Fotot e para ishin të pozuara, sigurisht, pasi duhet bërë një lloj nxehje. Unë duhet të njihem vizualisht me personazhin që kam përpara, por edhe ajo duhet të njihet pak me aparatin, dritat e studios dhe mua. Nga mesi i setit doja foto më emocionale, nuk doja që Franka të më shihte më në objektiv. Ndaj e ula në gjunjë si të bënte një lutje dhe i kërkova t’i kalonte krahët pas e të imitonte shqiponjën. E bëri dhe unë e realizova foton, por kuptova që pjesa lart ishte e zeze dhe diçka mungonte. Ndaj mendova të shtoja një flamur që valëvitej. Ishte pak e vështirë se nuk kisha askënd të më mbante dhe valëviste flamurin në ato momente. Dola jashtë studios dhe rastësisht takova Anxhelika Kolevican (vajza e qeramistit të njohur Vasillaq Kolevica), e cila e kuptoi menjëherë kërkesën time. Valëviti flamurin si duhej dhe vetëm pas 9 shkrepjesh kuptova se arrita atë që doja.

Më pas fotografia u përhap shumë në rrjet dhe nuk isha e përgatitur për këtë. As logo nuk kisha vendosur përmbi foto dhe shumë herë është përdorur pa autorësinë time. Gjithsesi, duke parë anën pozitive të saj, ndjehem mirë pasi është një foto që është pëlqyer masivisht. Është një vepër që të gjithë e kanë bërë të tyren me shumë dëshirë. Është njësoj si një këngë që të gjithë e këndojnë dhe ky është një nder shumë i madh. Ndihem e vlerësuar maksimalisht. Unë bëra punën time me dëshirë dhe pasion siç e bëj gjithmonë, ju e bëtë atë virale dhe e treguat për gjithë shqiptarët anë e mbanë.

Realizmet tuaja gjithmonë godasin, ngjisin, provokojnë kënaqësi. Me çfarë po merreni aktualisht dhe a keni ndonjë projekt në duar, brenda apo jashtë vendit?

Përveç punës që bëj çdo ditë unë kam edhe 2 fëmijë të vegjël me të cilët jam totalisht e lidhur. Për mua ata janë kuptimi i jetës dhe çdo gjë që bëj e lidh me ta. Nuk jam duke kërkuar ndonjë projekt apo ekspozitë për hatër të vazhdimësisë. Mendoj që gjërat do të vijnë organike, atëherë kur të piqen të gjitha kushtet. E rëndësishme që pasioni dhe dashuria për punën time vazhdojnë të jenë po njësoj si ditën e parë që mora një aparat fotografik në dorë./Liberale.al  

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH