Kryesore

Injektohen 50 dozat e para të vaksinës 

               Publikuar në : 09:31 - 12/01/21 liberale

Nisi dje vaksinimi kundër koronavirusit, falë një sasie të parë prej afro 1 mijë dozash të dhuruara nga një prej vendeve të Bashkimit Europian. Në javën e tretë pritet të mbërrijnë dhe 10 mijë dozat e para të një sasie prej 500 mijë vaksinash të siguruara nga një marrëveshje direkte me kompaninë Pfizer/BioNTech

Shqipëria nisi dje procesin e vaksinimit kundër Koronavirusit, falë një sasie të parë prej afro 1 mijë dozash të dhuruara nga një prej vendeve të Bashkimit Europian. Në javën e tretë pritet të mbërrijnë dhe 10 mijë dozat e para të një sasie prej 500 mijë vaksinash të siguruara nga një marrëveshje direkte me kompaninë Pfizer/BioNTech. Të parët që u vaksinuan ishin një pjesë e personelit shëndetësor të spitaleve ku kurohen të sëmurët e prekur nga Koronavirusi, Por dhe kryeministri Edi Rama i cili shpjegoi se e bënte këtë për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina, siç u shpreh ai, jo vetëm është e sigurt, por është arma asgjësuese kundër virusit.

Prej ditësh, në stadiumin “Air Albania”, të paktën 60 vende për realizimin e vaksinën, ishin bërë gati për ditën e sotme, që shënon nisjen e procesit të vaksinimit kundër COVID 19. Në fillim të vitit kryeministri Edi Rama kishte njoftuar se ishin garantuar 500 mijë dosa nga kompania Pfizer/BioNTech. 10 mijë dozat e para pritet të mbërrijnë në javën e tretë të Janarit.

Paralelisht autoritetet shpjeguan se kishin qenë në bisedime bilaterale dhe me disa vende të tjera.

“Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë i një prej kanaleve bilaterale me një vend të Bashkimit Europian, të cilit nuk jam i autorizuar ta bëj me dije se cili vend është dhe kjo për shkak të kërkesës së tyre vetë”, theksoi  Rama.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shpjegoi se në bazë të planit kombëtar të vaksinimit, “mjekët, infermierët që ofrojnë shërbimet në spitalet tona COVID, do të jenë të parët që do të vaksinohen, dhe vaksinimi i tyre, fillon sot dhe do të shtrohet në ditët në vijim sipas kapaciteteve të planifikuara”.

Më pas do të vijohet me të gjithë personelin shëndetësor, afro 23 mijë vetë, alternuar dhe me moshat e thyera, mbi 75 vjeç, duke nisur me ata që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe në institucionet e kujdesit shëndetësor e social.

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me gazetarët për nisjen e procesit të vaksinimit anti-COVID në Shqipëri nuk ka treguar detaje në lidhje me procesin e ardhjes së vaksinave.

Rama është shprehur se nuk mund ta tregojë së kush vend i dha vaksinat për arsye të konfidencialitetit.

“Zhdoganimi, procesi ka filluar ditën e premte dhe sot në orën 09:00 është kryer si proces për shkak të gjithë hapave që duheshin ndjekur. Vendi që na i ka dhënë vaksinat ka kërkuar konfidencialitet. Një ditë të caktuar, më tutje, unë mund të kem mundësinë ta them. Ka kërkuar konfidencialitet për të arsyet e veta. Për një arsye shumë të thjeshtë, që një vend e bën këtë për Shqipërinë, disa vende të tjera mund t’i thonë që bëhet edhe për ato. Pse e bën për Shqipërinë? Një nga arsyet është sepse keni Edi Ramën kryeministër”, u shpreh kreu i qeverisë.

Madje, Rama tregoi as vendin se ku po mbahet vaksina në Shqipëri.

“Vaksinat janë aty ky duhet të jenë, në sistemin e tyre ftohës”, tha Rama.

Në ditët në vazhdim, Shqipëria pret të marrë dhe afro 2 mijë doza të tjera, nga të cilat një pjesë do të shkojnë për personelin shëndetësor të spitalit Infektiv të Prishtinës. “Kosovën nuk do ta lëmë veç. Kosova është në COVAX, por nuk dihet se kur mund të fillojë. Ne nuk ja zgjidhim dot hallim, por që t’ia qajmë, jemi jo të detyruar, por jemi natyrshëm, shumë të prirur ta bëjmë këtë gjë”, deklaroi kryeministri.

Rama, u shfaq sërish kritik ndaj Bashkimit Europian i cili e la jashtë planit të vet të vaksinimit Ballkanin perëndimor: “Eshtë jo vetëm e papranueshme moralisht dhe politikisht, por edhe e pajustifikueshme logjikisht për një arsye shumë të thjeshtë; sepse Bashkimit Europian nuk i kushtonte asgjë që, ndërkohë që X vend merr X doza dhe i mban aty sepse nuk mund të bëjë vaksinimin me shpejtësinë që të ezaurojë të gjithë dozat që ka, fare mirë mund të linte një pjesë, sado të vogël, për vendet e rajonit dhe të thoshte se nga të gjitha këto, 6 vende të rajonit do marrin dozat për mjekët e Infektivit. Qoftë dhe vetëm për mjekët e Infektivit”.

Dozën e parë të vaksinës e bëri drejtuesja e Spitalit Infektiv Najada Çomo. Më pas ishte radha i kryeministrit i cili me herët kishte shpjeguar se “unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurtë, por vaksina është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm dhe dokrrat me çipat e me manipulime të geneve e me transformime të ilirëve në vikingë apo aziatikë, janë qesharake”

Përveç stadumit Air Albania, strukturat ku do të kryhen vaksinat, do të ngrihen dhe në qytete të tjera duke filluar më Shkodrën e me Vlorën.

COVID19/ Gjashtë viktima dhe mbi 370 raste të reja

Shqipëria ka regjistruar mbi 370 raste të reja me COVID-19 ndërsa gjashtë persona kanë humbur jetën. Katër viktima janë nga Tirana, një nga Lushnja dhe Pogradeci, të moshave 56-82 vjeç.

Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 263 pacientë, 27 në terapi intensive nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 333 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 37,981 që nga fillimi i epidemisë.

Janë kryer 1575 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 376 qytetarë.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:

98 raste në Tiranë, 29 raste në Lushnje, 27 raste në Durrës, 24 raste në Shkodër, 21 raste në Vlorë dhe Fier, 15 raste në Sarandë, 13 raste në Kavajë, 11 raste në Berat, 10 raste në Gramsh, 8 raste në Korçë, 7 raste në Mat, 6 raste në Mirditë, Delvinë, Dibër, Bulqizë, Vorë, 5 raste në Kavajë, Mallakastër, Kamëz, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Kuçovë, 3 raste në Kurbin, Divjakë, Belsh, Prrenjas, 2 raste në Devoll, Kukës, Lezhë, Librazhd, Gjirokastër, Cërrik, 1 rast në Elbasan, Has, Rrogozhinë, Tropojë, Tepelenë, Rroskovec, Këlcyrë, Libohovë.

Kryemadhi: Vaksina më e mirë 25 prilli

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar dje pasdite një takim me banorët e njësisë nr.7, ku e pranishme ishte dhe ish-ministrja Klajda Gjosha.

Gjatë fjalës së saj Kryemadhi tha se vaksina më e mirë për të nxjerrë vendin nga kriza është 25 prilli, ndërsa theksoi se opozita po shkon drejt unifikimit kundër kryeministrit Edi Rama.

“Shumë biznese kanë falimentuar në këtë kohë pandemie. Ekonomikisht këto biznese janë rrënuar dhe ndihma ekonomike ka qenë e pamundur. Dhe në bisedat tona me studentë, thonë se mësimi online nuk ka qenë metoda e duhur. Ajo që të bënë përshtypje është se përveç se nuk ndjen praninë e shtetit, e hanë atë tullën në lule të ballit, që shikojnë dhe atë videon se si ministrat drekojnë dhe darkojnë me oligarkët. Seç punë kanë në Dubai! Se mirë po i kuptoj Belinda Ballukun dhe Arben Ahmetajn. Ministrat drekojnë dhe darkojnë në Dubai. Nuk kuptoj Endri Fugën dhe Arbër Maznikun se çfarë bëjnë në Dubai. Kjo papërgjegjshmëri është një arrogancë. Unë dje isha në Laç. Dje isha në Laç dhe përmbytjet që kanë ndodhur atje është keqmenaxhimi i HEC-it të Shkopetit. S’e dimë se deri ku do të shkojë kjo histori, se sa të gatshëm jemi. Vaksina më e mirë ndaj kësaj është 25 prilli. Që është më e rëndësishme, pasi mendoj se shumë shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria, pasi kanë humbur shpresat. Ka shumë socialistë që e kanë të pamundur qe të çojën votën e tyre për Rilindjen. Ndaj mos të çojnë votën dëm, pasi hapësirat janë të pafundme. Opozita po shkon drejt unifikimit kundër Edi Ramës. Me ushtri të përgatitura me kandidatë perfekt. Voton LSI, por do të zgjedhësh një nga kandidatët që propozon LSI. LSI ka treguar gjithmonë se në njësinë 7 ka qenë avangarde. Është themeluar në këtë njësi LSI. Keni dhe një avantazh siç është Klajda Gjosha.”/Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back