Kryesore

Intelektuali i parë që reagoi ndaj fushatës antishqiptare serbe

               Publikuar në : 09:43 - 28/11/20 liberale

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titulli: Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera

Autori: Shkëlzen Maliqi

Dialog me Baton Haxhiun

Baton Haxhiu: Para vitit 1982, Shkëlzen Maliqin në Kosovë pak kush e ka njohur si njeri të shkrimit. Në jetën e shkronjave, debateve por edhe të politikës, thuhet se ju ka futur një letër e hapur e botuar në revistën “NIN” të Beogradit. Letra e hapur drejtuar akademikut serb Pavle Iviç, ju bëri që të dilni nga gëzhoja e anonimitetit. Pse në të vërtetë e shkruat letrën?

Shkëlzen Maliqi: Është e vërtetë se në kohën që shkrova atë letër- reagim në Kosovë nuk më njihnin… Posa isha kthyer nga Beogradi, ku pata kaluar një periudhë të bukur e të gjatë të jetës, 16 vjet. As në Beograd nuk kam krijuar emër publik. Atëherë isha 35 vjeç dhe nuk kisha asgjë përveç bibliotekës personale, nja tre-katër mijë librave, që i kisha sjellë nga Beogradi. Që nga shtatori i vitit 1982, po prisja të gjeja ndonjë punë. Kjo nuk ishte aq e lehtë edhe pse “lidhjet” i kam pasur shumë të forta. Babai im, Mehmet Maliqi, ishte atëherë ministër i Rendit në Kosovë, post shumë i fuqishëm dhe i frikshëm. Njerëzit sot do të mendonin, si edhe atëherë, se ka mjaftuar një fjalë e tij për të më gjetur punë çfarë dëshiroja. Por, unë isha shumë modest dhe i kujdesshëm… Kërkoja punë të qetë, mundësisht në Bibliotekën Kombëtare, si bibliotekist i thjeshtë, dhe që punësimi të bëhet sipas rregullave. Kështu që prita 6 muaj. Dhe në atë kohë, deri sa po prisja punësimin, ditët i kaloja qetë, duke lexuar dhe shkruar nga pak, kryesisht poezi… Një ditë, nëse më kujtohet saktë, ka qenë fundi i nëntorit ose fillimi i dhjetorit të ‘82-shit, e pata lexuar një shkrim në të përjavshmen “NIN” të Beogradit që komentonte librin “Shqiptarët dhe trojet e tyre” të botuar në atë kohë në Tiranë. Bashkëbiseduesi i NIN-it ishte akademiku serb Pavle Iviç. Ai riaktualizonte debatin për etnogjenezën e shqiptarëve, duke hedhur poshtë tezën ilire dhe afirmuar tezën trakase. Në atë shkrim kishte shumë paragjykime kundër shqiptarëve dhe Kosovës. Iviçi e kritikonte ashpër nacionalizmin shqiptar nga pozitat e një nacionalizmi të pafrenuar serb. Unë e shkrova një reagim, ia dërgova NIN-it dhe u çudita kur doli një javë më pas pa ndërhyrje dhe shkurtime. Një javë më pas u befasova edhe më shumë kur reagimi im doli i përkthyer si kryeartikull në shtojcën për kulturë të “Rilindjes”. Nuk e kam pritur këtë lloj audience. Nuk e kam menduar as në ëndërr që brenda natës do të bëhem i famshëm, që kjo letër do të përcaktojë fatin tim në të ardhmen, duke më lidhur me publicistikën dhe politikën, të cilat deri atëherë as që më ka shkuar mendja se do të më bëhen angazhimet kryesore për një çerek shekulli.

Baton Haxhiu: A do të thotë kjo se nëse ajo letër  nuk do të botohej në NIN, Shkëlzen Maliqi nuk do të ishte ky që është sot, një autor që ka botuar me qindra shkrime, reagime dhe intervista në mediumet e ndryshme në Kosovë, ish-Jugosllavi, Shqipëri dhe në Perëndim?

Shkëlzen Maliqi: Po, të gjitha filluan me atë letër, mirëpo nuk mund të them se ky ka qenë momenti përcaktues. Unë isha i përgatitur. Në atë kohë në Serbi kishte filluar një fushatë mediatike e padurueshme antishqiptare dhe mua dhe më është kërkuar për të reaguar. Sigurisht se dikur do të futesha në lojë. Megjithatë, në atë moment kjo ishte një sfidë e panjohur për mua… Dhe nuk kam mundur as ta imagjinoja se në të vërtetë po fillonte një histori e thyerjeve të mëdha që do të përcaktonin jo vetëm fatet individuale, por edhe ato kolektive. Sigurisht se nuk kam qenë ndonjë profet i thyerjeve. Në fillim unë ndihesha vetëm i fyer. Më vonë e kam kuptuar, si edhe të tjerët, se ato kanë qenë dridhjet e para të një sërë tërmeteve të fuqishme që do ta rrënonin federatën jugosllave. Në dhjetor të vitit 1982 nuk kam mundur të di se letra NIN-it, jo aq si përmbajtje, por si gjest, do ta kishte një peshë të veçantë, jo vetëm për mua personalisht.

Por, para se të vazhdoj, dua ta tregoj historinë e botimit të shpejtë dhe pa censurë të letrës sime në “NIN”, në ato rrethana. Kjo histori dëshmon se edhe në rastësi ka sistem. E kam kuptuar atë më vonë nga Nait Vrenezi. Redaktori i rubrikës së letrave të NIN-it në atë kohë ka qenë Luba Stojiq, tani i ndjerë. Ai ka qenë me profesion psikolog, koleg i Naitit në shkollë. Këtij Stojiqit, pra, i kishte rënë në dorë letra ime dhe i kishte pëlqyer, por nuk e kishte idenë se kush mund të ishte ky Shkëlzen Maliqi.

Baton Haxhiu: Thuhet se serbishten e ke shkruar perfekt dhe me stil të lartë…?

Shkëlzen Maliqi: Po, vërtet unë atëherë e shkruaja serbishten bukur. Dhe kjo edhe e kishte befasuar Stojiqin. Andaj i kishte bërë telefonatë Nait Vrenezit për ta pyetur nëse njeh dikë nga Prishtina që quhet Shkëlzen Maliqi. Naiti i tregon se kush jam, sepse ne njiheshim që nga gjimnazi i Prizrenit dhe kemi studiuar në Universitetin e Beogradit në të njëjtën kohë. Unë e njihja mirë Luba Stojiqin, sepse kishte një farë fame ndër studentët, i kisha lexuar edhe shkrimet e tij, dhe e shihja shpesh edhe në kafenetë e famshme të Beogradit si “Pod lipom”, “Gërmeç”, “Kolarac” etj. Por, meqë unë isha më i ri se ai, ka mundur të më njihte si fytyrë ose me nofkën time Zeni ose Zen, siç më quanin në Beograd, por jo edhe me emër dhe mbiemër. E thashë më parë se deri në moshën 35 -vjeçare nuk kam botuar shkrime. Në të vërtetë, më 1980 unë pata botuar një pjesë të studimit tim mbi estetikën bizantine, konkretisht analizën e krizës ikonoklaste, që ishte si një libër i vogël, me 6 tabakë të autorit. Por revista filozofike ku u botua shkrimi kishte qarkullim të vogël dhe vetë tema mesjetare nuk ishte aq atraktive që të bëja emër publik. Sidoqoftë, pa marrë parasysh nëse Stoiçi ishte kujtuar se cili jam, atij i kishte pëlqyer shkrimi im dhe u botua pa ndërhyrje nga redaktorët përgjegjës të NIN-it.

Por, për mua befasia më e madhe ndodhi në Prishtinë. Shkrimi im menjëherë u përkthye dhe u ribotua te “Rilindja”, krahas atij të akademikut Iviç. Pastaj u ribotuan edhe shkrimet polemike të radhës që i botonte NIN-i. Kjo polemikë pati një audiencë dhe jehonë jashtëzakonisht të madhe. Për herë të parë pas vitit 1981 po botohej një shkrim publicistik i një autori shqiptar i cili nuk ishte defensiv, por demaskonte fushatën e nacionalizmit serb. Unë në Prishtinë isha pothuajse krejtësisht i panjohur, dhe për shkak të guximit dhe stilit të lartë të shkrimit, shumë njerëz më kanë thënë se kanë qenë të bindur se ky është pseudonim i ndonjërit prej akademikëve, profesorëve ose autorëve të njohur kosovarë.

Baton Haxhiu: Një histori klasike e suksesit dhe të bërit me famë brenda natës…

Shkëlzen Maliqi: Po, ashtu disi… E papritur dhe shokuese. Përkrahja më vinte edhe nga instancat më të larta shtetërore. Një telefonatë më pati bërë edhe Fadil Hoxha, në atë kohë anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë. Ai ma uronte guximin dhe qasjen. “Na ke zbardhë faqen”, tha. Në dallim nga të tjerët, Fadil Hoxha më ka njohur mirë, jo vetëm se babai im ka qenë në udhëheqësinë e ngushtë të komunistëve të Kosovës, por ai më njihte edhe personalisht. E kam takuar disa herë në raste të ndryshme, qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd. Një herë ai më pati njohur në rrugë kur unë kaloja pranë Kuvendit të Serbisë dhe më ftoi për drekë në restorantin e Kuvendit. Po kështu, Fadil Hoxha ka luajtur rol të madh në vitin 1969 duke ndërhyrë tek policia që të mos burgosesha si aktivist i grupit rebel majtist të lëvizjes studentore të vitit ’68 në Universitetin e Beogradit….

Baton Haxhiu: Do të kthehemi më vonë te ‘68-ta…. Tani, ju lutem ta vazhdoni rrëfimin për motivin e futjes në polemikë me një akademik serb në të përjavshmen NIN?

Shkëlzen Maliqi:  … Po, motivi është i qartë. Ishin bërë 15 vjet që unë jetoja në Beograd dhe kisha njohur relativisht të mira të skenës serbe, dhe se kush është dhe çka përfaqëson akademiku Iviç në Serbi. Me fillimin e fushatës antishqiptare në mediat serbe, unë po zemërohesha gjithnjë e më shumë pse s’kishte kundër reagime ose pse kur reagohej, ato ishin të zbehta, madje më dukeshin edhe kundër produktive. E dija se garnitura e udhëheqësve serbë, pas vdekjes së Titos, kishte marrë kursin radikal ndaj Kosovës. Ma kishte thënë këtë edhe babai im, më 1981, pasi që ishte emëruar në detyrën e vështirë dhe delikate të Ministrit të Punëve të Brendshme në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës, që ishte Qeveria në atë sistem. Më kujtohet se diku nga fundi i vitit 1981, ne po ktheheshim me makinë nga Prizreni për në Prishtinë, dhe diku te Qafa e Dulës, Mehmeti ma bëri me dije se udhëheqësit serbë, sidomos Ministri i Brendshëm, nuk më kujtohet më emri i tij, janë më radikalë në çështjen e Kosovës se edhe vetë Aleksandar Rankoviçi  famëkeq! Më la të kuptoj se në takimet mes dy udhëheqësive, të Serbisë dhe të Kosovës, ka tensione të jashtëzakonshme, deri edhe kërcënime për likuidime nga mujsharët e ri të Beogradit, të cilët po shfrytëzonin vakumin e autoritetit pas vdekjes së Titos dhe demonstratat e Kosovës të vitit 1981.

Unë e pata pyetur Mehmetin për organet federative jugosllave, si qëndron puna me pushtetin dhe disponimin e tyre, se a ka “federata” fuqinë për t’ia ndalur hovin pretendimeve serbe. Por nuk pata marrë ndonjë përgjigje të qartë për raportin real të forcave në federatë. Mehmeti më pati thënë se kuadrot kosovare po rezistonin në shumë nivele. “Nuk do të lejohet zhbërja e autonomisë së Kosovës. Ne i kemi të gjitha të drejtat e republikës, pos emrit, dhe nuk do të lejojmë kthimin mbrapa”.

Pra, në vitin e fundit të qëndrimit në Beograd, më 1981, e ndiqja me vëmendje skenën dhe prapaskenën e politikës serbe. Isha i informuar për tendencat në publicistikë dhe në qarqet intelektuale serbe. Në rastin konkret, për të cilin më pyet, fakti është se unë në atë kohë zihesha përbrenda nga mllefi dhe pakënaqësia me fushatën antishqiptare. Gjithnjë e më shumë më preokuponte kjo, sidomos kur shihja pafuqinë e inteligjencës kosovare që t’i përgjigjet fushatës. Dhe erdhi një ditë kur nuk mund të përmbahesha…

Baton Haxhiu: Të gjithë heshtnin e Shkëlzen Maliqit i ra hise të reagojë?! Po si të lindi kjo ide?

Shkëlzen Maliqi:  E kisha idenë për këtë edhe më herët kur isha në Beograd, por mendoja se nuk më takon mua reagimi. Ka të tjerë atje në Kosovë që janë më të informuar, më pranë detyrës dhe obligimit për të kundërshtuar fushatën antishqiptare… Vetëm kur u ktheva në Kosovë, duke qëndruar disa muaj në Prishtinë dhe duke u futur në disa qarqe intelektuale, kuptova se mosreagimi ndaj fushatës nuk i kishe burimet vetëm në represionin e shtuar dhe pasigurinë dhe frikën e njerëzve nga pasojat, nga ndjekja, burgosja, përjashtimi nga puna etj. Kuptova se intelektualëve në Prishtinë u mungonte jo vetëm guximi, por edhe informimi dhe qasja e duhur për çështjen. Po mendoj në rrethanat e atëhershme dhe mundësitë që ekzistojnë për reagime. Atëherë vendosa që të reagoj vetë, t’i them ato kundërargumentet ndaj fushatës, që prej kohësh i vloja nëpër mend. E pata bërë këtë me shpresën se mund të shërbente si model edhe për të tjerët. Ndoshta kam qenë naiv, s’di, por disi e kisha bindjen, dhe vetëbesimin, se ekzistonte hapësira e mjaftueshme edhe brenda sistemit dhe ideologjisë së atëhershme jugosllave, për demaskimin e nacionalizmit serb, i cili po e dirigjonte ashtu hapur fushatën denigruese antishqiptare.

Por, kur e kujtoj sot pozicionin tim të atëhershëm, mendoj se kam pas deri diku një përparësi, ose fat, që guximi im në demaskimin e nacionalizmit serb, të mos kishte menjëherë pasoja. Thjesht, unë kam qenë një intelektual shqiptar jashtë kategorive të zakonshme, pasi që kam qenë deri diku i mbrojtur, me disa favore relative, të cilat të tjerët nuk i kanë pasur. E para përparësi ka qenë që isha i biri i Mehmet Maliqit, që në atë kohë mbante detyrën e Ministrit të Rendit të Kosovës dhe po e luftonte irredentizmin shqiptar, siç etiketohej në atë kohë lëvizja për republikën e Kosovës, ose më parë ajo për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë lidhje të ngushtë familjare unë kam pasur probleme me patriotët dhe nacionalistët shqiptarë, dhe jo aq me pushtetin që ende ishte komunist. E dyta përparësi ishte që unë nuk ia kisha frikë kacafytjeve publike me nacionalistët serbë ngase isha i bindur se e kam gjetur formulën e polemizimit me ta. Kjo formulë ishte e thjeshtë : kujdesesha që të mos paraqitem nga pozitat e nacionalizmit shqiptar, çka nuk e kisha të vështirë sepse për nga bindja nuk isha nacionalist. Kjo pikënisje ime jonacionaliste sot mund të tingëllojë si pozicionim nga ana e “integrizmit jugosllav”, siç më kanë perceptuar disa qarqe në Kosovë, p.sh. Mehmet Kraja, por nuk ka qenë as ashtu. Unë vetëm besoja se arma më e fuqishme e konfrontimit publik me nacionalizmin serb ka qenë shfrytëzimi i legatit të komunizmit jugosllav, të titizmit, që parimisht përjashtonte dominimin e ideologjive nacionaliste, sidomos të nacionalizmit serb. Në themelet e atij sistemi, sado që nuk ka qenë krejtësisht konsistent, ka qëndruar vlera e luftimit e të gjithë nacionalizmave, sidomos të atij serb. Dhe kjo është dashur të shfrytëzohet si një mjet për demaskimin e koalicionit që kishte arritur Lidhja Komuniste e Serbisë me forcat ultranacionaliste dhe serbomëdha. Në diskursin publik të asaj kohe ende ekzistonin fusha të tëra të pakontrolluara nga lëvizja serbomadhe. Ekzistonte hapësira dhe mënyrat e ndryshme të demaskimit legjitim të dyfytyrësisë së pretendimeve serbomëdha. Forcat reaksionare në Serbi angazhoheshin gjithnjë e më hapur dhe në mënyrë ultimative për ndryshimin e kushtetutës të vitit 1974 dhe kthimin e hegjemonisë serbe. Nëse kjo nuk do të ndodhte, ato kërcënoheshin se do të heqin dorë nga Jugosllavia për të krijuar Serbinë e Madhe, që përpos Kosovës do të përfshinte edhe Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, më shumë se gjysmën e Kroacisë me pothuajse tërë bregdetin e Adriatikut dhe, më në fund, nuk hiqnin dorë as nga Maqedonia. Dhe kjo edhe do të dalë sheshit shumë shpejt pas hartimit dhe botimit, kinse “ilegal” të Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, që u pat kuptuar menjëherë si një ultimatum i adresuar ndaj federatës jugosllave: o do të rivendoset hegjemonia e Serbisë në Jugosllavi, o Serbia do të kërkojë rrugë të tjera për zgjidhjen e çështjes serbe…

Baton Haxhiu: Po, cila ishte qasja që sajove…?

Shkëlzen Maliqi: Qasja që kisha zgjedhur unë në shkrimet që bëja në ato rrethana, ishte ajo e moskontestimit të luftës që po zhvillohej kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Por, këtë e bëja me sherr sepse me këtë hapej rruga për të sulmuar edhe çdo nacionalizëm tjetër, dhe para së gjithash nacionalizmin serb, i cili qëndronte në ballë të fushatës së egër antishqiptare. Teza ime ishte se nacionalizmi shqiptar në Kosovë nuk mund të luftohet nëse ai zhvillohet nga pozitat e nacionalizmit edhe më të rrezikshëm serb. Sigurisht që ky postulat nuk ka qenë ndonjë shpikje e imja, sepse e thashë që ishte një legat i titizmit, i atij sistemi që për katër dekada e legjitimonte dhe ishte bazament i Federatës Jugosllave. Por, unë në të vërtetë nuk isha titist dhe komunist për nga bindja. Në shkrimet e asaj kohe, pos disa përjashtimeve, nuk përdorja diskursin dhe fjalorin komunist… /Gazeta Liberale

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back