Politikë

Intervista e Ambasadorit britanik në Tiranë, për ‘non-gratat’: Synojnë llogaridhënien dhe ndëshkimin

Shkruar nga Liberale
Intervista e Ambasadorit britanik në Tiranë, për

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith njoftoi rreth valës së parë të masave të ndërmarra nga Qeveria Britanike kundër disa shtetasve shqiptarë të lidhur me krimin & korrupsionin.

Në një intervistë për Tvklan ai tha: “Unë dua ta siguroj publikun shqiptar që ne nuk kemi shënjestruar ndonjë parti politike, grup politik apo ndonjë grup tjetër. Kjo është një qasje e mirë-ekuilibruar. Kjo qasje synon individët dhe lidhjet e tyre tejet të qarta me krimin dhe korrupsionin. Gjithashtu, qasja merr parasysh çdo rast individual nëse individët kontribuojnë në të mirën publike të Mbretërisë së Bashkuar”. Intervista e plotë e Ambasadorit britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith:

Z.Ambasador, faleminderit që pranuat të bëjmë këtë intervistë së bashku. I dërguari me punë i Kryeministrit britanik, z.Sir Peach, ka deklaruar se Britania do të nisë të praktikojë një regjim të ri sanksionesh për subjektet e përfshira në korrupsion dhe në krim. E para, për publikun shqiptar, çfarë do të thotë kjo? A po importon Britania e Madhe një model të ngjashëm me atë amerikan të njohur si ‘non grata’?

Elja, është një kënaqësi e madhe të jem këtu me ty në Klan. Siç ju e dini që Mbretëria e Bashkuar po përforcon marrëdhëniet e saj dhe bashkëpunimin me Shqipërinë. Ne do të vijojmë në këtë rrugë në të gjitha fushat këtu fuqizimin e demokracisë, llogaridhënien por gjithashtu edhe me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtë javë kemi ndërmarrë vetëm hapat e parë të një sërë veprimesh të cilat synojnë llogaridhënien dhe ndëshkimin sepse është shumë e rëndësishme që ta bëjmë diçka të tillë. Këtë javë kemi ndërmarrë gjithashtu disa veprime lidhur me çështjen e emigrimit për disa persona shqiptarë të cilët kanë lidhje me botën e krimit dhe korrupsionit. Ju më pyetët nëse do të jetë procedurë e njëjtë si e Shteteve të Bashkuara. Këto vendime merren në mënyrë të pavarur në interes të Mbretërisë së Bashkuar dhe në të mirë të popullit britanik. Por patjetër ne diskutojmë këto lloj problemesh në një rreth të ngushtë me partnerët tanë, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është një iniciativë që ndërmerret për gjithë rajonin apo vetëm për Shqipërinë? Dhe për Shqipërinë specifikisht, çfarë indicesh ka?

Ambasadori britanik Alastair King-Smith: Fillimisht kjo është pjesë e një qasje globale. Ju të gjithë keni parë se ne kemi ndërmarrë masa dhe sanksione kundrejt Rusisë në një fushë të gjerë problemesh që lidhen globalisht me respektimin e të drejtave të njeriut dhe korrupsionin. Por kjo është specifike për Ballkanin Perëndimor, është për të gjithë rajonin pasi ka probleme në lidhjet mes krimit dhe politikës. Ne duhet t’i thyejmë këto lidhje. Ajo çfarë ne do të bëjmë është që të përdorim këtë paketë masash. Ky është vetëm hapi i parë i disa veprimeve që do të ndërmerren. Ne kemi mjete të ndryshme, si për shembull sanksionet kundër korrupsionit, sanksionet financiare dhe ndalimin e emigrimit. Ky është vetëm hapi i parë që po ndërmarrim, ju do të shihni veprime të tjera me kohën.

Ka një listë Britania e Madhe me emrat e shqiptarëve të përfshirë në krim dhe korrupsion që mund të përfshihen në këto sanksione?

Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i publikojë emrat e personave ose detajet mbi këto veprime që do të ndërmarrim për arsye ligjore.

Ju e përmendët që këtë javë keni ndërmarrë disa veprime. Edhe ne si gazetar jemi kureshtarë të dimë, emrat janë shumë të rëndësishëm për ne. Sigurisht që nuk do ta marr këtë përgjigje, por mund të na thoni nëse ka politikanë të përfshirë në këto veprime që ju keni ndërmarrë këtë javë apo që mund të ndërmerrni në javët në vijim?

Patjetër që e kuptoj interesin e madh mbi këtë çështje, por Mbretëria e Bashkuar nuk i bën publik emrat për arsye të drejta ligjore. Dua të sqaroj opinionin publik se ne nuk targetojmë ndonjë parti apo forcë politike ose grupe të tjera. Kjo është një qasje e balancuar dhe ka të bëjë me publikimin e informacionit për individët që kanë lidhje me krimin apo korrupsionin. Udhëzimet janë të qarta dhe merren në baza individuale edhe nëse  personi ka ndikim pozitiv publik në Mbretërinë e Bashkuar.

Dua të ndalem edhe pak tek zhvillimet politike në Shqipëri. Besoj dhe ju i ndiqni dhe jeni i interesuar të jepni opinionin tuaj. Nisma më e fundit e qeverisë, ajo për amnistinë fiskale ka patur jo pak debate, ka ngjallur jo pak debate, jo vetëm brenda vendit por edhe mes përfaqësisë tuaj diplomatike apo përfaqësive të tjera diplomatike në vendin tonë. Ju si e shikoni, a duhet të ketë një amnisti penale dhe fiskale? 

Faleminderit për pyetjen. Kjo është një çështje që kërkon trajtim të kujdesshëm. Ne kemi pasur diskutime të shumta me qeverinë shqiptare dhe i kemi dëgjuar me shumë kujdes, përfshirë Kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Gjithashtu dhe politikanë të ndryshëm dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ka një sërë shqetësimesh dhe mendoj se Mbretëria e Bashkuar ndan këto shqteësime me partnerët e saj ndërkombëtarë, si Bashkimi Europian. Ne jemi të shqetësuar veçanërisht për mënyrën se si masa të tilla mund të shfrytëzohen nga kriminelët apo grupet kriminale për qëllime të ndryshme.

Keni disa rezerva por nuk është se jeni pozicionuar kundër kësaj nisme?

Nuk është mbi bazën e principeve të amnistisë fiskale sepse në një mënyrë apo në një tjetër mund të ketë një ndikim pozitiv, por nga ana negative është se a mund të bëhet diçka e tillë duke shmangur kriminalitetin dhe problemet që masa të tilla sjellin. Këto janë problemet që kemi në diskutimet e tanishme dhe do të vijojmë bisedimet mbi këtë çështje për t’u siguruar se nuk do të ketë impakt negativ as për Shqipërinë dhe as për Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu.

Nëse shikohen me kujdes të gjitha këto detaje, Shqipëria mund ta bëjë apo jo, nëse është një kujdes i veçantë për të mos lejuar që njerëz të inkriminuar të mund të formalizojnë paratë e tyre të krimit?

Ne jemi me të vërtetë të shqetësuar për momentin, se propozimi aktual nuk do të shmangë problemet që fola pak më parë dhe situata mund të shfrytëzohet.

Një koment të fundit. Vetëm dy ditë më parë, Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat e anëtarësimit. Po pyes përfaqësuesin e një vendi që ishte pjesë e këtij unioni edhe si duket ishte mjaftueshëm dhe vendosën që të dalin nga kjo, por ne kemi entuziazëm shumë të madh për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Ju si e shikoni këtë entuziazëm të Shqipërisë duke qenë jashtë tashmë?

Do doja t’ju uroja ju dhe popullin shqiptar në këtë hap kaq të rëndësishëm në hapjen e negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ne kemi qenë një vend mbështetës ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE mesa mbaj mend, dhe ne vijojmë të japim mbështetjen që atëherë. Ne dëshirojmë ende të mbështesim popullin shqiptar dhe vendet e rajonit në atë dëshirë për të lëvizur në trajektoren euroatlantike. Dëshirojmë t’ju shohim që ju të përqafoni vlerat evropiane duke qenë anëtar të BE-së. Shtetet e Ballkanit Perëndimor do t’i shërbejnë më mirë qytetarëve të tyre. Kjo është arsyeja përse mbështesim aspiratat tuaja.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH