Aktualitet

INTERBA / Universitetet e Ballkanit drejt ndërkombëtarizimit

Shkruar nga Liberale

Ndërkombëtarizimi në Shtëpi është projekti që synon të modernizojë dhe përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë në universitetet e Ballkanit Perëndimor. Një takim sqarues mbi projektin INTERBA u zhvillua në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, institucion partner bashkë me një sërë universitetesh nga rajoni dhe vendet e Bashkimit Europian. Me sfidat e arsimit në shekullin 21, qasja ndërkombëtare shihet si jetike.

Dijet e përftuara në universitete nuk kanë më vetëm ambicie lokale. Gjithnjë me shumë studentët kërkojnë të mjeshtërohen në ato aftësi profesionale që kërkon tregu global.

Hapja apo ndërkombëtarizimi i universiteteve në rajonin e Ballkanit- ende i pa integruar në familjen e madhe të Bashkimit Europian, por me dëshirën e mirë dhe përpjekjet për të marrë praktikat më të mira nga këto vende – i ka dhënë frytet, sakaq.

Modernizimi i programeve mësimore dhe ekspozim ndaj metodologjive të ndryshme të mësimdhënies dhe nxënies sjellin sot një kuptim më të qartë mbi rolin e arsimit në shekullin 21.

Por megjithë përfitimet që vijnë si rezultat i këtyre projekteve ndërkombëtarizuese, numri i kufizuar i studentëve dhe stafit ka dhënë një lloj ndikimi disi asimetrik. Disa departamente kanë përfituar më shumë se të tjerët.

Për të dhënë informacion më të gjerë e të hollësishëm mbi projektin e ndërkombëtarizimit në Ballkanin Perëndimor, i njohur ndryshe si Interba, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, më 26 prill, u organizua një aktivitet, që shënjestroi stafin akademik dhe studentët e Universitetit Europian të Tiranës e po ashtu stafin ndërkombëtar të ftuar në kuadër të Ditëve Ndërkombëtare 2022, që u mbajtën në javën e fundit të muajit prill.

Të ftuar në këtë takim ishin Prof. Assoc. Dr. Mirdaim Axhami, profesor në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës – Institucioni lider në projektin INTERBA - Prof. Dr. Irma Grdzelidze, profesore në Universitetin Teknik të Gjeorgjisë dhe eksperte për ndërkombëtarizimin, ekspertët kyç të UET, të angazhuar në projektin INTERBA si dhe studentë të UET.

Takimi u fokusua në prezantimin e përgjithshëm të projektit, objektivat dhe progresin e zbatimit të projektit nga Prof. Axhami, prezantimin e platformës Moodle, e cila do të përdoret për zhvillimin e trajnimeve qe projekti parashikon, dhe vlerësimin nga Prof. Grdzelidze për statusin e ndërkombëtarizimit në shtëpi, në UET.

“Qasja e ndërkombëtarizimit në një mënyrë më holistike, duke përvetësuar dhe forcuar “ndërkombëtarizimin në vend”, është jetike”, shprehet Dr.Ketrina Çabiri Mijo, nga Zyra e Projekteve dhe Ndërkombëtarizimit në UET. Projekti, sqaron më tej ajo, synon të forcojë dimensionin ndërkombëtare, ndërkulturor dhe global përmes zbatimit të Ndërkombëtarizimit në Shtëpi (IaH)me institucionet partnere të arsimit të lartë, për të rritur cilësinë e arsimit dhe për të dhënë kontribut më kuptimplotë në shoqëri.

Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Europian, skema Earsmus + CBHE dhe do të zhvillojë në mënyrë të vazhdueshme veprimtari informuese, si përpjekje për të shtuar numrin e përfituesve sa më shumë të jetë e mundur, si edhe për të siguruar qëndrueshmërinë e ndikimit të arritur.

Të tjerë objektiva të këtij projekti përfshijnë formulimin e një koncepti më të detajuar të Ndërkombëtarizimit në Shtëpi, që mund të bëhet më pas pjesë e pjesë e udhëzuesve të universiteteve partnere, si edhe të rrisë realizueshmërinë e veprimtarive në kuadër të këtij projekti, në universitetet partnere, si edhe të ngrejë e modernizojë strukturën përgjegjëse të këtij projekti, në universitete.

Gjatë vitit të parë të projektit është kryer një analizë e të gjitha projekteve të mëparshme ndërkombëtare të zbatuara në çdo vend brenda fushës së ndërkombëtarizimit. Kjo jo vetëm që i ka dhënë një vështrim të përgjithshëm të mekanizmave të përdorur për të rritur ndërkombëtarizimin, por gjithashtu ofron një analizë të hendekut që hap portën për përmirësim të mëtejshëm dhe sistematik.

Partnerë në këtë projekt janë: Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti i Tiranës nga Shqipëria, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji Universum nga Kosova, Universiteti i Tuzlës dhe ai i Mostarit “Dzemal Bijedic” nga Bosnje dhe Hercegovina, Universiteti i Cagliari-t dhe Qendra Europian për Studime dhe Iniciativa nga Italia, Universiteti i Hamburgut nga Gjermania dhe ai i Middlesex, nga Anglia, të cilët e bëjnë hartën e bashkëpunimit gjithëpërfshirëse.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH