Aktualitet

Intervista/ Marin Mema: E vërteta nuk shpallet dot 'non grata'

Shkruar nga Albana Cenaj
Intervista/ Marin Mema: E vërteta nuk shpallet dot 'non grata'

Nga Albana CENAJ

Autor i emisionit 'Gjurmë Shqiptare', përmes fakteve nxjerr në pah të vërtetat nga pjesë të harruara dhe "të fjetura" të shqiptarëve. Me emisionin e tij aq popullor në trevat mbarëshqiptare, gazetari Marin Mema prej vitesh zbulon 'gjurmë të panjohura nga trashëgimia dhe kultura shqiptare'. Në një intervistë për "Liberale.al", Marin Mema thotë se ideja e dokumentarit “Gjurmë Shqiptare” kishte si synim që të sillte historitë dhe të kaluarën e kombit shqiptar, mbi bazën e së vërtetës. Sipas tij, e gjitha kjo nisi edhe nga dashuria që i lidh shqiptarë me trojet e tyre. Përveç gazetarisë, autori i 'Gjurmë Shqiptare' zbuloi dhe pasionin tjetër të "fshehtë" që kishte apo dhe e praktikonte akoma. Mema shprehet se ka hasur vështirësi në realizimin e këtij cikli, pasi është përballur me sfida të shumta edhe përtej kufirit shqiptar. Përveçse në Greqi ku prej 10 vitesh është shpallur 'Non Grata' nga autoritet greke, ai ka hasur pengesa edhe në Maqedoni, Prilep, Rekë të Epërme e më tej. Mirëpo sipas tij nuk do të ketë një ndalesë që të vazhdojë rrugën për të mësuar gjithmonë të vërtetën.  Mema thekson se ka pasur një ndalesë në disa komisariate gjatë realizimit dokumentar, kontrolle dhe kërcënime vetëm për shkak se ai nuk po tërhiqet nga e vërteta. Sipas tij, vendimi për t’u shpallur ‘Non Grata’ ishte absurd. Për të përcjellë një mesazh Marin Mema ka shprehur se për t'i dhënë baza më të sigurta të ardhmes së shqiptarëve duhet që vetë ata të sakrifikojnë për vendin e tyre, ta njohin historinë e tyre, pa ngjallur urrejtje mes njëri-tjetrit, pasi sipas tij, Shqipëria meriton më shumë. Mema thotë po ashtu se Shqipëria ka shumë avantazhe në mënyrë që të ndërtohet një e ardhme më e mirë, me mundësi më të mira zhvillimi. Si nisi rrugëtimi yt dhe pse zgjodhët pikërisht realizimin e një dokumentari që mban emrin “Gjurmë Shqiptare”? Ka qenë një dëshirë e kahershme të njoh, prek, zbuloj, shpluhuros, rrëfej sa më shumë për vendin, për kombin tim, për trojet shqiptare dhe historinë e jashtëzakonshme të tyre. Është diçka që ti nuk mund ta shpjegosh me fjalë sepse e ke brenda vetes. Dashuria për vendin, kultivohet nga familja dhe është pjesë e jotja çdo dite të jetës. A ju ka shkaktuar probleme cikli i dokumentareve që keni realizuar deri tani, si për shembull shantazh për të hequr dorë prej tyre? Sigurisht kjo punë sjell edhe probleme sepse jo gjithkund janë mësuar ta pranojnë të vërtetën. Përveç Greqisë ku unë jam shpallur person ‘Non Grata’ që prej tashmë 10 vjetësh, kemi hasur pengesa të shumta edhe në Maqedoni gjatë kohës kur në pushtet ishte kryeministër, Nikolla Gruevski. Madje në një nga dokumentarët e realizuar në Shkup, jemi ndaluar për orë të tëra nga njësia e forcave speciale në këtë vend. Kështu ka ndodhur edhe në Prilep, Rekë të Epërme e më tej. Ndalime të shumta gjatë punës kemi pasur gjithashtu në Serbi. Forcat e policisë na kanë ndaluar në Medvegjë, po ashtu në afërsi të Beogradit, në Pazar të Ri, madje në një nga rastet kanë ardhur edhe në hotel ku kanë kthyer përmbys gjithçka duke kërkuar të marrin xhirimet. Janë disa ndalime që i kanë ndodhur grupit në Serbi. Jemi mësuar tashmë më situata të tilla sepse vende të caktuara kanë një raport shumë të zhdrejtë me të vërtetën, por kjo sigurisht nuk do të na bëjë të ndalemi. Jeni shpallur në vitin 2012 ‘non grata’ nga Republika e Greqisë duke u quajtur si rrezik për sigurinë kombëtare. Çfarë do të thotë kjo dhe si e shpjegoni ju? "Është ajo që thashë më sipër. Para se të shpallesha ‘Non Grata’ jam ndaluar disa herë në komisariatet e Margëliçit, Filatit, Gumenicës në Greqi, teksa kemi qenë duke realizuar dokumentarë mbi shqiptarët e Çamërisë dhe historinë e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur në zonën e Negovanit, kur kemi realizuar një dokumentar për priftin patriot Papa Kristo Negovani. Mesa duket këto të vërteta shqetësuan jo pak autoritetet dhe grupet ekstremiste në vendin fqinj dhe erdhi vendimi për tu shpallur ‘Non Grata’. Është një vendim absurd sepse e vërteta nuk shpallet dot “Non Grata’. Mund të ndalosh Marinin, por nuk ndalon dot të vërtetën. Mund të veçoni ndonjërin nga dokumentarët që keni realizuar, që ka shkaktuar polemika me vendet fqinje duke qenë se disa prej tyre kanë pretendime territoriale karshi nesh? Ka pasur disa të tillë, por unë nuk i realizoj për të shkaktuar polemika, por thjesht dhe vetëm për të treguar të vërtetën. E vërteta duhet pranuar sepse është forma më e mirë për të ecur përpara, për të ndërtuar një bashkëjetesë të sinqertë, të mirë dhe të mbështetur mbi themele të forta. E kanë pasur të lehtë shqiptarët të cilët jetojnë jashtë territorit shqiptar ta pranojnë origjinën e tyre dhe a ka pasur raste kur ata e kanë pranuar se një gjë e tillë mund t’iu shkaktojë probleme? Kam hasur me dhimbje shumë zona ku shqiptarë të asimiluar nuk e pranojnë origjinën e tyre. Mbi ta është ushtruar presion, kërcënime, janë bërë favore të ndryshme. Janë përdorur shumë forma për ti asimiluar dhe kjo do të thotë se rikthimi tek rrënjët nuk është i thjeshtë. Megjithatë jam i sigurt se nëse punohet, atëherë rezultatet mund të jenë shumë të mira. Ndoshta nuk do ti “zgjojmë’ dot të gjithë, por do të ketë shumë shqiptarë që do ta rigjejnë vetveten. E kam prekur diçka të tillë, pas dokumentarëve në Rekë të Epërme në Maqedoni, në Pazar të ri sot në Serbi, e madje edhe mes arvanitasve në Greqi. Ka pasur shumë shqiptarë nga këto zona që pas dokumentarëve më kanë shkruar përmes rrjeteve sociale. Dokumentari juaj do të ketë të njëjtin fokus në të ardhmen? Unë e dua punën që bëj dhe do përpiqem ta vazhdoj rrugëtimin tim. Është një rrugëtim shpesh i vështirë, por që mbart brenda vetes shumë dashuri. Cili është pasioni tjetër juaji krahas fushës gazetareske? Pasioni im më i madh pas gazetarisë është futbolli. E dua këtë sport. Kam luajtur me ekipet e moshave që në moshën 8 vjeçare. Kam pasur fat të kem shokë ekipi futbollistë si Muçollari, Karapici, Ansi Agolli, Ervin Bulku, Endri Vrapi, Fortuzi, Nallbani , Merkoçi, Tafaj e shumë të tjerë. Pavarësisht se kam bërë disa ndërhyrje në këmbë përpiqem të luaj kur mundem futboll. Është momenti kur unë ndihem sërish i vogël edhe pse fiziku nuk përgjigjet ndoshta si dikur. Vendi ynë ka mundësi zhvillimi në turizëm, duke pasur bukuri dhe pasuri natyrore, ujore. Mendoni se po shfrytëzohen si duhet këto resurse apo ndikon keq-menaxhimi politik? Shqipëria është një vend që ka gjithçka, ka detin, liqenin, malet, historinë, traditën, trashëgiminë, por për fat të keq ato ende nuk shfrytëzohen siç duhet. Turizmi kërkon një organizim tjetër, një mendësi tjetër, kërkon më shumë njohje për të gjitha pasuritë që ka ky vend. Ky vend mundet të ofrojë më shumë, mund të sjellë shumë e më shumë turistë të cilët jo vetëm do të dukeshin kalimthi, por do të qëndronin edhe më gjatë këtu. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse ata që vetë kërkojnë të bëjnë turizmin, nuk e njohin siç duhet Shqipërinë. Cila mund të jetë mundësia pozitive që Shqipëria të ndryshonte në çdo lloj aspekti, qoftë edhe në qeverisje? Ky vend ka nevojë për frymë, pasion, ndershmëri, për njerëz qe e duan vërtetë. Shqipëria ka nevojë për të rinjtë, për ngjyrat e tyre, për ritmin dhe dëshirën rinore. Ky vend ka nevojë për burrat e gratë, gjyshërit e gjyshet që me eksperiencën e tyre të vyer mund të ndihmojnë për të ecur siç duhet. Ky vend ka nevojë për njerëzit e ndershëm, për ata që diellin duan ta shohin me kokën lartë. /Liberale.al/  

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH