Aktualitet

INSTAT: Çmimet ranë në muajin gusht, por ushqimet mbetën 7,8 % më të shtrenjta krahasuar me një vit më parë

Shkruar nga Liberale

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, në muajin gusht inflacioni zbriti në 4 për qind, ose është llogaritur dy herë më i ulët se ai i një viti më parë, kur ishte 8, çka tregon se një i tillë po shkon drejt një situate normale, megjithatë vlen të theksohet fakti se çmimet e ushqimeve mbeten sërish të larta.

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Gusht 2023 është 4,0 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 8,0 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Gusht 2023, krahasuar me Korrik 2023 është 0,6 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,78 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,44 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,43 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,20 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Veshje dhe këpucë” me +0,16 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,66 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore

Krahasuar me muajin Gusht 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,8 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5,9 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,4 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,9 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,2 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,3 %, “Shërbimi arsimor” me 2,2 %, “Shëndeti” me 1,3 % dhe “Komunikimi” me 1,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 10,0 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 20,8 %, pasuar nga nëngrupet “mish” me 9,6 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 9,1 %, “fruta” me 7,7 %, “peshk” me 5,3 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 3,5 %, “bukë dhe drithra” me 2,3 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore

Krahasuar me muajin Korrik 2023, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 2,8 %, pasuar nga çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4 % secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,3 %, “Shëndeti”, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,1 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,1 %. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH